“28 Nëntor. Si Ndihmoi Jozef Smithi për ta Përmbushur Planin e Atit Qiellor? Doktrina e Besëlidhje 135–136”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021 (2020)
“28 Nëntor. Si Ndihmoi Jozef Smithi për ta Përmbushur Planin e Atit Qiellor?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021
28 Nëntor
Si Ndihmoi Jozef Smithi për ta Përmbushur Planin e Atit Qiellor?
Këshillohuni së Bashku
Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; përafërsisht 10–20 minuta
Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone ose Temën e Të Rejave. Më pas udhëhiqni një diskutim rreth çështjeve të tilla si ato që vijojnë dhe planifikoni mënyra për të vepruar sipas asaj që diskutoni (ju mund të vendosni në një mbledhje të presidencës se për cilat çështje të diskutoni):
-
Kuorumi ose klasa jonë. Çfarë mund të bëjmë që të ndërtojmë unitet mes anëtarëve të kuorumit ose anëtareve të klasës? Për cilat synime do të donim të punonim së bashku?
-
Detyrat ose përgjegjësitë tona. Çfarë po bëjmë për ta përhapur ungjillin? Çfarë përvojash kemi pasur gjatë bërjes së punës në tempull dhe punës për historinë familjare?
-
Jeta jonë. Si e kemi parë dorën e Zotit në jetën tonë? Çfarë na ka frymëzuar në studimin tonë të shkrimeve të shenjta këtë javë?
Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:
-
Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.
-
Kujtojini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës rreth planeve dhe ftesave të bëra gjatë mbledhjes.
Jepeni Mësim Doktrinën
Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta
Përgatituni Shpirtërisht
“Joseph Smith-i, Profeti dhe Shikuesi i Zotit, ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të” (Doktrina e Besëlidhje 135:3). Kjo është një thënie e guximshme për rolin e Jozef Smithit. A keni menduar ndonjëherë për domethënien që ka kjo thënie në jetën tuaj? Si do të ishte jeta juaj ndryshe nëse ungjilli i Jezu Krishtit nuk do të ishte rivendosur? Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës suaj që t’i forcojnë dëshmitë e tyre për misionin e Jozef Smithit?
Teksa përgatiteni për të dhënë mësim, përveçse të studioni seksionin Doktrina e Besëlidhje 135, merrni parasysh të shqyrtoni mesazhin e Presidentit M. Rasëll Ballard “A Nuk do të Vazhdojmë në një Kauzë Kaq të Madhe?” (Liahona, maj 2020, f. 8–11) dhe mesazhin e Plakut Nil L. Andersen “Jozef Smithi” (Liahona, nëntor 2014, f. 28–31).
Mësoni së Bashku
Për të filluar një diskutim rreth mënyrës se si ndihmoi Jozef Smithi në përmbushjen e planit të Atit Qiellor, ju mund të filloni duke rishikuar atë që anëtarët e kuorumit dhe anëtaret e klasës mësuan rreth Profetit nga leximi te Doktrina e Besëlidhje 135 këtë javë. Për shembull, ata mund të bëjnë një listë të të vërtetave që dinë rreth Shpëtimtarit dhe ungjillit të Tij për shkak të Jozef Smithit. Përse është e rëndësishme secila prej këtyre të vërtetave në planin e Atit Qiellor? Veprimtaritë vijuese mund ta ndihmojnë kuorumin ose klasën tuaj ta kuptojë më mirë rolin e Jozef Smithit në planin e shpëtimit.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që të përgatiten për t’i ndihmuar të tjerët ta kuptojnë rëndësinë e Profetit Jozef Smith, ata mund të lexojnë “The Restoration of the Gospel of Jesus Christ through Joseph Smith [Rivendosja e Ungjillit të Jezu Krishtit nëpërmjet Jozef Smithit]” në kapitullin 3 të Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim] ([2019], f. 36–38). Duke punuar në dyshe ose grupe të vogla, ata mund të përcaktojnë pika që duket se janë të rëndësishme për t’ua treguar të tjerëve. Më pas ata mund të ushtrohen për t’ia treguar përvojën e Jozef Smithit njëri-tjetrit me fjalët e tyre. Kërkojuni të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë për ta shpërndarë mesazhin e Rivendosjes. Ndoshta mund të mendojnë për një person të veçantë, të cilit mund t’ia tregojnë këtë mesazh. Ata mund të jenë gjithashtu të gatshëm të tregojnë përvoja kur e kanë ndihmuar dikë të mësojë rreth Jozef Smithit.
-
Kërkojuni anëtarëve të kuorumit ose anëtareve të klasës të përfytyrojnë sikur një nga shokët/shoqet e tyre në Kishë thotë: “Nuk jam i sigurt nëse kam një dëshmi për Jozef Smithin. Nga e di ti që ai është një profet?” Si do të përgjigjeshim? Çfarë mësojmë nga vetë përvoja e Jozef Smithit te Joseph Smith – Historia 1:8–19 rreth mënyrës se si mund ta fitojmë apo forcojmë dëshminë tonë? Kërkojuni anëtarëve të kuorumit ose anëtareve të klasës që të bëjnë një listë të mënyrave se si t’i forcojnë dëshmitë e tyre për Profetin Jozef Smith dhe secili/a të zgjedhë një gjë që ai/ajo do të donte ta bënte këtë javë.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që ta kuptojnë më mirë punën që përmbushi Perëndia nëpërmjet Jozef Smithit, ju mund t’i ftoni ata të lexojnë faqet 48–53 të manualit Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli (2016) ose të shohin një ose më shumë nga materialet filmike në pjesën “Burime Mbështetëse”. Ata mund të zgjedhin një apo dy nga doktrinat dhe praktikat e paraqitura në këto burime që janë veçanërisht domethënëse për ta. Ata mund të shpjegojnë arsyen pse janë mirënjohës që Zoti i rivendosi këto gjëra nëpërmjet Jozef Smithit. Ata gjithashtu mund të gjejnë kënaqësi të shkruajnë një shënim, duke shprehur mirënjohjen e tyre për mënyrën se si puna e Jozef Smithit ka ndihmuar për t’i sjellë ata më pranë Shpëtimtarit. Ata gjithashtu mund të përsiatin se çfarë mund të bëjnë për të përfituar më plotësisht nga bekimet që Zoti ka vënë në dispozicion nëpërmjet Jozef Smithit.
Veproni me Besim
Nxitini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që të përsiatin dhe të mbajnë shënim atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Si lidhet mësimi i sotëm me synimet vetjake që kanë vendosur? Nëse do të duan, anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të shprehin idetë e tyre.
Burime Mbështetëse
-
Doktrina e Besëlidhje 35:17–18 (Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Zoti rivendosi plotësinë e ungjillit)
-
Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?” Liahona, nëntor 2017, f. 60–63
-
“Teachings of Joseph Smith: The Nature of God” [“Mësime të Jozef Smithit: Natyra e Perëndisë”], “Ministry of Joseph Smith: The Book of Mormon” [“Shërbesa e Jozef Smithit: Libri i Mormonit”], “Ministry of Joseph Smith: The Organization of the Church” [“Shërbesa e Jozef Smithit: Organizimi i Kishës”], “Ministry of Joseph Smith: The Restoration of Priesthood Authority” [“Shërbesa e Jozef Smithit: Rivendosja e Autoritetit të Priftërisë”], “Ministry of Joseph Smith: Temples” [“Shërbesa e Jozef Smithit: Tempujt”], (materiale filmike), ChurchofJesusChrist.org