2010–2019
Kuorumi i Pleqve
Prill 2018


2:3

Kuorumi i Pleqve

Pasja e një kuorumi të Priftërisë Melkizedeke në lagje krijon unitet te mbajtësit e priftërisë për t’i përmbushur të gjitha aspektet e punës së shpëtimit.

Jo shumë kohë pasi u organizua Kisha në këtë periudhë të fundit ungjillore, Zoti tha në një zbulesë: “Dhe nëpërmjet lutjes së besimit tuaj ju do të merrni ligjin tim, që të mund të dini si të qeverisni kishën time dhe t’i keni të gjitha gjërat siç duhet përpara meje”. Ky parim është ndjekur në Kishë – dhe ai premtim është nderuar nga Zoti – që nga ajo kohë. Modelet për organizimin dhe shërbimin e priftërisë janë zbuluar herë pas here duke nisur me Profetin Jozef Smith kur u krijuan detyrat dhe kuorumet e priftërisë në kohën tonë. Përmirësime të rëndësishme u zbuluan dhe u vunë në zbatim gjatë kohës së shërbimit të Presidentëve Brigam Jang, Xhon Tejlor dhe Spenser W. Kimball, mes të tjerëve, lidhur me Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, Të Shtatëdhjetët, priftërinjtë e lartë, detyrat dhe kuorumet e tjerë si në Priftërinë Melkizedeke ashtu edhe në Priftërinë Aarone. Tani, në një deklaratë historike vetëm pak çaste më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli një përshtatje të mëtejshme jetike.

Nëse mund ta përsërit një pjesë të deklaratës të tij: “Sonte ne shpallim një ristrukturim të rëndësishëm të kuorumeve tona të Priftërisë Melkizedeke, që ta përmbushim punën e Zotit në mënyrë më të efektshme. Në çdo lagje, priftërinjtë e lartë dhe pleqtë tani do të bashkohen në një kuorum pleqsh … [dhe] përbërja e … kuorumi[t të priftërinjve të lartë të kunjit] do të bazohet në thirrjet e tanishme të priftërisë.”

Presidenti Nelson shtoi:

“Këto modifikime kanë qenë në studim për shumë muaj. Ne kemi ndier një nevojë të ngutshme për ta përmirësuar mënyrën se si kujdesemi për anëtarët tanë. … Që ta bëjmë atë më mirë, na nevojitet t’i forcojmë kuorumet tona të priftërisë për t’i dhënë drejtim më të madh dhënies së shërbesës së dashurisë dhe përkrahjes, të cilën Zoti e ka si qëllim për shenjtorët e Tij.

Këto përshtatje janë frymëzuar nga Zoti. Teksa i vëmë në zbatim, ne vërtet do të jemi edhe më frytdhënës sesa kemi qenë ndonjëherë më parë.”

Nën drejtimin e Presidencës së Parë, unë dhe Plaku Ronald A. Rasband do të shtojmë disa hollësi që kemi besim se do t’u japin përgjigje pyetjeve që mund të keni.

Kuorumet e Pleqve dhe të Priftërinjve të Lartë

Së pari, për ta ritheksuar, cilat janë përshtatjet për grupet e priftërinjve të lartë dhe kuorumet e pleqve të lagjeve? Në lagjet, anëtarët e kuorumit të pleqve dhe të grupit të priftërinjve të lartë do të bashkohen tani në një kuorum të Priftërisë Melkizedeke me një presidencë kuorumi. Ky kuorum, me numër anëtarësh dhe unitet më të madh, do të emërtohet “kuorumi i pleqve”. Grupeve të priftërinjve të lartë u ndërpritet funksionimi. Kuorumi i pleqve përfshin të gjithë pleqtë, pleqtë e ardhshëm në lagje si edhe priftërinjtë e lartë të cilët nuk janë duke shërbyer në këtë kohë në peshkopatë, në presidencën e kunjit, në këshillin e lartë ose si patriarkë veprues. Kuorumi i priftërinjve të lartë në kunj do të përbëhet nga ata priftërinj të lartë që janë duke shërbyer në presidencën e kunjit, në peshkopata, në këshillin e lartë dhe si patriarkë veprues.

