Çfarë Ka Nevojë të Kuptojë Çdo Mbajtës i Priftërisë Aarone
Shugurimi juaj në Priftërinë Aarone është thelbësor për t’i ndihmuar fëmijët e Perëndisë që të marrin fuqinë shlyese të Krishtit.
Vëllezër, është privilegj të jem me ju në këtë konferencë historike. Kur isha president i ri misioni, pata emocion kur morëm grupin tonë të parë të misionarëve të rinj. Disa prej misionarëve tanë më me përvojë po përgatiteshin për një mbledhje të shkurtër me ta. Vura re se kishin vendosur karrige fëmijësh në një gjysmë rrethi.
“Për çfarë i doni karriget e vogla?”, i pyeta.
Misionarët, disi me druajte, thanë: “Për misionarët e rinj”.
Besoj se mënyra se si i shohim të tjerët e ndikon së tepërmi kuptueshmërinë se kush janë dhe çfarë mund të bëhen. Misionarët tanë të rinj u ulën në karrige të rriturish atë ditë.
Nganjëherë, kam frikë, se në mënyrë figurative ne u japim të rinjve tanë të Priftërisë Aarone karrige fëmijësh ku të ulen, në vend që t’i ndihmojmë të kuptojnë se Perëndia u ka dhënë një mirëbesim të shenjtë dhe një punë jetike për të bërë.
Presidenti Tomas S. Monson na këshilloi që të rinjtë kanë nevojë të kuptojnë se “çfarë do të thotë … të jenë mbajtës të priftërisë së Perëndisë. Ata duhet të udhëzohen drejt një vetëdijeje shpirtërore për shenjtërinë e thirrjes që u është shuguruar atyre.”
Sot lutem që Fryma e Shenjtë do të na udhërrëfejë drejt një kuptueshmërie më të madhe për fuqinë dhe shenjtërinë e Priftërisë Aarone dhe do të na frymëzojë të përqendrohemi më me zell tek detyrat tona të priftërisë. Mesazhi im është për të gjithë mbajtësit e Priftërisë Aarone, përfshirë ata që gjithashtu mbajnë Priftërinë Melkizedeke.
Plaku Dejll G. Renland na mësoi se qëllimi i priftërisë është t’u sigurojë fëmijëve të Perëndisë mundësi për ta përdorur fuqinë shlyese të Jezu Krishtit. Për ta marrë fuqinë shlyese të Krishtit në jetën tonë, ne duhet të besojmë tek Ai, të pendohemi për mëkatet tona, të bëjmë dhe të mbajmë besëlidhje të shenjta nëpërmjet ordinancave dhe të marrim Frymën e Shenjtë. Këto nuk janë parime në të cilat përfshihemi vetëm një herë; përkundrazi, ato veprojnë së bashku, duke e përforcuar njëri-tjetrin dhe duke ngritur mbi njëri-tjetrin në një proces të vazhdueshëm drejt përparimit lartësues që të “[vijmë] te Krishti dhe [të] përsos[emi] në të”.
Pra, cili është roli i Priftërisë Aarone në këtë gjë? Si na ndihmon të fitojmë mundësi për ta përdorur fuqinë shlyese të Krishtit? Besoj se përgjigjja gjendet në çelësat e Priftërisë Aarone – çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit përgatitor.
Shërbesa e Engjëjve
Le ta fillojmë me një aspekt të shërbesës së engjëjve. Përpara se fëmijët e Perëndisë mund të kenë besim në Jezu Krishtin, ata kanë nevojë të dinë për Të dhe t’u mësohet ungjilli i Tij. Siç tha Apostulli Pal:
“Si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?
Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? …
Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.”
Që nga fillimi i kohës, Perëndia ka “dërg[uar] engjëj, për t’u shërbyer fëmijëve të njerëzve, për t’u treguar … ardhjen e Krishtit”. Engjëjt janë lajmëtarë qiellorë që japin mesazhin e Perëndisë. Në hebraisht dhe greqisht rrënja e fjalës engjëll është “lajmëtar”.
Pothuajse në të njëjtën mënyrë si engjëjt që janë lajmëtarë të autorizuar, të dërguar nga Perëndia për ta shpallur fjalën e Tij dhe, si rrjedhim, për të ndërtuar besim, edhe ne që mbajmë Priftërinë Aarone, jemi shuguruar që të “japi[m] mësim dhe t’i ftoj[më] të gjithë të vijnë te Krishti”. Predikimi i ungjillit është një detyrë priftërie. Dhe fuqia që lidhet me këtë detyrë, nuk është vetëm për profetët apo thjesht vetëm për misionarët. Është për ju!
