Jeta dhe Shërbesa e Hauard W. Hanterit
Më 6 qershor 1994, ditën tjetër të veçimit si President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Hauard W. Hanteri bëri dy ftesa. Duke folur me një ton nxitjeje miqësore, ai tha:
“Para së gjithash, do t’i ftoja të gjithë anëtarët e Kishës të jetojnë me vëmendje gjithmonë e më të madhe sipas jetës e shembullit të Zotit Jezu Krisht, veçanërisht dashurisë dhe shpresës, dhe dhembshurisë që Ai shfaqi. Unë lutem që ne të mund ta trajtojmë njëri-tjetrin me më shumë mirësi, më shumë mirësjellje, më shumë përulësi dhe durim e falje”1.
Nxitja e njerëzve për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit pati qenë qendrore në mësimet e Presidentit Hanter për dekada. “Lutem kujtojeni këtë gjë”, pati thënë ai disa vite përpara. “Nëse jeta jonë dhe besimi ynë përqendrohen te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, asgjë nuk mund të shkojë përherë keq. Nga ana tjetër, nëse jeta jonë nuk përqendrohet te Shpëtimtari dhe mësimet e Tij, asnjë sukses tjetër nuk mund të jetë përherë i drejtë.”2
Ftesa e dytë e Presidentit Hanter ishte për anëtarët e Kishës që të marrin më plotësisht nga bekimet e tempullit:
“Unë gjithashtu i ftoj anëtarët e Kishës që ta vendosin tempullin e Zotit si simbolin e madhërishëm të anëtarësisë së tyre dhe si mjedisin hyjnor për besëlidhjet e tyre më të shenjta. Do të ishte dëshira më e thellë e zemrës sime ta kishim çdo anëtar të Kishës të denjë për në tempull. Unë do të shpresoja që çdo anëtar i rritur do të ishte i denjë – dhe do të mbante – një rekomandim tempulli aktual, edhe nëse largësia nga tempulli nuk e lejon përdorimin e menjëhershëm ose të shpeshtë të tij.
Le të jemi një popull që shkon në tempull dhe që e do tempullin. Le të nxitojmë për në tempull aq shpesh sa ta lejojë koha dhe mjetet, dhe rrethanat personale. Le të shkojmë jo vetëm për të afërmit tanë të vdekur, por le të shkojmë gjithashtu për bekimin vetjak të adhurimit në tempull, për shenjtërinë dhe sigurinë që gjendet brenda atyre mureve të shenjtëruar e të përkushtuar. Tempulli është një vend bukurie, është një vend zbulese, është një vend paqeje. Ai është shtëpia e Zotit. Ai është i shenjtë për Zotin. Ai duhet të jetë i shenjtë për ne.”3
Presidenti Hanter vazhdoi t’i theksonte këto dy ftesa gjatë gjithë shërbesës së tij si President i Kishës. Edhe pse koha e tij si President zgjati vetëm nëntë muaj, këto ftesa i frymëzuan anëtarët e Kishës kudo në botë që të jenë më shumë si Krishti dhe të kërkojnë bekimet e tempullit me përkushtim më të madh.
Fillimet
Në mesin e viteve 1800, paraardhësit e Hauard W. Hanterit në katër vende të ndryshme iu bashkuan Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Nga ana e nënës së tij, këta paraardhës ishin nga Danimarka dhe Norvegjia. Pasi emigruan nga vendet e tyre të lindjes, ata u bënë ndër kolonët më të hershëm të Maunt Plezantit në Juta. Një pasardhëse e këtyre pionierëve të guximshëm, Nelli Rasmusen, do të bëhej nëna e një profeti.
Nga ana e babait të tij, Hauardi pati paraardhës me rrënjë të thella në Skoci dhe në Nju-Inglënd. Ata që u bashkuan me Kishën sakrifikuan shumë, por shumica prej tyre nuk e vazhduan anëtarësinë e tyre pas disa vitesh. Lindja e Xhon Uilliam (Uill) Hanterit në 1879-ën shënoi fillimin e brezit të tretë në linjën e Hanterit që nuk lidhej më me Kishën. Dhe përsëri Uill Hanteri do të bëhej babai i një profeti.
Kur Uill Hanteri ishte 8 vjeç, familja e tij shkoi në Bois, Ajdaho. Rreth 16 vite më vonë, Uilli u takua me Nelli Rasmusenin kur ajo erdhi në Bois për të qëndruar te tezja dhe bashkëshorti i saj. Uilli shpejt filloi t’i shfaqë dashuri Nellit dhe pas dy vitesh i propozoi martesë. Nelli nguroi një kohë, por Uilli këmbënguli dhe më në fund ajo e pranoi propozimin. Çifti u martua në Maunt Plezant, Juta, dhe u kthye në Bois për të bërë shtëpinë e vet. Fëmija i tyre i parë, Hauard Uilliam Hanter, lindi në Bois më 14 nëntor 1907. Fëmija tjetër i tyre i vetëm, një vajzë që e quajtën Dorothi, u lind në 1909-ën.
Ndërtimi i një Themeli për Jetë
Në kohën e lindjes së Hauardit, Kisha pati vetëm një degë të vogël në Bois. Nëna e Hauardit ishte një anëtare aktive e degës që i rriti fëmijët e vet në ungjill. Për të, Hauardi tha: “Ajo ishte gjithmonë besnike. … Ajo shërbeu si presidente e Fillores dhe [e Të Rejave]. Unë mund të kujtoj që shkonim në kishë me nënën, ndonjëherë përpara orës së caktuar për mbledhjet dhe pastaj qëndronim më pas që ajo të mund të plotësonte punën e saj.”4 Edhe pse babai i Hauardit nuk ishte anëtar i Kishës, ai nuk e kundërshtoi pjesëmarrjen e familjes dhe ndonjëherë merrte pjesë me ta në mbledhjen e sakramentit.
Përveç mbajtjes së fëmijëve të saj aktivë në Kishë, Nelli Hanteri i ndihmoi të ndërtonin një themel të fortë fetar në shtëpi. “Ishte mamaja që udhëhiqte në mësimdhënien e ungjillit për ne”, kujtonte Hauardi. “Ishte te gjunjët e saj ku ne mësuam të luteshim. … Unë mora një dëshmi kur isha djalë i vogël te gjunjët e mamasë sime.”5
Dega e Boisit u bë lagje në 1913-ën, disa ditë përpara ditëlindjes së gjashtë të Hauardit. Dy vite më vonë, kur ishte tetë vjeç, Hauardi mezi priste që të pagëzohej. “Unë u gëzova shumë rreth mundësisë”, tha ai. Sidoqoftë, babai i tij nuk do t’i jepte leje. Hauardi kujtonte: “Babai … ndiente se unë duhej të prisja gjersa ta dija drejtimin që doja në jetë. Unë doja të pagëzohesha, edhe pse koha erdhi dhe kaloi pa atë bekim”6.
