Tetor
Unë do ta Ndaj Ungjillin me të Gjithë Fëmijët e Perëndisë
“Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:16).
Plotësojini idetë që jepen këtu me disa nga tuajat. Çdo javë, planifikoni mënyra 1) për të dalluar doktrinën, 2) për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë dhe 3) për t’i ndihmuar ata që ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar dhe si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë Shpirtin?”
Java 1: Të jetuarit e ungjillit më ndihmon të jem një misionar tani.
Dalloni doktrinën dhe nxitni të kuptuarit (duke dëgjuar një histori): Paraqitni një figurë misionarësh. Pyetini fëmijët se çfarë bëjnë misionarët. Tregoni historinë vijuese ose një tjetër nga revistat Friend [Miku] ose Liahona: “Një ditë, dy misionarë trokitën në derën e një shtëpie. Derën e hapi një grua e quajtur Znj. Xhejms. Misionarët i thanë se vinin nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Znj. Xhejms i ftoi misionarët brenda dhe u tha atyre që do t’i pëlqente të mësonte më shumë për Kishën. … Znj. Xhejms u tha misionarëve se dikur ajo jetonte në shtëpinë ngjitur me një familje që i përkiste Kishës. Ajo tha se fëmijët në atë familje qenë gjithmonë shumë të edukuar e të sjellshëm. Ata luanin pa hile me të gjithë dhe tregonin respekt për gjërat që ishin pronë e të tjerëve. Znj. Xhejms tha se asaj do t’i pëlqente të mësonte rreth një kishe që i mësoi ata fëmijë të ishin fqinj kaq të mirë” (Fillorja 2, f. 52). Pyesni: “Si u bënë misionarë fëmijët që jetonin ngjitur me Znj. Xhejms?” Shpjegoni se ne jemi misionarë kurdoherë që e jetojmë ungjillin. Ftojini fëmijët të thonë me ju: “Të jetuarit e ungjillit më ndihmon të jem një misionar tani”, duke theksuar fjalën tani.
Java 2: Të jetuarit e ungjillit më ndihmon të jem një misionar tani.
Nxitni të kuptuarit (duke kënduar një këngë dhe duke diskutuar për standardet e ungjillit): Bëni 13 karta, secila të ketë të shkruar në të një nga “Standardet e Mia Ungjillore” (shih “Sharing Time: Keep the Commandments” [“Kohë e Përbashkët: Mbani Urdhërimet”], Friend [Miku], qershor 2006, f. 36). Shpërndajuani fëmijëve disa prej kartave dhe bëjini t’ia kalojnë ato dikujt tjetër ndërkohë që të gjithë këndojnë “I Want to Be a Missionary Now” [“Dua të Jem një Misionar Tani”] (CS, f. 168). Kur të mbarojë kënga, bëjeni çdo fëmijë që ka një kartë ta lexojë standardin me zë të lartë dhe më pas të tregojë se si do ta ndihmojë atë për të qenë një misionar tani të jetuarit e atij standardi. Përsëriteni duke përdorur çdo herë karta të ndryshme.
Nxitni zbatimin (duke vendosur synime): Kërkojini çdo fëmije të zgjedhë një standard të ungjillit të cilin do të përpiqet ta jetojë më mirë javën që vjen. Vërini ata të shkruajnë ose të bëjnë një vizatim të standardit në një copë letre dhe ta shikojnë atë çdo ditë për ta kujtuar. Ftojini ata t’i raportojnë përvojat e tyre javës tjetër në Fillore.
Java 3: Unë mund ta ndaj ungjillin me familjen dhe miqtë e mi.
Dalloni doktrinën (duke dëgjuar një histori): Përpara mësimit të Fillores, lexoni bisedën e Plakut Robert C. Ouks të konferencës së tetorit 2000, “Sharing the Gospel” [“Ndarja e Ungjillit”] (shih Ensign, nëntor 2000, f. 81–82). Tregojuni fëmijëve historinë e lëngut të portokallit. Shpjegoni se ungjilli është shumë më i ëmbël se lëngu i portokallit dhe se ne duhet ta ndajmë atë me të tjerët. Bëjini fëmijët të thonë: “Unë mund ta ndaj ungjillin me familjen dhe miqtë e mi”.
