Profeti i Perëndisë
Një profet nuk qëndron ndërmjet jush dhe Shpëtimtarit. Përkundrazi, ai qëndron përkrah jush dhe ju tregon rrugën drejt Shpëtimtarit.
I uroj mirëseardhjen edhe nga ana ime Plakut Gerrit Gong dhe Plakut Ulise Soares në vëllazërinë e pakrahasueshme të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.
Në mbështetjen e Presidentit Rasëll M. Nelson si profeti i Zotit dhe si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne ishim pjesë e një kuvendi solemn të shpallur në mënyrë hyjnore – solemn, sepse ngjarjet e kësaj ore të kaluar janë paraprirë në qiejt që përpara se të ishte bota. Zoti Jezu Krisht, i cili e drejton punën e Tij, sot nëpërmjet Presidentit Ajring, na e ka paraqitur profetin e Tij, udhëheqësin e Tij të vajosur, neve, popullit të Tij të besëlidhjes, duke na lejuar publikisht që të shprehim gatishmërinë tonë për ta mbështetur atë dhe për ta ndjekur këshillën e tij.
Atyre miliona anëtarëve të cilët nuk janë këtu me ne në Qendrën e Konferencave, unë dëshiroj që ju të dini se Shpirti i Zotit në këtë godinë gjatë mbështetjes së Presidentit Nelson ishte saktësisht siç e keni paramenduar – plot me fuqi shpirtërore. Por kuvendi ynë, i drejtuar nga qielli, nuk është vetëm në këtë Qendër të Konferencave, por anembanë botës – në godinat kishtare në Azi, Afrikë dhe Amerikën Veriore; në shtëpitë në Amerikën Qendrore e Jugore dhe Europë; në verandat e mbuluara në vendet e Paqësorit dhe ishujt e detit. Ky kuvend është në çfarëdo pjese të botës ku mund të jeni ju, edhe nëse lidhja juaj mund të mos jetë më shumë se regjistrimi zanor nga telefoni juaj inteligjent. Duart tona të ngritura nuk u numëruan nga peshkopët tanë, por ato sigurisht u shënuan në qiell, pasi besëlidhja jonë është me Perëndinë dhe veprimi ynë shënohet në librin e jetës.
Zoti e Zgjedh Profetin e Tij
Përzgjedhja e një profeti bëhet nga Vetë Zoti. Nuk ka fushatë elektorale, as debate, as përpjekje për pozitë, as mosmarrëveshje, as mosbesim, as pështjellim apo rrëmujë. Unë gjithashtu vërtetoj se fuqia e qiellit ishte me ne në dhomën e sipërme të tempullit, kur me lutje e rrethuam Presidentin Nelson dhe e ndiem pëlqimin e pamohueshëm të Zotit mbi të.
Përzgjedhja e Presidentit Nelson për të shërbyer si profeti i Perëndisë u bë shumë kohë më parë. Fjalët e Zotit drejtuar Jeremias gjejnë zbatim edhe për Presidentin Nelson: “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve”. Vetëm tre vjet më parë, Plaku Nelson, në moshën 90-vjeçare, ishte i katërti për nga vjetërsia si Apostull, me dy prej atyre tre Apostujve që ishin më të rinj në moshë nga ç’ishte ai. Zoti, i cili e kontrollon jetën dhe vdekjen, e zgjedh profetin e Tij. Presidenti Nelson, në moshën 93-vjeçare, ka shëndet të habitshëm. Shpresojmë që ai do të jetë me ne për një ose dy dekada të tjera, por sa për tani po përpiqemi ta bindim të qëndrojë larg shpateve rrëshqitëse për ski.
Ndërkohë që e mbështetim profetin si të vajosurin e Zotit, le të jetë e qartë se ne adhurojmë vetëm Perëndinë, Atin tonë Qiellor, dhe Birin e Tij hyjnor. Është nëpërmjet meritave, mëshirës dhe hirit të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, që ne mund të hyjmë një ditë sërish në praninë e Tyre.
Përse e Ndjekim Profetin
Por Jezusi gjithashtu na mësoi një të vërtetë të rëndësishme rreth shërbëtorëve që Ai na dërgon. “Ai që ju pranon”, tha Ai, “më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.”
Roli më i rëndësishëm i profetit të Zotit është të na mësojë për Shpëtimtarin dhe të na udhëheqë drejt Tij.
Ka shumë arsye logjike për ta ndjekur Presidentin Rasëll M. Nelson. Edhe njerëzit jo të besimit tonë do ta quanin atë një njeri mendjendritur. Ai ishte mjek në moshën 22-vjeçare, një kirurg zemre i nderuar dhe një pionier i mirënjohur në zhvillimin e kirurgjisë me zemër të hapur.
Shumica e vlerësojnë urtësinë dhe gjykimin e tij: nëntë dekada mësimi mbi jetën e vdekjen, të jetuarin vetëmohues, dashurinë dhe mësimdhënien për fëmijët e Perëndisë në çdo cep të globit dhe pjekurinë me përvojat e rritjes së 10 fëmijëve, 57 nipërve e mbesave dhe 118 stërnipërve e stërmbesave (kjo shifër e fundit ndryshon shpesh; një stërnip u lind të mërkurën që shkoi).
