“12 Dhjetor. Si Gjej Përgjigje për Pyetjet e Mia? Nenet e Besimit dhe Deklaratat Zyrtare 1 e 2”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021 (2020)
“12 Dhjetor. Si Gjej Përgjigje për Pyetjet e Mia?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2021
12 Dhjetor
Si Gjej Përgjigje për Pyetjet e Mia?
Këshillohuni së Bashku
Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; përafërsisht 10–20 minuta
Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone ose Temën e Të Rejave. Më pas udhëhiqni një diskutim rreth çështjeve të tilla si ato që vijojnë dhe planifikoni mënyra për të vepruar sipas asaj që diskutoni (ju mund të vendosni në një mbledhje të presidencës se për cilat çështje të diskutoni):
-
Kuorumi ose klasa jonë. Çfarë aktivitetesh kemi pasur kohët e fundit? A patën sukses ato? Çfarë shkoi mirë dhe si mund t’i përmirësojmë ato?
-
Detyrat ose përgjegjësitë tona. Kush ka nevojë për shërbimin tonë? Si mund t’i ndihmojmë ata?
-
Jeta jonë. Me cilat synime po veprojmë individualisht? Çfarë përvojash mund të tregojmë? Çfarë bekimesh kemi marrë?
Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:
-
Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.
-
Kujtojini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës rreth planeve dhe ftesave të bëra gjatë mbledhjes.
Jepeni Mësim Doktrinën
Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta
Përgatituni Shpirtërisht
Është e natyrshme të kemi pyetje. Ne e pyetim veten për të ardhmen tonë dhe për botën përreth nesh. Ne gjithashtu kemi pyetje rreth Perëndisë dhe planit të Tij për ne. Ndërsa lexoni Deklaratat Zyrtare 1 dhe 2 këtë javë, vini re atë që bënë profetët dhe apostujt për të gjetur përgjigje për pyetjet e tyre (përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund të jetë i dobishëm). Çfarë roli ka luajtur në të mësuarit e ungjillit nga ju kërkimi i përgjigjeve për pyetjet? Çfarë mund të bëni për t’i nxitur anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës suaj që t’i kërkojnë në mënyrë besnike përgjigjet e pyetjeve të tyre mbi ungjillin? Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, merreni parasysh të shqyrtoni seksionet te Doktrina e Besëlidhje 6:14–15; 9:7–9 dhe “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor ([2018], f. 6–11).
Mësoni së Bashku
Ndërsa anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës suaj studiuan Deklaratat Zyrtare 1 dhe 2 këtë javë, ata mund të kenë zbuluar parime që lidhen me marrjen e përgjigjeve për pyetjet mbi ungjillin. Jepuni disa minuta kohë për t’i shqyrtuar deklaratat dhe për të treguar ato që mësuan rreth marrjes së zbulesës. Veprimtaritë më poshtë mund t’i ndihmojnë ata të cilëve u jepni mësim, që të kuptojnë më mirë se si të kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre mbi ungjillin.
-
Shkrimet e shenjta të mëposhtme na mësojnë parime rreth bërjes së pyetjeve dhe marrjes së përgjigjeve: Mateu 7:7; Doktrina e Besëlidhje 6:14–15; 9:7–9. Kuorumi ose klasa juaj mund t’i lexojnë këto fragmente së bashku dhe të bëjnë një listë në tabelë për parimet që gjejnë. Përse Ati Qiellor nuk iu përgjigjet gjithmonë pyetjeve tona plotësisht ose menjëherë? Si mund të vazhdojmë ta tregojmë besimin tonë ndërsa presim përgjigje? (Shih Doktrina e Besëlidhje 19:23; 78:18.) Merreni parasysh që të tregoni një përvojë kur ju kishit një pyetje rreth ungjillit dhe morët një përgjigje. Kërkojuni anëtarëve të kuorumit ose anëtareve të klasës që të tregojnë përvoja të ngjashme.
-
A mund të mendojnë anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës suaj për njerëz në shkrimet e shenjta që bënë pyetje të cilat çuan drejt zbulesës? (Nëse është e nevojshme, ju mund t’i drejtoni ata te shkrimet e shenjta në pjesën “Burime Mbështetëse”.) Anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të lexojnë rreth këtyre njerëzve në shkrimet e shenjta dhe të përcaktojnë se çfarë pyetjesh bënë, si i kërkuan përgjigjet dhe çfarë përgjigjesh morën. Çfarë mësojmë nga këta shembuj? Si mund ta zbatojmë atë që mësojmë, teksa kërkojmë përgjigje për vetë pyetjet tona? Si pjesë të kësaj veprimtarie, ju mund të shfaqni gjithashtu “How Can I Live the Gospel Standards Better?” [“Si Mund t’i Jetoj më Mirë Standardet e Ungjillit?”] nga “Face to Face with Elder and Sister Bednar [Ballë për Ballë me Plakun dhe Motrën Bednar]” ([transmetim mbarëbotëror për rininë], 12 maj 2015, FacetoFace.ChurchofJesusChrist.org).
-
Mesazhi i Plakut W. Mark Baset “Për Zhvillimin dhe të Mësuarin tonë Shpirtëror” (Liahona, nëntor 2016, f. 52–54), jep sugjerime rreth mënyrës se si të kërkojmë përgjigje për pyetjet shpirtërore. Kuorumi ose klasa juaj mund t’i lexojë së bashku të katër paragrafët e mesazhit të tij që fillojnë te fjalia “Me qëllim që t’i kuptojmë misteret e Perëndisë”. Më pas ftojini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që të lexojnë te 1 Nefi 2:16, 19–20; 10:17–19; 11:1 dhe të përcaktojnë se çfarë bëri Nefi që të kërkonte përgjigje për pyetjet e tij. Ftojini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që të mendojnë se çfarë do të bëjnë për të ndjekur shembullin e Nefit kur kanë pyetje rreth ungjillit.
-
Historia te Marku 9:14–27 mund t’i ndihmojë anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës kur hasin vështirësi me pyetje apo dyshime. Paraprakisht, ftojeni një anëtar të kuorumit ose një anëtare të klasës suaj që të vijë i/e përgatitur për ta treguar historinë. Më pas, ndajeni kuorumin ose klasën tuaj në tri grupe dhe caktojini secilit grup që të studiojë njërën nga tri vëzhgimet që bëri Plaku Xhefri R. Holland për historinë në mesazhin e tij “Unë Besoj, o Zot” (Liahona, maj 2013, f. 93–95). Si mund t’i zbatojmë vëzhgimet e Plakut Holland kur ne ose dikush që njohim, ka pyetje apo dyshime rreth ungjillit?
Veproni me Besim
Nxitini anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës që të përsiatin dhe të mbajnë shënim atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Si lidhet mësimi i sotëm me synimet vetjake që kanë vendosur? Nëse do të duan, anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasës mund të shprehin idetë e tyre.
Burime Mbështetëse
-
Enosi 1:1–8; Alma 5:43–47; 40:3–5; Ethëri 2:18–23; Doktrina e Besëlidhje 138:1–4, 11; Joseph Smith – Historia 1:10–18 (Shembuj të njerëzve që kërkojnë përgjigje për pyetjet e tyre)
-
Xhejms B. Martino, “Kthehuni tek Ai dhe Përgjigjet Do Të Vijnë”, Liahona, nëntor 2015, f. 58–60
-
Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Answering Gospel Questions” [“Përgjigja ndaj Pyetjeve të Ungjillit”], topics.ChurchofJesusChrist.org