Presidenca e Kuorumit të Pleqve

Si duhet të organizohet presidenca e kuorumit të pleqve? Presidenca e kunjit do t’i lirojë nga detyra udhëheqësit e tanishëm të grupeve të priftërinjve të lartë dhe presidencat e kuorumeve të pleqve dhe do të thërrasë një president të ri dhe këshilltarë të rinj të kuorumit të pleqve në secilën lagje. Presidenca e re e kuorumit të pleqve mund të përfshijë pleq dhe priftërinj të lartë, nga mosha dhe përvoja të ndryshme, duke shërbyer së bashku në një presidencë kuorumi. Një plak apo një prift i lartë mund të shërbejë si presidenti i kuorumit ose si këshilltar në presidencë. Kjo nuk është një “marrje nën kontroll” e kuorumeve të pleqve nga priftërinjtë e lartë. Ne presim që pleqtë dhe priftërinjtë e lartë të punojnë së bashku në çfarëdo ndërthurjeje në presidencën e kuorumit dhe në shërbimin e kuorumit. Këto përshtatje të kuorumit duhet të vihen në zbatim sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë të volitshme.

Detyrat e Priftërisë në Kuorumin e Pleqve

A e ndryshon kjo përshtatje në strukturën e kuorumit detyrën e priftërisë të mbajtur nga anëtarët e kuorumit? Jo, ky veprim nuk anulon asnjë detyrë priftërie në të cilën mund të jetë shuguruar në të shkuarën cilido anëtar i kuorumit. Siç e dini, një burrë mund të shugurohet në detyra të ndryshme të priftërisë gjatë gjithë jetës së vet dhe ai nuk e humbet ose shfuqizon ndonjë shugurim të mëparshëm kur merr një shugurim të ri. Ndërkohë që në disa raste një mbajtës i priftërisë mund të shërbejë në më shumë se një detyrë në një kohë të caktuar, siç është kur një prift i lartë shërben gjithashtu si patriark ose si peshkop, ai praktikisht nuk ka funksion në të gjitha detyrat e tij të priftërisë në të njëjtën kohë. Peshkopët dhe Të Shtatëdhjetët, për shembull, nuk shërbejnë në mënyrë aktive në ato detyra kur lirohen ose bëhen anëtarë nderi. Prandaj, pavarësisht nga detyra ose detyrat e tjera të priftërisë që mund të mbajë një burrë, ndërkohë që është anëtar i kuorumit të pleqve, ai shërben si një plak.

Vite më parë, Presidenti Bojd K. Paker vërejti se “priftëria është më e madhe sesa cilado prej detyrave të saj. … Priftëria nuk mund të ndahet. Një plak mban po aq shumë priftëri sa mban një Apostull. (Shih DeB 20:38.) Kur një burri [i është dhënë priftëria], ai e merr atë të gjithën. Gjithsesi ka detyra brenda priftërisë – ndarje të autoritetit dhe të përgjegjësive. … Nganjëherë për një detyrë flitet se është ‘më e lartë se’ ose ‘më e ulët se’ një detyrë tjetër. Në vend që të jenë të ‘më të larta’ ose ‘më të ulëta’, detyrat në Priftërinë Melkizedeke përfaqësojnë fusha të ndryshme të shërbimit.” Vëllezër, unë sinqerisht shpresoj se ne nuk do të flasim më për “ngritjen në rang” në një detyrë tjetër në Priftërinë Melkizedeke.

Pleqtë do të vazhdojnë të shugurohen priftërinj të lartë kur ata thirren në një presidencë kunji, në këshillin e lartë ose në peshkopatë – ose në raste të tjera siç përcaktohet nga presidenti i kunjit nëpërmjet vlerësimit dhe frymëzimit plot lutje. Kur të përmbyllen periudhat e tyre të shërbimit në një presidencë kunji, në këshillin e lartë ose në peshkopatë, priftërinjtë e lartë do të bashkohen sërish me kuorumin e pleqve në lagjen e tyre.

