Shih! Një Ushtri Mbret’rore
Çfarë gëzimi do të jetë për të gjithë mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke të kenë bekimin që të japin mësim, të mësojnë e të shërbejnë krah për krah.
Vëllezërit e mi të dashur në priftëri, është me përulësi të madhe që qëndroj përpara jush në këtë rast historik, me detyrë të caktuar nga profeti dhe Presidenti ynë i dashur, Rasëll M. Nelson. Sa e dua dhe e mbështet këtë burrë të mrekullueshëm të Perëndisë dhe Presidencën tonë të Parë të re! Ia shtoj dëshminë time asaj të Plakut D. Tod Kristoferson dhe Vëllezërve të mi të tjerë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve se ndryshimet e lajmëruara këtë mbrëmje janë vullneti i Zotit.
Siç u tha nga Presidenti Nelson, kjo është një çështje që është diskutuar dhe marrë në shqyrtim plot lutje nga Vëllezërit kryesues të Kishës për një kohë të gjatë. Dëshira ishte që të kërkonim vullnetin e Zotit dhe t’i forconim kuorumet e Priftërisë Melkizedeke. Frymëzimi u mor dhe këtë mbrëmje profeti ynë e bëri të njohur vullnetin e Zotit. “Sepse Zoti [Perëndi], nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve”! Sa të bekuar jemi që kemi një profet të gjallë sot!
Gjatë gjithë jetës sonë, unë dhe Motra Rasband kemi udhëtuar nëpër botë me detyra të ndryshme të Kishës dhe profesionale. Kam parë pothuaj çdo lloj trajte njësish në Kishë: një degë të vogël në Rusi ku numri i anëtarëve të Priftërisë Melkizedeke mund të numërohej me gishtat e një dore, një lagje të re dhe në rritje në Afrikë ku edhe priftërinjtë e lartë edhe pleqtë takoheshin si një trup i vetëm ngaqë numri i përgjithshëm i mbajtësve të Priftërisë Melkizedeke ishte i ulët, dhe lagje të organizuara mirë ku numri i pleqve kërkonte ndarjen e kuorumit të tyre në dy kuorume!
Kudo që kemi shkuar, e kemi dëshmuar dorën e Zotit duke shkuar përpara shërbëtorëve të Tij, duke i përgatitur paraprakisht njerëzit dhe udhën në mënyrë që të gjithë fëmijët e Tij të mund të bekohen sipas çdo nevoje që kanë. A nuk na ka premtuar Ai se “do të shkojë përpara fytyrës s[onë]” dhe do të “je[të] në të djathtën e në të majtën t[onë]” dhe se “Shpirti [i Tij] do të jetë në zemrat t[ona] e engjëjt e [Tij] përreth [nesh]”?
Duke menduar për të gjithë ju, më vjen në mendje himni, “Shih! Një Ushtri Mbret’rore”.
Plaku Kristoferson u ka dhënë përgjigje disa pyetjeve që me siguri do të ngrihen nga lajmërimi se grupet e priftërinjve të lartë dhe të kuorumeve të pleqve, në nivel lagjeje, po bashkohen në një ushtri të bashkuar, të fuqishme të vëllezërve të Priftërisë Melkizedeke.
Këto përshtatje do t’i ndihmojnë kuorumet e pleqve dhe Shoqatat e Ndihmës që ta harmonizojnë punën e tyre. Ato gjithashtu do ta thjeshtojnë bashkërendimin e kuorumit me peshkopatën dhe këshillin e lagjes. Dhe ato e lejojnë peshkopin që t’u delegojë më shumë përgjegjësi presidentit të kuorumit të pleqve dhe presidentes së Shoqatës së Ndihmës, në mënyrë që peshkopi dhe këshilltarët e tij të mund të përqendrohen te detyrat e tyre kryesore – veçanërisht te kryesimi mbi të rejat dhe të rinjtë që mbajnë Priftërinë Aarone.
Ndryshimet në organizatat dhe funksionet e Kishës nuk janë të pazakonta. Në vitin 1883, Zoti i tha Presidentit Xhon Tejlor: “[Lidhur] me administrimin dhe organizimin e Kishës dhe të Priftërisë sime … unë do t’ju zbuloj, herë pas here, nëpërmjet kanaleve që kam caktuar, çdo gjë që do të jetë e nevojshme për zhvillimin dhe përsosjen e ardhshme të Kishës sime, për përshtatjen dhe çuarjen përpara të mbretërisë sime”.
