Seminari
2 Nefi 28:1–26: Përcaktimi dhe Mposhtja e Taktikave të Satanit


“2 Nefi 28:1–26: Përcaktimi dhe Mposhtja e Taktikave të Satanit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“2 Nefi 28:1–26”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

2 Nefi 28:1–26

Përcaktimi dhe Mposhtja e Taktikave të Satanit

i ri duke lexuar shkrimet e shenjta

A ndihesh i sigurt në aftësinë tënde për t’i dalluar përpjekjet e Satanit për të të larguar nga Shpëtimtari? Nefi përcaktoi disa nga idetë e rreme dhe strategjitë që Satani do të përdorte për të provuar t’i largonte njerëzit nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti në ditët e fundit. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i dallosh taktikat dinake të Satanit dhe të kërkosh ndihmën e Shpëtimtarit për t’i mposhtur ato.

Qëllimet e Satanit

Ne jemi të përfshirë në një luftë të vazhdueshme kundër së keqes. Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dha mësim se si Libri i Mormonit mund të na ndihmojë në këtë luftë:

“Libri i Mormonit i nxjerr në dukje armiqtë e Krishtit. Ai i ngatërron doktrinat e rreme dhe i jep fund grindjes. (Shih 2 Nefi 3:12.) Ai i forcon ndjekësit e përulur të Krishtit kundër synimeve, strategjive dhe doktrinave të liga të djallit në kohën tonë.” (Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon Is the Word of God”, Ensign, janar 1988, f. 3)

  • Në çfarë mënyrash e sheh Librin e Mormonit të bëjë disa nga gjërat që u dhanë mësim nga Presidenti Benson?

Ndërsa studion, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë t’i dallosh dhe mposhtësh taktikat dinake të Satanit.

Mësimet e rreme dhe strategjitë e Satanit

Te 2 Nefi 28, Nefi e vazhdoi profecinë e tij për ditët e fundit. Lexo te 2 Nefi 28:5–9, duke kërkuar disa nga mësimet dhe qëndrimet që pa Nefi se do të ekzistonin në kohën tonë.

  • Çfarë prove sheh për këto mësime dhe qëndrime në kohën tonë?

  • Në ç’mënyrë janë të rrezikshme shpirtërisht mësimet e korruptuara që pohohen në këto vargje dhe qëndrimet e atyre që i besojnë ato?

Këto vargje përfaqësojnë disa nga qëndrimet dhe bindjet që rrjedhin nga mashtrimet e Satanit. Nefi i vazhdoi mësimet e tij duke përcaktuar strategji specifike që do të përdorte Satani për të na mbërthyer me fuqinë e tij.

ikonë, shëno Në ditarin tënd të studimit, shkruaj sa vijon: Satani kërkon të na mbërthejë me zinxhirët e tij të përjetshëm duke …

Lexo te 2 Nefi 28:19–22, duke kërkuar mësimet që mund të të ndihmojnë ta plotësosh këtë pohim:

ikonë, shëno
  1. Përgjigju për pyetjen vijuese:

  • Në bazë të asaj që mësove nga këto vargje, cilat janë disa mënyra se si mund ta plotësoje pohimin: Satani kërkon të na mbërthejë me zinxhirët e tij të përjetshëm duke … ?

Një e vërtetë që mund të mësojmë është kjo: Satani kërkon të na mbërthejë me zinxhirët e tij të përjetshëm duke …

  • i nxitur njerëzit në zemërim kundër asaj që është e mirë,

  • i paqësuar dhe duke i përkundur në siguri trupore dhe

  • u thënë njerëzve se nuk ka ferr dhe nuk ka djall.

Mund të jetë e dobishme të dish se fraza “t’i përkundë në siguri trupore” (vargu 21) u referohet përpjekjeve të Satanit për t’i bërë njerëzit të ndihen rehat në gjendjen e tyre mëkatare dhe se nuk kanë nevojë të ndryshojnë.

Mendo rreth faktit se cila nga strategjitë e Satanit nga vargjet 20–22 ilustrohet në secilën prej situatave vijuese:

  1. Maria mori vendimin që të kopjonte në detyrën e saj të shkollës në mënyrë që të merrte një notë të mirë. Fillimisht u ndje fajtore, por pastaj e kuptoi se nuk e zbuluan kurrë dhe përfundoi duke kopjuar edhe në detyra të tjera. Tani ajo ndien se të vepruarit në mënyrë të pandershme mund ta ndihmojë të marrë atë që dëshiron në jetë.

  2. Xheni ka vënë re se kur ajo lexon afishime në mediat shoqërore rreth Jezu Krishtit ose Kishës, ka shpesh shumë komente negative që e sulmojnë Kishën ose njerëzit që besojnë te Shpëtimtari.

  3. Stela ka shokë e shoqe të reja që përpiqen ta bindin atë t’i ulë standardet e saj. Ata debatojnë se duke qenë se nuk ka jetë pas vdekjes është budallallëk të shqetësohesh për një vend ku njerëzit shkojnë për të dhënë llogari për të ashtuquajturat mëkate të tyre.

  • Cilët janë shembuj të tjerë për të cilët mund të mendosh, që i ilustrojnë strategjitë e Satanit që renditen në vargjet 20–22?

Mendo për vetë jetën tënde. A ndien se ndonjëra nga strategjitë e Satanit për të cilat ke mësuar, po ndikon tek ti? Merre parasysh t’i shënosh në ditarin tënd të studimit mendimet e tua. Ndërsa vazhdon të studiosh, kërko se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund të të ndihmojë t’i mposhtësh mashtrimet e Satanit në jetën tënde.

Të Drejtuarit tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për ta mposhtur Satanin

Ne mund ta mposhtim Satanin dhe mashtrimet e tij ndërsa mbështetemi tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Krijo kreun vijues në ditarin tënd të studimit: “Mënyra si më ndihmojnë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për ta mposhtur Satanin”.

Gjej fragmente të shkrimeve të shenjta ose mësime nga udhëheqësit e Kishës që mund të të ndihmojnë në përpjekjet e tua për ta mposhtur Satanin. Shënoji pikëpamjet e tua në ditarin tënd të studimit.

Merre parasysh t’i studiosh disa nga referencat e shkrimeve të shenjta që renditen nën zërin “Tundoj, Tundim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Mund të studiosh edhe mësimet e Nefit te 2 Nefi 28:17, 26–32. Fragmente të tjera të dobishme të shkrimeve të shenjta përfshijnë vargjet te 1 Nefi 15:24; Helamani 5:12 dhe 3 Nefi 18:15, 18.

  1. Përgjigju për pyetjen vijuese:

  • Si mund të të ndihmojnë mësimet nga udhëheqësit e Kishës dhe fragmentet e shkrimeve të shenjta që gjete, që t’i mposhtësh strategjitë e Satanit që përcaktove më herët në mësim?

Përsiati përvojat e tua me studimin sot. Gjej një çast për të bërë një plan duke u bazuar tek ajo që ndien se do të donte Zoti të bëje për ta mbrojtur më mirë veten kundër taktikave të Satanit. Shënoje këtë plan në ditarin tënd të studimit. Do të kesh mundësi t’i referohesh këtij plani në mësimin e ardhshëm “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”.