Ngaqë nuk qe pagëzuar, Hauardi nuk mund të shugurohej dhjak kur u bë 12 vjeç. “Në atë kohë, të gjithë miqtë e mi qenë shuguruar dhjakë”, tha ai. “Ngaqë nuk isha zyrtarisht anëtar i Kishës, unë nuk mund të bëja shumë nga gjërat që bënin ata.”7 Hauardi ishte i shkurajuar veçanërisht që nuk mund të ndante sakramentin: “Unë ulesha në mbledhjet e sakramentit me djemtë e tjerë. Kur vinte koha për ta që të shpërndanin sakramentin, unë do të zhytesha poshtë në karrigen time. Ndihesha kaq i përjashtuar.”8
Hauardi përsëri iu afrua babait të tij, këtë herë me motrën e tij 10-vjeçare, Dorothin: “[Ne] filluam ta merrnim me të mirë babanë tonë që të na lejonte të pagëzoheshim. Ne luteshim gjithashtu që ai të mund të thoshte po. Ne u gëzuam tej mase kur më në fund ai e dha pëlqimin e vet.”9 Thuajse pesë muaj pasi Hauardi u bë 12 vjeç, ai dhe Dorothi u pagëzuan në një pishinë publike. Shpejt pas kësaj, Hauardi u shugurua dhjak dhe shpërndau sakramentin për herë të parë. “Isha i trembur, por i ngazëllyer që e kisha privilegjin”, kujtonte ai.10 Midis detyrave të tjera të tij, Hauardi frynte ajër për organon dhe ndizte zjarrin për të ngrohur kishën në mëngjeset e ftohta të së dielës. “Një botë e tërë e re u hap për mua kur mësova përgjegjësitë e të qenit anëtar i Kishës dhe të mbajtjes së priftërisë”, tha ai.11
Kur ishte i ri, Hauardi iu bashkua trupës së Skuatistëve të lagjes dhe punoi shumë për të fituar çmimin më të lartë – Skautist Shqiponjë. Kur iu afrua objektivit të vet, ai u përfshi në një garë miqësore. “Kishte dy prej nesh që konkurronin për t’u bërë Skautist Shqiponjë në Bois”, kujtonte ai.12 I riu tjetër i plotësoi kërkesat i pari, por Hauardi dukej i kënaqur të ishte personi i dytë që e fitonte çmimin.13
Hauardi mësoi të ishte punëtor i zellshëm herët në jetë. Ai ndihmonte të vejat dhe fqinjë të tjerë, shiste gazeta dhe punonte në fermën e burrit të tezes së tij. Kur u rrit, punët e tij përfshinin mbartjen e çantave me shkopinjtë e golfit, shpërndarjen e telegrameve dhe punën në farmaci, në gazetë, në hotel, në market dhe në një dyqan artistik.
Dorothi Hanteri thoshte se vëllai i saj kishte një “ambicie shtytëse” dhe një “mendje të shkëlqyer”.14 Këto veti plotësoheshin me cilësitë e dhembshurisë dhe të bujarisë. Duke kujtuar mënyrat e tij dashamirëse, Dorothia thoshte: “Hauardi gjithmonë donte të bënte mirë dhe të ishte i mirë. Një vëlla i mrekullueshëm, ai më kishte në vëmendje. Ai ishte i dashur me mamanë dhe babanë tonë.”15
Dhembshuria e Hauardit shtrihej gjithashtu te kafshët. “Çdo mace e braktisur mund të gjente strehë në shtëpinë tonë, madje kundër kundërshtimeve të familjes”, thoshte ai.16 Një herë disa djem të lagjes po torturonin një kotele duke e hedhur në një kanal ujitës pranë shtëpisë së Hanterave. Sa herë që ajo zvarritej jashtë, djemtë e hidhnin përsëri brenda. Hauardi erdhi shpejt dhe e shpëtoi kotelen. “Ajo ishte shtrirë atje thuajse e ngordhur”, kujtonte Dorothia, “dhe ai e solli në shtëpi”.17
“Ajo nuk do të jetojë”, tha nëna e tij.
“Nënë, ne duhet të përpiqemi”, këmbënguli Hauardi.18
Dorothia tha se ata “e mbështollën me një batanije dhe e vunë pranë sobës së ngrohtë dhe e ushqyen”, dhe me këtë përkujdesje kotelja u rigjallërua dhe jetoi me familjen për shumë vite.
Hauardi u shugurua mësues në 1923-shin, pak para krijimit të Lagjes së Dytë të Boisit. Duke pasur nevojë për një vend tjetër për t’u mbledhur dhe duke parashikuar rritjen e ardhshme, udhëheqësit vendorë të Kishës propozuan të ndërtohej një tabernakull kunji. Shenjtorëve në Bois iu kërkua të kontribuonin 20.000 dollarë për ndërtimin e godinës.19 Në një mbledhje ku udhëheqësit bënë një thirrje për dhurime, Hauard W. Hanteri i ri ishte personi i parë që ngriti dorën dhe bëri një premtim. Shuma që ai premtoi – 25 dollarë – ishte një shumë e madhe në 1923-shin, sidomos për një 15-vjeçar. “Unë punova dhe kurseva derisa munda ta paguaja plotësisht premtimin tim”, tha ai më vonë.20 Tabernakulli përfundoi në 1925-ën dhe Presidenti Hiber J. Grant erdhi për ta përkushtuar atë në dhjetor të atij viti.21
Qysh në moshë të re, Hauardi tregoi një dhunti për muzikë dhe kur ishte adoleshent ai mësoi të luante disa instrumente. Në moshën 16-vjeçare ai formoi grupin e tij muzikor, që e quajti Krunejdërat e Hanterit. Ky grup interpretoi shpesh në vallëzime, pritje dhe ngjarje të tjera në zonën e Boisit.
Kur ishte 19 vjeç, Hauardit iu dha një kontratë për të ofruar muzikë në një anije turistike që do të shkonte në Azi. Gjatë dy muajve të parë të 1927-ës, grupi muzikor me pesë vetë i Hauardit luajti në darka dhe vallëzime ndërsa anija kaloi Paqësorin dhe ndaloi në qytete të ndryshme në Japoni, Kinë dhe Filipine. Anija turistike ishte një përvojë ndriçuese për Hauardin, duke i dhënë mundësi atij të mësonte rreth popujve të tjerë dhe kulturave të tyre. Edhe pse ai e shpenzoi shumicën e fitimeve të tij për të parë vende dhe për të bërë dhurata, ai arsyetonte: “Edukimi ishte me vlerë për atë çka shpenzuam”22.
Kohë Vendimesh të Mëdha
Hauardi erdhi në shtëpi nga turi me lajmin e gëzuar që babai i tij ishte pagëzuar kur ai ishte larguar. Të dielën tjetër, Hauardi dhe babai i tij morën pjesë në mbledhjen e priftërisë për herë të parë së bashku. Një peshkop i dashur e pati nxitur Uill Hanterin të pagëzohej dhe Hauardi tha se “ishte nëpërmjet një mësuesi [shtëpie] që u krijua një interes më i madh tek ai për kishën”.23
Pas turit, Hauardi ishte i pasigurt për të ardhmen e tij. Ai vazhdoi të merrej me aktivitete muzikore dhe punë të tjera, përfshirë vet biznesin e tij, por asnjë nga këto nuk dukej se do të ofronte një karrierë të mirë. Kur përpjekja e tij për biznes dështoi në mars të 1928-ës, ai vendosi të vizitonte një mik në Kaliforninë e Jugut. Ai planifikoi fillimisht të qëndronte vetëm për një ose dy javë, por shpejt vendosi të qëndronte dhe të kërkonte atë që e përshkroi si “punësim me mundësi”24. Në Kaliforni ai do të gjente jo vetëm karrierë, por gjithashtu gruan e tij, mundësi të gjera për të shërbyer në Kishë dhe një shtëpi për më shumë se tri dekada.
