Seminari
Hyrje në Manualin e Mësuesit të Seminarit për Librin e Mormonit


“Hyrje në Manualin e Mësuesit të Seminarit për Librin e Mormonit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Hyrje”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

grua duke buzëqeshur

Hyrje në Manualin e Mësuesit të Seminarit për Librin e Mormonit

Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë është të ndihmojë rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore që ta thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatitin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell.

Mësimet dhe burimet e tjera në këtë manual janë hartuar për t’ju ndihmuar ta arrini këtë synim. Ato mund t’ju ndihmojnë të përqendroheni tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe t’i përdorni parimet e mësimdhënies si të Krishtit.

Mjete që t’ju Ndihmojnë të Përgatiteni për të Dhënë Mësim

Shkrimet e Shenjta

Mësimet që përmban ky manual, kanë nevojë për një mësues të frymëzuar, i cili i studion rregullisht shkrimet e shenjta dhe kërkon shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Studimi së bashku me bllokun e shkrimeve të shenjta të programit Eja, Më Ndiq është një mënyrë e rëndësishme për t’u përgatitur për t’u dhënë mësim nxënësve. Ndërsa i studioni rregullisht shkrimet e shenjta, mund të jeni i/e sigurt se Ati Qiellor do t’ju frymëzojë nëpërmjet Shpirtit të Tij që t’i përshtatni këto materiale për të përmbushur nevojat e nxënësve tuaj.

Vështrime të Përgjithshme Javore

Ky manual është organizuar sipas blloqeve javore të shkrimeve të shenjta të programit Eja, Më Ndiq. Për çdo bllok javor të shkrimeve të shenjta, ky manual jep një vështrim të përgjithshëm javor të pasuar nga pesë mësime. Vështrimi i përgjithshëm javor jep informacion specifik për mësimin për t’ju ndihmuar të përgatiteni për të dhënë mësim duke përfshirë:

  • Qëllimet e mësimit

  • Idetë për përgatitjen e nxënësve

  • Një listë të mësimeve me sende, fletushkave, figurave, materialeve filmike apo materialeve të tjera që mund të nevojiten të përgatiten paraprakisht

  • Sugjerimet për mësimdhënien me videokonferencë (nëse përmbajtja përdoret nëpërmjet programit kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet në ChurchofJesusChrist.org)

Shqyrtimi i vështrimit të përgjithshëm javor në fillim të çdo jave mund t’ju ndihmojë të vendosni se cilat mësime të jepni dhe cilat materiale të grumbulloni apo përgatitni paraprakisht.

Gjejeni vështrimin e përgjithshëm javor për javën e ardhshme të mësimeve që do të jepni. Çfarë informacioni gjeni këtu që është i dobishëm për ta ditur paraprakisht? Si mund ta përdorni këtë informacion ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim?

Këshilla për Mësimdhënien

Këshillat për mësimdhënien shpjegojnë praktikat dhe parimet e rekomanduara për mësimdhënien që mund t’ju ndihmojnë të përmirësoheni si mësues. Çdo mësim përmban një këshillë për mësimdhënien që vjen menjëherë pas hyrjes së mësimit. Ju mund të gjeni praktika dhe parime shtesë për mësimdhënien në bibliotekën e zotësive për përmirësimin e mësuesve, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Kur të ndiheni gati, provoni t’i zbatoni këto këshilla kur jepni mësim. Ju do të vini re përmirësime në aftësinë tuaj për të dhënë mësim.

Shqyrtojeni këshillën për mësimdhënien në mësimin e ardhshëm që do të jepni. Si mund të provoni ta ushtroni këtë sugjerim në mësim?

Udhëzime për Mësimdhënien

Udhëzimet për mësimdhënien janë hartuar për t’ju ndihmuar të përgatiteni për të dhënë mësim. Këto udhëzime mund t’ju ndihmojnë të dini se si t’i përdorni veprimtaritë e të mësuarit që sugjerohen në mësim. Ato mund të shpjegojnë qëllimet e veprimtarive të mësimit ose të ofrojnë sugjerime rreth mënyrës se si ta përshtatni përmbajtjen e mësimit për t’i plotësuar më mirë nevojat e nxënësve. Këto sugjerime mund të përfshijnë qasje, pyetje apo veprimtari të tjera që ju ndihmojnë t’i përshtatni përmbajtjen dhe veprimtaritë sipas nevojës.

Shqyrtojini disa nga udhëzimet për mësimdhënien në mësimin që do të jepni së shpejti. Çfarë përshtatjesh mund të bëni në bazë të udhëzimeve që gjeni për mësimdhënien?

