“Krijoni një Trajnim për Udhëzuesin e Ritmit”, Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit (2022)
“Krijoni një Trajnim për Udhëzuesin e Ritmit”, Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit
Krijoni një Trajnim për Udhëzuesin e Ritmit
Hyrje
Në seminar ne ndjekim programin Eja, Më Ndiq. Kjo gjë e vendos seminarin në një rol përkrahës ndaj asaj që nxënësit po mësojnë në shtëpi. Edhe pse kjo qasje e ka lehtësuar atë që po studiojnë nxënësit e seminarit, ajo kërkon disa përshtatje në mënyrën se si zonat dhe programet vendore do ta përdorin programin mësimor të seminarit. Në shumë raste, për shkak të natyrës së ndërlikuar të këtyre përshtatjeve, mund të jetë më mirë që t’i vini administratorët/et zonalë/e, bashkërenduesit/et ose administratorët/et e programit të krijojnë një udhëzues të ritmit me qëllim që mësuesve/eve të mos t’iu duhet ta bëjnë këtë gjë. Krijimi i këtyre udhëzuesve për mësuesit do t’i ndihmojë që të mos harxhojnë shumë kohë. Megjithatë, disa mësuesve ende do t’iu nevojitet që t’i bëjnë përshtatje udhëzuesit të ritmit që jepni ju.
Orientimet për Krijimin e një Udhëzuesi të Ritmit të Seminarit
Jepini Përparësi Zotërimit Doktrinor
Kur krijoni udhëzuesin e ritmit, do t’ju nevojitet që t’i kushtoni shumë vëmendje kohës se kur do t’i planifikoni mësimet e zotërimit doktrinor. Sa vijojnë janë orientime të rëndësishme për planifikimin e veprimtarive të të mësuarit të zotërimit doktrinor:
Përcaktoni se kur t’i jepni mësimet Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesët 1, 2 dhe 3. Këto mësime u paraqitin nxënësve parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Ato jepen mësim më mirë në fillim të vitit akademik shkollor përpara se të jepet ndonjë mësim i fragmentit të zotërimit doktrinor.
Sigurohuni që të 24 mësimet e fragmentit të zotërimit doktrinor dhe mësimet kontekstuale që lidhen me to, të përfshihen tek udhëzuesi i ritmit me qëllim që ato të jepen mësim ndërkohë që seminari është në zhvillim e sipër. Shumica e mësimeve të fragmentit të zotërimit doktrinor do të dalë në mënyrë të natyrshme gjatë vitit ndërkohë që seminari është në zhvillim e sipër. Është më mirë që t’i lini këto mësime sa më afër që të jetë e mundur me kohën kur do të studiohet blloku përkatës i shkrimeve të shenjta në programin Eja, Më Ndiq. Përcaktoni se cilat mësime të fragmenteve të zotërimit doktrinor nxënësit do të humbasin kur seminari nuk është në zhvillim e sipër. Zhvendosini këto mësime në javën që ka përsëritje të zotërimit doktrinor, që të jepen mësim në vend të përsëritjes. Përveç zhvendosjes së këtij mësimi, sigurohuni gjithashtu që të zhvendosni mësimin përkatës kontekstual në të cilin do të paraqitet fillimisht fragmenti. Mësimet kontekstuale gjenden në manualin e mësuesit të seminarit menjëherë përpara çdo mësimi të fragmentit të zotërimit doktrinor. Zhvendosja e këtyre dy mësimeve do të thotë që një përsëritje e zotërimit doktrinor dhe një mësim tjetër gjatë asaj jave do të nevojitet që të zëvendësohen.
Planifikojini përsëritjet e vlerësimit të zotërimit doktrinor dhe vlerësimet e zotërimit doktrinor. Mësuesit i kryejnë këto përsëritje dhe vlerësime në fund të semestrit në klasat e tyre për t’i ndihmuar nxënësit të vlerësojnë se sa mirë i kanë mësuar fragmentet përkatëse në këtë kurs. Udhëzuesi i ritmit mund të përfshijë pjesën “Zotërimi Doktrinor: Përsëritje e Vlerësimit 1” pasi nxënësit të kenë bërë të gjitha mësimet e fragmentit të zotërimit doktrinor që u përkasin fragmenteve në vlerësimin e zotërimit doktrinor. “Zotërimi Doktrinor: Vlerësimi 1” mund të planifikohet gati një javë pas përsëritjes. Udhëzuesi i ritmit mund të përshtatet në të njëjtën mënyrë që të përfshijë pjesët “Zotërimi Doktrinor: Përsëritje e Vlerësimit 2” dhe “Zotërimi Doktrinor: Vlerësimi 2” pasi nxënësit t’i kenë studiuar mësimet e fragmentit të zotërimit doktrinor që u përkasin fragmenteve në vlerësimin e zotërimit doktrinor.
