“Zoti Perëndi e Lejoi Njeriun që Ai të Veprojë nga Vetja e tij”
Imagjinoje jetën tënde po të mos kishe asnjë zgjedhje. Liria e zgjedhjes, ose fuqia për të zgjedhur është një prej dhuratave më të mëdha të Perëndisë për ne. Djali i Lehit, Jakobi kishte përjetuar tashmë shumë sfida në një moshë të re, prandaj Lehi i mësoi atij të vërteta të vyera rreth Shpëtimtarit dhe lirisë për të zgjedhur. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh më mirë rolin e lirisë së zgjedhjes në planin e Atit Qiellor.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Zgjedhje të rëndësishme
Gjatë dy minutave të ardhshme, shkruaj disa zgjedhje të rëndësishme që ke bërë gjatë këtyre ditëve.
Pse mendon që zgjedhja është thelbësore për jetën tonë në vdekshmëri dhe për planin e shpëtimit të Atit Qiellor?
Përsiat se çfarë ke mësuar nga zgjedhjet për të cilat je krenar/e ose nga ato për të cilat të vjen keq. Ndërsa studion në këtë mësim, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të mësuar se çfarë mund të të ndihmojë ta kuptosh më mirë dhe ta përdorësh aftësinë tënde për të zgjedhur. Nëse ke pyetje rreth lirisë së zgjedhjes, lutu gjithashtu dhe kërko përgjigje ndërsa studion.
Aspekte thelbësore të lirisë së zgjedhjes
Djali i Lehit, Jakobi u lind në vendin e shkretë pasi familja e tij u largua nga Jerusalemi. Pak para vdekjes së Lehit, ai i mësoi Jakobit të vërteta të rëndësishme rreth lirisë së zgjedhjes.
Lexo te 2 Nefi 2:1–4 për të parë se si e filloi Lehi mesazhin e tij për Jakobin. Mund të jetë e dobishme të dish se fjala “përkushtoj” do të thotë të dedikosh ose të bësh të shenjtë (shih “Përkushtoj, Ligj i Përkushtimit” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta [scriptures.ChurchofJesusChrist.org]).
Pse mund të jetë domethënëse për një person që është përballur me sprova të shumta ta kuptojë rëndësinë e fuqisë së zgjedhjes?
Cilat të vërteta nga këto vargje janë më domethënëset për ty? Përse?
Lehi i mësoi Jakobit shumë aspekte të rëndësishme rreth lirisë së zgjedhjes. Lexoji mundësitë vijuese. Zgjidh dy që ndien se do të ishin domethënëse për t’i studiuar dhe pastaj studioje informacionin që vijon.
Nevoja jonë për Shpëtimtarin
Askush përveç Shpëtimtarit nuk e ka ushtruar lirinë e zgjedhjes në mënyrë të përkryer në vdekshmëri. Të gjithë ne mëkatojmë dhe pa ndihmë ne të gjithë do të “largohe[mi] … dhe bëhe[mi] të mjeruar përgjithmonë” (2 Nefi 2:5).
Me këtë në mendje, lexo te 2 Nefi 2:6–8 për të parë atë që bëri Jezu Krishti për të gjithë ne.
Nëse do të doje ta kuptoje më mirë atë që jepet mësim te 2 Nefi 2:6–8, referoju informacionit që gjendet te pjesa “Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?” për këto vargje.
Si zgjodhi Shpëtimtari të të ndihmonte?
Si ndikon të kuptuarit e kësaj rreth Jezu Krishtit te ndjenjat e tua kundrejt Tij?
Çfarë mëson nga shembulli i Shpëtimtarit rreth bërjes së zgjedhjeve?
Mendo për një rast kur, me ndihmën e Jezu Krishtit, u pendove për një mëkat. Si ndikoi pendimi tek ti?