Edhe një Ditë më Shumë
Ne të gjithë kemi një “të sotme” për ta jetuar dhe çelësi për ta bërë ditën tonë të suksesshme, është të jemi të gatshëm të sakrifikojmë.
Disa vite më parë, miqtë e mi patën një foshnjë të mrekullueshme me emrin Brigam. Pas lindjes së vet, Brigami u diagnostikua me një gjendje të rrallë që quhet sindroma Hanter, që fatkeqësisht nënkuptonte se Brigami do të kishte jetë të shkurtër. Një ditë, kur Brigami dhe familja e tij po vizitonin territorin e tempullit, Brigami shqiptoi një frazë të veçantë; ai tha dy herë: “Edhe një ditë më shumë”. Pikërisht ditën tjetër, Brigami ndërroi jetë.
E kam vizituar varrin e Brigamit disa herë dhe për çdo herë, unë sjell ndër mend frazën “edhe një ditë më shumë”. Pyes veten se çfarë do të thoshte, ç’ndikim do të kishte në jetën time ta dija se do të kisha vetëm një ditë më shumë për të jetuar. Si do ta trajtoja bashkëshorten time, fëmijët e mi dhe të tjerët? Sa i durueshëm dhe i sjellshëm do të isha? Si do të kujdesesha për trupin tim? Sa me zjarr do të lutesha dhe do të kërkoja në shkrimet e shenjta? Mendoj se në një mënyrë a në një tjetër, të gjithë në njëfarë kohe do të kemi një vetëdijesim mbi frazën “edhe një ditë më shumë” – kuptimin se duhet ta përdorim me mençuri kohën që kemi.
Në Dhiatën e Vjetër lexojmë historinë e Ezekias, mbretit të Judesë. Profeti Isaia i njoftoi Ezekias se jeta e Ezekias po mbaronte. Kur dëgjoi fjalët e profetit, Ezekia filloi të lutej, të përgjërohej dhe të qante me të madhe. Në atë rast, Perëndia i shtoi 15 vite jetës së Ezekias. (Shih Isaia 38:1–5.)
Nëse do të na thuhej se do të kishim një kohë të shkurtër për të jetuar, edhe ne mund të luteshim për më shumë ditë jete për hir të gjërave që duhet t’i kishim bërë, apo t’i kishim bërë ndryshe.
Pavarësisht kohës që Zoti, në urtësinë e Tij, vendos t’i dhurojë secilit prej nesh, për një gjë mund të jemi të sigurt: ne të gjithë kemi një “të sotme” për ta jetuar dhe çelësi për ta bërë ditën tonë të suksesshme, është të jemi të gatshëm të sakrifikojmë.
Zoti tha: “Vini re, e tanishmja quhet e sotme deri në ardhjen e Birit të Njeriut dhe në të vërtetë është një ditë sakrifice” (DeB 64:23; theksimi i shtuar).
Fjala sakrificë vjen nga fjalët latinisht sacer, që do të thotë “i/e shenjtë”, dhe facere, që do të thotë “bëj”, me fjalë të tjera t’i bësh gjërat të shenjta, t’u sjellësh nder.
“Sakrifica sjell të qiellit bekime” (“Lavdi Burrit”, Himne, nr. 19).
Në ç’mënyrë sakrifica do t’i bëjë ditët tona domethënëse dhe të bekuara?
Së pari, sakrifica vetjake na forcon dhe u jep vlerë gjërave për të cilat sakrifikojmë.
Disa vite më parë në një të diel agjërimi, një motër e moshuar doli në foltore për të dhënë dëshminë e saj. Ajo jetonte në një qytet që quhej Ikuitos, që është në Amazonën peruane. Ajo na tregoi se qysh nga koha e pagëzimit, kishte pasur gjithmonë synimin e marrjes së ordinancave të tempullit në Lima të Perusë. Ajo pagoi besnikërisht të dhjetë të plotë dhe kurseu nga të ardhurat e pakta për vite.
