E Gjitha Ka të Bëjë me Njerëzit
Kisha ka të bëjë e gjitha me ju, dishepujt e Zotit – me ata që e duan dhe e ndjekin Atë dhe që e kanë marrë emrin e Tij mbi vete.
Unë pata një përvojë që nuk do ta harroj kurrë, ndërsa po përgatiteshim për ndërtimin e Tempullit të mrekullueshëm të Parisit në Francë. Në vitin 2010, kur prona për tempullin u gjet, kryetari i bashkisë kërkoi të takohej me ne për të ditur më shumë rreth Kishës sonë. Kjo mbledhje ishte një hap vendimtar për të marrë një leje ndërtimi. Me shumë kujdes përgatitëm një paraqitje që përfshinte disa pamje mbresëlënëse të tempujve të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Shpresa ime e zjarrtë ishte që bukuria e tyre arkitekturore ta bindte kryetarin që ta përkrahte projektin tonë.
Për habinë time, kryetari sugjeroi që në vend që ta shqyrtonte paraqitjen tonë, ai dhe skuadra e tij parapëlqyen të bënin vetë hetime për të zbuluar se çfarë lloj kishe ishim ne. Muajin vijues, na ftuan sërish që të dëgjonim një raportim të dhënë nga një këshilltare bashkiake, e cila rastisi të ishte edhe profesoreshë e historisë së fesë. Ajo tha: “Mbi gjithçka tjetër, ne donim të kuptonim se kush janë anëtarët e Kishës suaj. Së pari, ne frekuentuam një nga mbledhjet tuaja të sakramentit. U ulëm në fund të godinës kishtare dhe i vëzhguam me vëmendje njerëzit në bashkësi dhe se çfarë po bënin ata. Më pas takuam fqinjët tuaj – ata që jetonin rrotull qendrës suaj të kunjit – dhe i pyetëm se çfarë lloj njerëzish jeni ju mormonët.”
“Pra çfarë përfundimesh nxorët?” E pyeta, duke u ndier pak në ankth. Ajo u përgjigj: “Ne zbuluam se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është më e përafërta me Kishën e hershme të Jezu Krishtit nga çdo kishë tjetër për të cilën jemi në dijeni”. Gati kundërshtova duke thënë: “Kjo nuk është plotësisht e saktë! Nuk është kisha që i përafrohet më shumë; ajo është Kisha e Jezu Krishtit – e njëjta Kishë, Kisha e vërtetë!” Por e përmbajta veten dhe në vend të kësaj bëra një lutje të heshtur mirënjohjeje. Kryetari më pas na tha se, duke u bazuar në zbulimet e tyre, ai dhe skuadra e tij nuk kishin asnjë kundërshtim për ndërtimin e një tempulli në komunitetin e tyre.
Sot, kur mendoj për atë përvojë të mrekullueshme, ndihem mirënjohës për urtësinë e kryetarit dhe shpirtin e dallimit. Ai e dinte se çelësi për ta kuptuar Kishën nuk është duke e parë atë nga pamja e jashtme e ndërtesave të saj apo qoftë si një institucion i mirëorganizuar, por nëpërmjet miliona anëtarëve të saj besnikë, që përpiqen çdo ditë ta ndjekin shembullin e Jezu Krishtit.
Përkufizimi i Kishës mund të bazohet te një fragment në Librin e Mormonit që shpall: “Dhe ata [domethënë dishepujt e Zotit] që u pagëzuan në emrin e Jezusit, u quajtën kisha e Krishtit”.
Me fjalë të tjera, Kisha ka të bëjë e gjitha me njerëzit. E gjitha ka të bëjë me ju, dishepujt e Zotit – me ata që e duan dhe e ndjekin Atë dhe që e kanë marrë emrin e Tij mbi vete me anë të besëlidhjes.
