Dhiata e Vjetër 2022
10 Prill. Si Mund ta Forcoj Besimin Tim te Jezu Krishti Çdo Ditë? Eksodi 14–17


“10 Prill. Si Mund ta Forcoj Besimin Tim te Jezu Krishti Çdo Ditë? Eksodi 14–17”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2021)

“10 Prill. Si Mund ta Forcoj Besimin Tim te Jezu Krishti Çdo Ditë?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022

Jezu Krishti

10 Prill

Si Mund ta Forcoj Besimin Tim te Jezu Krishti Çdo Ditë?

Eksodi 14–17

ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Më pas, përveç këshillimit së bashku rreth punëve të veçanta të klasës ose kuorumit, ju mund të doni të diskutoni për mbresat dhe temat nga konferenca e përgjithshme. Pyetjet në vijim mund të ndihmojnë.

  • Cilat tema ose mesazhe na bënë përshtypje? Çfarë e forcoi besimin tonë te Jezu Krishti?

  • Çfarë i forcoi dëshmitë tona për profetët e gjallë? Çfarë u ndiem të nxitur të bëjmë për shkak të asaj që mësuam apo ndiem?

  • Çfarë na nevojitet të bëjmë si klasë ose kuorum për të kujtuar dhe vepruar sipas këshillës që dëgjuam në konferencën e përgjithshme?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Në mënyrë që të mbijetonin në shkretëtirë, fëmijët e Izraelit kishin nevojë të mësonin se si të mbështeteshin te Zoti. Ata u mbështetën tek Ai për mrekulli jetëshpëtuese, si ndarja e Detit të Kuq dhe gjithashtu për mrekulli jetëmbështetëse, si manat nga qielli. E njëjta gjë është e vërtetë për ata të cilëve po u jepni mësim. Nëse duhet t’i mbijetojnë udhëtimit të tyre shpirtëror në shkretëtirën e vdekshmërisë, ata duhet të ushtrojnë besim te Jezu Krishti. Ata duhet ta ushtrojnë atë besim çdo ditë, jo vetëm herë pas here. Disa prej atyre të cilëve u jepni mësim, mund të mendojnë se besimi i tyre nuk është veçanërisht i fortë. Ju mund t’i ndihmoni ata të kuptojnë se besimi rritet gradualisht, dita-ditës. Ai ushqehet përmes gjërave të vogla e të thjeshta që ne i bëjmë vazhdimisht. Përsiatini këto gjëra ndërsa studioni këtë javë kapitujt tek Eksodi 14–17. Ju gjithashtu mund të studioni mesazhin e Presidentit Dallin H. Ouks “Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta” (Liahona, maj 2018, f. 89–92).

klasë e të rejave

Ne mund ta forcojmë besimin tonë çdo ditë në mënyra të vogla dhe të thjeshta.

Mësoni së Bashku

Për të filluar një diskutim, ju mund t’u kërkoni të rinjve dhe të rejave të tregojnë disa nga zakonet e tyre të përditshme që i ndihmojnë të bëjnë gjëra të mira. Këto gjëra mund të përfshijnë ruajtjen e shëndetit të mirë ose forcimin e dëshmive të tyre. Çfarë mund të ndodhë nëse nuk do t’i ruajmë këto zakone? Si mund të krahasohen përpjekjet tona të përditshme për të bërë gjëra të mira me udhëzimet që iu dha Zoti izraelitëve për të mbledhur mana? (Shih Eksodi 16:16–21.) Ju mund ta ndihmoni klasën ose kuorumin të krahasojë përvojën e izraelitëve me përpjekjet tona për ta forcuar besimin tonë te Jezu Krishti çdo ditë. Për shembull, çfarë na jep Zoti që është si mana e përditshme, që Ai ua dha izraelitëve? Çfarë mund të bëjmë që është si mbledhja e manave? Për ta vazhduar diskutimin tuaj, përdorni një ose më shumë nga veprimtaritë më poshtë ose një veprimtari tuajën.

  • Lexoni së bashku tek Alma 37:6–7. Si klasë ose kuorum, renditni në tabelë disa nga “gjëra[t e] vogla dhe të thjeshta” që Zoti na ka ftuar të bëjmë çdo ditë për të ardhur tek Ai. Ata të cilëve u jepni mësim, më pas mund të shqyrtojnë mesazhin e Presidentit Dallin H. Ouks “Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta” për të gjetur gjëra të vogla shtesë që mund të kenë një ndikim të madh në jetën tonë. Çfarë ndikimi mund të kenë këto gjëra? Çfarë jemi të frymëzuar të bëjmë, për t’i bërë këto gjëra një pjesë më të qëndrueshme të jetës sonë së përditshme?

  • Përse besimi te Jezu Krishti duhet të ushqehet përditë? Për t’i ndihmuar anëtarët ta kuptojnë këtë më mirë, ju mund të tregoni një ose më shumë nga materialet filmike që renditen te pjesa “Burime Mbështetëse”. Në këto materiale filmike, Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim mbi nevojën për përpjekje të përditshme për ta mbështetur besimin tonë. Ftojini ata të cilëve u jepni mësim, që të tregojnë gjërat që mësuan të cilat i frymëzojnë ta rritin besimin e tyre te Jezu Krishti çdo ditë.

  • Përpjekjet e vazhdueshme të përditshme janë mënyra më e mirë për ta forcuar besimin tonë te Krishti. Për ta diskutuar këtë ide, lexoni së bashku sugjerimin e tretë të Plakut Dejvid A. Bednar në këtë mesazh “Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi” (Liahona, nëntor 2009, f. 17–20). Çfarë mësimesh mund të marrim nga përshkrimi i një pikture i bërë prej tij në zyrën e vet? Si gjejnë zbatim këto mësime në përpjekjet tona për ta ndërtuar besimin tonë te Jezu Krishti? Leximi së bashku i vargjeve tek Alma 32:21, 26–43 mund t’i shtojë vlerë diskutimit tuaj. Çfarë pikëpamjesh gjejmë rreth mënyrës se si ta forcojmë besimin tonë te Jezu Krishti?

  • Ne mund ta rritim besimin tonë duke zgjedhur që të mësojmë nga përvojat që e vënë atë në provë. Ju mund të shfaqni materialin filmik “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”] (ChurchofJesusChrist.org). Diskutoni së bashku se çfarë mund të bëjmë gjatë një sprove për ta forcuar besimin tonë. (Shih edhe Nil L. Andersen, “Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, Liahona, maj 2014, f. 18–21.) Ju mund t’u kërkoni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit të tregojnë raste kur ndien se besimi i tyre te Krishti u vu në provë dhe çfarë bënë ata për ta forcuar besimin e tyre gjatë asaj kohe. Vini në dukje se kapitujt Eksodi 14–17 përshkruajnë murmuritjet ose ankesat e shpeshta të izraelitëve kur përjetuan sprova. Si mund ta dobësojë besimin tonë murmuritja gjatë sprovave? Cili është ndryshimi midis murmuritjes dhe shprehjes së shqetësimeve tona Atit Qiellor gjatë kohëve të vështira?

    2:25

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse do të duan, mund t’i shprehin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë mbi mënyrën se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, nëse ata veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Ndihmojini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të kuptojnë se si mund ta ftojnë Shpirtin që të jetë i pranishëm në diskutimet e tyre. Ata mund ta bëjnë këtë nëpërmjet “sjellje[s së tyre], mënyr[ës] se si ata e trajtojnë njëri-tjetrin dhe mënyr[ës] se si ndihen rreth ungjillit” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 15).