2010–2019
Shiheni Njeriun!
Prill 2018


2:3

Shiheni Njeriun!

Ata që gjejnë një mënyrë se si ta shohin vërtet Njeriun, gjejnë udhën drejt gëzimeve më të mëdha të jetës dhe balsamin për dëshpërimet më të vështira të jetës.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miq të dashur, jam mirënjohës që jam me ju në këtë fundjavë të mrekullueshme të konferencës së përgjithshme. Unë dhe Harieta gëzohemi me ju që të mbështetim Pleqtë Gong e Soares dhe shumë vëllezër e motra që kanë marrë thirrje të reja, të rëndësishme gjatë kësaj konference të përgjithshme.

Edhe pse më merr malli për mikun tim të shtrenjtë, Presidentin Tomas S. Monson, unë e dua, e mbështet dhe e përkrah profetin dhe Presidentin tonë, Rasëll M. Nelsonin, dhe këshilltarët e tij fisnikë.

Jam gjithashtu mirënjohës dhe i nderuar që të punoj sërish më nga afër me Vëllezërit e mi të dashur të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.

Mbi të gjitha, jam thellësisht i përulur dhe shumë i gëzuar që jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ku miliona burra, gra e fëmijë janë të gatshëm të ngrenë atje ku ndodhen – në çfarëdo mundësie ose thirrjeje – dhe përpiqen fort me gjithë zemër që t’i shërbejnë Perëndisë dhe fëmijëve të Tij, duke ndërtuar mbretërinë e Perëndisë.

Sot është një ditë e shenjtë. Është e diela e Pashkës, kur ne përkujtojmë atë mëngjes të lavdishëm kur Shpëtimtari ynë i këputi lidhjet e vdekjes dhe doli ngadhënjimtar prej varrit.

Dita më e Madhërishme në Histori

Kohët e fundit e pyeta internetin: “Cila ditë e ndryshoi më shumë udhën e historisë?”

Përgjigjet u radhitën nga habitëse e të çuditshme deri në kuptimplote dhe që nxitën mendim. Mes tyre, dita kur një asteroid parahistorik goditi gadishullin Jukatan; ose kur në vitin 1440 Johan Gutenbergu përfundoi shtypshkronjën e tij; dhe sigurisht dita në vitin 1903 kur vëllezërit Rajt i treguan botës se njeriu me të vërtetë mund të fluturojnë.

Nëse po ajo pyetje ju bëhej juve, çfarë do të thoshit?

Në mendjen time përgjigjja është e qartë.

Për ta gjetur ditën më të rëndësishme në histori, ne duhet të kthehemi në atë mbrëmje gati 2 000 vjet më parë në Kopshtin e Gjetsemanit kur Jezu Krishti ra në gjunjë në lutje të thellë dhe e ofroi veten e Tij si shpengim për mëkatet tona. Ishte gjatë atij flijimi të madh dhe të pafundmë të një vuajtjeje të pakrahasueshme si në trup dhe në shpirt që Jezu Krishti, madje Perëndi, derdhi gjak nga çdo por. Për shkak të dashurisë së përsosur, Ai dha gjithçka që ne të mund të merrnim gjithçka. Flijimi i Tij hyjnor, i vështirë për t’u kuptuar, për t’u ndier me gjithë zemrën dhe mendjen tonë, na sjell ndërmend borxhin e gjithësishëm të mirënjohjes që ia detyrojmë Krishtit për dhuratën e Tij hyjnore.

Më vonë atë natë, Jezusin e sollën përpara autoriteteve fetare dhe politike të cilët e tallën, e goditën dhe e dënuan me një vdekje të turpshme. Ai qëndroi i varur në agoni në kryq derisa, më së fundi, “u krye”. Trupi i Tij i pajetë u vendos në një varr të marrë hua. Dhe më pas, në mëngjesin e ditës së tretë, Jezu Krishti, Biri i Perëndisë së Plotfuqishëm, doli nga varri si një qenie e përlëvduar, e ringjallur plot shkëlqim, dritë dhe madhështi.

Po, ka shumë ngjarje gjatë gjithë historisë që kanë ndikuar thellë në fatin e kombeve dhe të njerëzve. Por bashkojini të gjitha dhe ato nuk mund të fillojnë të krahasohen me rëndësinë e asaj që ndodhi në atë mëngjes të Pashkës së parë.

