“2 Nefi 1: Gjetja e Parimeve të Ungjillit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“2 Nefi 1: Gjetja e Parimeve të Ungjillit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
2 Nefi 1
Gjetja e Parimeve të Ungjillit
Imagjino si mund të ndihesh nëse dikush që e admiron të ishte pranë fundit të jetës së vet dhe po të jepte disa këshilla të fundit. Lehi e dinte se do të vdiste së shpejti, prandaj u foli fëmijëve të tij që t’i frymëzonte ata t’i mbanin urdhërimet e Perëndisë. Të vërtetat që dha mësim ai mund të jenë një burim frymëzimi dhe udhërrëfimi për ty . Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh të përcaktosh parime që, kur zbatohen, mund të të udhërrëfejnë të marrësh ndihmën e Perëndisë në jetën tënde.
Për çfarë të kërkoni
Shqyrtoje figurën më poshtë dhe shiko se sa nga sendet e fshehura mund të gjesh për një minutë.
-
Cilat sende ishin të lehta për t’u gjetur? Për cilat u deshën më shumë përpjekje?
-
Si mund të kishte ndryshuar aftësia jote për t’i gjetur objektet e fshehura po të mos e kishe ditur se çfarë të kërkoje?
-
Ku ngjason kjo veprimtari me studimin e shkrimeve të shenjta?
Përvojat e tua me shkrimet e shenjta mund të zgjerohen kur kërkon parime ndërsa studion.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë është një parim:
“Një parim i ungjillit është një orientim i bazuar në doktrinën për ushtrimin me drejtësi të lirisë së zgjedhjes morale. Parimet burojnë nga të vërteta më të gjera të ungjillit dhe sigurojnë drejtim e standarde teksa ecim përpara në shtegun e besëlidhjeve.” (Dejvid A. Bednar, “Parimet e Ungjillit Tim”, Liahona, maj 2021, f. 123)
Disa shembuj parimesh që i studiove më parë te 1 Nefi janë nëse i mbajmë besëlidhjet tona, do të jemi të armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë (shih te 1 Nefi 14:14) dhe ndërsa i përshtatim shkrimet e shenjta me veten, ne do të mësojmë dhe do të përfitojmë prej tyre (1 Nefi 19:23).
-
Si do ta përmblidhje se çfarë është një parim?
-
Cilat janë disa arsye pse përcaktimi i parimeve mund të jetë i dobishëm në jetën tonë?
Gjetja e parimeve
-
Çfarë ke bërë në të shkuarën që të ka ndihmuar të gjesh parime në shkrimet e shenjta?
-
Çfarë ka qenë sfiduese për ty ndërsa je përpjekur të gjesh parime?
Një mënyrë e efektshme për të gjetur parime në shkrimet e shenjta është të lexosh duke kërkuar fjalë, frazë ose ide domethënëse. Pyetjet e mëposhtme mund të të ndihmojnë ta bësh këtë:
-
Cilat fjalë ose fraza përsëriteshin ose duken domethënëse?
-
Çfarë paralajmërimesh ose premtimesh përfshiheshin në këto vargje?
-
Cila mund të jetë ideja ose pika kryesore që autori po përpiqej të përçonte?
-
Çfarë të theksoi Fryma e Shenjtë?
Nga këto fjalë, fraza ose ide, shkruaj një pohim të vërtete që mund të të ndihmojë në jetën tënde. Pasi të shkruash, bëji vetes pyetjen vijuese:
-
A është ky parim i vërtetë në të gjitha situatat, kohët dhe kulturat? Nëse jo, çfarë përshtatjesh do ta bënin të vërtetë atë?
-
A do të më afronte ky parim mua dhe të tjerët më shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
2 Nefi 1 përmban disa nga këshillat e fundit të Lehit për fëmijët e tij përpara se të vdiste. Ai u kujtoi atyre mirësinë e Perëndisë dhe dha mësim disa parime që shpresonte se do t’i udhërrëfenin ata gjatë gjithë jetës së tyre.
Lexo te 2 Nefi 1:1–4 duke kërkuar parime të vërteta. Merreni parasysh t’i përdorni pyetjet me pika që renditen më poshtë.
-
Çfarë gjete?
Shembulli i një parimi që dha mësim Lehi është: neve mund të na mbrojë Zoti kur i ndjekim paralajmërimet e Tij (shih te 2 Nefi 1:3–4).
Pasi të përcaktosh një të vërtetë, është e dobishme të përsiatësh se çfarë do të thotë ajo dhe si mund të të ndihmojë në jetën tënde.
Disa nga pyetjet e mëposhtme mund të jenë të dobishme:
-
Si të ka mbrojtur Zoti ty ose njerëz që ti njeh pasi i keni ndjekur paralajmërimet e Tij?
-
Çfarë të mësojnë paralajmërimet e Tij rreth Tij dhe asaj që Ai ndien për ty?
Përsiat se në çfarë mënyrash mund të jetë duke të të paralajmëruar Zoti sot dhe si mund të duash të përgjigjesh.
Zhvilloje aftësinë tënde për të gjetur parime
Zhvilloje aftësinë tënde për të gjetur parime në shkrimet e shenjta duke e ndjekur këtë proces në veprimtaritë më poshtë.
Lexo së paku dy nga fragmentet vijuese të këshillave të fundit të Lehit për bijtë e tij. Përdor procesin “Gjetja e parimeve“ për të përcaktuar parime të vërteta.
Reflekto për atë që bëre për t’i përcaktuar dhe kuptuar parimet te 2 Nefi 1.
-
Si mund të të ndihmojë kërkimi i parimeve me qëndrueshmëri në studimin tënd personal të shkrimeve të shenjta?
-
Si mund të ndikojë kjo te marrëdhënia me Jezu Krishtin dhe te dëshira jote për t’u bërë si Ai?