Punët e para të Hauardit në Kaliforni qenë shitje këpucësh dhe punë në një fabrikë paketimi agrumesh, ku disa ditë ai ngarkoi midis 45 dhe 50 tonë portokaj në vagonë hekurudhorë. “Nuk e dija se kishte aq shumë portokaj në botë”, thoshte ai me humor. Një ditë ai pati “një kohë të tmerrshme” sepse duhej t’i ndante limonat sipas ngjyrës dhe nuk mund të dallonte nuancat e së verdhës dhe jeshiles për shkak të verbërisë në ngjyra. “Përpara se dita të mbaronte mendova se do të çmendesha”, kujtonte ai.25
Pas dy javësh te fabrika e agrumeve, Hauardi depozitoi një kërkesë për punë në një bankë në Los Anxhelos, e cila e punësoi menjëherë dhe filloi ta ngrinte në detyrë me shpejtësi. Ai vazhdoi gjithashtu aktivitetet e tij muzikore, duke luajtur mbrëmjeve me grupe të ndryshme. Në shtator 1928, rreth gjashtë muaj pasi Hauardi shkoi në Kaliforni, familja e tij u ribashkua kur prindërit dhe motra e tij shkuan atje.
Gjatë rinisë, Hauardi pati marrë pjesë në Kishë por nuk e pati studiuar ungjillin në thellësi të madhe. Në Kaliforni ai u bë shumë më i vëmendshëm në studimin e ungjillit. “Zgjimi im i parë i vërtetë për ungjillin ndodhi në një klasë të Shkollës të së Dielës në Lagjen Adams, ku jepte mësim vëllai Piter A. Klejton”, kujtonte ai. “Ai kishte pasuri dijesh dhe aftësish për të frymëzuar të rinjtë. Unë i studioja mësimet, lexoja ato që na caktonte për në shtëpi dhe merrja pjesë duke folur për temat që caktoheshin. … Unë e mendoj këtë periudhë të jetës sime si një kohë të vërtetash të ungjillit që filluan të shpaloseshin. Unë gjithmonë kisha dëshmi për ungjillin, por befas unë fillova ta kuptoj.”26 Për Hauardin, përvojat në atë klasë të Shkollës të së Dielës filluan një dashuri të përhershme për studimin e ungjillit.
Hauardit i pëlqente të shoqërohej me të rinjtë e tjerë në moshë madhore në zonën e Los Anxhelosit. Ata merrnin pjesë së bashku në Kishë, ndonjëherë duke shkuar në dy ose tri lagje në një të diel dhe duke marrë pjesë në një mori të gjerë veprimtarish. Një nga ato veprimtari pati rëndësi të përhershme për Hauardin. Disa muaj pasi arriti në Kaliforni, ai dhe disa miq morën pjesë në një vallëzim në Kishë dhe pastaj shkuan në plazh për t’u shllapuritur në oqean. Atë mbrëmje Hauardi takoi Klara Mej (Kler) Xhefsin, që ishte në një takim me një nga miqtë e tij. Hauardi dhe Klera shpejt krijuan një tërheqje të ndërsjellë që lulëzoi në dashuri.
Ata dolën në takime disa herë në 1928-ën dhe u bënë më serioze vitin tjetër. “Ajo kishte flokë gështenjë dhe ishte një vajzë shumë e bukur”, thoshte më vonë Hauardi. “Unë mendoj se gjëja që më la më shumë mbresë ishte thellësia e dëshmisë së saj.”27 Në një mbrëmje pranvere në 1931-shin, afërsisht tre vjet pasi ishin takuar, Hauardi e mori Klerën te një vend për të vështruar Oqeanin Paqësor. Atje ai i propozoi martesë dhe ajo pranoi. Hauardi kujtonte:
“Ne shkuam me makinë në Palos Verdes dhe parkuam mbi shkëmbinjtë ku mund të vështronim valët që vrundullonin nga Paqësori dhe thyheshin mbi shkëmbinjtë në dritën e një hëne të plotë. Ne folëm rreth planeve tona dhe unë i vura një unazë diamanti në gisht. Ne morëm shumë vendime atë natë dhe disa vendime të forta lidhur me jetën tonë.”28
Ato vendime ndikuan te Hauardi që të merrte një vendim që i ndryshoi jetën katër ditë përpara dasmës. Pasi grupi i tij interpretoi atë natë, ai i paketoi instrumentet e tij dhe nuk luajti kurrë më si profesionist. Ofrimi i muzikës për vallëzime dhe mbrëmje “ishte magjepsëse në shumë aspekte”, thoshte ai, “dhe unë bëja mjaft para”, por ai ndiente se pjesë të stilit të jetës nuk përputheshin me jetën që ai planifikonte për familjen e tij. “Kjo la një zbrazëti për diçka që më kishte kënaqur, [por] për vendimin nuk më ka ardhur keq asnjëherë”, tha ai vite më vonë.29 Biri i tij, Riçard, vërejti: “Unë kam menduar shpesh për disiplinën e shkëlqyer (unë e quaj vendosmëri e madhe) që iu desh për të hequr dorë nga diçka që e donte thellësisht ngaqë vlerësonte më shumë diçka tjetër”30.
Sfida dhe Bekime Gjatë Viteve të Hershme të Martesës
Hauardi dhe Klera u martuan në Tempullin e Solt-Lejkut më 10 qershor 1931 dhe u kthyen në Kaliforninë e Jugut për të filluar jetën e tyre së bashku. Kushtet e biznesit në Shtetet e Bashkuara po përkeqësoheshin për shkak të Depresionit të Madh dhe në janar të 1932-shit banka ku punonte Hauardi u detyrua të mbyllej. Për dy vitet e tjera ai punoi në një mori punësh, duke u përpjekur të mbajë familjen. Ai dhe Klera qenë të vendosur të jenë të pavarur për aq kohë sa të mundnin, por pas një viti ata pranuan një ftesë për të jetuar me prindërit e Klerës për një kohë.