Çfarë është që e bën flijimin e pafundmë dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit ngjarjen më të rëndësishme në histori – më ndikuese se luftërat botërore, fatkeqësitë katastrofike dhe zbulimet shkencore jetëndryshuese?

Në Saje të Jezu Krishtit, Ne Mund të Jetojmë Përsëri

Përgjigjja gjendet në dy sfida të mëdha, të pakapërcyeshme, me të cilat përballet secili prej nesh.

Së pari, ne të gjithë vdesim. Pavarësisht nga sa të rinj, të bukur, të shëndetshëm apo të kujdesshëm të jeni, një ditë trupi juaj do të bëhet i pajetë. Miqtë dhe familja do të vajtojnë për ju. Por nuk mund t’u kthejnë në jetë.

Megjithatë, në saje të Jezu Krishtit, vdekja juaj do të jetë e përkohshme. Shpirti juaj një ditë do të bashkohet sërish me trupin tuaj. Ky trup i ringjallur nuk do t’i nënshtrohet vdekjes dhe ju do të jetoni në përjetësitë, i çliruar nga dhembja dhe vuajtja fizike.

Kjo do të ndodhë për shkak të Jezusit, Krishtit, i cili e dha jetën e Tij dhe e mori atë përsëri.

Ai e bëri këtë për të gjithë ata që besojnë tek Ai.

Ai e bëri këtë për të gjithë ata që nuk besojnë tek Ai.

Ai e bëri këtë edhe për ata që e tallin, e përqeshin dhe e mallkojnë emrin e Tij.

Në Saje të Jezu Krishtit, Ne Mund të Jetojmë me Perëndinë

Së dyti, ne të gjithë kemi mëkatuar. Mëkatet tona do të na mbajnë larg përgjithmonë prej të jetuarit me Perëndinë, sepse “asgjë e papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e tij”.

Si rrjedhojë, çdo burrë, grua dhe fëmijë u la jashtë nga prania e Tij – që është, derisa Jezu Krishti, Qengji pa njollë, e ofroi jetën e Tij si shpengim për mëkatet tona. Ngaqë Jezusi nuk i kishte asnjë borxh drejtësisë, Ai mund ta paguante borxhin tonë dhe të plotësonte kërkesat e drejtësisë për çdo njeri. Dhe kjo përfshin mua dhe ju.

Jezu Krishti pagoi çmimin për mëkatet tona.

Të gjitha ato.

Në atë ditë, më të rëndësishmen në histori, Jezusi, Krishti, i hapi portat e vdekjes dhe i hodhi tej pengesat që nuk na lejonin të kalonim në korridoret e shenjta dhe të shenjtëruara të jetës së pafundme. Në saje të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, juve dhe mua na jepet një dhuratë, më e çmueshmja dhe më e paçmuara – pavarësisht nga e shkuara jonë, ne mund të pendohemi dhe ta ndjekim shtegun që çon drejt dritës dhe lavdisë çelestiale, të rrethuar nga fëmijët besnikë të Atit Qiellor.

Përse Gëzojmë Ne

Kjo është ajo që kremtojmë të dielën e Pashkës – ne kremtojmë jetën!

Për shkak të Jezu Krishtit, ne do të ngrihemi prej dëshpërimit të vdekjes dhe do t’i përqafojmë ata që i duam, duke derdhur lot gëzimi të madh dhe mirënjohjeje gjithëpushtuese. Në saje të Jezu Krishtit, ne do të ekzistojmë si qenie të përjetshme, botëve pa fund.

Në saje të Jezu Krishtit, mëkatet tona jo vetëm mund të fshihen; ato mund të harrohen.

Ne mund të bëhemi të dëlirë dhe të ekzaltuar.

Të shenjtë.

Në saje të Shpëtimtarit tonë të dashur, ne mund të pimë përherë nga burimi i ujit që gufon në jetë të përjetshme. Ne mund të banojmë përherë në banesat e Mbretit tonë të përjetshëm, në lavdi të papërfytyrueshme dhe lumturi të përsosur.

A e “[Shohim] Njeriu[n]”?

Pavarësisht nga e gjithë kjo, ka shumë njerëz në botë sot që ose nuk janë të vetëdijshëm për dhuratën që na ka dhënë Jezu Krishti, ose nuk besojnë në atë dhuratë. Ata mund të kenë dëgjuar për Jezu Krishtin dhe e njohin Atë si një figurë historike, por nuk e shohin Atë për atë që Ai është me të vërtetë.

