“Trajnimi për Vlerësimet”, Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit (2022)
“Trajnimi për Vlerësimet”, Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit
Trajnimi për Vlerësimet
Vlerësimi është pjesë e rëndësishme e të mësuarit. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi rëndësinë e vlerësimit, në formën e provimeve, në procesin e të mësuarit.
“Provimet periodike janë absolutisht thelbësore për të mësuarit. Një provim i efektshëm na ndihmon ta krahasojmë atë që kemi nevojë ta dimë, me atë që vërtet dimë rreth një teme konkrete; ai siguron edhe një standard me të cilin ne mund të vlerësojmë të mësuarit dhe zhvillimin tonë.
Po kështu, provimet në shkollën e vdekshmërisë janë element jetik i përparimit tonë të përjetshëm. Sidoqoftë, është interesant fakti që fjala provim nuk gjendet qoftë edhe një herë të vetme në tekstin e shkrimeve të shenjta të veprave standarde në anglisht. Përkundrazi, fjalë të tilla si vë në provë, hetoj dhe provoj përdoren për të përshkruar modele të ndryshme që tregojnë siç duhet njohurinë, kuptimin e përkushtimin tonë shpirtëror rreth planit të përjetshëm të Atit Qiellor për lumturinë dhe aftësinë tonë për të kërkuar bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit.” (Dejvid A. Bednar, “Ne do t’i Provojmë me Këtë”, Liahona, nëntor 2020, f. 8)
Vlerësimi i rregullt në seminar mund t’i ndihmojë nxënësit të demonstrojnë njohuritë shpirtërore dhe të kuptuarit e përkushtimin e tyre ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Këto lloje vlerësimesh formuese mund t’i ndihmojnë nxënësit që të bëhen më të vetëdijshëm për atë që po mësojnë dhe se si po rriten.
Ky ndërgjegjësim mund të jetë një përvojë shpërblyese e motivuese dhe mund të ftojë më shumë zbulesë vetjake në jetën e nxënësve. Gjithashtu mund t’i ndihmojë nxënësit që të krijojnë plane për rritjen dhe të mësuarit në të ardhmen. Disa shembuj të veprimtarive të vlerësimit në programin mësimor të seminarit përfshijnë mësimet “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”, mësimet e zotërimit doktrinor (përfshirë përsëritjet e zotërimit doktrinor) dhe vlerësimet e të mësuarit për secilën gjysmë të kursit.
Mësimet “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”
Herë pas here në programin mësimor të seminarit, do të gjeni mësimet “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”. Këto mësime janë programuar gati çdo katër deri në gjashtë javë dhe u japin nxënësve një mundësi për të reflektuar me kujdes mbi të mësuarit e tyre. Veçanërisht, këto mësime u japin nxënësve mundësi që të shpjegojnë doktrinën që e kanë mësuar gjatë kursit; të reflektojnë mbi ndjenjat, qëndrimet dhe dëshirat e tyre lidhur me planin e Atit Qiellor dhe ungjillin e Jezu Krishtit; dhe të rishikojnë planet ose synimet me të cilat po punojnë për ta thelluar dishepullimin e tyre dhe kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti. Rendimenti i nxënësve në këto vlerësime nuk regjistrohet formalisht si në vlerësimet e zotërimit doktrinor. Këto vlerësime formuese kanë si qëllim përfitimin e vetë nxënësve.
Edhe pse një nxënës është fillimisht përgjegjës për ta vlerësuar të mësuarit e vet në këto mësime, edhe njerëz të tjerë mund të ndihmojnë. Fryma e Shenjtë luan një rol jetik për t’i ndihmuar nxënësit që ta vlerësojnë vetveten. Nuk ka shoqërues më të mirë sesa Fryma e Shenjtë për t’i ndihmuar nxënësit që të shohin qartësisht se si po mësojnë e po rriten dhe se si mund të vazhdojnë të përmirësohen.
