“Alma 5:33–62: ‘Bariu i Mirë Ju Thërret’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 5:33–62”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 5:33–62
“Bariu i Mirë Ju Thërret”
Pasi i nxiti anëtarët e Kishës në Zarahemlë të reflektonin thellësisht mbi qëndrimin e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin (shih tek Alma 5:1–32), Alma i ftoi ata të vinin tek Krishti duke përdorur gjuhë të figurshme të dhembshur si “krahët e [Tij të] mëshirës janë shtrirë” (Alma 5:33), “pendohuni dhe unë do t’ju pranoj” (Alma 5:33) dhe “bariu i mirë ju thërret” (Alma 5:38). Ky mësim mund të të ndihmojë në përpjekjet e tua për të ardhur te Jezu Krishti dhe për të marrë bekimet që Ai të ofron.
Pendohuni dhe unë do t’ju pranoj
Një thënie e lashtë thotë: “Një fotografi vlen sa një mijë fjalë”.
-
Përse mund të jetë e vërtetë ajo?
Shikoji figurat vijuese që përshkruajnë Jezu Krishtin.
-
Çfarë mesazhesh po të komunikojnë këto figura?
Ti mund të kujtosh se Alma 5 përmban mësimet e Almës ndaj anëtarëve të Kishës në Zarahemlë, disa prej të cilëve ishin bërë krenarë dhe kishin rënë në mëkat (shih tek Alma 4:8–12). Pasi u bëri këtyre njerëzve një seri pyetjesh për t’i ndihmuar ata të vlerësonin përparimin e tyre shpirtëror, Alma dha mësim të vërteta të rëndësishme rreth Shpëtimtarit.
Lexo tek Alma 5:33–34 duke kërkuar atë që Alma donte që populli i tij të kuptonte rreth Jezu Krishtit.
-
Cilat fjalë ose fraza nga këto vargje ishin më kuptimplota për ty? Përse?
-
Çfarë ngjashmërish vure re ndërmjet këtyre vargjeve dhe figurave të Shpëtimtarit që pe?
-
Si mund ta ndryshojë kuptueshmëria e parimeve në këto vargje mënyrën se si dikush e sheh Jezu Krishtin?
Mendo për dëshirat e tua të tanishme për ta pranuar ftesën e Jezu Krishtit për t’u penduar dhe për të ardhur tek Ai dhe nëse ti përballesh me pengesa që e bëjnë të vështirë të jesh ndjekës i Tij. Ndërsa e vazhdon studimin, kërko mësimet që mund të të ndihmojnë në përpjekjet e tua për t’i kapërcyer ato pengesa dhe për ta ndjekur Jezu Krishtin.
Mbajtja vesh e zërit të Bariut të Mirë
Pasi dha mësim rreth ftesës së Shpëtimtarit për t’u penduar dhe ardhur tek Ai, Alma dha mësime shtesë rreth Jezu Krishtit për ta bindur popullin e tij ta ndiqte Shpëtimtarin.
Lexo tek Alma 5:37–39 dhe kërko mesazhin e Almës për popullin e tij.
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje, është se ne duhet të mbajmë vesh për zërin e Bariut të Mirë në mënyrë që të jemi delet e Tij.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha përkufizimin vijues për fjalën mbaj vesh:
“Do të thotë ‘t’ia vini veshin me qëllimin që të bindeni’. Të mbajmë vesh do të thotë ta ‘dëgjojmë Atë’ – ta dëgjojmë atë që thotë Shpëtimtari dhe pastaj t’i kushtojmë vëmendje këshillës së Tij.” (Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 89)
-
Çfarë di ti për Shpëtimtarin që të bën ty të duash ta mbash vesh Atë dhe të numërohesh mes deleve të Tij?
Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi disa nga bekimet që Shpëtimtari na ofron kur ne e lejojmë Atë të jetë Bariu ynë i Mirë. Lexo pohimin vijues ose shiko materialin filmik “Zemra të Thurura në Bashkim”, që është në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 13:56 deri në 14:51.
“Teksa i shohim gjërat nëpërmjet thjerrave të ungjillit, ne kuptojmë që edhe ne jemi nën kujdestarinë e një kujdestari të dhembshur, i cili Vetë ndërvepron me mirësi dhe një shpirt përkujdesës. Bariu i Mirë e njeh secilin prej nesh me emër dhe ka një interesim vetjak për ne. Vetë Zoti Jezu Krisht tha: ‘Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia. … Dhe [do ta] lë jetën time për delet’ [Gjoni 10:14, 15].
… Unë gjej paqe të qëndrueshme në njohurinë se ‘Zoti është bariu im’ [Psalmeve 23:1] dhe në faktin që secili prej nesh njihet prej Tij dhe është nën përkujdesin e Tij dashamirës. Kur përballemi me erën dhe stuhitë, sëmundjet dhe lëndimet e jetës, Zoti – Bariu ynë, Kujdestari ynë – do të na ushqejë me dashuri e mirësi. Ai do t’i shërojë zemrat tona dhe do t’i ripërtërijë shpirtrat tanë.” (Geri E. Stivenson, “Zemra të Thurura në Bashkim”, Liahona, maj 2021, f. 23)
-
Çfarë të bën përshtypje rreth arsyes përse ne dëshirojmë ta ndjekim Bariun e Mirë, Jezu Krishtin?
Mënyra se si mund ta mbani vesh zërin e Bariut të Mirë
Alma sugjeroi disa mënyra se si populli i Zarahemlës mund ta mbante vesh zërin e Bariut të Mirë. Lexo tek Alma 5:40–41, 50–51, 57 dhe kërko se çfarë këshilloi Alma.
-
Çfarë mësove nga këto vargje rreth mënyrave se si mund ta mbash vesh zërin e Bariut të Mirë?
-
Cilat janë disa mënyra se si ne mund të “[dalim] nga të këqijat” dhe të “mos pre[kim] gjërat e tyre të papastra”? (Vargu 57.)