Ata që e njohin mirë, do të flisnin për përballjen e Presidentit Nelson me vështirësitë e jetës me besim e kurajë. Kur kanceri ia mori jetën bijës së tij 37-vjeçare, Emilisë, duke lënë pas një bashkëshort të dashur dhe pesë fëmijë të vegjël, e dëgjova të thoshte: “Unë isha babai i saj, një mjek dhe një Apostull i Zotit Jezu Krisht, por m’u desh ta ulja kokën dhe të pranoja: ‘Mos u bëftë vullneti im, por yti’”.
Një Rojë në Kullë
Edhe pse i admirojmë të gjitha këto cilësi fisnike, përse e ndjekim Presidentin Nelson? Përse e ndjekim profetin? Sepse Zoti Jezu Krisht e ka thirrur dhe e ka përcaktuar atë si zëdhënësin e Tij në tokë dhe si rojën e Tij mbi kullë.
Karkasoni është një qytet mbresëlënës në Francë, i rrethuar me mure, i cili ka ekzistuar që nga kohët mesjetare. Kulla të larta ngrihen prej mureve të tij të mbrojtura, të ndërtuara për rojat të cilët qëndronin në ato kulla ditë e natë, duke e mbajtur vëmendjen e tyre të gozhduar në largësi për armikun. Kur roja shihte të afrohej një armik, zëri i tij paralajmërues i mbronte njerëzit e Karkasonit nga rreziku i afërt që nuk mund ta shihnin.
Një profet është si një rojë mbi kullën, duke na mbrojtur nga rreziqe shpirtërore që nuk mund t’i shohim.
Zoti i tha Ezekielit: “Të kam vendosur si roje për shtëpinë e Izraelit; prandaj dëgjo fjalën [nga] goj[a] ime dhe i lajmëro nga ana ime”.
Ne shpesh flasim për nevojën tonë për ta ndjekur profetin, por merrni parasysh këtë barrë të rëndë që Zoti e vendos mbi profetin e Tij: “[Nëse] ti nuk flet për të paralajmëruar të pabesin … [dhe] ai i pabesë … vdes për shkak të paudhësisë së tij, … për gjakun e tij do t’i kërkoj llogari dorës sate”.
Një Dëshmi Vetjake më e Madhe
Ne e përqafojmë Presidentin Nelson sikurse do të kishim përqafuar Pjetrin apo Moisiun nëse do të kishim jetuar në kohën e tyre. Perëndia i tha Moisiut: “Unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash”. Ne e dëgjojmë profetin e Zotit me besimin që fjalët e tij janë “si nga goja [e Zotit]”.
A është ky besim i verbër? Jo, nuk është. Ne secili kemi dëshmi shpirtërore për vërtetësinë e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit. Me anë të vetë vullnetit dhe zgjedhjes sonë, ne e ngritëm dorën këtë mëngjes, duke shpallur dëshirën tonë për ta mbështetur profetin e Zotit nëpërmjet “mirëbesimi[t], besimi[t] dhe lutje[ve]” tona dhe për ta ndjekur këshillën e tij. Ne kemi privilegjin si shenjtorë të ditëve të mëvonshme që të marrim dëshmi vetjake se thirrja e Presidentit Nelson është nga Perëndia. Ndërkohë që bashkëshortja ime, Kathi, e ka njohur Presidentin Nelson personalisht për gati tri dekada dhe nuk ka asnjë dyshim për mantelin e tij hyjnor, në kohën e veçimit të tij, ajo filloi të lexonte të gjitha bisedat e tij të konferencave të përgjithshme në 34 vitet e shkuara, duke u lutur për një siguri edhe më të thellë për rolin e tij profetik. Ju premtoj se kjo dëshmi më e madhe do të vijë kur ju ta kërkoni atë përulësisht e denjësisht.
Përse jemi kaq të gatshëm për ta ndjekur zërin e profetit tonë? Për ata që e kërkojnë me zell jetën e përjetshme, zëri i profetit sjell siguri shpirtërore në kohë shumë të turbullta.
Ne jetojmë në një planet ku ziejnë miliona zëra. Interneti, telefonat tanë inteligjentë, paketat me lojëra argëtuese, që të gjitha kërkojnë vëmendjen tonë dhe e hedhin ndikimin e tyre mbi ne, duke shpresuar se do t’i blejmë prodhimet e tyre dhe do t’u përshtatemi standardeve të tyre.
Moria në dukje e pafundme e informacionit dhe opinioneve na kujton për paralajmërimet në shkrimet e shenjta të të qenit “të lëkundur”, të “ngr[itur] dhe [të] përplas[ur nga] era” dhe të mbisunduar nga “dinakëria” e atyre që përdorin “gënjeshtra të gabimit”.
Hedhja e spirancës së shpirtit tonë te Zoti Jezu Krisht kërkon që t’i dëgjojmë ata që Ai i dërgon. Ndjekja e profetit në një botë rrëmuje është si të jemi të mbështjellë me një kuvertë të butë, të ngrohtë në një ditë acari të ftohtë.