Gëzimi i saj që shkoi në tempull dhe mori ordinancat e shenjta atje, u shpreh me këto fjalë: “Sot mund të them se më në fund ndihem gati të kaloj nëpër vel. Unë jam gruaja më e lumtur në botë; kam kursyer para, nuk e keni idenë prej sa kohësh, për të vizituar tempullin dhe pas shtatë ditësh në lumë dhe 18 orësh me autobus, unë më në fund u gjenda në shtëpinë e Zotit. Kur e lashë atë vend të shenjtë, thashë me vete, pas gjithë sakrificave që m’u deshën për të ardhur në tempull, unë nuk do të lejoj asgjë që të më bëjë ta marr me lehtësi çdo besëlidhje që bëra; do të ishte shpërdorim. Ky është zotim tepër serioz!”
Unë mësova nga kjo motër e ëmbël që sakrifica personale është një forcë e paçmueshme e cila u jep shtysë vendimeve tona dhe vendosmërisë sonë. Sakrifica personale nxit veprimet tona, zotimet e besëlidhjet tona dhe u jep gjërave të shenjta kuptim.
Së dyti, sakrificat që bëjmë për të tjerët dhe që të tjerët bëjnë për ne, rezultojnë në bekime për të gjithë.
Kur isha student stomatologjie, tabloja financiare e ekonomisë sonë vendore nuk qe shumë nxitëse. Inflacioni e ulte fort vlerën e monedhës nga dita në ditë.
Kujtoj vitin kur duhej të regjistrohesha në praktikën e kirurgjisë; duhej të kisha gjithë pajisjet e nevojshme kirurgjikale para regjistrimit në atë semestër. Prindërit e mi kursyen fondet e nevojshme. Por një natë diçka dramatike ndodhi. Ne shkuam të blinim pajisjet, vetëm për të zbuluar se shuma e parave që kishim për të blerë të gjitha pajisjet, mjaftonte tani për të blerë vetëm një palë pinceta kirurgjikale – dhe asgjë tjetër. Ne u kthyem në shtëpi me duart bosh dhe me zemra të rënduara nga mendimi që po humbisja një semestër kolegji. Befas, sidoqoftë, nëna ime tha: “Tejlor, eja me mua; le të dalim”.
Shkuam në qendrën e qytetit kur kishte shumë vende për të blerë e shitur bizhuteri. Kur arritëm në një dyqan, nëna ime nxori nga kuleta e saj një qese të vogël kadife blu që mbante një byzylyk ari të mrekullueshëm, me një gdhendje ku thuhej: “Bijës sime të dashur nga babai yt”. Ishte një byzylyk që gjyshi im ia pati dhënë në një nga ditëlindjet e saj. Pastaj, para syve të mi, ajo e shiti.
Kur mori paratë, ajo më tha: “Nëse ka një gjë për të cilën jam e sigurt, është se ti do të bëhesh dentist. Shko dhe bli të gjitha pajisjet që të duhen.” Tani, a mund ta përfytyroni se çfarë lloj studenti u bëra qysh prej atij çasti? Doja të isha më i miri dhe t’i mbaroja shpejt studimet ngaqë e dija koston e lartë të sakrificës që po bënte ajo.
Mësova se sakrificat që të dashurit tanë bëjnë për ne, na freskojnë si uji i ftohtë në mes të shkretëtirës. Një sakrificë e tillë sjell shpresë dhe motivim.
Së treti, çfarëdo sakrificë që bëjmë, është e vogël krahasuar me sakrificën e Birit të Perëndisë.