Më 20 mars 1934, lindi fëmija i parë i Hauardit dhe Klerës, një djalë që ata ia vunë emrin Hauard Uilliam Hanter i Riu dhe e quajtën Billi. Ata vunë re atë verë se Billi dukej i përgjumur. Mjekët e diagnostikuan me anemi dhe Hauardi dha dy herë gjak për transfuzion, por gjendja e Billit nuk u përmirësua. Testet e mëtejshme zbuluan një problem serioz në traktin tretës dhe mjekët rekomanduan operacion. Hauardi kujtonte: “Më çuan te dhoma në një tryezë pranë tij dhe dhashë gjak gjatë operacionit. Në përfundim, mjekët nuk ishin shpresëdhënës”.31 Tri ditë më vonë, Billi shtatëmuajsh u nda nga jeta ndërsa prindërit e tij qëndronin pranë shtratit të tij. “Ne ishim të goditur nga brenga dhe të mpirë ndërsa u larguam nga spitali nëpër natë”, shkroi Hauardi.32 “Kjo ishte një goditje e fortë për ne.”33
Dy muaj përpara se të lindte Billi, Hauardi pati gjetur punë në Distriktin e Kontrollit të Përmbytjeve në Kontenë e Los Anxhelosit. Puna atje e njohu atë me dokumente ligjore dhe procedura gjyqësore dhe ai vendosi të ndjekë karrierën si jurist. Përmbushja e atij qëllimi kërkonte vite vendosmërie dhe pune të rëndë. Duke mos pasur një diplomë kolegji, Hauardi duhej të plotësonte shumë orë mësimore përpara se të mund të pranohej në shkollën juridike. Ai i bëri orët mësimore natën ngaqë duhej të vazhdonte të punonte. Edhe gjatë viteve në shkollën juridike, ai vazhdoi të punonte me kohë të plotë. “Të punoje gjithë ditën dhe të shkoje në shkollë natën, dhe, përveç kësaj, të gjeje kohë të studioje, nuk ishte detyrë e lehtë”, shkroi ai.34 “Nuk ishte e pazakontë për mua të studioja deri vonë natën.”35 Hauardi mbajti rregull të rreptë për pesë vite, duke u diplomuar përfundimisht në 1939-ën si i treti në klasën e tij.
Ndërkohë që Hauardi ishte në shkollën juridike, dy djem të tjerë u lindën Klerës dhe atij – Xhoni në 1936-ën dhe Riçardi në 1938-ën. Në saje të punës së Hauardit në Distriktin e Kontrollit të Përmbytjeve, familja mundi të blinte një shtëpi të vogël.
Peshkopi i Lagjes El Sereno
Në 1940-ën, rreth një vit pasi Hauardi u diplomua në shkollën juridike, ai u thirr të shërbente si peshkop në Lagjen e krijuar rishtas El Sereno në Kaliforni. I befasuar nga kjo thirrje, ai tha: “Unë e pata menduar një peshkop si një burrë të moshuar dhe pyeta se si mund të jem babai i lagjes në moshën e re prej tridhjetë e dy”. Presidenca e kunjit u përgjigj duke e siguruar se ai mund të jetë “i plotë për detyrën”. Edhe pse Hauardi ndihej i hutuar, ai premtoi: “Unë do të bëj më të mirën”.36 Ai e përmbushi atë premtim me angazhim, frymëzim dhe dhembshuri të madhe gjatë më shumë se gjashtë viteve të tij të shërbimit si peshkop.
Edhe një herë, Hauardi u përball me kërkesa të vështira në programin dhe energjinë e tij, por ai ndjeu se shërbimi i tij i dha shumë bekime. “Unë e gjeta veten të zhytur në përgjegjësi dërrmuese”, tha ai. “Ishte një punë e lavdishme dhe një bekim i madh.”37
Një nevojë e ngutshme për lagjen e re ishte të gjeje vend për t’u mbledhur. Peshkopata mori me qira disa dhoma në një ndërtesë vendase dhe anëtarët e lagjes filluan të mblidhnin fonde për shtëpinë e vet të mbledhjeve. Ndërtimi i godinave të Kishës shpejt u ndërpre për shkak të Luftës II Botërore, por anëtarët e lagjes vështronin tek e ardhmja dhe vazhduan të mbledhin para. Për një nga burimet e fondit, i njohur si “projekti i qepës”, ata shkuan te një linjë turshish për të pastruar qepë. Era e qepëve do të mbetej, gjë që e nxiti Peshkopin Hanter të vërente me humor: “Ishte e lehtë të dalloje në mbledhjen e sakramentit nëse një person kishte prerë qepë”.38
Burime të tjera fondi përfshinin grirjen e lakrave në një linjë turshie lakrash dhe paketimin e shitjen e drithërave me tepricë të vaktit të mëngjesit. “Këto ishin ditë të lumtura kur ne punonim së bashku, njerëz të të gjitha klasave dhe aftësive duke mbështetur peshkopatën për të mbledhur fonde për ndërtimin e një kishe”, kujtonte Peshkopi Hanter. “Lagjja jonë ishte si një familje e madhe e lumtur.”39 Pas shumë durimi dhe sakrifice, qëllimi i shtëpisë së mbledhjeve të lagjes më në fund u realizua në 1950-ën, afërsisht katër vjet pasi Hauardi ishte liruar si peshkop.
Të qenit peshkop gjatë Luftës II Botërore paraqiste sfida të pashoqe. Shumë anëtarë meshkuj të lagjes qenë duke shërbyer në forcat e armatosura, duke i lënë familjet pa bashkëshortë dhe baballarë në shtëpi. Numri i paktë i burrave paraqiste gjithashtu sfida në plotësimin e thirrjeve të Kishës. Si rrjedhim, gjatë një pjese të kohës së tij si peshkop, Hauardi shërbeu gjithashtu si udhëheqës i skautistëve të rinj. “Ne patëm një grup të rinjsh të mrekullueshëm që nuk mund të liheshin mënjanë”, tha ai. “Unë punova me djemtë për thuajse dy vjet dhe ata bënë një përparim të mrekullueshëm.”40
Hauardi u lirua si peshkop më 10 nëntor 1946. “Unë do të isha gjithmonë mirënjohës për këtë privilegj dhe ato që mësova gjatë atyre viteve”, tha ai. Edhe pse përvoja ishte “e vështirë për shumë vite”, ai dhe Klera “qenë mirënjohës për vlerat që solli në familjen [e tyre]”.41 Duke shprehur mirënjohje për shërbimin e Peshkopit Hanter, një anëtar i lagjes shkroi: “Ai e bashkoi anëtarësinë e lagjes sonë të vogël në një përpjekje të bashkuar dhe na mësoi të përmbushnim qëllimet që dukeshin tej mundësive tona. Ne punuam së bashku si lagje, ne u lutëm së bashku, luajtëm së bashku dhe adhuruam së bashku”42.
Edhe pse Hauardi u lirua në 1946-ën, lidhja e tij e veçantë me anëtarët e Lagjes El Sereno vazhdoi. Biri i tij, Riçard, tha se “deri në fund të jetës së tij, ai qëndroi në kontakt me ta dhe e dinte se ku ishin ata dhe cilat qenë rrethanat ku gjendeshin. Kurdoherë që udhëtonte në një vend ku [jetonte] një nga anëtarët e lagjes së vjetër, ai do të mbante kontakt me ta. Dashuria që ai pati për anëtarët e lagjes vazhdoi gjithë jetën e tij”43.
Formimi i një Familjeje dhe Ndërtimi i një Karriere
Hauard dhe Kler Hanteri ishin prindër të dashur që u mësuan bijve të tyre vlerat, përgjegjësitë dhe rëndësinë e ungjillit. Shumë përpara se Kisha të caktonte mbrëmjen e së hënës për mbrëmje familjare, familja Hanter e veçonte atë mbrëmje si kohë për mësimdhënie, tregim historish, luajtje lojërash dhe shkuarje diku së bashku. Kur familja udhëtonte, ata ndonjëherë shkonin në tempuj kështu që Xhoni dhe Riçardi mund të kryenin pagëzime mëkëmbëse për të vdekurit. Hauardit dhe bijve të tij u pëlqente gjithashtu të ndërtonin modele trenash, të shkonin në kampingje dhe të bënin veprimtari të tjera jashtë së bashku.