Presidenti Rasëll M. Nelson dikur e krahasoi Kishën me një mjet të këndshëm automobilistik. Të gjithëve na pëlqen shumë kur makina jonë është e pastër dhe e shndritshme. Por qëllimi i veturës nuk është që të duket si një mjet tërheqës; është që t’i lëvizë njerëzit që janë brenda në veturë. Në mënyrë të ngjashme, ne, si anëtarë të Kishës, e vlerësojmë që kemi vende të bukura adhurimi, që janë të pastra dhe të mirëmbajtura dhe, ne gjithashtu i gëzohemi pasjes së programeve që funksionojnë siç duhet. Por këto janë thjesht sisteme ndihmëse. Synimi ynë kryesor është ta ftojmë çdo bir dhe bijë të Perëndisë që të vijë te Krishti dhe ta udhërrëfejmë atë përgjatë shtegut të besëlidhjes. Asgjë tjetër nuk është më e rëndësishme. Puna jonë ka të bëjë e gjitha me njerëzit dhe besëlidhjet.
A nuk është e mrekullueshme se emri që i është dhënë Kishës së rivendosur me anë të zbulesës i lidh bashkë dy elementët më të rëndësishëm në secilën besëlidhje të ungjillit? Së pari, është emri Jezu Krisht. Kjo Kishë i përket Atij dhe, Shlyerja dhe besëlidhjet e Tij shenjtëruese janë i vetmi shteg drejt shpëtimit dhe ekzaltimit. Emri i dytë na referohet ne: shenjtorëve ose me fjalë të tjera, dëshmitarëve të Tij dhe dishepujve të Tij.
E mësova rëndësinë e përqendrimit te njerëzit kur shërbeva si president kunji në Francë. Në fillim të shërbimit tim, unë kisha në mendje disa synime shumë ambicioze për kunjin: Krijimin e lagjeve të reja, ndërtimin e shtëpive të reja të mbledhjeve dhe madje ndërtimin e një tempulli në zonën tonë. Kur u lirova gjashtë vite më vonë, asnjë nga këto objektiva nuk ishte arritur. Kjo mund të më dukej si një dështim i plotë, veçse gjatë ecurisë së atyre gjashtë viteve, objektivat e mia dolën krejt ndryshe.
Ndërsa isha ulur në panel ditën e lirimit tim, më mbërtheu një ndjenjë e thellë mirënjohjeje dhe përmbushjeje. Vështrova fytyrat e qindra anëtarëve të pranishëm. Mund të kujtoj një përvojë shpirtërore që lidhet me çdonjërin prej tyre.
Ishin ata vëllezër e motra, që kishin hyrë në ujërat e pagëzimit, ata të cilëve u kisha nënshkruar rekomandimet e tyre të para, që të mund të merrnin ordinancat e shenjta të tempullit dhe ato njerëz dhe çifte të reja që i kisha veçuar ose liruar si misionarë kohëplotë. Kishte shumë të tjerë të cilëve u kreva shërbesë ndërsa po kalonin sprova dhe vështirësi në jetën e tyre. Ndjeva dashuri të fortë vëllazërore për secilin prej tyre. Kisha gjetur gëzim të mirëfilltë te shërbimi ndaj tyre dhe u gëzova nga rritja e besnikërisë dhe besimit të tyre te Shpëtimtari.
Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim: “Ajo çka është më e rëndësishme në përgjegjësitë tona në Kishë, nuk janë statistikat që raportohen apo mbledhjet që mbahen, por nëse njerëz individualë – të shërbyer një e nga një ashtu sikurse bëri Shpëtimtari – janë lartësuar e nxitur dhe si përfundim janë ndryshuar”.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, a jemi ne aktivë në ungjill apo jemi thjesht të ngarkuar me detyra në Kishë? Çelësi është ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit në të gjitha gjërat. Nëse e bëjmë atë, ne do të përqendrohemi vetvetiu në shpëtimin e individëve, në vend që të kryejmë detyra dhe të vëmë programe në zbatim.
A e keni pyetur ndonjëherë veten se si do të ishte po t’ju vinte Shpëtimtari për vizitë në lagjen apo degën tuaj të dielën e ardhshme? Çfarë do të bënte Ai? A do të shqetësohej për të ditur a mjaftonin mjetet ndihmëse pamore apo, a ishin vendosur karriget siç duhej në klasë? Apo do të gjente dikë të cilit mund t’i falte dashuri, ta mësonte dhe ta bekonte? Ndoshta Ai do të kërkonte një anëtar ose mik të ri për t’i uruar mirëseardhjen, një vëlla apo motër të sëmurë që kishte nevojë për ngushëllim ose një të ri të pasigurt që kishte nevojë të ngrihej moralisht dhe të merrte zemër.
