Gusht
Ati Qiellor i Dëgjon dhe u Përgjigjet Lutjeve të Mia
“Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua” (DeB 112:10).
Plotësojini idetë që jepen këtu me disa nga tuajat. Çdo javë, planifikoni mënyra 1) për të dalluar doktrinën, 2) për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë dhe 3) për t’i ndihmuar ata që ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar dhe si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë Shpirtin?”
Java 1: Shkrimet e shenjta më mësojnë si të lutem.
Dalloni doktrinën: Ngrijini lart shkrimet e shenjta dhe kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë disa nga gjërat për të cilat ne mësojmë në shkrimet e shenjta. Tregojuni fëmijëve se një nga gjërat për të cilat mund të mësojmë në shkrimet e shenjta është si të lutemi.
Nxitni të kuptuarit dhe zbatimin (duke dëgjuar një histori nga shkrimet e shenjta): Tregoni historinë e Almës dhe Amulekut duke u dhënë mësim zoramitëve (shih Alma 31; 33–34). Ftojini fëmijët të interpretojnë me gjeste mënyrën e saktë për t’u lutur. Pyetini fëmijët se çfarë na mëson historia rreth lutjes. Bëni një listë me përgjigjet e fëmijëve në tabelë. Ftojini fëmijët që të diskutojnë rreth mënyrës se si zbatohet historia për ta.
Java 2: Ati Qiellor dëshiron që unë t’i lutem Atij shpesh – në çdo kohë dhe kudo.
Dalloni doktrinën dhe nxitni të kuptuarit (duke lexuar shkrimet e shenjta): Thuajuni fëmijëve se ata mund t’i luten Atit Qiellor në çdo kohë dhe kudo. Bëjini ata të gjejnë Alma 33:3–9. Lexojini vargjet së bashku dhe bëjini fëmijët që t’i ngrenë duart çdo herë që dëgjojnë një vend ku u lut Zenosi. Shkruajini këto vende në tabelë. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se çfarë domethënie do të kishin këto vende për ta sot duke krijuar shirita të shkruar për vende të barasvlershme të kohëve të sotme (për shembull, një vend ku jeni ndier i humbur ose vetëm për fjalën “vend i shkretë”; oborr, kënd lojërash ose park për fjalën “arë”; dhe orët mësimore e mbledhjet tona në Kishë për fjalën “kuvende”). Kërkojuni fëmijëve t’i lidhin shiritat e shkruar me fjalët korresponduese në tabelë.
Nxitni zbatimin (duke diskutuar për lutjen): Ndajini fëmijët në grupe dhe kërkojuni të tregojnë përvoja që kanë pasur kur janë lutur në vendet që përmendi Zenosi.
Javët 3 dhe 4: Përgjigjet e lutjeve nga Ati Qiellor vijnë në shumë mënyra .
Dalloni doktrinën (duke luajtur një lojë): Përpara mësimit të Fillores, shkruani në tabelë: “Përgjigjet e lutjeve vijnë nga Ati Qiellor në shumë mënyra” dhe mbulojeni çdo fjalë me një copë të veçantë letre. Bëjeni një fëmijë që të heqë një copë letre dhe kërkojuni fëmijëve të gjejnë cila është fjalia. Përsëriteni derisa fëmijët ta zbulojnë fjalinë dhe kërkojuni atyre që ta lexojnë njëzëri.
Nxitni të kuptuarit (duke lexuar shkrimet e shenjta): Tregojuni fëmijëve se Jozef Smithi u lut për të ditur se me cilën kishë të bashkohej. Lexoni së bashku Joseph Smith – Historia 1:17 për të zbuluar se si mori përgjigje për lutjen e tij (nëpërmjet një vizite nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti). Tregojuni fëmijëve se Alma u lut që i biri, Alma i Riu, të mësonte të vërtetën. Lexoni së bashku Mosia 27:11 për të zbuluar se si mori përgjigje Alma për lutjen e tij (një engjëll iu shfaq Alma të Riut). Shpjegoni se pjesa më e madhe e përgjigjeve të lutjeve vijnë në mënyra të tjera. Shkruajini shkrimet e shenjta vijuese në copa të veçanta letre që përshkruajnë mënyra në të cilat mund të merret përgjigje për lutjet: DeB 6:22–23 (përmes ndjenjave të paqes); DeB 8:2 (përmes mendimeve në mendjen tonë dhe ndjenjave në zemrën tonë); Mosia 27:36 (nëpërmjet veprimeve të njerëzve të tjerë); dhe 2 Nefi 32:3 (nëpërmjet shkrimeve të shenjta). Vendosini copat e letrës në një enë. Vëreni një fëmijë të marrë një e ta lexojë. Gjeni referencën e shkrimit të shenjtë, lexojeni së bashku dhe pyetini fëmijët se çfarë na mëson secili shkrim i shenjtë për mënyrën se si u përgjigjet lutjeve Ati Qiellor.
Nxitni zbatimin (duke dëgjuar histori): Thërrisni katër të ftuar për të treguar një histori që ilustron një nga mënyrat se si u jepet përgjigje lutjeve. Shembujt mund të vijnë nga përvojat vetjake, revistat e Kishës ose shkrimet e shenjta. Ftojini fëmijët që t’i pyesin familjet e tyre në shtëpi për rastet kur lutjet e tyre kanë marrë përgjigje.
Ndihmë për udhëheqësen e muzikës
Për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë këngën “A Child’s Prayer” [“Lutja e Një Fëmije”] (CS, f. 12–13), mbani parasysh sa vijon:
-
Kërkojuni fëmijëve që të përfytyrojnë sikur kanë qenë larg prej familjeve të tyre për një kohë të gjatë dhe më në fund po kthehen në shtëpi; ata e hapin derën dhe janë të rrethuar nga ngushëllimi dhe dashuria. Shpjegoni se lutja është si t’i hapësh derën Atit Qiellor; Ai është vërtet atje për të na ngushëlluar e për të na dashur dhe Ai dëshiron t’i dëgjojë dhe t’u përgjigjet lutjeve të çdo fëmije.
-
Kërkojuni fëmijëve të dëgjojnë për të gjetur fjalët “atje” dhe “lutje” ndërsa këndoni dy rreshtat e parë të këngës “A Child’s Prayer” [“Lutja e Një Fëmije”]. Bëjini fëmijët që të prekin veshët kur t’i dëgjojnë fjalët. Ftojini ata që t’i këndojnë ato rreshta me ju. Vazhdoni me pjesën tjetër të këngës duke i bërë fëmijët të dëgjojnë për të gjetur fjalët rimuese në çdo rresht.
-
Këndojini një e nga një frazat e vargut të dytë dhe kërkojuni fëmijëve të përsërisin çdo frazë kur ju i tregoni ata me gisht. Më pas, ndajini fëmijët në dy grupe dhe kërkojini njërit grup që të këndojnë pjesën e parë të çdo fraze (për shembull, “Lutem”) dhe grupit tjetër ta përfundojë frazën (“ai është atje”). Ftojini të gjithë fëmijët që të ngrihen në këmbë për të kënduar këngën: “Of such is the kingdom, the kingdom of heaven” [“E tillë është mbretëria, mbretëria e qiellit”].