Shokët dhe shoqet e klasës mund t’i ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre që të vlerësojnë të mësuarit e tyre dhe po kështu mund t’i ndihmoni ju si mësues/e. Kur nxënësit janë duke shpjeguar doktrinën, kjo mund të jetë një kohë e mirë për t’i vënë ata të punojnë së bashku për të ushtruar shpjegimin ose interpretimin me role. Si mësues/e, ju mund të jeni një burim i mirë për t’i dhënë përshtypje një nxënësi lidhur me përparimin që po bëjnë apo vështirësitë që po hasin. Ju mund të diskutoni ide ose të tregoni përvoja nga vetë jeta juaj për ta ndihmuar një nxënës. Gjithsesi, mbani në mendje se nuk duhet të jetë një pritshmëri që nxënësit t’jua raportojnë synimet ose planet e tyre. Disa nga këto synime dhe plane mund të jenë shumë vetjake. Nëse një nxënës ndihet rehat t’jua tregojë planet ose synimet e veta, këshillohuni së bashku me të, por gjithashtu vini re rastet kur një nxënës duhet të ridrejtohet te prindërit e vet ose peshkopi apo presidenti i degës së vet.
Krijimi i një Veprimtarie Vlerësimi për një Mësim “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”
Me raste do t’ju nevojitet t’i përshtatni mësimet “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” duke krijuar një veprimtari të re vlerësimi. Për shkak të orareve të shkollës, mund të ketë pasur një mësim që nxënësit nuk e studiuan nga i cili rrjedh një mësim “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” në programin mësimor të seminarit. Ose mund të ketë qenë një mësim që ishte veçanërisht domethënës për nxënësit që në mësimin “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” nuk u trajtua. Në këto raste do t’ju nevojitet ta zëvendësoni njërën prej veprimtarive në mësimin “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” me një veprimtari që e krijoni vetë për të vlerësuar të kuptuarit ose përparimin e nxënësve për atë temë.
Hapat vijues mund t’ju ndihmojnë të krijoni një veprimtari të efektshme vlerësimi.
Hapi 1: Fillojeni duke përcaktuar një mësim për të cilin do të donit ta ndiqnit ecurinë. Në çfarë lloj rezultati u përqendrua mësimi?
A u përqendrua më shumë tek ajo që dinë dhe kuptojnë nxënësit? A vendosi më shumë theksim te ndjenjat, qëndrimet ose dëshirat e nxënësve? Ose ndoshta u përqendrua kryesisht te sjelljet e nxënësve? Njohja e llojit të rezultatit që ju doni t’i ndihmoni nxënësit të arrijnë, mund t’ju ndihmojë të krijoni një përvojë të duhur vlerësimi.
Hapi 2: Merrni parasysh se çfarë mund të bëjnë nxënësit për t’i ndihmuar që të shohin rritjen dhe të mësuarit e tyre. Mbajeni mend që kjo nuk është diçka që nxënësit nevojitet t’jua tregojnë juve apo nxënësve të tjerë. Thjesht nevojitet të jetë diçka që i ndihmon të shohin përparimin e vet në të mësuarit e tyre. Shembujt mund të përfshijnë sa vijon:
-
Rezultatet e njohurisë dhe të kuptuarit: Nxënësit mund të japin mësim ose shpjegojnë një koncept doktrinor qoftë me gojë ose me shkrim. Kjo mund të jetë si përgjigje ndaj një skenari në të cilin nxënësit do të ushtronin shpjegimin e doktrinës.
-
Rezultatet e ndjenjave, qëndrimeve ose dëshirave: Nxënësit mund ta shohin sërish një vetëvlerësim nga një mësim i mëparshëm dhe t’i krahasojnë përgjigjet e tyre tani me përgjigjet që i dhanë kur ata fillimisht e studiuan mësimin. Mund të jetë një hyrje në ditar që e shqyrtojnë ose një anketë që e plotësuan, të cilës i përgjigjen ose e plotësojnë sërish për të vënë re ndryshimet.