Përgatitja e Nxënësve

Çdo mësim përfshin një sugjerim për t’i ndihmuar nxënësit ta përgatitin mendjen dhe zemrën për përvojën e të mësuarit. Çdo vështrim i përgjithshëm javor rendit idetë për përgatitjen e nxënësve për pesë mësimet e asaj jave. Ju mund t’i shqyrtoni këto ide në fillim të javës dhe të vendosni me lutje se cila do t’i ndihmojë më mirë nxënësit tuaj. Nuk është nevoja që ta përdorni çdo sugjerim për përgatitjen e nxënësve. Ju mund t’i përshtatni ato ose të krijoni idetë tuaja. Shumë nga këto sugjerime janë hartuar që t’u jepen nxënësve rreth një ditë ose më shumë përpara përvojës së të mësuarit.

Shqyrtojeni pjesën e përgatitjes së nxënësve në mësimin e ardhshëm dhe merreni parasysh nëse do ta përdorni atë, përshtatni apo të mos e përdorni përgatitjen e sugjeruar të nxënësve. Nëse vendosni t’i ftoni nxënësit tuaj të përgatiten, si do t’ua jepni atyre këtë ide të përgatitjes? Ju mund ta jepni atë me gojë ose ta paraqitni në fund të orës mësimore të mëparshme apo ta dërgoni nëpërmjet postës elektronike ose një programi për mesazhe, si të jetë e përshtatshme.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Kjo pjesë e mësimit përfshin mënyra të mundshme se si mund t’i qaseni përvojës së të mësuarit. Nuk ju kërkohet t’i përdorni të gjitha veprimtaritë e sugjeruara të të mësuarit në mësimet që jepni. Që nxënësit tuaj të kenë përvojën më të mirë të mundshme, ju duhet ta përdorni përmbajtjen në këtë pjesë si udhërrëfyes në vend të një skenari. Nëse sapo keni filluar si mësues seminari, mund të jetë më mirë të filloni duke i ndjekur me kujdes veprimtaritë e sugjeruara të të mësuarit. Ndërsa përparoni si mësues, ju do ta përmirësoni aftësinë tuaj për ta përshtatur përmbajtjen e këtij manuali për t’i përmbushur më mirë nevojat e nxënësve tuaj.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Shumica e mësimeve përmbajnë një pjesë “Komente dhe Informacion për Rrethanat” në fund të mësimit. Kjo pjesë përfshin informacion shtesë që mund ta thellojë të mësuarit. Mund të gjeni përgjigje të mundshme për pyetjet e nxënësve ose të gjeni thënie nga udhëheqës të Kishës që mund të doni t’i përfshini në mësim. Kjo pjesë është në dispozicion vetëm nëse po e përdorni manualin e mësuesit nëpërmjet programit kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet në ChurchofJesusChrist.org. Pjesa më e madhe e informacionit në këtë pjesë është e përfshirë edhe në programin mësimor të seminarit në internet dhe në manualin e nxënësit (nën titullin “Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?”) nëpërmjet programit kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet. Pjesa “Komente dhe Informacion për Rrethanat” nuk përfshihet në variantin PDF as të manualit të mësuesit, as të nxënësit.

Shikoni nëse mësimi që do të jepni më pas, e përfshin pjesën “Komente dhe Informacion për Rrethanat”. A ka ndonjë pyetje, përgjigje apo thënie nga udhëheqësit e Kishës që mund të jetë me dobi t’ua tregoni nxënësve tuaj?

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Kjo pjesë, e përfshirë gjithashtu në fund të mësimit, ka ide shtesë për qasjen në përvojën e të mësuarit. Veprimtaritë plotësuese të të mësuarit janë të përfshira vetëm në manualin e mësuesit nëse ju po e përdorni atë nëpërmjet programit kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet në ChurchofJesusChrist.org. Kjo pjesë nuk është e përfshirë në variantin PDF të manualit të mësuesit ose të manualit të nxënësit.

Nëse mësimi juaj i ardhshëm e përfshin pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit”, shqyrtojini këto veprimtari. A ka ndonjë veprimtari që mendoni se mund të jetë me dobi të përdoret me nxënësit tuaj krahas ose në vend të veprimtarive të të mësuarit të përfshira në mësimin kryesor?

Zotërimi Doktrinor

Një përparësi e rëndësishme për ju si mësues është t’i ndihmoni nxënësit të arrijnë rezultatet e zotërimit doktrinor. Këto rezultate përfshijnë ndihmën që nxënësit:

  • T’i mësojnë dhe zbatojnë parimet hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore.