Tani, ca fjalë për ju, vëllezër, që jeni priftërinj të lartë – dijeni se ju duam! Ati ynë në Qiell ju do! Ju jeni një pjesë e madhe e ushtrisë mbretërore të priftërisë dhe ne nuk mund ta çojmë përpara këtë punë pa mirësinë, shërbimin, përvojën dhe drejtësinë tuaj. Alma dha mësim se burrat thirren për të qenë priftërinj të lartë për shkak të besimit të tyre të jashtëzakonshëm dhe veprave të mira që t’u japin mësim dhe shërbesë të tjerëve. Ajo përvojë nevojitet tani ndoshta më shumë se kurrë.
Në shumë lagje, ne mund të kemi priftërinj të lartë që tani do të kenë mundësinë të kryesohen nga një plak si president i kuorumit të tyre. Ne kemi një praktikë të mëparshme të pleqve që kryesojnë mbi priftërinjtë e lartë: pleqtë aktualisht po shërbejnë si presidentë degësh në disa rajone të botës ku në degë banojnë priftërinj të lartë, dhe ka degë në të cilat është organizuar vetëm një kuorum pleqsh dhe priftërinjtë e lartë janë të pranishëm.
Çfarë gëzimi do të jetë për të gjithë mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke që të kenë bekimin e mësimdhënies, mësimit dhe shërbimit krah për krah me të gjithë anëtarët në lagjen e tyre! Kudo që jeni dhe cilatdo qofshin rrethanat tuaja, ne ju ftojmë që plot lutje, besim e gëzim të pranoni mundësi të reja për të udhëhequr ose që të udhëhiqeni dhe të shërbeni bashkërisht si një trup i vëllezërve të priftërisë.
Tani do të flas për çështje të tjera, të cilat mund të kenë nevojë të sqarohen, ndërsa shkojmë përpara për ta vënë në zbatim vullnetin e Zotit lidhur me organizimin e kuorumeve të Tij të priftërisë së shenjtë.
Cilat janë përshtatjet për një kuorum të priftërinjve të lartë të kunjit? Kuorumet e priftërinjve të lartë të kunjit do të vazhdojnë të funksionojnë. Presidencat e kunjeve do të vazhdojnë të shërbejnë si presidenca të kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit. Gjithsesi, siç u vu në dukje nga Plaku Kristoferson, anëtarët e kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit do të përbëhen tani nga priftërinj të lartë që po shërbejnë aktualisht në presidencën e kunjit, si anëtarë të peshkopatës së një lagjeje, si anëtarë të këshillit të lartë të kunjit dhe si patriarku veprues. Nëpunësit dhe sekretarët ekzekutivë të lagjeve dhe të kunjeve nuk janë anëtarë të kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit. Kur dikush që po shërben aktualisht si prift i lartë, patriark, I Shtatëdhjetë apo Apostull, e viziton një lagje dhe të dëshiron të marrë pjesë në mbledhjen e priftërisë, ai do të shkojë te kuorumi i pleqve.
Kur vëllezërit në këto thirrje të lirohen në kohën e duhur, ata do të kthehen në njësitë e tyre bazë si anëtarë të kuorumit të pleqve.
Cili është roli i kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit? Presidenca e kunjit mblidhet me anëtarë të kuorumit të priftërinjve të lartë për t’u këshilluar së bashku, për të dëshmuar dhe për të dhënë trajnim. Mbledhjet e kunjit siç përvijohen në manualet tona, do të vazhdojnë me dy përshtatje:
Një: Lagjet dhe kunjet nuk do të kenë më mbledhje të komitetit ekzekutiv të priftërisë. Nëse ngrihet një problem i veçantë në lagje, i tillë si një çështje delikate familjare apo një sfidë e pazakontë mirëqenieje, ai mund të trajtohet në një mbledhje të zgjeruar të peshkopatës. Çështje të tjera më pak të ndjeshme mund të trajtohen në këshillin e lagjes. Ajo që ka qenë e njohur si mbledhja e komitetit ekzekutiv të priftërisë së kunjit tani do të quhet “mbledhja e këshillit të lartë”.
Dy: Mbledhja vjetore e gjithë priftërinjve të lartë, të shuguruar në kunj nuk do të bëhet më. Megjithatë, presidenca e kunjit do të vazhdojë të bëjë një mbledhje vjetore të kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit siç u lajmërua sot.
