2010–2019
Të Rejat në Punë
Prill 2018


2:3

Të Rejat në Punë

Çdo e re në Kishë duhet të ndihet e vlerësuar, që ka mundësi për të shërbyer dhe të ndiejë se ka diçka me vlerë për të kontribuar në këtë punë.

Një vit më parë, në sesionin e përgjithshëm të priftërisë së konferencës, Peshkopi Zherald Kosé u foli burrave të Kishës duke përshkruar se si mbajtësit e Priftërisë Aarone dhe Melkizedeke janë partnerë të pandarë në përmbushjen e punës për shpëtimin. Ai mesazh ka qenë një bekim i madh për ndihmën e dhënë të rinjve që mbajnë Priftërinë Aarone për ta kuptuar rolin që ata luajnë për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë në këtë tokë. Shërbimi i tyre i përbashkët e forcon Kishën dhe sjell një kthim më të thellë në besim dhe zotim në zemrën e të rinjve tanë kur e kuptojnë vlerën e kontributit të tyre dhe sa madhështore është kjo punë.

Sot unë do të doja që fjala ime të jetë një mbështetje për atë mesazh, ndërsa flas për të rejat e Kishës, të cilat janë po aq të nevojshme dhe thelbësore për përmbushjen e punës së Zotit në familjet e tyre dhe në Kishën e Tij.

Ashtu si Peshkopi Kosé, unë jetoja në një degë të vogël të Kishës gjatë një pjese të mirë të adoleshencës sime dhe, shpesh më kërkonin të plotësoja detyra dhe thirrje që zakonisht do të ishin kryer nga të rriturit. Përveç kësaj, ata prej nesh që ishin në programin për rininë shpesh merrnin kryesimin në ndihmën për organizimin dhe drejtimin e veprimtarive dhe ngjarjeve të veçanta. Ne shkruanim pjesë teatrale, krijuam një grup muzikor për të sjellë argëtim në veprimtaritë e degës dhe ishim pjesëmarrëse në gjithçka në çdo mbledhje. Unë u thirra që të isha koristja e degës dhe të drejtoja të kënduarin në mbledhjen e sakramentit çdo javë. Ishte një përvojë e mrekullueshme për një 16-vjeçare që të qëndronte përpara të gjithëve në degë çdo të diel dhe t’i drejtonte gjatë këndimit të himneve. Unë ndihesha e nevojshme dhe e dija se kisha diçka për të kontribuar. Njerëzit i mbanin shpresat tek unë që të isha atje, dhe më pëlqente shumë të ndihesha e dobishme. Ajo përvojë më ndihmoi ta ndërtoja dëshminë time për Jezu Krishtin dhe sikurse ndodhi edhe për Peshkopin Kosé, ajo i hodhi spirancat e jetës sime te shërbimi i ungjillit.

Çdo anëtar duhet ta dijë se sa i nevojshëm është. Çdo person ka diçka te rëndësishme për të kontribuar dhe ka talente dhe aftësi të pashoqe që ndihmojnë për ecurinë e kësaj pune të rëndësishme. Të rinjtë tanë kanë detyra në Priftërinë Aarone që përshkruhen te Doktrina e Besëlidhje, që shpesh janë të dukshme. Mund të vërehet më pak te të rejat e Kishës, prindërit dhe udhëheqësit e tyre, se që nga koha që janë pagëzuar, të rejat kanë përgjegjësi besëlidhëse që të “vajto[jnë] me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëllo[jnë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndro[jnë] si dëshmitar[e] të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ato] të gjenden…, madje deri në vdekje”. Të rejat kanë mundësi t’i përmbushin këto përgjegjësi në lagjet dhe degët e tyre dhe kur shërbejnë në presidencat e klasave, këshillave të rinisë dhe thirrje të tjera. Çdo e re në Kishë duhet të ndihet e vlerësuar, që ka mundësi për të shërbyer dhe të ndiejë se ka diçka me vlerë për të kontribuar në këtë punë.

Te Manuali 2, ne mësojmë se puna e shpëtimit brenda lagjeve tona përfshin “punën misionare të anëtarit, mbajtjen e të kthyerve në besim, aktivizimin e anëtarëve më pak aktivë, punën në tempull e për historinë familjare dhe mësimdhënien e ungjillit”. Kjo punë drejtohet nga peshkopët tanë besnikë, të cilët i mbajnë çelësat e priftërisë për lagjen e tyre. Që prej shumë vjetësh presidenca jonë bën pyetjen: “Në cilat nga këto fusha të përmendura nuk duhet të përfshihen të rejat tona?” Përgjigjja është se ato kanë diçka për të kontribuar në të gjitha fushat e kësaj pune.