-
Rezultatet e sjelljeve: Nxënësit mund të rishikojnë atë që iu la mbresa të bënin ose planin që e krijuan si pjesë të një mësimi. Ata më pas mund të reflektojnë për mënyrën se si kanë vepruar lidhur me mbresën ose si e vunë në zbatim planin. Disa nxënës të gatshëm mund të tregojnë përvojat e tyre nëse nuk janë shumë vetjake. Ata mund të demonstrojnë edhe disa sjellje të dëshiruara në orën mësimore, të tilla si përdorimi i programit kompjuterik të Pemës Familjare në FamilySearch ose të treguarit e një zotësie në studimin e shkrimeve të shenjta.
Hapi 3: Krijoni një përvojë të të mësuarit që i lejon nxënësit të shohin se si po rriten e po mësojnë. Gjeni mënyra që ta bëni interesante e të këndshme dhe siguroni mjaft kohë për nxënësit që të reflektojnë dhe ta vlerësojnë rritjen e tyre. Disa nxënës mund të jenë të zhgënjyer me rritjen e tyre aktuale. Krijoni mundësi që nuk i bëjnë nxënësit të krahasojnë rritjen e tyre me rritjen e të tjerëve. Nxënësit duhet të kenë mjaft kohë që të kërkojnë ndihmë nga Ati i tyre në Qiell nëpërmjet Frymës së Shenjtë që të dinë se çfarë po bëjnë mirë dhe se si mund të përmirësohen. Nxënësit duhet të kuptojnë se këto vlerësime nuk duhet të shihen kurrë si përfundimtare. Përkundrazi, nxënësit gjithmonë duhet të nxiten që të marrin parasysh se cili mund të jetë hapi i ardhshëm në të mësuarit e tyre.
Vlerësimet e Zotërimit Doktrinor
Dy vlerësime gjithëpërfshirëse të të mësuarit në seminar japin një mundësi që nxënësit të demonstrojnë zotërimin doktrinor. Rendimenti i nxënësve në këto dy vlerësime regjistrohet. Edhe pse nxënësve u nevojitet t’i kryejnë me sukses që të dyja këto vlerësime për të marrë kreditin e seminarit për vitin shkollor, ata mund t’i kryejnë ato aq herë sa dëshirojnë. Mësuesit gjithashtu duhet të bëjnë rregullime të arsyeshme, pasi këshillohen me prindërit rreth nevojave të nxënësve, lidhur me mënyrën se si nxënësit t’i përfundojnë këto vlerësime. Përshtatini sipas nevojës këto vlerësime ose mënyrat se si nxënësit mund t’i përfundojnë ato.
Të përfshira në shtojcën e manualit të mësuesit janë dy përsëritje të vlerësimeve të zotërimit doktrinor. Këto janë përvoja në klasë të hartuara që t’i ndihmojnë nxënësit të përsëritin së bashku gjatë përgatitjes për vlerësimet e të mësuarit. Këto përsëritje duhet të bëhen kur nxënësit mblidhen së bashku qoftë virtualisht ose fizikisht.
Përfundimi
Mendoni për përfitimet e të ndihmuarit të nxënësve që të vlerësojnë rregullisht të mësuarit e tyre. Dhënia e një mundësie nxënësve për ta shpjeguar doktrinën; për të reflektuar mbi ndjenjat, qëndrimet dhe dëshirat e tyre; dhe për të rishikuar planet ose synimet me të cilat po punojnë, do t’i ndihmojë ata në përpjekjet e tyre për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti. Mësimet e vlerësimeve gjithashtu sigurojnë mundësi për Frymën e Shenjtë që t’i frymëzojë nxënësit duke i ndihmuar të ndiejnë se çfarë po bëjnë mirë dhe duke i nxitur që të përmirësohen. Këto mësime janë të rëndësishme dhe duhet të jepen mësim rregullisht.