“10 Dhjetor. Si e Bën të Mundur Jezu Krishti Planin e Atit Qiellor? Zbulesa 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023 (2022)
“10 Dhjetor. Si e Bën të Mundur Jezu Krishti Planin e Atit Qiellor?”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023
10 Dhjetor
Si e Bën të Mundur Jezu Krishti Planin e Atit Qiellor?
Këshillohuni së Bashku
Udhëhiqet nga një anëtare e presidencës së klasës ose një anëtar i presidencës së kuorumit; përafërsisht 10–20 minuta
Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj drejtoni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet e mëposhtme ose pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.
-
Jetojeni ungjillin. Si e kemi parë dorën e Zotit në jetën tonë?
-
Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Si mund ta përkrahim njëri-tjetrin në gjërat që po kalojmë?
-
Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund ta përdorim më mirë teknologjinë si një mjet për të përhapur ungjillin?
-
Bashkojini familjet për përjetësinë. Çfarë po bëjmë për t’i ndihmuar familjet tona të vijnë te Krishti?
Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:
-
Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.
-
Kujtojuani anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.
Jepeni Mësim Doktrinën
Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta
Përgatituni Shpirtërisht
Në një vegim, Gjon Zbuluesi pa një libër që “kurrkush, as në qiell, as mbi dhe, as nën dhe” nuk ishte i denjë për ta hapur dhe kjo e bëri të qante (shih Zbulesa 5:3–4). Libri përfaqësonte “punën … [e] Perëndisë”, përfshirë planin e Tij për pavdekësinë dhe jetën tonë të përjetshme (shih Doktrina e Besëlidhje 77:6; Moisiu 1:39). Por më pas, në vegimin e Gjonit, u gjend një Qengj “i denjë ta m[errte] librin dhe të hap[te] vulat e tij” (Zbulesa 5:9). Ky lajm i lavdishëm bëri që “dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash” engjëj të këndonin dhe bërtitnin nga gëzimi (Zbulesa 5:11). Jezu Krishti, Qengji i Perëndisë, “me gjakun [e Tij] na ble[u] te Perëndia” (Zbulesa 5:9) dhe bëri të mundur bekimet e planit të Atit tonë Qiellor.
Përsiatni se çfarë ka bërë Jezu Krishti për ju. A jeni ndier ndonjëherë si ata në vegimin e Gjonit që “ranë përmbys dhe [e] adhuruan atë”? (Zbulesa 5:14.) Merrni parasysh se si mund t’i ndihmoni anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj që ta kuptojnë më mirë rolin qendror të Jezu Krishtit në planin e Atit Qiellor. Përveç kapitujve te Zbulesa 1–5, ju gjithashtu mund të lexoni te 2 Nefi 9; dokumentin “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (ChurchofJesusChrist.org) dhe mesazhin e Plakut Ulises Soares “Jezu Krishti: Kujdestari i Shpirtit Tonë” (Liahona, maj 2021, f. 82–84).
Mësoni së Bashku
Anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj mund të kënaqen duke u hequr sikur janë prodhues filmash, të cilëve u kërkohet të bëjnë një film për vegimin e Gjonit te Zbulesa 5. Jepuni atyre pak minuta që ta shqyrtojnë kapitullin dhe të përcaktojnë se cilat skena do të donin të xhironin. Cilat mendojnë se do të ishin momentet më të fuqishme? Si do të ndihmonte ky film për të ndërtuar besimin te Shpëtimtari? Për të vazhduar ta ndihmoni klasën ose kuorumin tuaj të mësojë për rolin e Jezu Krishtit në planin e Atit Qiellor për shpëtimin, këtu janë disa sugjerime:
-
Mund t’i shkruani në tabelë titujt në vijim: Jeta Para Lindjes, Jeta në Vdekshmëri dhe Jeta Pas Vdekjes. Ftojini të rinjtë dhe të rejat të shqyrtojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta në pjesën “Burime Mbështetëse” për të mësuar se si misioni i Shpëtimtarit gjatë jetës së Tij para lindjes, gjatë jetës së Tij në vdekshmëri dhe pas Ringjalljes së Tij e bën të mundur planin e Atit. Ata mund ta përmbledhin atë që mësojnë, poshtë titujve në tabelë. Jepuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit tuaj mundësi për të treguar ndjenjat e tyre rreth asaj që Shpëtimtari ka bërë për ta.
-
Për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat të cilëve u jepni mësim, ta kuptojnë më mirë se çfarë bëri Jezu Krishti për ta bërë të mundur planin e Atit Qiellor, vizatoni një shteg në tabelë që përfaqëson udhëtimin tonë për t’u kthyer sërish tek Ati ynë në Qiell. Vizatoni pengesa në shteg me emërtimin vdekja fizike dhe vdekja shpirtërore. (Nëse nevojitet, të rinjtë dhe të rejat mund të lexojnë përkufizimet nën “Vdekje, Fizike” dhe “Vdekje, Shpirtërore” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta [scriptures.ChurchofJesusChrist.org]). Si e ka bërë të mundur Shpëtimtari që ne t’i mposhtim këto pengesa? (Shih 2 Nefi 9:7–10.) Të rinjtë dhe të rejat mund të shqyrtojnë mesazhin e Plakut Ulises Soares “Jezu Krishti: Kujdestari i Shpirtit Tonë” dhe të shkruajnë fjali nga mesazhi në krah të shtegut që tregojnë se si Jezusi na ndihmon të kthehemi te Perëndia.
-
Kur njerëzit e tjerë na bëjnë pyetje për bindjet tona dhe për zgjedhjet që bëjmë, mund të përfitojmë nga rasti për të treguar arsyen përse Jezu Krishti është i rëndësishëm për ne. Një mënyrë për t’i përgatitur të rinjtë dhe të rejat për mundësi të tilla është t’i ftoni ata të shqyrtojnë mesazhin e Plakut Diter F. Uhtdorf “Shiheni Njeriun!” (Liahona, maj 2018, f. 107–110) duke kërkuar të vërtetat që tregohen rreth Jezu Krishtit. Ju mund t’i renditni disa nga këto të vërteta në tabelë. Më pas, mund t’u jepni kohë të rinjve dhe të rejave të ushtrohen duke i shpjeguar njëri-tjetrit se pse kemi nevojë për Jezu Krishtin dhe si është bekuar jeta e tyre ngaqë e njohin Shpëtimtarin.
Veproni me Besim
Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse duan, mund të japin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin po të veprojnë sipas mbresave të veta.
Burime Mbështetëse
-
Gjoni 1:1–3, 10; Ethëri 3:14; Moisiu 4:1–2 (Misioni i Shpëtimtarit në jetën para lindjes)
-
Mosia 3:5–11; Alma 7:11–13; Doktrina e Besëlidhje 19:16–19 (Misioni i Shpëtimtarit gjatë jetës së Tij në vdekshmëri)
-
Gjoni 14:2–3; 2 Nefi 9:15–17; Doktrina e Besëlidhje 45:3–5; 138:28–31 (Misioni i Shpëtimtarit pas vdekjes dhe Ringjalljes së Tij)