Për shembull, kohët e fundit takova disa të reja në zonën e Las Vegasit, që ishin thirrur të shërbenin si këshilluese të lagjes për tempullin dhe historinë familjare. Ato shkëlqenin nga entuziazmi që ishin në gjendje t’u mësonin dhe ndihmonin anëtarët e lagjes së tyre për t’i gjetur paraardhësit e vet. Ato kishin zotësi të vyera në kompjuter, kishin mësuar se si ta përdornin programin FamilySearch dhe ishin të lumtura që po e ndanin atë njohuri me të tjerët. Dukej qartë që ato kishin dëshmi dhe një kuptueshmëri mbi rëndësinë për kërkimin e emrave të paraardhësve tanë të vdekur, në mënyrë që ordinancat shpëtuese thelbësore të kryheshin në tempull për ta.

Disa muaj më parë, unë kisha mundësinë të vija në provë një ide me një të re 14-vjeçare. Mora kopje të dy fletëve aktuale të lagjes me rendin e ditës dhe ia dhashë Emës dhe Megit, secilës nga një kopje. I kërkova ta lexonin rendin e ditës dhe të shihnin a kishte atje ndonjë rast veprimtarie nga këshillat e lagjes në të cilat ato mund të jepnin ndihmesën e tyre. Ema pa që një familje e re po shpërngulej në lagje dhe ajo tha se mund t’i ndihmonte të hynin në shtëpinë e re dhe të shpaketonin. Ajo mendoi se mund t’u bënte shoqëri fëmijëve të familjes dhe t’u tregonte shkollën e tyre të re. Ajo pa se po afrohej një darkë me lagjen dhe mendoi se kishte shumë mënyra se si mund ta ofronte ndihmesën e saj.

Megi pa se kishte disa njerëz të moshuar në lagje që kishin nevojë për vizita dhe shoqërim. Ajo tha se do t’i pëlqente shumë t’i vizitonte dhe t’i ndihmonte këta anëtarë të mrekullueshëm më në moshë. Ajo ndjeu gjithashtu se mund t’i ndihmonte duke u mësuar anëtarëve të lagjes se si të hapnin llogari në median shoqërore dhe t’i përdornin ato. Në të vërtetë, nuk kishte qoftë edhe një gjë në këto fletë të rendit të ditës që nuk mund ta bënin këto dy të reja!

A i shohin ata që janë ulur në këshillat e lagjes apo ata që mbajnë ndonjë thirrje në lagje, të rejat si burime të vyera për të ndihmuar për plotësimin e shumë nevojave brenda lagjeve tona? Zakonisht ka një listë të gjatë situatash në të cilat duhet të shërbejë dikush dhe ne shpesh mendojmë se vetëm të rriturit në lagje i plotësojnë këto nevoja. Ashtu si mbajtësit e Priftërisë Aarone janë ftuar të punojnë me baballarët e tyre dhe burra të tjerë të Priftërisë Melkizedeke, të rejat tona mund të thirren që të japin ndihmesë dhe shërbim për plotësimin e nevojave të anëtarëve të lagjes me nënat e tyre ose motra të tjera shembullore. Ato janë të afta, të zellshme dhe të gatshme për të bërë shumë më tepër sesa thjesht të marrin pjesë të dielave në kishë!

E re duke ndihmuar në mbajtjen e artikujve ushqimorë
E re duke shërbyer
E re duke dhënë ndihmë në kompjuter
E re duke pastruar
E re duke drejtuar muzikën
E re duke dhënë mësim
E re e veshur me jelekun e Duarve Ndihmëtare
E re duke përshëndetur në kishë