Udhëzim për Presidentin e Kuorumit të Pleqve

Kush e drejton punën e presidentit të kuorumit të pleqve? Presidenti i kunjit kryeson mbi Priftërinë Melkizedeke në kunjin e tij. Si rrjedhim, presidenti i kuorumit të pleqve është drejtpërsëdrejti i përgjegjshëm ndaj presidentit të kunjit, i cili siguron trajnim dhe udhërrëfim nga presidenca e kunjit dhe nëpërmjet këshillit të lartë. Peshkopi, si prifti i lartë kryesues në lagje, gjithashtu takohet rregullisht me presidentin e kuorumit të pleqve. Peshkopi këshillohet me të dhe i jep udhëzimin e duhur lidhur me mënyrën se si t’u shërbehet më mirë anëtarëve të lagjes dhe të bekohen më shumë ata, duke punuar në harmoni me të gjitha organizatat e lagjes.

Qëllimi i Këtyre Ndryshimeve

Cilat janë qëllimet e përshtatjeve në kuorumet e Priftërisë Melkizedeke? Pasja e një kuorumi të Priftërisë Melkizedeke në lagje krijon unitet te mbajtësit e priftërisë për t’i përmbushur të gjitha aspektet e punës së shpëtimit, përfshirë punën në tempull dhe punën e historisë familjare, që më parë bashkërendoheshin nga grupet e priftërinjve të lartë. Kjo u lejon anëtarëve të kuorumit të të gjitha moshave dhe prejardhjeve që të përfitojnë nga këndvështrimi dhe përvoja e njëri-tjetrit dhe e atyre që janë në etapa të ndryshme të jetës. Kjo siguron gjithashtu mundësi shtesë që mbajtësit e priftërisë me përvojë t’i këshillojnë të tjerët, përfshirë pleqtë e ardhshëm, anëtarët e rinj, të rinjtë në moshë madhore dhe ata që po kthehen në aktivitet në Kishë. Nuk mund ta shpreh sa duhet sesa i emocionuar jam kur mendoj thellë për rolin jetik në rritje që kuorumet e pleqve do të luajnë në të ardhmen. Urtësia, përvoja, aftësia dhe forca që do të gjenden në këto kuorume, kumtojnë një fillim të ri dhe një standard të ri të shërbimit priftëror anembanë Kishës.

Njëzet vjet më parë në konferencën e përgjithshme, unë tregova një histori që fillimisht u tregua nga Plaku Von J. Fedhërston, i Të Shtatëdhjetëve, të cilën besoj se ia vlen të përsëritet këtu.

Në vitin 1918 Vëllai Xhorxh Gouts ishte një fermer që rriste panxhar sheqeri në Lihaj të Jutës. Dimri erdhi herët atë vit dhe i ngriu shumicën e bimëve të panxharit në tokë. Për Xhorxhin dhe djalin e tij të vogël, Frensisin, mbledhja e prodhimit ishte e ngadaltë dhe e vështirë. Ndërkohë, një epidemi gripi po përhapej shumë. Sëmundja e frikshme i mori jetën birit të Xhorxhit, Çarlsit, dhe tre fëmijëve të vegjël të Çarlsit – dy vajzave dhe një djali të vogël. Brenda vetëm gjashtë ditëve, Xhorxh Goutsi i vrerosur bëri tre udhëtime të veçanta drejt Ogdenit të Jutës, që të sillte trupat në shtëpi për t’u varrosur. Në fund të kësaj periudhe të tmerrshme kohore, Xhorxhi dhe Frensisi i mbrehën kuajt në karrocën e tyre dhe morën rrugën drejt fushës së panxharit.

“[Në udhë e sipër] përballë tyre kaluan njëra pas tjetrës karroca të ngarkuara me panxhar, të cilat po shkonin drejt fabrikës dhe drejtoheshin nga fermerë fqinjë. Teksa u kalonte pranë, secili karrocier do të dërgonte një përshëndetje: ‘Tungjatjeta, xhaxha Xhorxh’, ‘Na vjen vërtet keq, Xhorxh’, ‘Tronditje e fortë, Xhorxh’, ‘Ke shumë miq, Xhorxh’.

Në karrocën e fundit ishte … Xhaspër Rolfi me fytyrën plot quka. Ai bëri një përshëndetje të gëzueshme me dorë dhe thirri: ‘Kaq panxhar ka, xhaxha Xhorxh’.