Hauardi edhe punonte me kohë të plotë edhe shkonte në shkollën juridike kur lindën Xhoni dhe Riçardi, dhe ai u thirr të ishte peshkop kur ata ishin shumë të vegjël – mosha katër dhe dy vjeç – kështu të ndërtuarit e një familjeje të fortë kërkonte një masë përkushtimi shtesë nga Klera. Ajo e dha atë përkushtim me gëzim. “Dëshira dhe ambicia ime më e madhe … ka qenë të jem një bashkëshorte e mirë, të jem një shtëpiake e mirë dhe të jem një nënë vërtet e mirë”, tha ajo. “Ne punuam fort së bashku për t’i mbajtur djemtë tanë pranë Kishës; djemtë dhe unë patëm kohë të mrekullueshme së bashku.”44 Hauardi e nderoi shpesh Klerën për ndikimin dhe sakrificat e saj në rritjen e bijve të tyre.
Gjatë viteve të rritjes së familjes dhe shërbimit në thirrje udhëheqëse të Kishës, Hauardi ngriti gjithashtu një firmë të suksesshme juridike. Duke punuar kryesisht me klientë biznesi dhe korporatash, ai u bë një avokat shumë i respektuar në Kaliforninë Jugore. Ai u zgjodh të shërbente në një trupë drejtorësh të më shumë se njëzetë e katër shoqërive.
Në profesionin e tij, Hauardi njihej për ndershmërinë, mendimin e saktë, komunikimet e qarta dhe ndjesinë e paanësisë. Ai ishte i njohur gjithashtu si “avokat i popullit” – dikush që “gjithmonë dukej të kishte kohë dhe interes për të ndihmuar njerëzit me problemet e tyre”45. Një avokat tha se Hauardi “ishte shumë më tepër i shqetësuar të shihte që njerëzit e merrnin ndihmën që u nevojitej sesa të merrte shpërblim për atë ndihmë”46.
Presidenti i Kunjit të Pasadenës në Kaliforni
Në shkurt të 1950-ës, Plaku Stefen L. Riçards dhe Plaku Harold B. Li, të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, udhëtuan për në Kaliforni për të ndarë Kunjin e Pasadenës që po rritej me shpejtësi. Ata intervistuan shumë vëllezër në kunj, përfshirë Hauardin. Pas shqyrtimit plot lutje se cilin do të vinte Zoti për të shërbyer si president i kunjit, afër mesnatës ata e ftuan Hauardin dhe i dhanë thirrjen. Plaku Riçards dhe Plaku Li i thanë të bënte një gjumë të mirë dhe t’u telefononte atyre herët në mëngjesin tjetër me rekomandimin e tij për këshilltarët. “Unë shkova në shtëpi atë natë, por nuk fjeta”, tha Hauardi. “Thirrja ishte dërrmuese. Klera dhe unë biseduam për një kohë të gjatë.”47
Pasi u mbështetën, Presidenti Hanter dhe këshilltarët e tij filluan të vlerësonin nevojat në kunj. Një përparësi e madhe për presidencën e re të kunjit ishte të ndihmoheshin anëtarët të rritnin fuqinë shpirtërore. Një shqetësim ishte se familjet po bëheshin të ndara, pjesërisht ngaqë qenë përfshirë në aq shumë veprimtari. Pasi u lutën dhe u këshilluan së bashku, udhëheqësit ndien se duhej t’i vinin theksin mbrëmjes familjare dhe t’i rezervonin mbrëmjet e së hënës për familjet. Të gjitha ndërtesat e Kishës në kunj u mbyllën mbrëmjeve të të hënave dhe “nuk do të bëhej asnjë veprimtari tjetër, që do të kishte përplasje me atë mbrëmje të shenjtë”, shpjegoi Presidenti Hanter.48
Herët në shërbimin e tij, Presidenti Hanter dhe presidentë të tjerë kunji në Kaliforninë Jugore u takuan me Plakun Stefen L. Riçards për të diskutuar një program seminari për studentët e shkollave të mesme. Presidenti Hanter kujtonte: “[Plaku Riçards] shpjegoi se ata do të donin të provonin një eksperiment me orë mësimore seminari herët në mëngjes në një zonë ku ligji nuk siguronte orë të lirë mësimore [nga shkolla] për arsimim fetar”49. Presidenti Hanter ishte caktuar kryetar i një komiteti që studioi zbatueshmërinë e idesë. Pas përfundimit të studimit, komiteti rekomandoi të paraqitej seminari herët në mëngjes për studentët e tri shkollave të mesme. Kur ishte i ri, i biri i Presidentit Hanter, Riçardi, ishte pjesë e eksperimentit të seminarit herët në mëngjes. Ai kujtonte: “Ne pyetnim veten nëse dikujt i kishte ikur mendja që të kishte një orë mësimore në orën 06:00 të mëngjesit, por ajo u bë koha jonë e parapëlqyer e ditës, ku mund të ishim bashkë si miq të Kishës dhe të mësonim”50. Ky program shpejt u shtri te studentë të tjerë dhe ishte pararendës i programit të seminarit herët në mëngjes për të rinjtë e Kishës.
Në konferencën e përgjithshme të tetorit 1951, Presidenca e Parë u takua me presidentët e kunjeve të Kalifornisë Jugore për të njoftuar dëshirën e tyre për ndërtimin e një tempulli në Los Anxhelos. Perspektiva e pasjes së një tempulli pranë solli gëzim të madh – dhe do të kërkonte sakrificë të madhe, pasi anëtarëve të Kishës iu kërkua të kontribuonin 1 milionë dollarë për ndërtimin e tij. Kur u kthye në Kaliforni, Presidenti Hanter u takua me udhëheqësit e kunjeve dhe të lagjeve dhe u tha: “U jepni njerëzve mundësinë të marrin bekime të mëdha duke kontribuar bujarisht për tempullin”51. Brenda gjashtë muajsh, anëtarët në Kaliforninë Jugore patën premtuar 1.6 milionë dollarë për ndërtimin e tempullit, që u përkushtua në 1956-ën.