Sigurohuni që nxënësit të kenë një përvojë të përjavshme me zotërimin doktrinor. Gjatë javëve që nuk kanë një mësim të marrjes së njohurisë shpirtërore, një mësim të fragmentit të zotërimit doktrinor, një mësim të përsëritjes së vlerësimit të zotërimit doktrinor ose një vlerësim të zotërimit doktrinor, planifikoni një përsëritje të zotërimit doktrinor. Ka një përsëritje të zotërimit doktrinor tashmë të përfshirë në çdo javë të mësimeve në manualin e mësuesit të seminarit kur nuk ka një mësim të fragmentit të zotërimit doktrinor ose të marrjes së njohurisë shpirtërore.
Ndiqni Planin e Programit Eja, Më Ndiq
Për pjesën më të madhe, ndiqni planin e programit Eja, Më Ndiq kur krijoni udhëzuesin tuaj të ritmit. Ka disa blloqe të shkrimeve të shenjta në planin javor të programit Eja, Më Ndiq që janë të mbushura me përmbajtje veçanërisht të pasur dhe përfshijnë fragmente të shumta të zotërimit doktrinor. Për ta drejtpeshuar zotërimin doktrinor si një përvojë të përjavshme me javët që kanë blloqe veçanërisht të pasura të shkrimeve të shenjta, ju mund të doni t’i përshtatni mësimet tek udhëzuesi i ritmit me qëllim që nxënësit të fillojnë ta studiojnë bllokun e shkrimeve të shenjta në seminar në javën përpara se të vijë në planin e programit Eja, Më Ndiq ose të vazhdojnë ta studiojnë në javën që pason.
Sidoqoftë, këto raste duhet të jenë të rralla. Nxënësit zakonisht duhet të studiojnë në seminar të njëjtin bllok të shkrimeve të shenjta që po e studiojnë në shtëpi me programin Eja, Më Ndiq.
Pasqyroni Planin Vendor të Shkollës dhe Trajtoni Nevojat Vendore
Në udhëzuesin e ritmit përfshini ditët e festave të shkollës vendore dhe pushime të tjera në planin e shkollës sa më mirë që të mundeni. Kur një javë në seminar shkurtohet për shkak të planit të shkollës vendore, sigurohuni që prapë t’i jepni përparësi zotërimit doktrinor. Gjatë këtyre javëve, do t’ju duhet të jeni përzgjedhës se cilat mësime të tjera do t’i përfshini në udhëzuesin e ritmit. Mund të keni nevojë të shqyrtoni thëniet e qëllimit të mësimeve të ndryshme në një vështrim të përgjithshëm javor ose madje t’u hidhni një sy vetë mësimeve për të përcaktuar se cilat përvoja të të mësuarit do të ishin më të mirat për nxënësit.
Kur krijoni udhëzuesin e ritmit, sigurohuni që t’i trajtoni nevojat e nxënësve në zonën ose programin tuaj. Ka mësime të hyrjes që përfshihen në fillim të manualit të mësuesit të seminarit të cilat mund të përfshiheshin në një udhëzues të ritmit gjatë vitit shkollor. Përveç kësaj, nxënësit mund të përfitojnë nga lloje të tjera të përvojave të të mësuarit që nuk përfshihen domosdoshmërisht në manualin e mësuesit. Këto përvoja mund të përfshijnë mësime që i ndihmojnë nxënësit të përgatiten ose të reflektojnë për një konferencë të përgjithshme ose një takim shpirtëror për rininë të kohës së fundit. Këto lloj veprimtarish mund të përfshihen në udhëzuesin e ritmit.
Rastet për Studim
Më poshtë janë dy shembuj të rasteve për studim që ilustrojnë mënyrën se si të zbatohen këto orientime që sapo u diskutuan kur bëni një udhëzues të ritmit.