  • T’i zotërojnë fragmentet e përzgjedhura të shkrimeve të shenjta dhe doktrinën e ungjillit të Jezu Krishtit që e mësojnë prej tyre.

Zotërimi i fragmenteve të përzgjedhura dhe doktrinës së ungjillit të Jezu Krishtit që këto fragmente japin mësim, do të thotë se nxënësit:

  • Do ta dinë dhe kuptojnë doktrinën që jepet mësim në fragmentet e shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor.

  • Do ta shpjegojnë doktrinën në mënyrë të qartë duke përdorur fragmentet shoqëruese të shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor.

  • Do ta vënë në zbatim doktrinën e ungjillit të Jezu Krishtit dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në zgjedhjet e tyre të përditshme dhe në përgjigjet e tyre ndaj çështjeve dhe pyetjeve doktrinore, vetjake, shoqërore dhe historike.

  • Do t’i mbajnë mend dhe gjejnë fragmentet e zotërimit doktrinor dhe do t’i mësojnë përmendsh frazat kyç të shkrimeve të shenjta.

Kjo mund të duket mbingarkuese në fillim, por ju mund të keni siguri se ky manual do t’ju vijë në ndihmë që t’i ndihmoni nxënësit tuaj ta arrijnë zotërimin doktrinor. Në çdo grup me nga pesë mësime në këtë manual ju do të gjeni një mësim që i ndihmon nxënësit t’i arrijnë këto rezultate. Këto mësime janë ose mësime për fragmentin e zotërimit doktrinor ose mësime të përsëritjes së zotërimit doktrinor.

Mësime për Fragmentin e Zotërimit Doktrinor

Mësimet për fragmentin e zotërimit doktrinor dhe mësimi kontekstual që i paraprin secilit, duhet të konsiderohen thelbësorë. Çdo mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor duhet të jepet mësim gjatë vitit shkollor, duke përfshirë mësimet që nuk janë bërë kur nuk është zhvilluar seminari. Këto mësime thelbësore përfshijnë:

  • Marrjen e Njohurisë Shpirtërore, Pjesët 1, 2, 3 dhe 4.

  • Mësimin kontekstual që i paraprin secilit nga 24 mësimet për fragmentin e zotërimit doktrinor

  • 24 mësimet për fragmentin e zotërimit doktrinor (për shembull, “Zotërimi Doktrinor: 1 Nefi 3:7” ose “Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 2:25”).

Mësimet për fragmentin e zotërimit doktrinor i ndihmojnë nxënësit:

  • T’i mësojnë përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë,

  • Ta shpjegojnë doktrinën.

  • Të ushtrojnë vënien në zbatim të parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe doktrinës që jepet mësim në fragment.

Mësime të Përsëritjes së Zotërimit Doktrinor

Mësimet e përsëritjes së zotërimit doktrinor japin mundësi për të përsëritur (ose në disa raste për t’u njohur me) disa nga fragmentet e zotërimit doktrinor dhe për të punuar drejt arritjes së rezultateve të zotërimit doktrinor. Mësimet e përsëritjes së zotërimit doktrinor janë fakultative. Nëse nxënësit nuk e bëjnë një mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor për shkak se ora mësimore nuk zhvillohet, ju mund të jepni mësimin e humbur në vend të mësimit të përsëritjes së zotërimit doktrinor.

ikona e trajnimit Për më shumë informacion rreth mënyrës se si t’i ndihmoni nxënësit të arrijnë rezultatet e zotërimit doktrinor, shihni trajnimin “Doctrinal Mastery” [“Zotërimi Doktrinor”] që gjendet në ChurchofJesusChrist.org.

Të Ndihmuarit e Nxënësve që të Vlerësojnë të Mësuarit e Tyre

Vlerësimi është një pjesë e rëndësishme e të mësuarit. Mundësitë për t’u ndalur dhe reflektuar për të mësuarit mund të jenë një përvojë pozitive për nxënësit dhe t’i motivojnë ata në rritjen dhe zhvillimin e tyre të vazhdueshëm për t’u bërë më të ngjashëm me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këtë këshillë të urtë për mësuesit:

“Mbani mend se një student nuk është enë që duhet mbushur; një student është zjarr që duhet ndezur”.

(“Engjëj dhe Habi” [Transmetimi i Trajnimit të Sistemit Arsimor të Kishës, 12 qershor 2019] broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).