Përveç kontributit me fonde për tempullin dhe ndërtesa të tjera të Kishës, anëtarët ofruan punë vullnetare. Kur shtëpitë e mbledhjeve qenë ndërtuar, Presidenti Hanter shpenzoi shumë orë duke ndihmuar me lopatë, çekiç apo furçë lyerjeje. Përveç kësaj, anëtarët ofruan punë vullnetare për projekte mirëqenieje të Kishës, që përfshinin ferma shpendësh, pemishte agrumesh dhe linja konservash. Për tetë vite, Presidenti Hanter pati detyrën të bashkërendonte punën e 12 kunjeve në këto projekte dhe ai shpesh ndihmoi vetë në punë. “Ai kurrë nuk i kërkoi ndonjërit që të bënte diçka ose të merrte një detyrë që ai vetë nuk do ta bënte”, vërejti një mik.52 Vite më vonë, kur ishte anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, Plaku Hanter tha:
“Unë nuk kam qenë kurrë në një projekt mirëqenieje të mërzitshëm. Unë u jam ngjitur pemëve dhe kam mbledhur limona, kam qëruar fruta, kam përdorur ngrohës uji, kam mbartur kuti, kam shkarkuar kamionë, kam pastruar linja konservimi dhe njëmijë e një gjëra të tjera, por gjërat që mbaj mend më shumë janë e qeshura dhe kënga dhe shoqëria e mirë e njerëzve të angazhuar në shërbim të Zotit”.53
Në nëntor 1953, Presidenti dhe Motra Hanter dhe anëtarë të tjerë të Kunjit të Pasadenës udhëtuan për në tempullin e Mesas në Arizona për të bërë punë me ordinancat. Më 14 nëntor ishte ditëlindja e 46-të e Presidentit Hanter dhe përpara se të fillonte një sesion atë ditë, presidenti i tempullit i kërkoi atij t’u drejtohej atyre që ishin mbledhur në kishë. Ai më vonë shkroi për këtë përvojë:
“Ndërsa po flisja përpara kongregacionit, … babai dhe nëna ime erdhën në kishë të veshur me të bardha. Nuk e dija fare që babai im ishte përgatitur për bekimet e tij të tempullit, edhe pse Nëna për një kohë kishte qenë e merakosur për këtë. U pushtova aq shumë nga emocioni sa nuk isha në gjendje të vazhdoja të flisja. Presidenti Piërs [presidenti i tempullit] erdhi pranë meje dhe më shpjegoi arsyen e ndërprerjes. Kur erdhën në tempull atë mëngjes, babai dhe nëna ime i kishin kërkuar presidentit të mos ma përmendte që ata ishin atje, sepse donin të ishte surprizë ditëlindjeje. Kjo ishte një ditëlindje që nuk e kam harruar kurrë sepse në atë ditë ata morën dhurimin [indaumentin] dhe unë pata privilegjin e dëshmimit të vulosjes së tyre, pas së cilit unë u vulosa me ta.”54
Rreth tre vite më vonë, lidhjet e përjetshme të familjes së Presidentit Hanter u kompletuan kur Dorothia u vulos me prindërit e saj në Tempullin e përkushtuar rishtas të Los Anxhelosit në Kaliforni.
Kur ishte president kunji, Hauardi udhëhoqi me dashuri. Një grua që shërbente në një thirrje në kunj tha: “Ti ndiheshe e vlerësuar, e kërkuar dhe e nevojshme. … Ai i bënte njerëzit të përgjegjshëm kur merrnin një thirrje, por nëse u nevojitej opinioni ose këshilla e tij, ai ishte gjithmonë atje. Ne e dinim se kishim mbështetjen dhe interesimin e plotë të tij”.55 Një nga këshilltarët e tij vuri në dukje: “Ai i lavdëronte njerëzit për arritjet e tyre dhe i lejonte të ngriheshin në pritshmëri të larta”56. Një anëtare kunji e cila tha se Presidenti Hanter ishte mësuesi i saj më me ndikim shpjegoi: “Ky burrë i donte të tjerët duke i vendosur në përparësi të lartë, duke i dëgjuar me vëmendje për t’i kuptuar dhe duke ndarë përvojat e veta me të tjerët”57.
Nga vjeshta e 1959-ës, Hauard W. Hanteri kishte kryesuar në Kunjin e Pasadenës për më shumë se nëntë vite, duke dhënë shërbim që pati bekuar jetën e mijëra shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Kaliforninë Jugore. Shërbesa e tij synonte të zgjerohej për të bekuar jetën e anëtarëve të Kishës kudo në botë.
Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve
“Ti duhet t’u japësh dëshmi për emrin tim, … dhe ti duhet ta dërgosh fjalën time deri në fundet e tokës” (DeB 112:4).
Më 9 tetor 1959, midis sesioneve të konferencës së përgjithshme në Solt-Lejk-Siti, Hauardi mësoi se Presidenti Dejvid O. Mek-Kei donte ta takonte. Ai menjëherë shkoi te Ndërtesa e Administratës së Kishës, ku Presidenti Mek-Kei e përshëndeti ngrohtësisht dhe i tha: “President Hanter, … Zoti foli. Ju jeni thirrur të jeni një nga dëshmitarët e tij të veçantë dhe nesër do të mbështeteni si anëtar i Këshillit të Të Dymbëdhjetëve.”58 Lidhur me këtë përvojë, Hauardi shkroi:
“Nuk mund të tentoj ta shpjegoj ndjenjën që erdhi tek unë. Lotët më dolën në sy dhe nuk mund të flisja. Nuk jam ndier kurrë aq tërësisht i përulur sa në çastin kur u ula në praninë e këtij burri të mrekullueshëm, të ëmbël, të dashur – profetit të Zotit. Ai më tha se çfarë gëzimi të madh do të sillte kjo në jetën time, shoqërimin e mrekullueshëm me vëllezërit, dhe se këtej e tutje jeta dhe koha ime do të përkushtoheshin si shërbëtor i Zotit dhe se këtej e tutje do t’i përkisja Kishës dhe gjithë botës. … Ai më hodhi krahët dhe më siguroi se Zoti do të më donte dhe do të kisha mbështetjen e sigurt të Presidencës së Parë dhe të Këshillit të Të Dymbëdhjetëve. … Unë [i thashë] se do ta jepja me gëzim kohën time, jetën time dhe gjithçka që kisha për këtë shërbim.”59
Sapo la zyrën e Presidentit Mek-Kei, Hauardi shkoi në dhomën e tij në hotel dhe i telefonoi Klerës, që ishte në Provo duke vizituar birin e tyre Xhon, gruan e tij dhe fëmijën e tyre. Në fillim Hauardi mezi mund të fliste. Kur më në fund i tregoi Klerës për thirrjen, ata të dy u pushtuan nga emocioni.
Ditën tjetër, në sesionin e paradites të së shtunës të konferencës së përgjithshme, Hauard Uilliam Hanteri u mbështet si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Unë ndjeva … peshën e botës mbi shpatullat e mia”, tha ai për atë kohë. “Ndërsa konferenca vazhdonte unë isha në siklet të madh dhe pyesja veten nëse do të mund të ndieja ndonjëherë se ky ishte vendi im i duhur.”60
Presidenti Mek-Kei iu drejtua Plakut Hanter që të fliste në sesionin e pasdites të së dielës të konferencës. Pasi përmblodhi shkurt jetën e tij dhe dha dëshminë e tij, ai tha:
“Nuk justifikohem për lotët që më dolën në sy në këtë rast ngaqë besoj se kam përballë miq, vëllezër dhe motra të mia në Kishë, zemrat e të cilëve rrahin njësoj si imja sot, në gëzimin për ungjillin dhe në shërbim të të tjerëve.
President Mek-Kei, … unë e pranoj, pa rezerva, thirrjen që më keni bërë dhe jam i gatshëm t’ia kushtoj jetën time dhe gjithçka kam këtij shërbimi. Motra Hanter bashkohet me mua në këtë zotim.”61
Plaku Hanter u shugurua Apostull më 15 tetor 1959. Në moshën 51-vjeçare, ai ishte anëtari më i ri i Të Dymbëdhjetëve, mosha mesatare e të cilëve atë kohë ishte afërsisht 66 vjeç.