Kur mendoj për këtë gjë, më vjen ndërmend Shpëtimtari duke qëndruar përpara guvernatorit romak të Judesë, Ponc Pilatit, vetëm pak orë përpara vdekjes së Shpëtimtarit.

Pilati e pa Jezusin nga një këndvështrim tërësisht si i botës. Pilati kishte një punë për të bërë dhe ajo përfshinte dy detyra të mëdha: mbledhjen e taksave për Romën dhe ruajtjen e paqes. Tani sinedri judeas kishte sjellë përpara tij një burrë i cili, shpallën ata, ishte një pengesë për të dyja detyrat.

Pasi e mori në pyetje të burgosurin e vet, Pilati shpalli: “Unë nuk po gjej në të asnjë faj!” Por e ndjeu se i duhej të kënaqte akuzuesit e Jezusit, prandaj Pilati përdori një zakon vendor i cili lejonte që një i burgosur të lirohej gjatë stinës së Pashkës judease. A nuk do ta bënin të lironte Jezusin në vend të kusarit dhe vrasësit famëkeq, Barabës?

Por turma e trazuar kërkoi që Pilati të lironte Barabën dhe të kryqëzonte Jezusin.

“Përse?” pyeti Pilati. “Ç’të keqe ka bërë?”

Por ata bërtitën edhe më shumë. “Kryqëzoje!”

Në një përpjekje të fundit për ta kënaqur turmën, Pilati i urdhëroi njerëzit e tij që ta fshikullonin Jezusin. Këtë e bënë, duke e lënë Atë të gjakosur dhe të shtypur. Ata e tallën, i vendosën mbi kokë një kurorë me gjemba dhe i veshën sipër një mantel të purpurt.

Ndoshta Pilati mendoi se kjo do ta kënaqte dëshirën e turmës për gjak. Ndoshta do t’u vinte keq për burrin. “Ja, po jua nxjerr jashtë”, tha Pilati, “që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj. … [Shiheni] njeriu[n]!”

Biri i Perëndisë qëndroi vetë përpara njerëzve në Jerusalem.

Ata mund ta shihnin Jezusin, por nuk e panë me të vërtetë Atë.

Ata nuk kishin sy të shihnin.

Në një kuptim figurativ, ne gjithashtu ftohemi që ta “[shohim] njeriu[n]”. Opinionet për Të ndryshojnë në botë. Profetët e lashtë dhe modernë dëshmojnë se Ai është Biri i Perëndisë. Edhe unë e bëj këtë gjë. Është domethënëse dhe e rëndësishme që secili prej nesh të arrijë të dijë vetë për Të. Prandaj, kur përsiatni për jetën dhe shërbesën e Jezu Krishtit, çfarë shihni?

Ata që gjejnë një mënyrë se si ta shohin vërtet Njeriun, gjejnë udhën drejt gëzimeve më të mëdha të jetës dhe balsamin për dëshpërimet më të vështira të jetës.

Prandaj, kur rrethoheni nga hidhërimet dhe pikëllimi, shiheni Njeriun.

Kur ndiheni të humbur ose të harruar, shiheni Njeriun.

Kur jeni të dëshpëruar, të braktisur, dyshues, të dëmtuar ose të shkurajuar, shiheni Njeriun.

Ai do t’ju ngushëllojë.

Ai do t’ju shërojë dhe do t’i japë kuptim udhëtimit tuaj. Ai do ta derdhë Shpirtin e Tij dhe do ta mbushë zemrën tuaj me gëzim të jashtëzakonshëm.

Ai i jep “forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit”.

Kur e shohim me të vërtetë Njeriun, ne mësojmë për Të dhe përpiqemi ta përputhim jetën tonë me Të. Ne pendohemi dhe përpiqemi fort ta përmirësojmë natyrën tonë dhe çdo ditë të afrohemi pak më shumë tek Ai. Ne i mirëbesojmë Atij. Ne e tregojmë dashurinë tonë për Të duke i zbatuar urdhërimet e Tij dhe duke jetuar të denjë për besëlidhjet tona të shenjta.

Me fjalë të tjera, ne bëhemi dishepujt e Tij.

