“Alma 1:19–33: Gjetja e Paqes në Krishtin duke Qëndruar Besnik përmes Përndjekjes”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 1:19–33”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 1:19–33
Gjetja e Paqes në Krishtin duke Qëndruar Besnik përmes Përndjekjes
Ne besojmë se të gjithë njerëzit kanë të drejtën ta adhurojnë Perëndinë sipas ndërgjegjes së tyre (shih Nenet e Besimit 1:11). Por çfarë ndodh nëse të tjerët të përndjekin për bindjet e tua? Si mund të përgjigjesh dhe gjesh paqe nëse të tjerët të kritikojnë për besimin tënd? Në kohën e Almës, populli “filloi të persekutonte ata që bënin pjesë në kishën e Perëndisë” (shih tek Alma 1:19). Ky mësim mund të të ndihmojë të përgjigjesh me besnikëri dhe të ndiesh paqe edhe nëse përballesh me përndjekje ngaqë je një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Të jesh i përndjekur për bindjet e tua
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e këshilloi rininë e Kishës. ChurchofJesusChrist.org
“Me admirim dhe inkurajim për çdo njeri që do të duhet të mbetet i palëkundur në këto ditë të mëvonshme, unë u them të gjithëve dhe veçanërisht rinisë së Kishës se, në qoftë se nuk e keni përjetuar tashmë, ju një ditë do ta gjeni veten të thirrur për ta mbrojtur besimin tuaj apo ndoshta për të duruar njëfarë abuzimi vetjak, thjesht ngaqë jeni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çaste të tilla do të kërkojnë si kurajë edhe mirësjellje nga ana juaj.
Për shembull, një motër misionare më shkroi kohët e fundit: ‘Unë dhe shoqja ime pamë një burrë të ulur në një stol në qendër të qytetit duke ngrënë drekën e tij. Teksa i shkuam më afër, ai ngriti sytë dhe pa etiketat tona misionare. Me një shikim të tmerrshëm në sy, ai u ngrit me rrëmbim dhe ngriti dorën që të më qëllonte. Iu shmanga tamam në kohë, vetëm që ai të arrinte ta pështynte ushqimin e tij kudo mbi mua dhe të fillonte të na shante me fjalët më të tmerrshme. U larguam pa thënë asnjë fjalë. U përpoqa ta fshija ushqimin nga fytyra ime, vetëm që të ndieja një masë pureje patatesh që më goditi në kokë nga pas. Nganjëherë është e vështirë të jesh një misionare, sepse pikërisht në atë çast doja të kthehesha, ta mbërtheja atë burracak dhe t’i thoja: “Ç’TË ZURI!” Por nuk e bëra.’” (Xhefri R. Holland, “Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, ose Liahona, maj 2014, f. 6.)
-
Si mund të ishe përgjigjur po të ishe misionarja në këtë rrethanë?
-
Përse mund të jetë e vështirë të përgjigjesh në një mënyrë si të Krishtit?
-
Kur të kanë trajtuar keq ose përndjekur për bindjet e tua?
-
Cilat mund të jenë disa situata në të ardhmen në të cilën ti mund të përndiqesh për bindjet e tua?
Ndërsa i studion shembujt e anëtarëve të Kishës së Krishtit në Librin e Mormonit, kërko mënyrat se si mund të qëndrosh i/e palëkundur dhe të gjesh paqe në Jezu Krishtin gjatë përndjekjes.
Përndjekja në Librin e Mormonit
Alma pati shumë sfida gjatë kohës së tij si kryegjykatës. Pasi Nehori u dënua me vdekje ngaqë vrau Gideonin, disa nga njerëzit vazhduan të besonin në mësimet e Nehorit. Lexo tek Alma 1:19–24, duke kërkuar sfidat me të cilat u përballën nefitët.
-
Çfarë ngjashmërish sheh ndërmjet asaj me të cilën u përballën nefitët, dhe përvojave të tua?
-
Çfarë veprimesh nga anëtarët e Kishës kontribuuan në këto sfida (shih te vargu 22)?
Lexo tek Alma 1:25–28, duke kërkuar atë që bënë anëtarët e drejtë të Kishës. Për të të ndihmuar ta organizosh atë që studion, bëj një listë të asaj që bënë njerëzit. Ti mund ta bësh këtë në ditarin tënd të studimit, ose mund ta shenjosh atë që gjen, në shkrimet e tua të shenjta.
-
Cilat ishin disa nga mënyrat e ndryshme se si anëtarët e Kishës iu përgjigjën përndjekjes?
Plotëso frazën vijuese me diçka që mësove nga shembulli i nefitëve.
-
… mund të na ndihmojë të ndiejmë paqen e vazhdueshme të Shpëtimtarit edhe kur na përndjekin pse besojmë tek Ai.
Më shumë sesa thjesht paqe
Përveç përjetimit të paqes, Ati Qiellor i bekoi nefitët besnikë në mënyra të tjera. Lexo tek Alma 1:29–32, duke kërkuar bekimet e Atit Qiellor për nefitët ndërsa ata qëndruan të palëkundur gjatë kohëve të vështira.