Pra, si e marrim këtë fuqi? Si mund ta sjellë një dhjak 12-vjeçar – ose secili prej nesh – në zemrat e fëmijëve të Perëndisë besimin te Krishti? E fillojmë duke e mbledhur si thesar fjalën e Tij kështu që fuqia e tij të jetë me ne. Ai ka premtuar se, në qoftë se e bëjmë këtë, ne do të kemi “fuqinë e Perëndisë për të bindur njerëzit”. Një mundësi mund të jetë për të dhënë mësim në një mbledhje kuorumi ose kur të vizitohet shtëpia e një anëtari. Mund të jetë diçka më pak formale, si një bashkëbisedim me një mik apo pjesëtar të familjes. Në cilindo prej këtyre mjediseve, nëse jemi të përgatitur, ne mund ta japim mësim ungjillin sipas mënyrës që do ta jepnin engjëjt: me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.
Kohët e fundit dëgjova Xhejkëbin, një mbajtës të Priftërisë Aarone në Papua të Guinesë së Re, të dëshmonte për fuqinë e Librit të Mormonit dhe mënyrën se si e ka ndihmuar t’i bëjë ballë ligësisë dhe ta ndjekë Shpirtin. Fjalët e tij ma shtuan besimin tim dhe e shtuan besimin e të tjerëve. Besimi im gjithashtu është rritur kur kam dëgjuar mbajtës të Priftërisë Aarone të japin mësim e të dëshmojnë në mbledhjet e kuorumeve të tyre.
Të rinj, ju jeni lajmëtarë të autorizuar. Nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tuaja, ju mund të sillni në zemrat e fëmijëve të Perëndisë besim te Krishti. Sikurse tha Presidenti Rasëll M. Nelson: “Për ta do të jeni si një engjëll shërbestar”.
Ungjilli Përgatitor
Besimi më i madh te Krishti gjithmonë çon drejt një dëshire për të ndryshuar ose për t’u penduar. Prandaj është logjike që çelësi i shërbesës së engjëjve do të shoqërohej nga çelësi i ungjillit përgatitor, “ungjilli[t të] pendimit dhe [të] pagëzimit, dhe [të] heqjes së mëkateve”.
Kur i studioni detyrat tuaja të Priftërisë Aarone, ju do të shihni një urdhër të qartë për t’i ftuar të tjerët të pendohen dhe të përmirësohen. Kjo nuk do të thotë që të qëndrojmë në anë të rrugës duke bërtitur: “Pendohuni!” Më shpesh do të thotë që ne pendohemi, falim dhe teksa u japim shërbesë të tjerëve, ne ofrojmë shpresën dhe paqen që i sjell pendimi – sepse e kemi përjetuar atë vetë.
Kam qenë me mbajtës së Priftërisë Aarone teksa vizituan bashkëanëtarë të kuorumit. E kam dëshmuar përkujdesjen e tyre që i zbut zemrat dhe i ndihmon vëllezërit e tyre të ndiejnë dashurinë e Perëndisë. Dëgjova një të ri t’u jepte dëshmi bashkëmoshatarëve të tij për fuqinë e pendimit. Kur e bëri atë, zemrat u zbutën, zotime u bënë dhe fuqia shëruese e Krishtit u ndie.
Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “Është një gjë të pendohesh. Është një gjë tjetër të na hiqen dhe të na falen mëkatet tona. Fuqia për ta bërë këtë gjë të ndodhë, gjendet në Priftërinë Aarone.” Ordinancat e Priftërisë Aarone të pagëzimit dhe të sakramentit e dëshmojnë dhe e plotësojnë pendimin tonë për një heqje të mëkateve. Presidenti Dallin H. Ouks e shpjegoi atë në këtë mënyrë: “Ne urdhërohemi të pendohemi për mëkatet tona dhe të vijmë te Zoti me një zemër të thyer e një shpirt të penduar dhe të marrim sakramentin. … Kur ne i ripërtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit në këtë mënyrë, Zoti e ripërtërin ndikimin pastrues të pagëzimit tonë.”