Ne jetojmë në një botë të arsyes, debatit, argumentit, logjikës dhe shpjegimit. Bërja e pyetjeve “Përse?” është pozitive në shumë aspekte të jetës sonë, duke e lejuar fuqinë e intelektit tonë për të na udhërrëfyer në një mori zgjedhjesh dhe vendimesh me të cilat përballemi çdo ditë.
Por zëri i Zotit shpesh vjen pa shpjegim. Shumë kohë përpara se akademikët ta studionin ndikimin e mungesës së besnikërisë te bashkëshortet/ët dhe fëmijët mirëbesues, Zoti shpalli: “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore”. Përveç mbështetjes tek intelekti, ne e ruajmë si thesar dhuratën e Frymës së Shenjtë.
Mos u Habitni
Zëri i profetit, edhe pse flet me mirësi, shpesh do të jetë një zë që na kërkon të ndryshojmë, të pendohemi dhe të kthehemi te Zoti. Kur nevojitet korrigjim, mos u vonofshim. Dhe mos u alarmoni kur zëri paralajmërues i profetit ndeshet me opinionet e sotme, të pranuara gjerësisht. Goditjet e zjarrta të talljes nga njerëz të irrituar mosbesues gjithmonë ndizen në çastin kur profeti fillon të flasë. Kur jeni të përulur në ndjekjen e këshillës së profetit të Zotit, ju premtoj një bekim më të madh sigurie dhe paqeje.
Mos u habitni nëse me raste pikëpamjet tuaja vetjake fillimisht nuk janë në harmoni me mësimet e profetit të Zotit. Këto janë çaste mësimi, përuljeje, kur ne biem në gjunjë për lutje. Ne ecim përpara me besim, duke mirëbesuar te Perëndia, duke e ditur se me kohën, do të marrim më shumë qartësi shpirtërore nga Ati ynë Qiellor. Një profet e përshkroi dhuratën e pakrahasueshme të Shpëtimtarit si “vullneti[n e] Birit duke u shkrirë në vullnetin e Atit”. Nënshtrimi i vullnetit tonë ndaj vullnetit të Perëndisë nuk është, në fakt, aspak nënshtrim, por fillimi i një fitoreje të lavdishme.
Disa do të përpiqen t’i rrëmojnë me imtësi fjalët e profetit, duke hasur vështirësi për të përcaktuar se cili është zëri i tij profetik dhe cili është opinioni i tij vetjak.
Në vitin 1982, dy vjet përpara thirrjes si Autoritet i Përgjithshëm, Vëllai Rasëll M. Nelson tha: “Kurrë nuk e pyes veten: ‘Kur flet profeti si profet dhe kur nuk flet?’ Interesi im ka qenë: ‘Si mund të jem më shumë si ai?’” Dhe ai shtoi: “[Filozofia ime është të] mos vë më pikëpyetje pas deklaratave të profetit dhe të vendos pikëçuditje në vend të tyre”. Kjo është mënyra se si një burrë i përulur dhe shpirtëror zgjodhi se si t’i jepte drejtim jetës së vet. Tani, 36 vjet më vonë, ai është profeti i Zotit.
Rritja e Besimit Tuaj te Shpëtimtari
Në jetën time vetjake, kam zbuluar se kur i studioj plot lutje fjalët e profetit të Perëndisë dhe e përputh shpirtërisht me kujdes, me durim, vullnetin tim me mësimet e tij të frymëzuara, besimi im në Zotin Jezu Krisht gjithmonë rritet. Nëse zgjedhim ta vëmë mënjanë këshillën e tij dhe vendosim se ne e dimë më mirë se ai, besimi ynë vuan dhe këndvështrimi ynë i përjetshëm errësohet. Ju premtoj se, teksa qëndroni të vendosur në ndjekjen e profetit, do të rritet besimi juaj në Shpëtimtarin.
Shpëtimtari tha: “Të gjithë profetët … kanë dëshmuar për mua”.
Një profet nuk qëndron ndërmjet jush dhe Shpëtimtarit. Përkundrazi, ai qëndron përkrah jush dhe ju tregon rrugën drejt Shpëtimtarit. Përgjegjësia më e madhe dhe dhurata më e çmuar e një profeti për ne është dëshmia e tij e sigurt, dituria e tij e patundur se Jezusi është Krishti. Si Pjetri i lashtë, profeti ynë shpall: “[Ai është] Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë”.
Në një ditë të ardhshme, duke e hedhur vështrimin pas në vdekshmërinë tonë, ne do të ngazëllehemi që ecëm në tokë në kohën e një profeti të gjallë. Në atë ditë, lutem që ne do të jemi të aftë të themi:
E dëgjuam atë.
E besuam atë.
I studiuam fjalët e tij me durim e besim.
U lutëm për të.
Qëndruam krah tij.
Ishim mjaft të përulur ta ndiqnim atë.
E deshëm atë.
Ju jap dëshminë time solemne se Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, dhe se Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Tij i vajosur në tokë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.