Nxitni të kuptuarit (duke dëgjuar një folës të ftuar): Ftoni një misionar ose një misionar të kthyer që të flasë rreth mënyrave se si mund ta ndajnë fëmijët ungjillin me të tjerët (të tilla si duke qenë shembuj të mirë, duke i ftuar miqtë në Fillore dhe duke dhënë dëshmitë e tyre) dhe se si i ndihmojnë Atin Qiellor dhe misionarët përpjekjet e tyre për të ndarë ungjillin.
Nxitni zbatimin (duke dëgjuar një histori dhe duke shkëmbyer ide): Kujtojuni fëmijëve se ata mund të jenë misionarë tani. Tregoni një rast kur ju ose dikush që njihni, ka ndarë ungjillin. Bëjini fëmijët të ngrihen në këmbë një e nga një dhe të thotë secili një fjalë të fjalisë “ Unë mund ta ndaj ungjillin”. Ftojeni fëmijën që thotë “ungjillin” që të mendojë një mënyrë se si ai apo ajo mund ta ndajë ungjillin me familjen ose miqtë. Përsëriteni sa ta lejojë koha.
Java 4: Dëshmia ime forcohet kur ndaj ungjillin.
Dalloni doktrinën (duke parë një mësim me sende): Mbushni një enë të pastër me ujë. Shpjegoni se sa herë që ne e ndajmë ungjillin, dëshmia jonë bëhet më e fortë. Hidhni një pikë nga ngjyruesi ushqimor në enë. Jepni disa shembuj rreth mënyrës se si mund ta ndajmë ungjillin, duke shtuar një pikë tjetër të së njëjtës ngjyrë nga ngjyruesi ushqimor për çdo shembull. Vini në dukje se ashtu siç forcohet ngjyra me çdo pikë të ngjyruesit ushqimor, edhe dëshmia jonë bëhet më e fortë sa herë që ndajmë ungjillin.
Nxitni të kuptuarit (duke diskutuar për dëshmi): Vendosni brenda një çante sa vijon: një figurë të Jezu Krishtit, një figurë të Jozef Smithit, një fotografi të profetit aktual, një Libër Mormoni dhe fjalët “Kisha e vërtetë”. Shkruani në tabelë fjalën dëshmi dhe pyetini fëmijët se çfarë është një dëshmi. Diskutoni për përgjigjet e tyre. Tregoni historinë e mëposhtme: “Një vajzë e vogël kishte frikë të jepte dëshmi sepse ajo ndihej e pasigurt për ndjenjat e saj. Por ajo e dinte se ishte e rëndësishme, ndaj një ditë ajo u ngrit në këmbë me guxim dhe e dha dëshminë e saj duke renditur pesë gjëra tek të cilat besonte. Kur mbaroi, ajo kishte një ndjenjë të mirë dhe e dinte se dëshmia e saj ishte bërë më e fortë”. Bëjini fëmijët të zbulojnë pesë gjërat për të cilat ajo kishte një dëshmi duke nxjerrë nga çanta gjërat që keni përgatitur. Diskutoni për secilën dhe ekspozojini ato para klasës.
Nxitni zbatimin (duke treguar shembuj): Lejojeni secilin fëmijë që të tregojë një shembull të mënyrës se si ai apo ajo mund ta ndajë ungjillin. Sa herë që një fëmijë përmend diçka, shtoni një pikë nga ngjyruesi ushqimor në enën me ujë për të treguar se ndarja e ungjillit mund t’i forcojë dëshmitë. (Nëse keni shumë fëmijë në Fillore, ju mund të dëshironi ta bëni këtë në grupe në mënyrë që çdo fëmijë të ketë mundësi të shprehë ide.)