Doktrina e Besëlidhje 2021
8 Gusht. Si Mund të Marr Pjesë në Mbledhjen e Izraelit? Doktrina e Besëlidhje 85–87


“8 Gusht. Si Mund të Marr Pjesë në Mbledhjen e Izraelit? Doktrina e Besëlidhje 85–87”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021 (2020)

“8 Gusht. Si Mund të Marr Pjesë në Mbledhjen e Izraelit?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021

të rinj përpara tempullit

8 Gusht

Si Mund të Marr Pjesë në Mbledhjen e Izraelit?

Doktrina e Besëlidhje 85–87

ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; përafërsisht 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone ose Temën e Të Rejave. Më pas udhëhiqni një diskutim rreth çështjeve të tilla si ato që vijojnë dhe planifikoni mënyra për të vepruar sipas asaj që diskutoni (ju mund të vendosni në një mbledhje të presidencës se për cilat çështje të diskutoni):

  • Kuorumi ose klasa jonë. Çfarë aktivitetesh kemi pasur kohët e fundit? A patën sukses ato? Çfarë shkoi mirë dhe si mund t’i përmirësojmë ato?

  • Detyrat ose përgjegjësitë tona. Kush ka nevojë për shërbimin tonë? Si mund t’i ndihmojmë ata?

  • Jeta jonë. Me cilat synime po veprojmë individualisht? Çfarë përvojash mund të tregojmë? Çfarë bekimesh kemi marrë?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës rreth planeve dhe ftesave të bëra gjatë mbledhjes.

ikona jepeni mësim doktrinën

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Ata që janë në kuorumin ose klasën tuaj, ndoshta dinë diçka në lidhje me përgjegjësitë e tyre për të bërë punë misionare, punën në tempull dhe për historinë familjare. Por nëse u flisni për mbledhjen e Izraelit, ata mund të mos dinë se për çfarë po flisni. Si mund t’i ndihmoni të kuptojnë se përhapja e ungjillit, bërja e kërkimeve për historinë e tyre familjare dhe kryerja e ordinancave në tempull janë pjesë e një pune shumë më të madhe të mbledhjes së Izraelit në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?

Ata të cilëve u jepni mësim, mund ta kenë studiuar shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrave te Doktrina e Besëlidhje 86, e cila na mëson rreth mbledhjes së Izraelit në ditët e fundit. Ndërsa e lexoni këtë pjesë, përpiquni t’i përfytyroni njerëzit në kuorumin ose klasën tuaj si punëtorë në fushat e Zotit. Si do t’i ndihmoni që të përjetojnë gëzimin që vjen nga pjesëmarrja në këtë punë të madhërishme? Për të mësuar më shumë rreth kësaj teme, studioni mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson dhe të Motrës Uendi Nelson, “Shpresa e Izraelit” ([takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], material shtesë për revistat New Era dhe Ensign, ChurchofJesusChrist.org).

një e re dhe një grua në moshë madhore duke parë në kompjuter

Të rinjtë dhe të rejat mund të ndihmojnë për ta mbledhur Izraelin duke bërë punë në tempull dhe për historinë familjare.

Mësoni së Bashku

Ju mund të filloni duke u bërë anëtarëve të klasës [dhe anëtareve të klasës] pyetje si këto: Çfarë ju bëri përshtypje kur lexuat në shtëpi Doktrina e Besëlidhje 86? Çfarë mësuat për punën e mbledhjes së fëmijëve të Perëndisë në ditët e fundit? Çfarë po bëni për të marrë pjesë në këtë punë? Më poshtë ka ide shtesë për ta frymëzuar kuorumin ose klasën tuaj që të marrë pjesë në mbledhjen e Izraelit.

