“23 Tetor. A Është i Shkruar Ungjilli në Zemrën Time? Jeremia 30–33; 36; Vajtimeve 1; 3”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2021)
“23 Tetor. A Është i Shkruar Ungjilli në Zemrën Time?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022
23 Tetor
A Është i Shkruar Ungjilli në Zemrën Time?
Këshillohuni së Bashku
Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; 10–20 minuta
Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj udhëhiqni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet më poshtë ose vetë pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2, ChurchofJesusChrist.org). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.
-
Jetojeni ungjillin. Çfarë diskutuam herën e kaluar dhe çfarë ftesash ose caktimesh u bënë? Çfarë kemi bërë për të vepruar sipas atyre ftesave ose caktimeve?
-
Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Çfarë mund të bëjmë ose themi për t’ju ardhur në ndihmë atyre që mund të ndihen të vetmuar ose larg nga Ati Qiellor?
-
Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Cilat janë disa mënyra se si ne mund t’i ndihmojmë të tjerët që ta ndiejnë dashurinë e Jezu Krishtit?
-
Bashkojini familjet për përjetësinë. Çfarë idesh mund t’i tregojmë njëri-tjetrit për të ndihmuar që familjet tona të forcohen?
Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:
-
Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.
-
Kujtojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.
Jepeni Mësim Doktrinën
Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; 25–35 minuta
Përgatituni Shpirtërisht
Zoti i tha profetit Jeremia se në ditët që do të vijnë, Ai do ta mbledhë Izraelin dhe do të bëjë një “besëlidhje të re” me popullin e Tij. Ai shpalli: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im” (shih Jeremia 31:31–34). Ato ditë janë ditët e sotme dhe ne jemi populli i Perëndisë. Ato mësime mund t’ju nxitin ju – dhe ata të cilëve u jepni mësim – që të pyetni: Çfarë do të thotë që ungjilli të shkruhet në zemrën time? A është i shkruar ungjilli në zemrën time? Nëse nuk është, çfarë mund të bëj për këtë?
Merrni parasysh se si do t’i ndihmoni anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj t’i përsiatin këto pyetje për vete. Në mënyrë që të përgatiteni për të dhënë mësim, ju mund të gjeni mesazhe që t’i jepni nga Jeremia 30–33; 36; nga mesazhi i Presidentit Rasëll M. Nelson “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë” (Liahona, nëntor 2020, f. 92–95) dhe nga mesazhi i Plakut D. Tod Kristoferson “When Thou Art Converted” (Liahona, maj 2004, f. 11–13).
Mësoni së Bashku
Nxitini të rinjtë dhe të rejat të diskutojnë për vargjet Jeremia 31:31–34. Për ta bërë këtë, ju mund t’u jepni atyre letra në formë zemre me disa pyetje të shkruara mbi to rreth asaj se çfarë do të thotë ta kesh ungjillin të shkruar në zemrat tona, si ato që gjenden nën pjesën “Përgatituni Shpirtërisht”. Duke punuar individualisht, në dyshe, ose në grupe të vogla, të rinjtë dhe të rejat mund t’i lexojnë këto vargje nga Jeremia dhe të përsiatin se si do t’u përgjigjen pyetjeve. Lejojini ata të tregojnë pyetjet e tyre dhe përgjigjet që menduan. Më poshtë janë disa ide që mund t’ju ndihmojnë t’u mësoni të rinjve dhe të rejave se si ungjilli mund të shkruhet në zemrat e tyre.
-
Kur Moisiu iu dha izraelitëve disa nga mësimet e tij të fundit, ai i nxiti që t’i pranonin fjalët e Perëndisë në zemrat e tyre. Ai gjithashtu u mësoi disa prej mënyrave se si mund ta bënin këtë, siç gjenden te Ligji i Përtërirë 6:3–9. Si klasë ose kuorum, lexojini këto vargje së bashku dhe diskutoni mbi mënyrat se si ne mund ta bëjmë atë që këshilloi Moisiu. Për disa ide, klasa ose kuorumi juaj mund të shohë materialin filmik “Come, Follow Me: These Words” [“Eja, Më Ndiq: Këto Fjalë”] (ChurchofJesusChrist.org). Ata gjithashtu mund të studiojnë vargjet tek Alma 5:14, 26–35 për të zbuluar se çfarë dha mësim Alma rreth mënyrës se si ne mund ta mbajmë ungjillin të shkruar në zemrat tona.
-
Ftojini të rinjtë dhe të rejat të lexojnë “Kthimi në besim” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta dhe të kërkojnë disa nga shkrimet e shenjta të përmendura atje. Ndihmojini ata të gjejnë fragmente që na mësojnë rreth asaj se si kthimi në besim ndikon në zemrat tona. Çfarë roli luan Shpëtimtari në kthimin tonë në besim? Çfarë roli luajmë ne? Nxitini të rinjtë dhe të rejat të tregojnë përgjigjet e tyre, së bashku me idetë e tjera që gjetën. Cilat përvoja na kanë ndihmuar që ta kemi të shkruar ungjillin në zemrat tona? Çfarë roli luan mbajtja e besëlidhjeve tona në këtë proces?
-
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi se termi Izrael “i referohet një njeriu që është i gatshëm ta lejojë Perëndinë të triumfojë në jetën e tij ose të saj” (“Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, f. 92). Ju mund t’i ftoni të rinjtë dhe të rejat të shqyrtojnë gjashtë paragrafët e parë të mesazhit të Presidentit Nelson dhe pjesën e fundit të mesazhit që fillon me “Pyetja për secilin prej nesh”. Kërkojuni atyre të gjejnë diçka që i ndihmon të kuptojnë se çfarë do të thotë ta “lejoj[në] Perëndinë të triumfojë” në jetën e tyre. Si ndihemi dhe si veprojmë kur Perëndia triumfon në jetën tonë? Çfarë dha mësim Presidenti Nelson rreth asaj se si të pasurit e ungjillit të shkruar në zemër ndikon në përpjekjet tona për ta mbledhur Izraelin?
Veproni me Besim
Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse do të duan, mund t’i shprehin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë mbi mënyrën se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, nëse ata veprojnë sipas mbresave të veta.
Burime Mbështetëse
-
Henry B. Eyring, “Write upon My Heart” (Liahona, nëntor 2000, f. 85–87)
-
Linda K. Barton, “A Është Besimi në Shlyerjen e Jezu Krishtit i Shkruar në Zemrat Tona?” (Liahona, nëntor 2012, f. 111–115)