“22 Maj. Si Mund t’ia Tregoj Mirënjohjen Time Perëndisë? Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2021)
“22 Maj. Si Mund t’ia Tregoj Mirënjohjen Time Perëndisë?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022
22 Maj
Si Mund t’ia Tregoj Mirënjohjen Time Perëndisë?
Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34
Këshillohuni së Bashku
Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; 10–20 minuta
Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj udhëhiqni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet më poshtë ose vetë pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2, ChurchofJesusChrist.org). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.
-
Jetojeni ungjillin. Çfarë diskutuam herën e kaluar dhe çfarë ftesash ose caktimesh u bënë? Çfarë kemi bërë për të vepruar sipas atyre ftesave ose caktimeve?
-
Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Çfarë mund të bëjmë ose themi për t’ju ardhur në ndihmë atyre që mund të ndihen të vetmuar ose larg nga Ati Qiellor?
-
Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Cilat janë disa mënyra se si ne mund t’i ndihmojmë të tjerët që ta ndiejnë dashurinë e Jezu Krishtit?
-
Bashkojini familjet për përjetësinë. Çfarë idesh mund t’i tregojmë njëri-tjetrit për të ndihmuar që familjet tona të forcohen?
Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:
-
Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.
-
Kujtojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.
Jepeni Mësim Doktrinën
Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; 25–35 minuta
Përgatituni Shpirtërisht
Perëndia është duke u kujdesur vazhdimisht për ne dhe duke na bekuar. Por me të gjitha shpërqendrimet dhe tundimet me të cilat përballemi, është e lehtë ta harrojmë Atë. Kjo ndodhi me izraelitët shumë herë, duke përfshirë kohët e vështira që patën teksa endeshin në vendin e shkretë. Por Zoti me mëshirë i udhëhoqi drejt tokës së premtuar – një vend me rehati më të madhe dhe shumë tundime, në një vend ku do të mund të tundoheshin për ta harruar Atë përsëri. Udhëzimet e Zotit te Ligji i Përtërirë 6 kishin për qëllim që t’i ndihmonin izraelitët ta kujtonin Atë dhe fjalët e Tij vazhdimisht (shih vargjet 6–9).
Si i mbani Zotin dhe fjalët e Tij në zemrën tuaj – “[që] të mos [e] harro[ni] Zotin”? (Ligji i Përtërirë 6:12.) Si na ndihmon të kujtuarit e Zotit që të ndiejmë mirënjohje në të gjitha rrethanat e jetës sonë? Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, merrni parasysh të shqyrtoni vargjet te Ligji i Përtërirë 12:6–9, 12 dhe Lluka 17:11–19. Ju mund të shqyrtoni edhe mesazhin e Presidentit Diter F. Uhtdorf “Mirënjohës në të Gjitha Rrethanat” (Liahona, maj 2014, f. 70–77).
Mësoni së Bashku
Për të filluar një diskutim rreth të kujtuarit të Zotit, ju mund t’i ftoni të rinjtë dhe të rejat të tregojnë përvoja kur harruan diçka të rëndësishme. Cilat ishin rezultatet? Çfarë ndodh kur i harrojmë gjërat e mëdha që Zoti ka bërë për ne? Ftojeni klasën ose kuorumin tuaj të shqyrtojë vargjet te Ligji i Përtërirë 6:4–9, 20–25. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth të kujtuarit të mirësisë së Perëndisë në jetën tonë? Zgjidhni një ose shumë nga veprimtaritë më poshtë për t’i ndihmuar ata të cilëve u jepni mësim, të mësojnë se si të ndihen më shumë mirënjohës për mirësinë e Perëndisë dhe si ta shprehin mirënjohjen e tyre ndaj Tij.
-
Leximi së bashku i vargjeve te Lluka 17:11–19, mund t’i ndihmojë të rinjtë dhe të rejat të mendojnë rreth arsyes përse është e rëndësishme që ne ta tregojmë mirënjohjen tonë ndaj Perëndisë. Merrni parasysh të bëni pyetje që i ndihmojnë ata ta lidhin këtë histori me jetën e tyre. Për shembull, cilat janë disa arsye të mundshme se përse nëntë nga dhjetë lebrosët nuk e falënderuan Shpëtimtarin? Përse ne ndonjëherë nuk arrijmë të shprehim mirënjohje ndaj Perëndisë? Kërkojuni atyre të cilëve u jepni mësim, të mendojnë rreth rasteve kur u ndien mirënjohës, edhe kur ishte e vështirë. Çfarë ndikimi ka tek ne shprehja e mirënjohjes? Përse është e rëndësishme të shprehim falënderimet tonë ndaj Perëndisë? (Shihni referencat e shkrimeve të shenjta te pjesa “Burime Mbështetëse” për disa përgjigje.) Çfarë mund të bëjmë për t’ia treguar mirënjohjen tonë Perëndisë?
-
Ka shumë himne lavdërimi dhe falënderimi, të tilla si “Sa i Madh Je Ti” dhe “Numëro Bekimet” (Himne, nr. 42, 152). Ju mund t’u kërkoni të rinjve dhe të rejave të kërkojnë te fjalët e këtyre himneve gjëra për të cilat ata ndihen mirënjohës. Ftojini ata të tregojnë gjërat që gjetën dhe të shpjegojnë se përse janë mirënjohës për to. Ju mund t’i këndoni së bashku disa prej këtyre himneve.
-
Mesazhi i Presidentit Diter F. Uhtdorf “Mirënjohës në të Gjitha Rrethanat” na ndihmon të kuptojmë se si të jemi më shumë mirënjohës. Një mënyrë për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat të mësojnë nga ky mesazh, është t’i ndani në grupe të vogla dhe t’i jepni secilit grup një pjesë të mesazhit. Kërkojuni atyre të tregojnë një frazë ose fjali që ata mendojnë se e përmbledh atë që dha mësim Presidenti Uhtdorf. Ftojini ata të tregojnë diçka që mësuan rreth mirënjohjes. Ata gjithashtu mund të shohin materialin filmik “Presidenti Rasëll M. Nelson: Një Lutje Mirënjohjeje, Shprese dhe Shërimi e Profetit për Botën” (ChurchofJesusChrist.org). Çfarë mund të bëjmë që të bëhemi “mirënjohës në të gjitha rrethanat” pavarësisht se cilat janë ato? Çfarë shembujsh kemi parë të njerëzve që kanë qenë mirënjohës pavarësisht nga rrethanat e tyre të vështira?
Veproni me Besim
Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse do të duan, mund t’i shprehin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë mbi mënyrën se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, nëse ata veprojnë sipas mbresave të veta.
Burime Mbështetëse
-
Mosia 2:19–24 (Ne duhet ta lavdërojmë dhe falënderojmë Perëndinë)
-
Alma 34:38; 37:37; Doktrina e Besëlidhje 46:32; 59:7, 15–21 (Ne duhet të falënderojmë për të gjitha gjërat)
-
Psalmeve 107:8–9; Filipianëve 4:6–7; Doktrina e Besëlidhje 78:19 (Bekimet e mirënjohjes)
-
Dejll G. Renland, “Kini Parasysh Mirësinë dhe Madhështinë e Perëndisë”, Liahona, maj 2020, f. 41–44
-
“Mirënjohja”, te Për Forcën e Rinisë (broshurë 2011), f. 18