Manualet e Fillores
Janar: Unë Jam Fëmijë i Perëndisë dhe Ai Ka një Plan për Mua


Janar

Unë Jam Fëmijë i Perëndisë dhe Ai Ka një Plan për Mua

“Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë” (Romakëve 8:16).

Plotësojini idetë që jepen këtu me disa nga tuajat. Çdo javë, planifikoni mënyra 1) për të dalluar doktrinën, 2) për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë dhe 3) për t’i ndihmuar ata që ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar dhe si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë Shpirtin?”

fëmijë duke treguar veprimtarinë vjetore

Veprimtaria Vjetore: Tregoni shkurtimisht një mënyrë se si e keni kuptuar që Perëndia ju do. Vendosni një send të vogël (të tillë si një topth pambuku, një kokërr fasuleje apo një guralec) brenda një kavanozi ose ene të dukshme. Përgjatë vitit, lejojini fëmijët që të tregojnë mënyra se si e kanë kuptuar se Perëndia i njeh dhe i do ata. Sa herë që një fëmijë tregon diçka, lejojeni atë të shtojë një send tjetër në kavanoz. Drejtojuni vazhdimisht kavanozit, duke vënë në dukje se në sa mënyra e tregon Ati Qiellor dashurinë e Tij për ne.

Java 1: Perëndia është Ati im Qiellor. Ai më njeh dhe më do.

Dalloni doktrinën (duke luajtur lojën e gjetjes): Thuajuni fëmijëve se ju po mendoni për dikë që na do, që e njeh çdonjërin prej nesh, që na ndihmon dhe që jeton shumë larg. Kërkojuni atyre të gjejnë se për kë po mendoni (Atin Qiellor). Diskutoni për marrëdhënien tonë me Atin Qiellor. Ftojini fëmijët që të përsërisin së bashku fjalitë: “Perëndia është Ati im Qiellor. Ai më njeh dhe më do.”

Nxitni të kuptuarit (duke lexuar shkrimet e shenjta): Ndajini fëmijët në grupe. Vëreni çdo grup të lexojë Enosi 1:5, Moisiu 1:6 e Joseph Smith – Historia 1:17 dhe diskutoni për mënyrën se si i drejtohet Zoti secilit profet. Pyetini fëmijët: “Nëse Ati Qiellor do t’ju vizitonte, si do t’ju thërriste Ai?” Jepni dëshmi se Perëndia e njeh gjithësecilin prej nesh me emër.

Nxitni zbatimin (duke kënduar këngë): Vërini fëmijët të qëndrojnë në një rreth dhe të kalojnë dorë më dorë sende të ndryshme që përfaqësojnë dashurinë e Perëndisë për fëmijët e Tij ndërsa këndojnë këngën “Fëmi i Per’ndis’ Jam” (HKF, f. 58) ose “E Di se Rron Ati Im” (HKF, f. 59). Sendet mund të përfshijnë një figurë të sakramentit, një pjesë fruti ose një fotografi të një familjeje. Ndalojeni këndimin rastësisht dhe vërini fëmijët që kanë një send në dorë që të tregojnë një mënyrë se si ata e dinë që Perëndia i do. Përsëriteni sa ta lejojë koha.

Javët 2 dhe 3: Plani i Atit Qiellor është një plan lumturie.

dhuratë

Plani i Atit Qiellor është një plan lumturie

Dalloni doktrinën: Shkruani në një copë letre “Plani i Atit Qiellor është një plan lumturie”. Vendoseni letrën në një enë dhe mbështilleni që të duket si dhuratë. Mbajeni lart dhuratën dhe tregojuni fëmijëve se brenda ka diçka që do t’u sjellë lumturi. Lërini të hamendësojnë se çfarë mund të jetë. Më pas, hapeni dhuratën dhe vëreni një fëmijë që t’ia lexojë fjalinë klasës. Shpjegoni se Ati Qiellor ka një plan në mënyrë që ne të mund të jemi të lumtur dhe të jetojmë me Të përsëri.

Nxitni të kuptuarit (duke kënduar një këngë dhe duke iu përgjigjur pyetjeve): Jepini secilës klasë një shirit të shkruar me një nga pyetjet vijuese në të:

  • Çfarë ka jeta ime dhe ku filloi ajo?

  • Cila qe zgjedhja ime dhe çfarë duhet të kërkoj?

  • Çfarë duhet të ndjek dhe pas cilës gjë duhet të kapem fort?

  • Si do të ndihem nëse e ndjek planin e Perëndisë?

Këndoni dy strofat e para të këngës “I Will Follow God’s Plan” [“Unë do të Ndjek Planin e Perëndisë”] (CS, f. 164–165) dhe diskutoni për përgjigjen e pyetjes së parë. Përsëriteni me vazhdimin e këngës edhe pyetjet e tjera.