A mund të ketë një lagje më shumë se një kuorum pleqsh? Përgjigjja është: “Po”. Në frymën e Doktrinës e Besëlidhjeve 107, vargut 89, kur një lagje ka një numër jashtëzakonisht të madh të mbajtësve aktivë të Priftërisë Melkizedeke, udhëheqësit mund të organizojnë më shumë se një kuorum pleqsh. Në raste të tilla, çdo kuorum duhet të ketë një drejtpeshim të arsyeshëm në bazë të moshës, përvojës, detyrës dhe fuqisë së priftërisë.
Dëshmoj se ndërsa shkojmë përpara me këtë ristrukturim të frymëzuar të kuorumeve në lagjet dhe kunjet tona, ne do të shohim një mori bekimesh. Më lejoni të citoj disa shembuj.
Nën drejtimin e peshkopit, më shumë burime të priftërisë mund të ndihmojnë me punën e shpëtimit. Kjo do të përfshinte mbledhjen e Izraelit nëpërmjet punës në tempull dhe të historisë familjare, punën me familjet dhe individët nevojtarë dhe ndihmën ndaj misionarëve për të sjellë shpirtra te Jezu Krishti.
Kur udhëheqësit e mëparshëm kryesues kthehen për të ndarë përvojën e tyre me kuorumin e pleqve, kjo do të rezultojë në një anëtarësi më të fortë në kuorum.
Do të ketë larmi më të madhe dhuratash dhe zotësish brenda kuorumit.
Do të ketë më shumë përshtatshmëri e gatishmëri për të plotësuar nevoja të tanishme dhe të ngutshme brenda lagjes e kuorumit dhe për përmbushjen e detyrave tona të ndryshme të dhënies së shërbesës.
Do të ketë këshillim dhe unitet më të madh teksa një plak i ri dhe një prift i lartë me përvojë tregojnë përvoja, krah për krah, në mbledhjet dhe detyrat e kuorumit.
Shpresojmë se peshkopët dhe presidentët e degëve do të lehtësohen për të lartësuar thirrjet e tyre për të qenë barinj të tufave të tyre dhe për t’u dhënë shërbesë njerëzve në nevojë.
Ne e kuptojmë se çdo lagje dhe kunj është i ndryshëm. Ndërkohë që i kuptojmë këto ndryshime, ne jemi plot shpresë se ju do ta ndiqni ecurinë e këtyre ndryshimeve menjëherë pas kësaj konference të përgjithshme. Neve na është dhënë udhëzim nga një profet i Perëndisë! Çfarë bekimi dhe përgjegjësie e jashtëzakonshme! Le ta përmbushim atë me gjithë drejtësinë dhe zellin!
Ju kujtoj: autoriteti i priftërisë vjen me anë të veçimit dhe shugurimit, por fuqia e vërtetë e priftërisë, fuqia për të vepruar në emrin e Zotit Jezu Krisht, mund të vijë vetëm nëpërmjet të jetuarit me drejtësi.
Zoti i shpalli Profetit Jozef Smithit, profetit të Rivendosjes:
“Vini re dhe shihni, unë do të kujdesem për tufat tuaja dhe do të ngre pleq e do t’i dërgoj ata.
Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë.”
Me të vërtetë, kjo është një kohë kur Zoti po e përshpejton veprën e Tij.
Le ta përdorë secili prej nesh këtë mundësi për të reflektuar e për ta përmirësuar jetën e tij që të përputhet më mirë me vullnetin e Tij, që të mund t’i meritojmë bekimet e shumta që Ai ua ka premtuar të vërtetëve dhe besnikëve.
Vëllezër, faleminderit për gjithçka që po bëni për të qenë pjesë e kësaj vepre madhështore. Shkofshim përpara në këtë kauzë të madhe e të nderuar!
O, kur lufta t’mbarojë,
Përleshja të pushoj’,
Kur që të gjith’ të mblidhen
Nën vellon e paqes,
Para Mbretit t’përjetshëm,
Ai grup i fuqishëm
Emrin e Tij e lavd’ron
Dhe këtë këng’ këndon:
Sot të gjithë ne qëndrojmë si dëshmitarë se Zoti po e zbulon vullnetin e Tij nëpërmjet profetit të Tij, Presidentit Rasëll M. Nelson. Dëshmoj se ai është profeti i Perëndisë këtu në tokë. Unë jap dëshminë time për Zotin Jezu Krisht, i cili është Shëlbuesi dhe Shpëtimtari ynë i madh. Kjo është vepra e Tij dhe ky është vullneti i Tij, për të cilin unë jap dëshmi solemne, në emrin e Jezu Krishtit, amen.