[Vëllai Gouts] iu kthye Frensisit dhe tha: ‘Sikur të ishte i gjithi yni’.

Kur mbërritën te porta e fermës, Frensisi u hodh nga karroca e madhe, e kuqërremtë e panxharit dhe hapi portën ndërkohë që [babai i tij] e çoi karrocën në fushë. [Xhorxhi] i tërhoqi frerët, e ndali çiftin e kuajve … dhe i hodhi një vështrim të shpejtë fushës. … Nuk kishte asnjë panxhar sheqeri në tërë fushën. Atëherë ai e kuptoi se çfarë donte të thoshte Xhaspër Rolfi kur thirri: ‘Kaq panxhar ka, xhaxha Xhorxh!’

[Xhorxhi] zbriti nga karroca, mori një grusht dheu të pasur, ngjyrë kafe, që e donte kaq shumë, dhe më pas … një bimë panxhari dhe i vështroi për një çast këto simbole të punës së tij, sikur të mos u besonte syve të vet.

Atëherë u ul mbi një grumbull bimësh panxhari – ky burrë që ktheu në shtëpi katër prej njerëzve të tij të dashur për t’u varrosur në një periudhë prej vetëm gjashtë ditësh; që bëri arkivole, gërmoi varre dhe madje ndihmoi me rrobat e varrimit – ky burrë mahnitës, i cili kurrë nuk kishte nguruar, nuk ishte zmbrapsur, as lëkundur gjatë gjithë kësaj sprove pikëlluese – u ul mbi një grumbull bimësh panxhari dhe qau me dënesë si fëmijë i vogël.

Më pas u ngrit në këmbë, i fshiu sytë, … hodhi vështrimin drejt qiellit dhe tha: ‘Faleminderit, Atë, për pleqtë e lagjes sonë’.”

Po, falënderim i qoftë Perëndisë për burrat e priftërisë dhe për shërbimin që ende do të japin në lartësimin e individëve e familjeve dhe në ngritjen e Sionit.

Presidenca e Parë, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Presidenca e Të Shtatëdhjetëve i kanë marrë në shqyrtim këto përshtatje për një periudhë të gjatë kohe. Me shumë lutje, me studim të kujdesshëm të themeleve nga shkrimet e shenjta për kuorumet e priftërisë dhe me miratimin se ky është vullneti i Zotit, ne po shkojmë përpara njëzëri në atë që është më të vërtetë një hap më shumë në shpalosjen e Rivendosjes. Udhëzimi i Zotit është shprehur dhe unë gëzohem në të, teksa jap dëshmi për Të, priftërinë e Tij dhe shugurimet tuaja në atë priftëri, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 41:3.

  2. Shih, për shembull, William G. Hartley, “The Priesthood Reorganization of 1877: Brigham Young’s Last Achievement”, në My Fellow Servants: Essays on the History of the Priesthood (2010), f. 227–264; “To the Seventies”, në James R. Clark, përmb., Messages of the First Presidency of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints (1965), f. 352–354; Hartley, “The Seventies in the 1880s: Revelations and Reorganizing”, në My Fellow Servants, f. 265–300; Edward L. Kimball, Lengthen Your Stride: The Presidency of Spencer W. Kimball (2005), f. 254–258; Susan Easton Black, “Early Quorums of the Seventies”, në David J. Whittaker dhe Arnold K. Garr, red., A Firm Foundation: Church Organization and Administration (2011), f. 139–160; Richard O. Cowan, “The Seventies’ Role in the Worldwide Church Administration”, në A Firm Foundation, f. 573–593.

  3. Rasëll M. Nelson, “Fjalët Paraqitëse”, Liahona, maj 2018, f. 54.

  4. Boyd K. Packer, “What Every Elder Should Know—and Every Sister as Well: A Primer on Principles of Priesthood Government”, Tambuli, nëntor 1994, f. 17, 19.

  5. Shih Handbook 2: Administering the Church [Manuali 2: Administrimi i Kishës] (2010), 7.3.1.

  6. D. Todd Christofferson, “The Priesthood Quorum”, Liahona, janar 1999, f. 47; shih edhe Vaughn J. Featherstone, “Now Abideth Faith, Hope, and Charity”, Ensign, korrik 1973, f. 36–37.