  • Pyetini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës suaj se çfarë mendojnë kur dëgjojnë termin “mbledhja e Izraelit”. Nëse kanë nevojë për ndihmë, sugjeroni që të lexojnë përkufizimin vijues nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Mbledhja e Izraelit përfundimisht do të thotë që ungjilli i Jezu Krishtit t’u ofrohet në të dyja anët e velit fëmijëve të Perëndisë, të cilët nuk i kanë bërë besëlidhjet vendimtare me Perëndinë dhe as nuk i kanë marrë ordinancat e tyre thelbësore. Çdo fëmijë i Atit tonë Qiellor e meriton mundësinë e zgjedhjes për ta ndjekur Jezu Krishtin, për ta pranuar dhe marrë ungjillin e Tij me të gjitha bekimet e veta” (“Shpresa e Izraelit”, f. 6). Si ndikon ky përkufizim në mënyrën se si mendojmë rreth kësaj detyre të rëndësishme?

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që ta kuptojnë se si zbatohet shëmbëlltyra e grurit dhe egjrave për ta, ju mund të shkruani në tabelë fraza nga Doktrina e Besëlidhje 86. Këto fraza mund të përshkruajnë simbolet në shëmbëlltyrë – të tillë si “mbjellësit e farës”, “egjrat ia marrin frymën grurit”, “gjethja po çel” dhe “mbledhj[a e] grurit” (vargjet 2–4, 7). Frazat mund të përshkruajnë gjithashtu interpretimet e këtyre simboleve – të tilla si “Apostujt”, “Braktisja”, “Rivendosja” dhe “puna misionare”. Më pas anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të punojnë së bashku që të rishikojnë seksionin 86 dhe të përputhin simbolet me domethënien e tyre. (Ata mund të lexojnë gjithashtu te Mateu 13:36–43.) Çfarë mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë rreth punës së mbledhjes së Izraelit? Çfarë mund të bëjmë që të jemi “një dritë” dhe “një shpëtimtar” për fëmijët e Perëndisë? (Doktrina e Besëlidhje 86:11.)

  • Anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të kujtojnë se në mesazhin e tij “Shpresa e Izraelit”, Presidenti Rasëll M. Nelson i ftoi ata të bëjnë gjëra të veçanta që të përgatiten për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit (shih faqet 7–9). Pyetini se çfarë ftesash mbajnë mend dhe rishikojini së bashku ftesat kur nevojitet. Si mund të na bëjë më të efektshëm për mbledhjen e Izraelit bërja e këtyre gjërave? Çfarë mund të bëjmë që t’i kujtojmë këto ftesa dhe ta ndihmojmë njëri‑tjetrin që t’i përmbushim ato? Nxitini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës të mendojnë në mënyrë krijuese dhe të shprehin idetë e tyre.

  • Anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të lexojnë hyrjen dhe dy pjesët e para të mesazhit të Plakut Kuentin L. Kuk “Dashuri të Madhe për Fëmijët e Atit Tonë” (Liahona, maj 2019, f. 76–80), duke kërkuar arsyen pse dashuria është kaq e rëndësishme në përpjekjet tona misionare, për punën në tempull dhe të historisë familjare. Kërkojuni të tregojnë atë që mësuan rreth mënyrës se si dashuria mund të sjellë ndryshim teksa përpiqemi fort për ta përhapur ungjillin me ata që janë në të dyja anët e velit. Jepuni kohë anëtarëve të kuorumit ose anëtareve të klasës të shkruajnë diçka, të cilën do të donin ta bënin për shkak të diskutimit të sotëm. Për t’i ndihmuar që të mendojnë për ide, ju mund t’u sugjeroni të mendojnë për njerëz që njohin. Si mund t’ua shtrijë dorën Perëndia këtyre njerëzve? Si mund të ndihmojmë ne?

Burime Mbështetëse

  • Rasëll M. Nelson, “Mbledhja e Izraelit të Shpërndarë”, Liahona, nëntor 2006, f. 79–82; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 106–110

  • Church History Topics [Tema të Historisë së Kishës], “The Gathering of Israel” [“Mbledhja e Izraelit”], ChurchofJesusChrist.org/study/history/topics

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Shpëtimtari u mirëbesoi atyre që e ndoqën Atë. Ai i përgatiti ata dhe u dha përgjegjësi të rëndësishme që t’u jepnin mësim, t’i bekonin dhe t’u shërbenin të tjerëve (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 28). Çfarë mundësish mund të siguroni që të rinjtë e të rejat t’i japin mësim njëri‑tjetrit?