Çfarë klasash do të vizitonte Jezusi? Nuk do të habitesha nëse Ai do të vizitonte Filloren së pari. Ai me gjasë do të gjunjëzohej dhe do t’u fliste atyre sy për sy. Ai do t’u shprehte atyre dashurinë, do t’u tregonte histori, do t’i përgëzonte për vizatimet e tyre dhe do të dëshmonte për Atin e Tij në Qiell. Sjellja e Tij do të ishte e thjeshtë, e çiltër dhe pa lajka. A mund të veprojmë edhe ne po kështu?
Unë ju premtoj se ndërsa përpiqeni t’i përmbaheni asaj që Zoti do që të bëni, asgjë nuk do të bëhet më e rëndësishme se sa gjetja e atyre njerëzve që mund t’i ndihmoni apo bekoni. Në kishë ju do të përqendroheni te mësimdhënia e individëve dhe te prekja e zemrës së tyre. Shqetësimi juaj do të jetë që të krijoni një përvojë shpirtërore, në vend që të organizoni një veprimtari të përsosur, t’u jepni shërbesë bashkëanëtarëve tuaj në vend që të hiqni një kryq te numri i vizitave që keni kryer. Kjo nuk ka të bëjë me veten por me ata të cilët i quajmë vëllezër e motra.
Ndonjëherë ne flasim për shkuarjen në kishë. Por Kisha është më tepër se një ndërtesë apo një vend i veçantë. Ajo është po aq e vërtetë dhe e gjallë në banesat më të përulura në zonat më të thella të botës, sa është edhe në zyrat qendrore të Kishës në Solt-Lejk-Siti. Vetë Zoti tha: “Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre”.
Ne e marrim Kishën me vete kudo që shkojmë: në punë, në shkollë, me pushime dhe veçanërisht në shtëpitë tona. Vetë prania dhe ndikimi ynë mund të jenë të mjaftueshme për ta bërë çdo vend ku gjendemi, një vend të shenjtë.
Më kujtohet një bashkëbisedim që kisha me një mik që nuk është anëtar i besimit tonë. Ai u habit kur mësoi se çdo burrë i denjë në Kishën tonë mund ta merrte priftërinë. Ai pyeti: “Po sa mbajtës të priftërisë keni në lagjen tuaj?”
Iu përgjigja: “Rreth 30 a 40 vetë”.
I hutuar, vijoi: “Në bashkësinë time, ne kemi vetëm një prift. Përse keni nevojë për kaq shumë priftërinj të dielën në mëngjes?”
I ngacmuar nga pyetja e tij, ndjeva frymëzimin t’i përgjigjesha: “Jam dakord me ty. Nuk mendoj se kemi nevojë për aq shumë mbajtës priftërie në kishë të dielën. Por kemi nevojë për një mbajtës priftërie në çdo shtëpi. Dhe kur në një shtëpi nuk ka asnjë mbajtës të priftërisë, thirren mbajtës të tjerë të priftërisë për t’u kujdesur për atë familje dhe për t’i dhënë shërbesë asaj.”
Kisha jonë nuk është vetëm të dielave. Adhurimi ynë vazhdon çdo ditë të javës, kudo që jemi dhe në çfarëdo gjëje që bëjmë. Shtëpitë tona në veçanti janë “shenjtëroret parësore të besimit tonë”. Më shpesh na ndodh në shtëpitë tona që të lutemi, bekojmë, studiojmë, ta japim mësim fjalën e Perëndisë e të shërbejmë me dashuri të pastër. Unë mund t’ju dëshmoj nga përvoja ime vetjake se shtëpitë tona janë vende të shenjta ku Shpirti mund të qëndrojë – po aq sa, e ndonjëherë madje më shumë se në vendet tona të mirëfillta të adhurimit.
Unë jap dëshmi se kjo Kishë është Kisha e Jezu Krishtit. Forca dhe gjallëria e saj vjen nga veprimet e përditshme të miliona dishepujve të Tij, që përpiqen çdo ditë ta ndjekin shembullin e Tij madhështor duke u kujdesur për të tjerët. Krishti jeton dhe Ai e drejton këtë Kishë. Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti të cilin Ai e ka zgjedhur ta na drejtojë dhe udhërrëfejë në kohën tonë. Për këto gjëra unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.