Për 18 muajt e tjerë, Plaku Hanter lëvizi rregullisht midis Kalifornisë dhe Jutas ndërsa plotësonte punën e nevojshme në firmën e tij juridike dhe përgatitej të lëvizte. Një nga klientët e tij tha se “Kisha duhet të ketë bërë një ofertë shumë tërheqëse” për ta joshur të linte një firmë të tillë të suksesshme juridike. Lidhur me këtë, Plaku Hanter shkroi në ditarin e tij:
“Shumë njerëz nuk e kuptojnë përse njerëz të besimit tonë fetar u përgjigjen thirrjeve të bëra për të shërbyer ose zotimit që bëjmë për të dhënë gjithçka kemi. … Unë e kam pëlqyer tërësisht punën me drejtësinë, por kjo thirrje që më ka ardhur do të jetë tejet më e rëndësishme sesa profesioni apo përfitimi monetar.”62
Shërbesa apostolike e Plakut Hanter do të zgjaste më shumë se 35 vjet, dhe gjatë asaj kohe ai do të udhëtonte në thuajse çdo vend të botës për të përmbushur detyrën e tij si dëshmitar i veçantë i Jezu Krishtit (shih DeB 107:23).
Shoqata Gjenealogjike e Jutas
“Le t’i ofrojmë Zotit … një libër që përmban analet e të vdekurve tanë, të cilët do të jenë të denjë për t’u pranuar plotësisht” (DeB 128:24).
Në 1964-ën, Presidenca e Parë caktoi Plakun Hanter të jetë president i Shoqatës Gjenealogjike të Kishës, që atëherë njihej si Shoqata Gjenealogjike e Jutas. Ajo organizatë ishte pararendëse e Departamentit të Kishës për Historinë Familjare. Qëllimi i saj ishte të mblidhte, të ruante dhe të ndante informacion gjenealogjik kudo në botë. Plaku Hanter kryesoi në shoqatë për tetë vjet dhe gjatë asaj kohe ai mbikëqyri ndryshime me ndikim afatgjatë në përshpejtimin, cilësinë dhe zgjerimin e punës për historinë e familjes.
Në 1969-ën organizata pati grumbulluar “më shumë se 670.000 bobina mikrofilmi, që ishin baras me tre milionë vëllime me 300 faqe secili”. Ajo pati mbledhur gjithashtu “gjashtë milionë të dhëna të plotësuara grupesh familjare, një indeks kartelash për 36 milionë individë dhe një koleksion librash me më shumë se 90.000 vëllime”.63 Çdo javë, nga mbarë bota shtoheshin rreth 1.000 bobina mikrofilmi. Përpunimi i atyre të dhënave dhe bërja e tyre e përdorshme – edhe për kërkim edhe për punën në tempull – ishte një detyrë e pamasë. Nën udhëheqjen e Plakut Hanter, Shoqata Gjenealogjike filloi të përdorte teknologjitë më të fundit kompjuterike për të ndihmuar me punën. Një shkrimtar shënoi se shoqata u bë “me famë botërore midis organizatave profesionale për veprimtaritë e saj përparimtare në mbajtjen e arkivave”64.
Plaku Hanter u lirua si president i Shoqatës Gjenealogjike në 1972-shin. Duke përmbledhur ndikimin e përpjekjeve të tij, Plaku Riçard G. Skot tha: “Ai i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij asaj pune dhe vuri themelet dhe drejtimin nga i cili Kisha është duke korrur frytet ende”65.
Qendra Kulturore Polineziane
“Mbani vesh ju popuj të largët; dhe ju që jeni në ishujt e detit, dëgjoni së bashku” (DeB 1:1).
Në 1965-ën, Presidenca e Parë caktoi Plakun Hanter për të qenë president dhe kryetar i bordit të Qendrës Kulturore Polineziane në Laie të Havait. Atëherë qendra kishte vetëm 15 muaj që ishte hapur dhe po përballej me shumë sfida. Pjesëmarrja e turistëve ishte e ulët dhe njerëzit kishin këndvështrime të ndryshme mbi objektivat dhe programet e qendrës. Një javë pasi u caktua, Plaku Hanter shkoi në Laie dhe filloi një studim të kujdesshëm të mundësive dhe nevojave të qendrës.
Nën udhëheqjen e Plakut Hanter, Qendra Kulturore Polineziane u bë një nga qendrat turistike më të famshme në Havai, duke tërhequr thuajse një milionë vizitorë në 1971-shin. Plaku Hanter mbikëqyri gjithashtu një zgjerim të madh të qendrës dhe të programit të saj. E rëndësishme gjithashtu, sipas fjalëve të Plakut Hanter, ishte se qendra siguroi punësim që mundësoi që “mijëra studentë nga Paqësori Jugor të ndihmoheshin për t’u arsimuar, shumica prej të cilëve nuk do të mundnin [ndryshe] të linin ishujt e tyre për të shkuar në shkollë”.66
Pas kryesimit në Qendrën Kulturore Polineziane për 12 vjet, Plaku Hanter u lirua në 1976-ën. Shërbimi i tij si president ndihmoi të përmbusheshin fjalët e Presidentit Dejvid O. Mek-Kei, që në 1955-ën tha se fshati i vogël i Laies kishte potencialin të bëhej “një faktor misionar, duke ndikuar jo te mijëra, jo te dhjetëra mijë, por te miliona njerëz që do të vijnë duke kërkuar të dinë se cili është ky qytet dhe rëndësia e tij”.67
Historian i Kishës
“Është detyra e nëpunësit të Zotit, të cilin ai e ka caktuar, për të mbajtur një histori dhe një dokument të përgjithshëm të kishës për të gjitha gjërat që ndodhin në Sion” (DeB 85:1).
Në janar 1970, Presidenti Dejvid O. Mek-Kei ndërroi jetë dhe Jozef Filding Smithi u veçua si Presidenti i ri i Kishës. Jozef Filding Smithi kishte shërbyer si Historian i Kishës gjatë 49 viteve të mëparshme dhe kur u bë President i Kishës, Plaku Hanter u thirr ta zëvendësonte në atë detyrë. “Presidenti Smith pati qenë Historiani i Kishës për aq shumë vite saqë unë e kisha të vështirë ta përfytyroja veten në atë pozitë”, thoshte ai.68
Plaku Hanter e filloi përgjegjësinë e tij të re me zellin e tij të zakonshëm. “Detyra siç jepet nga Zoti nëpërmjet zbulesës është pa masë sfiduese – si për plotësimin e detyrës së mbledhjes dhe shkrimit edhe për bërjen e materialit të përdorshëm për anëtarët e Kishës”, tha ai.69 Gazeta Church News [Lajme të Kishës] raportonte se Historiani i Kishës ishte “përgjegjës për mbajtjen e të gjithë arkivit të Kishës, përfshirë procesverbalet, dokumentet e tempujve, të gjitha ordinancat, bekimet patriarkale dhe … një hartim aktual të historisë së Kishës”.70
Në 1972-shin, anëtarët e Të Dymbëdhjetëve u liruan nga disa prej detyrave të tyre të vështira administrative, kështu që mund t’i kushtonin më shumë kohë shërbesës së tyre apostolike. Si pjesë e atij ndryshimi, Plaku Hanter u lirua si Historian i Kishës por mbajti një rol këshilluesi pranë Departamentit Historik të Kishës. “Kjo do të më lërë në një pozitë drejtimi por të lehtësuar nga funksioni operativ”, shkroi ai.71 Ai vazhdoi në rolin e këshilluesit deri në 1978-ën.