Cila është vlera qoftë edhe e një byzylyku të artë shumë të dashur krahasuar me sakrificën e vetë Birit të Perëndisë? Si mund ta nderojmë atë sakrificë të pafundme? Çdo ditë ne mund ta kujtojmë që kemi edhe një ditë më shumë për të jetuar dhe për të qenë besnikë. Amuleku dha mësim: “Po, unë do të doja që ju të vini dhe të mos ngurtësoni më zemrat tuaja; pasi vini re, tani është koha dhe dita e shpëtimit tuaj; dhe prandaj, në qoftë se ju do të pendoheni dhe nuk do të ngurtësoni zemrat tuaja, plani i madh i shëlbimit do të realizohet menjëherë për ju” (Alma 34:31). Me fjalë të tjera, nëse do t’i ofrojmë Zotit sakrificën e një zemre të thyer dhe një shpirti të penduar, menjëherë bekimet e planit të madh të lumturisë shfaqen në jetën tonë.
Plani i shëlbimit është i mundur në saje të sakrificës së Jezu Krishtit. Sikurse e përshkroi Ai Vetë, sakrifica “më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt – dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem” (DeB 19:18).
Dhe është për shkak të kësaj sakrifice, pas ndjekjes së procesit të pendimit të sinqertë, që ne mund ta ndiejmë barrën e gabimeve dhe të mëkateve tona të hiqet. Në fakt, faji, turpi, dhembja, hidhërimi dhe mendimi i keq për veten zëvendësohen me një ndërgjegje të qartë, lumturi, gëzim dhe shpresë.
Njëkohësisht, kur e nderojmë dhe jemi mirënjohës për sakrificën e Tij, ne mund të marrim në masë të madhe dëshirën e fortë për të qenë fëmijë më të mirë të Perëndisë, për të qëndruar larg mëkatit e për t’i mbajtur besëlidhjet si kurrë më parë.
Atëherë, ashtu si Enosi pas marrjes së faljes për mëkatet e tij, ne vetë do ta ndiejmë dëshirën për të sakrifikuar dhe për të kërkuar mirëqenien e vëllezërve dhe motrave tona (shih Enosi 1:9). Dhe ne do të jemi më të gatshëm në secilën “edhe një ditë më shumë” për ta ndjekur ftesën që Presidenti Hauard W. Hanter na ofroi kur tha: “Paq[t]o një grindje. Gjej një mik të harruar. Flake dyshimin dhe zëvendësoje me besim. … Jep një përgjigje të ëmbël. Nxite rininë. Shfaq besnikërinë tënde me fjalë dhe vepra. Mbaj një premtim. Shmang një mëri. Fal një armik. Kërko ndjesë. Përpiqu të kuptosh. Shqyrto kërkesat e tua ndaj të tjerëve. Mendo së pari për dikë tjetër. Ji i sjellshëm. Ji miqësor. Qesh pak më tepër. Shpreh mirënjohjen tënde. Mirëprit një të huaj. Gëzo zemrën e një fëmije. … Shprehe dashurinë tënde dhe shprehe përsëri atë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Hauart W. Hanter [2015], f. 32; përshtatur nga “What We Think Christmas Is”, McCall’s, dhjetor 1959, f. 82–83).
I mbushëshim ditët tona me atë impuls dhe forcë që na japin sakrifica vetjake dhe sakrifica që bëjmë për të tjerët ose marrim prej tyre. Dhe në një mënyrë të veçantë, gëzofshim paqen dhe gëzimin që sakrifica e të Vetëmlindurit na ofron; po, atë paqe që përmendet kur lexojmë se Adami ra që njerëzit të mund të jenë dhe njerëzit janë – ju jeni – që ju të mund të keni gëzim (shih 2 Nefi 2:25). Ai gëzim është gëzimi i vërtetë që vetëm sakrifica dhe Shlyerja e Shpëtimtarit Jezu Krisht mund ta japin.
Është lutja ime që ne të ndjekim Atë, që ne ta besojmë Atë, që ne ta duam Atë dhe që ne ta ndiejmë dashurinë e shfaqur nga sakrifica e Tij sa herë që kemi rastin të jetojmë edhe një ditë më shumë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.