Ndërsa i marrim në shqyrtim rolet që pritet se do të marrin të rejat në të ardhmen e afërt, ne mund ta pyesim veten se çfarë lloj përvojash mund t’u sigurojmë tani, që do t’i ndihmojnë ato të përgatiten për të qenë misionare, mësuese të ungjillit, udhëheqëse në organizatat e Kishës, punonjëse të tempullit, bashkëshorte, nëna, kujdestare, shembuj dhe mikesha. Faktikisht ato mund të fillojnë t’i përmbushin shumë nga ato role që tani. Rinisë shpesh u kërkohet të ndihmojnë duke dhënë mësim të dielën në klasat e tyre. Tani për të rejat tona janë vënë në dispozicion mundësi që të bëjnë shërbime në tempull, të kryera më parë nga punonjësit apo vullnetarët për ordinancat kur e frekuentojnë tempullin me grupet e tyre të rinisë, për të kryer pagëzime për të vdekurit. Vajzat tona që janë në moshën e Fillores tani ftohen të marrin pjesë në mbledhjet për Përgatitjen për Tempullin dhe Priftërinë, të cilat do t’i ndihmojnë të kuptojnë se edhe ato janë pjesëmarrëse të rëndësishme në punën që drejtohet nga priftëria. Ato po mësojnë se burrat, gratë, rinia dhe fëmijët janë të gjithë përftues të bekimeve të priftërisë dhe të gjithë mund të kenë një rol aktiv në çuarjen përpara të punës së Zotit.

Peshkopë, ne e dimë se detyrat tuaja janë shpesh të rënda, por ashtu siç një prej përparësive tuaja më të larta është që t’i kryesoni kuorumet e Priftërisë Aarone, Manuali 2 shpjegon që, “peshkopi dhe këshilltarët e tij japin udhëheqje priftërie për organizatën e Të Rejave. Ata kujdesen dhe i forcojnë individualisht të rejat, duke punuar ngushtë me prindërit dhe udhëheqëset e Të Rejave në këtë përpjekje.” Ai shpall edhe që “peshkopi dhe këshilltarët e tij marrin pjesë rregullisht në mbledhjet, shërbimet dhe veprimtaritë e Të Rejave”. Ne jemi mirënjohës për peshkopët që gjejnë kohë t’i vizitojnë klasat e Të Rejave dhe që krijojnë mundësi për të rejat që të jenë më shumë sesa thjesht spektatore të punës. Ju falënderoj që siguroheni që të rejat tuaja të jenë pjesëmarrëse të vyera në plotësimin e nevojave të anëtarëve të lagjes! Këto mundësi për të shërbyer në mënyra kuptimplote i bekojnë ato shumë më tepër sesa veprimtaritë në të cilat thjesht zbaviten.

Për ju, të reja të Kishës, vitet tuaja të adoleshencës mund të jenë të ngarkuara dhe shpesh sfiduese. Ne kemi vënë re se gjithnjë e më shumë prej jush po luftojnë me probleme të vetëvlerësimit, ankthit, niveleve të larta të stresit e ndoshta edhe depresionit. Kthimi i mendimeve tuaja tek të tjerët, në vend që të ndaleni te problemet tuaja, mund të mos i zgjidhë të gjitha këto probleme, por shërbimi shpesh mund t’i lehtësojë barrët tuaja dhe t’i bëjë sfidat tuaja të duken më pak të vështira. Një nga mënyrat më të mira për t’i rritur ndjenjat e vetëvlerësimit është të tregojmë nëpërmjet kujdesit dhe shërbimit tonë ndaj të tjerëve se ne kemi shumë vlera për të kontribuar. Ju nxit ju të reja ta ngrini dorën për të dalë vullnetare dhe t’i përvisheni punës kur shihni [raste] nevojtare përreth jush. Teksa i përmbushni përgjegjësitë tuaja të besëlidhjes dhe merrni pjesë në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë, bekime do të vërshojnë në jetën tuaj dhe do të zbuloni gëzimin e thellë dhe të përhershëm të dishepullimit.

Vëllezër e motra, të rejat tona janë të mrekullueshme. Ato kanë talente, entuziazëm të pakufishëm e energji dhe janë të dhembshura dhe përkujdesëse. Ato duan të japin ndihmesë. Ato duhet të dinë se janë të vyera dhe thelbësore në punën e shpëtimit. Ashtu siç të rinjtë përgatiten për Priftërinë Aarone për një shërbim më të madh ndërsa përparojnë drejt Priftërisë Melkizedeke, edhe të rejat tona po përgatiten për t’u bërë anëtare të organizatës më të madhe të grave në tokë – Shoqatës së Ndihmës. Së bashku, këto të reja e të rinj të bukur, të fortë e besnikë po përgatiten të jenë bashkëshorte e bashkëshortë dhe nëna e baballarë që do të rritin familje të denja për mbretërinë çelestiale të Perëndisë.

Unë dëshmoj se puna e Atit tonë Qiellor është që të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij. Të rejat tona të çmuara kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në ndihmën që [japin] për të përmbushur këtë punë të madhërishme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.