Sigurimi i mundësive që nxënësit të vlerësojnë të mësuarit e tyre, është një mënyrë për ta zbatuar këshillën e Plakut Holland. Duke e vlerësuar të mësuarit e tyre, nxënësit bëhen pjesëmarrës aktivë në procesin e të mësuarit dhe marrin më tepër përgjegjësi për të mësuarit vetjak. Ka disa përvoja të të mësuarit të përfshira në këtë program mësimor, të cilat janë hartuar për t’u dhënë nxënësve mundësi për të reflektuar rreth asaj që po mësojnë dhe mënyrës se si po rriten si dishepuj të Jezu Krishtit.

Mësimet “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”

Ky manual përfshin një numër mësimesh të llojit “Vlerësoni të mësuarit tuaj”. Këto mësime u japin nxënësve mundësi të shpjegojnë doktrinën kyç nga Libri i Mormonit, të reflektojnë për qëndrimet e dëshirat e tyre dhe të tregojnë ecurinë e tyre në zhvillimin e sjelljeve që i ndihmojnë të bëhen dishepuj më të përkushtuar të Jezu Krishtit. Këto mësime mund t’i ndihmojnë nxënësit të ndiejnë gëzim ndërsa dallojnë rritjen e tyre dhe të përcaktojnë fusha të ardhshme për përparim të mëtejshëm.

Mësimet e Përsëritjes së Vlerësimit të të Mësuarit

Në fund të çdo gjysme të kursit, ju do t’u jepni nxënësve një vlerësim të të mësuarit për t’i ndihmuar ata të vlerësojnë aftësinë e tyre për t’i arritur rezultatet e zotërimit doktrinor. Një mësim i përsëritjes së vlerësimit të të mësuarit duhet të jepet në orën mësimore pak kohë përpara dhënies së vlerësimit. Mësimet e përsëritjes së vlerësimit të të mësuarit janë në shtojcën e këtij manuali. Këto mësime përfshijnë veprimtari të përsëritjes që i ndihmojnë nxënësit të përsëritin doktrinën, referencat e shkrimeve të shenjta dhe frazat kyç të shkrimeve të shenjta për secilin nga fragmentet e zotërimit doktrinor që e studiuan në gjysmën e parë ose të dytë të kursit. Gjithashtu, këto mësime i ndihmojnë nxënësit të përsëritin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

Vlerësimet e të Mësuarit

Vlerësimet e të mësuarit për gjysmën e parë dhe të dytë të kursit përqendrohen në zotërimin doktrinor dhe janë të përfshira në shtojcën e këtij manuali. Nxënësit mund të bëjnë një vlerësim gjatë një ore mësimore dhe më pas ta korrigjojnë atë në klasë me ndihmën e mësuesit të tyre dhe shokëve të tjerë të klasës. Për të marrë kredite për këtë kurs të seminarit, nxënësit do të duhet të vlerësohen me 75 përqind ose më shumë në çdo vlerësim të të mësuarit. Nxënësit mund t’i ribëjnë këto vlerësime sa herë të jetë e nevojshme.

ikona e trajnimit Për më shumë informacion rreth mënyrës së përdorimit të këtij manuali për të ndihmuar në vlerësimin e të mësuarit të nxënësve, shihni trajnimin “Trajnimi për Vlerësimet” që gjendet në ChurchofJesusChrist.org.

Mësuesit e Seminarit në Internet

Nëse jeni mësues seminari në internet, mund t’ju duket e dobishme të konsultoheni me përmbajtjen në këtë manual teksa i përgatitni mësimet. Ndonëse mësimet në këtë manual dhe ato në programin mësimor të seminarit në internet përfshijnë një pjesë të mirë nga e njëjta përmbajtje, manuali i mësuesit të seminarit përfshin gjithashtu udhëzimet e mësimdhënies dhe veprimtari plotësuese të të mësuarit. Këto burime mund t’ju ndihmojnë t’u përgjigjeni pyetjeve të nxënësve, të përshtatni përmbajtjen e programit mësimor në internet dhe të përgatiteni për orët mësimore ballë për ballë (qoftë me prani fizike ose virtualisht).

