Mesazh i Udhëheqjes Zonale
Misioni i Ndërmjetësit
Fjala “ndërmjetës” vjen nga latinishtja dhe do të thotë i ndërmjetëm, të hysh në mes.
Në jetën tonë në vdekshmëri, ka raste të tilla si në sipërmarrje, kur blejmë ose marrim me qira një shtëpi ose makinë dhe gjithashtu në konflikte, kur na nevojitet një ndërmjetës.
Në mënyrë që të jemi të suksesshëm në procesin e ndërmjetësimit, ndërmjetësi duhet të jetë neutral, asnjanës, i paanshëm dhe duhet të sigurohet që asnjërës nga palëve të përfshira të mos i shkelen të drejtat.
Si pjesë e planit të lumturisë, Zoti na ka siguruar një jetë në tokë. Lindja jonë është rezultati i zgjedhjeve që bëmë më parë, dhe është një hap shumë i rëndësishëm në përparimin tonë të përjetshëm.
Jeta jonë në vdekshmëri, e kufizuar nga koha, është e shkurtër dhe shkurtohet çdo ditë që kalon. Prapëseprapë, ajo është thelbësore për shpëtimin tonë, duke qenë se na lejon të bëjmë zgjedhje të përditshme që munden ose të na sjellin më pranë Atit tonë Qiellor, ose të na largojnë edhe më shumë prej Tij.
Ne mësojmë nga Mbreti Beniamin se “njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe ka qenë që nga rënia e Adamit dhe do të jetë gjithmonë …; nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë” (Mosia 3:19). Vetëm nëpërmjet përpjekjeve tona, në natyrën tonë të mishit dhe pa ndihmë, nuk mund ta arrijmë qëllimin e kësaj jete.
Na tërheqin në mënyrë të vazhdueshme dy forca të kundërta: njëra që na josh të bëjmë mirë dhe tjetra që na josh të bëjmë keq. “Kështu që, Zoti Perëndi e lejoi njeriun që ai të veprojë nga vetja e tij. Prandaj, njeriu nuk do të mund të vepronte nga vetja e tij, po të mos ishte që ai të joshej nga njëri ose tjetri” (2 Nefi 2:16).
Zoti i njeh përsosurisht mirë sfidat e kësaj jete në vdekshmëri. Ai i njeh dobësitë tona dhe pikat tona të forta, Ai e di se në këtë proces zgjedhjesh do të bëjmë gabime dhe kjo është arsyeja pse Ai ka siguruar një ndërmjetës.
“Një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve” (1 Timotetut 2:5). Ky ndërmjetës është Jezu Krishti, Ai është ndërmjetësi i besëlidhjeve tona me Atin. Është nëpërmjet Tij që ne vijmë tek Ati ynë Qiellor.
Krishti “është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë” (Hebrenjve 8:6). Kjo besëlidhje lejon që të plotësohen kërkesat e drejtësisë dhe kërkesat e mëshirës.
Falë Shlyerjes së Jezu Krishtit, i cili ndërhyri për mëkatet tona, ne kemi mundësinë të pendohemi dhe të përmbushim të gjitha kërkesat e besëlidhjes. Ai e bëri të mundur marrëveshjen.
Zoti ynë, në urtësinë e Tij të pafundme, na dha çdo herë nga një ditë, të ndarë në periudha 24 orëshe; çdo ditë është një ditë e re, një mundësi e re, një rilindje.
Ne mund t’i përsiatim veprimet tona në mbarim të çdo dite, mund t’ia çojmë Zotit, në lutje të përulur, përpjekjet tona të përditshme, sfidat tona, të japim falënderime dhe të kërkojmë ndihmën e Tij për ditën e re. Çdo ditë është një rilindje; ne kemi një mundësi të re të zgjedhim atë që është e drejtë dhe të jemi paksa më të mirë sesa ishim ditën e mëparshme.
Përveç Mësuesit tonë, Jezu Krishtit, Ndërmjetësit tonë të përjetshëm Suprem, Zoti e di se si pjesë e planit, ka periudha në jetën tonë kur na nevojitet të kemi ndërmjetës të tjerë të cilët të jenë pranë nesh fizikisht. Ndaj Ai e rivendosi Kishën e Tij në këto ditë të mëvonshme mbi themelin e profetëve dhe apostujve të cilët mbajnë çelësat e priftërisë, dhe udhëheqësve vendorë për të na ndihmuar.
Mbi të gjitha, e di se Ndërmjetësi ynë më i madh është Shpëtimtari ynë Jezu Krishti. Çfarë bekimi i mrekullueshëm është ta dimë, ta ndiejmë se nëpërmjet pendimit të sinqertë, mund të çlirohemi nga mëkatet tona.
E di se edhe nëse të gjitha gjërat dështojnë në jetën tonë, edhe nëse na bëjnë padrejtësi ose na përndjekin, madje deri në vdekje, Ndërmjetësi ynë, Jezu Krishti, nuk do të dështojë. Unë e vë gjithë mirëbesimin tim tek Ai. E di se Ai do të sigurojë dhe do të garantojë që të gjitha të drejtat, bekime dhe privilegjet tona të mbrohen në fund dhe ne do të jemi fitimtarë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.