“Mosia 14–16: Shëlbuar nga Zoti Jezu Krisht”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Mosia 14–16”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Mosia 14–16
Shëlbuar nga Zoti Jezu Krisht
Ndonëse mbreti Noe ishte gati ta vriste atë, Abinadi e dinte se Perëndia do ta lejonte atë ta përfundonte mesazhin që ai ishte dërguar të jepte. Noeu dhe priftërinjtë e tij kishin nevojë ta dëgjonin mesazhin që Perëndia u kërkon të gjithë profetëve të japin mësim që Jezu Krishti është Shëlbuesi ynë. Ky mësim mund të të ndihmojë të dallosh rëndësinë e njohjes së Jezu Krishtit si i vetmi që mund të na shëlbojë nga mëkati dhe vdekja.
Rolet dhe titujt e Jezu Krishtit
Secili nga rolet dhe titujt e shumtë të Jezu Krishtit mund të ketë një kuptim të veçantë për ne në pika të caktuara të jetës sonë. Për shembull, ne mund ta gjejmë veten shumë te Jezu Krishti si “Zoti, Perëndia i Plotfuqishëm” (Mosia 11:23) kur kemi nevojë për ndihmë që vetëm Ai mund ta japë.
Gjej një çast për të bërë një listë të titujve të Jezu Krishtit nga shkrimet e shenjta që na mësojnë rreth Tij.
-
Nga titujt e shumtë të Jezusit, si mendon, për cilin prej tyre do të ishte më e dobishme të mësoje më shumë? Përse?
Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë
Mesazhi i Abinadit për mbretin Noe dhe priftërinjtë përqendrohej te Jezu Krishti. Ai dha mësim të vërtetën se ne mund të shpëtohemi vetëm nëpërmjet shëlbimit nga Jezu Krishti (shih te Mosia 13:33; 16:15). Teksa i studion fjalët e Abinadit, kërko atë që mund të mësosh rreth Jezu Krishtit nga roli i Tij si Shëlbuesi ynë.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Një nga titujt më kuptimplotë që e përshkruajnë Jezu Krishtin, është Shëlbues. … Fjala shëlboj do të thotë të shlyesh një detyrim ose borxh. Shëlboj mund të ketë gjithashtu kuptimin të shpëtosh ose të çlirosh me anë të pagimit të një shpërblese. Nëse dikush bën gabim dhe më pas e korrigjon ose e rregullon, ne themi se ai e ka shëlbuar veten. Secili prej këtyre kuptimeve shfaq aspekte të ndryshme të Shëlbimit të madhërishëm, të kryer nga Jezu Krishti me anë të Shlyerjes së Tij, që përfshin, sipas fjalëve të fjalorit, ‘të çlirosh nga mëkati dhe ndëshkimet e tij, me anë të një sakrifice të bërë për mëkatarin’.” (D. Tod Kristoferson, “Shëlbimi”, Liahona, maj 2013, f. 109)
-
Çfarë mund të mësosh për Jezu Krishtin nga titulli i Tij, Shëlbues?
-
Kur e ndien se kjo kuptueshmëri do të ishte më e dobishme në jetën tënde? Përse?
Mendo për dikë në jetën tënde që ti e ndien se do të merrte dobi nga kuptueshmëria që Jezu Krishti është Shëlbuesi i tij ose i saj.
Zgjidh të paktën dy për të mësuar më shumë nga mesazhi i Abinadit rreth Jezu Krishtit dhe për të të ndihmuar të përgatitesh që t’i shkruash një mesazh personit që mendove.
Nxitja 1 e studimit: Çfarë bëri Jezu Krishti për të më shëlbuar?
Abinadi foli rreth Isaias si shembulli i njërit prej profetëve të shumtë që dëshmuan për Krishtin. Ai lexoi mësimet e Isaias për të treguar se Perëndia Vetë do të vinte në tokë për të qenë “i brengosur dhe i vuajtur” (Mosia 13:35) për të dhënë shpërblesën për çlirimin tonë nga të qenit të rënë dhe të humbur.
Lexo te Mosia 14, duke kërkuar fjalë dhe fraza që të ndihmojnë ta kuptosh çmimin që Jezu Krishti ishte i gatshëm të paguante për të të çliruar nga mëkati dhe vdekja.
-
Çfarë fjalësh apo frazash nga këto vargje do t’i tregoje personit për të cilin mendove?
Nxitja 2 e studimit: Si mund të bekohem nëpërmjet Shëlbimit të Jezu Krishtit?
A mund ta përfytyrosh se si do të ishte jeta nëse Jezu Krishti nuk do ta kishte përmbushur rolin e Tij si Shëlbuesi ynë? Gjej një çast për të menduar se si do të ishte jeta jote pa Jezu Krishtin.
Lexo te Mosia 15:19; 16:4–7, duke kërkuar përshkrimin e Abinadit për jetën pa shëlbimin e Krishtit.
Lexo te Mosia 15:20–25; 16:8–10 për të parë se çfarë bekimesh mund të gëzojmë për shkak të Shëlbuesit tonë.
-
Çfarë do të doje të dinte personi për të cilin mendove rreth Jezu Krishtit nga këto vargje?
Nxitja 3 e studimit: Përse Jezu Krishti quhej ndonjëherë Atë në shkrimet e shenjta?
Abinadi dha mësim rreth roleve të Jezu Krishtit si Bir i Perëndisë dhe si një Atë. Atë është ai që jep jetë. Jezu Krishti është si një atë për ne, sepse Ai mund të na japë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme. Kjo nuk do të thotë se Ai dhe Ati Qiellor janë i njëjti person. Lexo te Mosia 15:1–9, duke kërkuar arsye përse Jezu Krishtit mund t’i referohen si Ati ynë i Përjetshëm.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Siç dha mësim Abinadi, Krishti ‘u zu nëpërmjet fuqisë së Perëndisë’ (Mosia 15:3) dhe si rrjedhim ka fuqitë e Atit brenda vetes. Përveç kësaj marrëdhënieje trashëgimore hyjnore, Krishti gjithashtu vepron si Ati në atë që Ai është Krijuesi i qiellit dhe i tokës (shih te Mosia 15:4), Ai është Ati i rilindjes sonë shpirtërore dhe i shpëtimit tonë, dhe është besnik në nderimin dhe si rrjedhim në pretendimin e fuqisë së vullnetit të Atit të Tij përmbi fuqinë e vetë vullnetit të Tij.” (Jeffrey R. Holland, Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 183–184)
-
Në çfarë mënyrash është Jezu Krishti edhe Atë, edhe Bir?
-
Përse mund të jetë e dobishme që personi për të cilin mendove ta dijë këtë rreth Jezu Krishtit?