Krahas këtij manuali dhe programit mësimor të seminarit në internet, është edhe një burim shtesë që ju ndihmon të jepni mësim në seminarin në internet. Çdo javë e programit mësimor e seminarit në internet përfshin një faqe të papublikuar për mësuesit me titullin “Sugjerime për Mësuesit në Internet”. Kjo faqe përfshin një llojshmëri sugjerimesh për t’ju ndihmuar ta bëni përvojën e të mësuarit në internet më kuptimplotë për nxënësit. Këto sugjerime përfshijnë:

  • Këshillat për mësimdhënien në internet

  • Qëllimet e mësimit

  • Idetë për përgatitjen e nxënësve

  • Sugjerimet për mësimdhënien me videokonferencë

  • Sugjerimet për përshtatjen e përmbajtjes në internet

Ju nxitim ta përshtatni programin mësimor të seminarit në internet për të plotësuar nevojat e nxënësve tuaj. Çdo faqe në programin mësimor të seminarit në internet mund të redaktohet dhe ndryshohet. Disa përshtatje që mund t’i bëni programit mësimor në internet, mund të përfshijnë:

  • Rishikimin e një veprimtarie të mësimit për të qenë më e përshtatshme dhe interesante për nxënësit.

  • Fshirjen e një pjese të përmbajtjes që mund të jetë e tepërt ose shumë e vështirë për t’u kuptuar nga nxënësit.

  • Zëvendësimin e përmbajtjes me një regjistrim filmik tuajin ose të dikujt tjetër që dëshmon për një parim apo doktrinë në shkrimet e shenjta ose tregon një përvojë vetjake.

  • Zëvendësimin e një citimi me një të kohëve më të fundit ose që është më i lehtë për t’u kuptuar nga nxënësit.

Mësuesit e seminarit në internet do të nevojitet ta përshtatin radhën e disa mësimeve në programin mësimor të seminarit në internet për të ecur sipas udhëzimeve vendore të ritmit mësimor.

Mësuesit e Seminarit me Studim në Shtëpi

Nëse jeni një mësues seminari me studim në shtëpi, nxënësit do të nevojitet të kenë një kopje të manualit të nxënësit të seminarit ose ta përdorin atë në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet në ChurchofJesusChrist.org. Do të nevojitet që ju të komunikoni me nxënësit se cilat mësime t’i studiojnë në shtëpi dhe cilat do t’i studioni së bashku virtualisht ose me prani fizike. Mësimet në manualin e nxënësit përkojnë me të njëjtat mësime në manualin e mësuesit.

Kur vendosni se cilat mësime të jepni mësim në një orë mësimore ballë për ballë, merreni parasysh se cilat mësime do të ishin veçanërisht të efektshme në një situatë grupi. Ju mund t’u dërgoni ftesa nxënësve që do t’i ndihmojnë ata të përgatiten për orën mësimore. Sugjerimet për përgatitjen e nxënësve të përfshira në fillim të çdo mësimi, mund t’ju japin disa ide rreth mënyrës se si ta bëni këtë. Ndërsa planifikoni përvojat e të mësuarit të orëve mësimore ballë për ballë, shpenzoni ca kohë në klasë duke përsëritur referencat dhe frazat kyç të shkrimeve të shenjta të fragmenteve të zotërimit doktrinor që nxënësit i kanë studiuar kohët e fundit.

Nxënësit duhet të përfundojnë detyrat e shënuara me numra të manualit të nxënësit dhe t’jua dorëzojnë të paktën një herë në javë. Nxënësit mund ta dorëzojnë punën e tyre në mënyrë elektronike (nëpërmjet postës elektronike, një programi për mesazhe ose të ngjashëm) ose në një ditar studimi. Nëse nxënësit e dorëzojnë punën e tyre në ditarët e studimit, ata duhet të kenë dy ditarë studimi në mënyrë që të mund t’jua lënë njërin juve sipas nevojës dhe të vazhdojnë të punojnë tek tjetri, duke i shkëmbyer ditarët çdo herë që takoheni.

Ndërsa e rishikoni punën e nxënësve, jepni koment specifik dhe kuptimplotë. Gjeni mënyra për t’i nxitur nxënësit dhe për t’i ndihmuar t’i shtojnë njohuritë e tyre. Gjithashtu mund t’i ndihmoni ata duke gjetur mënyra për të komunikuar me ta gjatë gjithë javës. Për shembull, nëse po i studioni mësimet në këtë manual ndërkohë që nxënësit po plotësojnë të njëjtat mësime në shtëpi, ju mund të frymëzoheni t’u bëni nxënësve një pyetje, të rekomandoni një material filmik ose burim tjetër nga ky manual nëpërmjet postës elektronike, mesazheve në grup ose mënyrave të tjera të komunikimit. Gjithashtu mund të jepni kujtues ose nxitje që të ndihmoni në ndërtimin e unitetit në klasë dhe t’i ndihmoni nxënësit të ndiejnë një ndjesi përkatësie ndërsa e studiojnë ungjillin dhe rriten së bashku.