Drita e Tij përmirësuese i mbush qeniet tona. Hiri i Tij na lartëson. Barrët tona lehtësohen, paqja jonë thellohet. Kur vërtet e shohim Njeriun, ne kemi premtimin e një të ardhmeje të bekuar e cila na frymëzon dhe na lartëson përmes kthesave dhe pengesave në udhëtimin e jetës. Duke e hedhur vështrimin pas, ne do ta kuptojmë se ka një model hyjnor, se pikat vërtet lidhen.

Kur e pranoni flijimin e Tij, bëheni dishepulli i Tij dhe më së fundi arrini në fund të udhëtimit tuaj tokësor, çfarë do të ndodhë me hidhërimet që keni duruar në këtë jetë?

Ato do të jenë larguar.

Po zhgënjimet, tradhtitë, përndjekjet që i keni hasur?

Të larguara.

Po vuajtja, dhembja, faji, turpi dhe ankthi përmes të cilave keni kaluar?

Të larguara.

Të harruara.

A është çudi që “ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin … që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”?

A është çudi që ne përpiqemi fort, me gjithë zemrën tonë, që vërtet ta shohim Njeriun?

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë dëshmoj se dita më e rëndësishme në historinë e njerëzimit ishte dita kur Jezu Krishti, Biri i gjallë i Perëndisë, arriti fitore mbi vdekjen dhe mëkatin për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Dhe dita më e rëndësishme në jetën tuaj dhe timen është dita kur ne mësojmë ta “[shohim] njeriu[n]”; kur e shohim Atë si njeriun që Ai është vërtet; kur ne marrim me gjithë zemrën dhe mendjen tonë nga fuqia e Tij shlyese; kur me entuziazëm dhe forcë të ripërtërirë, ne zotohemi ta ndjekim Atë. Qoftë ajo një ditë që ndodh pa pushim gjatë gjithë jetës sonë.

Ju lë dëshminë dhe bekimin tim që, kur ta “[shohim] njeriu[n]”, ne vërtet do të gjejmë domethënie, gëzim e paqe në këtë jetë tokësore dhe jetë të përjetshme në botën që vjen. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Mosia 15:23.

  2. Gjoni 19:30.

  3. Shih Alma 11:45.

  4. Shih Zbulesa 21:4.

  5. Shih 1 Korintasve 15:21–23.

  6. 3 Nefi 27:19.

  7. Shih Gjoni 4:14.

  8. Shih Lluka 23:2.

  9. Gjoni 18:38. Për t’iu shmangur detyrimit që ta gjykonte Jezusin, Pilati u përpoq t’ia kalonte çështjen Herod Antipës. Nëse Herodi, i cili kishte urdhëruar vdekjen e Gjon Pagëzorit (shih Mateu 14:6–11), do ta dënonte Jezusin, Pilati mund t’i vinte vulën gjykimit dhe të shpallte se ishte thjesht një çështje vendore për të cilën ra dakord me qëllim që të ruante paqen. Por Jezusi nuk i tha asnjë fjalë Herodit (shih Lluka 23:6–12) dhe Herodi e ktheu sërish te Pilati.

  10. Shih Marku 15:6–7; Gjoni 18:39–40. Një studiues i Dhiatës së Re shkruan: “Duket se ka qenë zakoni, që në Pashkën judease guvernatori romak t’i lironte popullsisë judease njëfarë të burgosuri famëkeq që ishte i dënuar me vdekje” (Alfred Edersheim, The Life and Times of Jesus the Messiah [1899], 2:576). Emri Baraba do të thotë “bir i atit”. Është interesante ironia që njerëzve të Jerusalemit t’u jepej një zgjedhje midis këtyre dy burrave.

  11. Shih Marku 15:11–14.

  12. Ky fshikullim ishte kaq i tmerrshëm saqë quhej “vdekja e ndërmjetme” (Edersheim, Jesus the Messiah, 2:579).

  13. Shih Gjoni 19:1–3.

  14. Gjoni 19:4–5.

  15. Më parë, Jezusi kishte vërejtur se “zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t’i shëroj”. Dhe më pas, me dhembshurinë e Tij, Ai u tha dishepujve të Tij: “Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë” (Mateu 13:15–16). A do ta lejojmë zemrën tonë të ngurtësohet apo do t’i hapim sytë dhe zemrat tona që të mund ta shohim vërtet Njeriun?

  16. Shih Mosia 4:20.

  17. Isaia 40:29.

  18. Shih Diter F. Uhtdorf, “Aventura e Vdekshmërisë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 14 janar 2018), broadcasts.lds.org.

  19. 2 Nefi 25:26.