Vëllezër, është një privilegj i shenjtë të administrojmë ordinanca që sjellin heqje të mëkateve për zemrat e penduara nëpërmjet fuqisë shlyese të Shpëtimtarit.
Kohët e fundit më treguan për një prift, që e ka të vështirë të shprehet, i cili po bekonte sakramentin për herë të parë. Kur e bëri, një shpirt i fuqishëm erdhi mbi të dhe bashkësinë. Më vonë në mbledhje, ai dha një dëshmi të thjeshtë, por të qartë për fuqinë e Perëndisë që e ndjeu gjatë asaj ordinance.
Në Sidnei të Australisë katër anëtarë të një kuorumi të priftërinjve pagëzuan pjesëtarë të familjes Mbuelongo. Nëna e njërit prej këtyre priftërinjve më tregoi se si kjo përvojë e ndikoi fuqishëm birin e saj. Këta priftërinj arritën të kuptonin se çfarë do të thotë të jenë të “autorizuar nga Jezu Krishti”.
Siç e dini, priftërinjtë tani mund të kryesojnë në kryerjen e pagëzimeve mëkëmbëse në tempull. Biri im 17-vjeçar kohët e fundit më pagëzoi mua për disa prej paraardhësve tanë. Ne që të dy ndiem mirënjohje të thellë për Priftërinë Aarone dhe privilegjin e veprimit për shpëtimin e fëmijëve të Perëndisë.
Të rinj, kur përfshiheni me zell në detyrat tuaja të priftërisë, ju merrni pjesë me Perëndinë në punën e Tij që “të bë[ni] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”. Përvoja si këto e rritin dëshirën tuaj dhe ju përgatitin të jepni mësim për pendimin dhe të pagëzoni njerëz të kthyer në besim kur të jeni misionarë. Ato gjithashtu ju përgatitin për shërbimin gjatë gjithë jetës në Priftërinë Melkizedeke.
Gjon Pagëzori, Shembulli Ynë
Mbajtës të Priftërisë Aarone, ne kemi privilegjin dhe detyrën për të qenë bashkëshërbëtorë me Gjon Pagëzorin. Gjoni u dërgua si lajmëtar i autorizuar për të dhënë dëshmi për Krishtin dhe për t’i ftuar të gjithë të pendoheshin e të pagëzoheshin – domethënë, ai ushtroi çelësat e Priftërisë Aarone që kemi diskutuar. Gjoni më pas shpalli: “Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë … ; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin”.
Prandaj, Priftëria Aarone, me çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit përgatitor, përgatit udhën për fëmijët e Perëndisë që të marrin, nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke, dhuratën e Frymës së Shenjtë, dhuratën më të madhe që mund të marrim në këtë jetë.
Ç’përgjegjësi të rëndësishme u ka dhënë Perëndia mbajtësve të Priftërisë Aarone!
Një Ftesë dhe Premtim
Prindër dhe udhëheqës të priftërisë, a mund ta kuptoni rëndësinë e këshillës së Presidentit Monson për t’i ndihmuar të rinjtë të kuptojnë se “çfarë do të thotë … të jenë mbajtës të priftërisë së Perëndisë”? Të kuptuarit dhe të lartësuarit e Priftërisë Aarone do t’i përgatitin për të qenë mbajtës besnikë të Priftërisë Melkizedeke, misionarë të mbushur me fuqi dhe bashkëshortë e etër të drejtë. Nëpërmjet shërbimit të tyre, ata do ta kuptojnë dhe do ta ndiejnë realitetin e fuqisë së priftërisë, fuqisë për të vepruar në emër të Krishtit për shpëtimin e fëmijëve të Perëndisë.
Të rinj, Perëndia ka një punë për ju për ta bërë. Shugurimi juaj në Priftërinë Aarone është thelbësor për t’i ndihmuar fëmijët e Tij që të marrin fuqinë shlyese të Krishtit. Unë premtoj se kur i vini këto detyra të shenjta në qendër të jetës suaj, ju do të ndieni fuqinë e Perëndisë si kurrë më parë. Ju do ta kuptoni identitetin tuaj si bir i Perëndisë, i thirrur me një thirrje të shenjtë për të bërë punën e Tij. Dhe, si Gjon Pagëzori, ju do të ndihmoni për të përgatitur udhën për ardhjen e Birit të Tij. Për këto të vërteta unë jap dëshmi, në emrin e Jezu Krishtit, amen.