planetet
Jezu Krishti

Jeta paratokësore

pagëzimi
familja

Jeta në tokë

Ardhja e Dytë

Jeta pas vdekjes

Nxitni të kuptuarit (duke përfunduar një formulim): Vendosni figura që përfaqësojnë jetën paratokësore, jetën në tokë dhe jetën pas vdekjes në tri zona të ndryshme të klasës. Vizatoni një fytyrë të lumtur në një copë letre. Thuajuni fëmijëve se duhet të thonë “të lumtur” sa herë që ju e ngrini lart letrën me fytyrën e lumtur. Qëndroni pranë figurës së jetës paratokësore dhe përshkruani Këshillin në Qiell. Kurdoherë që të jetë e mundur, lërini fëmijët t’i përfundojnë formulimet tuaja me fjalën “të lumtur” kur ju e ngrini lart letrën me fytyrën e lumtur. Për shembull: “Ati Qiellor dëshironte që ne të ishim të lumtur. Ai na tregoi për planin e Tij që të na dërgonte në tokë e të merrnim një trup. Ai tha se ne mund të ishim të lumtur nëse do u bindeshim urdhërimeve të Tij. Ai e dinte se neve do të na duhej një Shpëtimtar që të na ndihmonte të ishim të lumtur, sepse asnjëri prej nesh nuk është i përkryer. Kur dëgjuam për planin e Atit Qiellor ne qemë kaq të lumtur sa thirrëm me të madhe nga gëzimi!” Vazhdojeni këtë veprimtari ndërsa lëvizni në zonat e tjera dhe përshkruani planin e lumturisë: “Ju erdhët në familjen tuaj dhe ata qenë aq të lumtur kur lindët ju.” “Ne jemi të lumtur kur bëjmë zgjedhje të drejta.” “Ne do të jemi të lumtur të jemi në mbretërinë çelestiale me familjet tona dhe Atin Qiellor e Jezu Krishtin përgjithmonë.” Shtoni hollësi për planin si të jetë e përshtatshme për moshat dhe kuptueshmërinë e fëmijëve.

Nxitni zbatimin (duke vizatuar figura): Jepini çdo fëmije një copë letre me një fytyrë të lumtur dhe me fjalët “Plani i Atit Qiellor është një plan lumturie” në të. Ftojini ata të vizatojnë një figurë të diçkaje nga plani i Atit Qiellor që i bën ata të lumtur. Dëshmoni se plani i Atit është për lumturinë tonë të përjetshme.

Java 4: Unë kam lirinë e zgjedhjes dhe jam përgjegjës për zgjedhjet e mia.

Dalloni doktrinën: Përgatitni dy shirita të shkruar, një ku lexohet “Unë kam lirinë e zgjedhjes” dhe një ku lexohet “Unë jam përgjegjës për zgjedhjet e mia”. Ndajini fëmijët në dy grupe. Kërkojuni dy fëmijëve të dalin para klasës. Kërkojini njërit prej tyre të ngrejë shiritin e parë të shkruar dhe bëjeni një nga grupet që të ngrihet në këmbë dhe të thotë: “Unë kam lirinë e zgjedhjes”. Kërkojini fëmijës tjetër të ngrejë shiritin e dytë të shkruar dhe bëjeni grupin tjetër të ngrihet në këmbë e të thotë: “Unë jam përgjegjës për zgjedhjet e mia”. Përsëriteni disa herë, duke e lënë çdo grup ta thotë secilën frazë.

Nxitni të kuptuarit (duke diskutuar për pasojat): Pyetini fëmijët se cilat do të ishin pasojat nëse ata do të zgjidhnin të mos hanin, të preknin një furrë të nxehtë, të shkonin në Kishë ose të ishin të sjellshëm me të tjerët. Shpjegoni se Ati Qiellor na do dhe dëshiron që ne të bëjmë zgjedhje të mira dhe të marrim bekime prej atyre zgjedhjeve.

fëmijë duke parë një figurë

Përfshirja aktive e të gjithë fëmijëve në një veprimtari tërheq vëmendjen e tyre dhe u jep atyre mundësi që të marrin pjesë në përvojën e të nxënit.

Nxitni zbatimin (duke luajtur një lojë): Shkruani në shirita letre disa zgjedhje të mira dhe disa zgjedhje të gabuara që një fëmijë mund të bëjë. Vendosini shiritat në një enë. Bëjini fëmijët të formojnë dy rreshta, një rresht për “zgjedhjen” dhe një rresht për “pasojat”. Vëreni fëmijën e parë të çdo rreshti të ecë përpara klasës ndërsa të gjithë këndojnë strofën e parë të këngës “Choose the Right” [“Zgjidh të Drejtën”] (Hymns, nr. 239). Vëreni fëmijën e rreshtit të “zgjedhjeve” të dalë përpara dhe të lexojë një zgjedhje. Vëreni fëmijën tjetër të thotë një pasojë të mundshme për atë zgjedhje. Vërini fëmijët e tjerë të drejtojnë për lart gishtin e madh të dorës nëse ajo është një zgjedhje e mirë dhe të drejtojnë për poshtë gishtin e madh të dorës nëse është një zgjedhje e gabuar. Vazhdoni derisa ta lejojë koha.

Ndihmë për udhëheqësen e muzikës

Kërkojuni fëmijëve të këndojnë me ju refrenin e këngës “Fëmi i Per’ndis’ Jam” (HKF, f. 58) dhe të dëgjojnë fjalët që përshkruajnë se çfarë do t’u pëlqente atyre që dikush të bënte për ta. Renditini përgjigjet e tyre (tregom’, drejtom’, pran’ më rri, ndihmom’, mëso) në tabelë. Bëni një pyetje për secilën fjalë. Për shembull: “Kush na tregon ne?” ose “Përse do të dëshironit që dikush t’ju rrinte pranë?” Dëshmoni për bekimet e të pasurit prindër, mësues, udhëheqës, profetë, shkrime të shenjta dhe Frymën e Shenjtë që të na ndihmojnë për të gjetur udhën e kthimit për tek Ati Qiellor.