Shërbimi në Tokën e Shenjtë
Hauard W. Hanteri formoi një dashuri të veçantë për Tokën e Shenjtë kur udhëtoi atje me familjen e vet në 1958-ën dhe 1960-ën. Gjatë shërbimit të tij si Apostull, ai u rikthye më shumë se njëzetë e katër herë. “Dëshira e tij që të ishte atje ku Shpëtimtari eci dhe dha mësim dukej e pangopur”, tha Plaku Xhejms E. Faust, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.72
Shumë i informuar për konfliktet në rajon, Plaku Hanter përcolli një mesazh dashurie dhe paqeje. “Edhe hebrenjtë edhe arabët janë fëmijë të Atit tonë”, tha ai. “Ata po ashtu janë fëmijë të premtimit dhe si kishë ne nuk mbajmë anësi. Ne kemi dashuri dhe interes për secilin. Qëllimi i ungjillit të Jezu Krishtit është të sjellë dashuri, unitet dhe vëllazëri të nivelit më të lartë.”73
Midis 1972-shit dhe 1989-ës, Plaku Hanter përmbushi detyrat kyçe për dy projekte të posaçme në Jerusalem: Kopshtin Përkujtimor të Orson Hajdit dhe Qendrën e Universitetit “Brigam Jang” në Jerusalem për Studime të Lindjes së Afërme. Herët në historinë e Kishës – në 1841-shin – Plaku Orson Hajd, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, dha një lutje përkushtuese në Malin e Ullinjve, në lindje të Jerusalemit. Në 1972-shin, Presidenca e Parë i kërkoi Plakut Hanter të fillonte kërkimin për vende të mundshme për të ndërtuar një përkujtimore për Orson Hajdin në Jerusalem. Në 1975-ën qyteti i Jerusalemit hapi rrugën për atë që më në fund do të bëhej Kopshti Përkujtimor i Orson Hajdit, ndërtuar në Malin e Ullinjve.
Gjatë disa viteve më pas, Plaku Hanter udhëtoi për në Jerusalem shumë herë për të biseduar mbi kontratat për përkujtimoren dhe për të mbikëqyrur projektin dhe ndërtimin e tij. Projekti u përfundua në 1979-ën dhe u përkushtua atë vit nga Presidenti Spenser W. Kimball. Pas drejtimit të shërbimeve përkushtuese, Plaku Hanter shprehu besimin e tij se përkujtimorja “do të kishte një ndikim të madh për mirë në përhapjen e një imazhi të favorshëm për Kishën”74.
Edhe përpara se të përfundonte Kopshti Përkujtimor i Orson Hajdit, Plaku Hanter po kërkonte për një vend ku Kisha të mund të ndërtonte një qendër për programin e studimit jashtë [SHBA-së] të UBJ-së. Qendra do të siguronte gjithashtu një vend mbledhjesh për anëtarët e Degës së Jerusalemit. Mbikëqyrja e këtij projekti do të ishte një nga detyrat më të ndërlikuara dhe delikate të shërbesës së Plakut Hanter.
Udhëheqësit e Kishës zgjodhën një vend, por marrja e miratimit për qiranë e tokës dhe projektet e ndërtimit kërkuan thuajse pesë vjet për atë që Plaku Hanter e përshkroi si “punë pa fund”.75 Pas një debati dhe bisedimesh të gjata, qeveria e Izraelit lejoi që ndërtimi i qendrës të vijonte.
Nga maji i 1988-ës ndërtimi ishte i përfunduar në pjesën më të madhe dhe kontrata e qirasë ishte gati për t’u nënshkruar. Në atë kohë, Hauard W. Hanteri, po shërbente si President Zëvendësues i Të Dymbëdhjetëve. Ai kishte kaluar një operacion të rëndë shpine një vit më parë dhe nuk mund të ecte, por gjithsesi ai fluturoi për në Jerusalem për nënshkrimin e kontratës. Ndërsa ishte atje, studentët e UBJ-së dhe anëtarë të Degës së Jerusalemit bënë një pritje të vogël për të shprehur mirënjohjen e tyre. Një histori e degës tregon për këtë skenë emocionuese ndërsa pritja filloi: “Ende në shërim e sipër pas operacionit në shpinë, Presidenti Hanter në një karrige me rrota që shtyhej nga Presidenti [Xhefri R.] Holland [i Universitetit “Brigam Jang”] kaloi nëpër hyrjen kryesore ndërsa kori i përshëndeti ata duke kënduar ‘The Holy City’ [‘Qyteti i Shenjtë’]”.76 Lot rrëshqitnin mbi faqet e Presidentit Hanter.
Në majin e 1989-ës, Presidenti Hanter u rikthye në Jerusalem për të përkushtuar qendrën. Ky shërbim përkushtues kulmoi një dekadë përpjekjeje të jashtëzakonshme nga ana e tij dhe e të tjerëve për ta kthyer Qendrën e Jerusalemit nga një shpresë në realitet. “Presidenti Hauard W. Hanter … ishte fija e përhershme dhe roja i dashur në kullë mbi atë projekt që nga koha kur ai ishte vetëm një ëndërr”, tha Plaku Xhefri R. Holland.77 Në lutjen përkushtuese, Presidenti Hanter tha:
“Kjo ndërtesë … është ndërtuar për të pranuar ata që të duan Ty dhe që përpiqen të mësojnë nga Ty dhe që vazhdojnë në gjurmët e Birit Tënd, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë. Ajo është e bukur në çdo aspekt, duke materializuar bukurinë që përfaqëson. O Atë, ne të falënderojmë Ty për privilegjin e ndërtimit të kësaj shtëpie për Ty në dobi dhe për mësimin e bijve dhe bijave të tua.”78
Kisha në Zhvillim
“Sioni duhet të rritet në bukuri dhe në shenjtëri; kufijtë e tij duhet të zgjerohen; kunjat e tij duhet të forcohen” (DeB 82:14).
Kur Hauard W. Hanteri u thirr si Apostull në 1959-ën, në Kishë kishte rreth 1.6 milionë anëtarë. Gjatë dekadave në vijim, ai luajti një rol kyç në rritjen e pashembullt të Kishës në mbarë botën. Në qindra fundjava, ai udhëtoi në kunje për të forcuar anëtarët dhe për të thirrur udhëheqës të rinj. Ai takoi gjithashtu zyrtarë qeverish në shumë kombe, duke ndihmuar të hapen dyert për punën misionare.
Në 1975-ën, anëtarësia e Kishës ishte rritur në rreth 3.4 milionë dhe po rritej sidomos shpejt në Amerikën Latine. Vonë atë vit, Plaku Hanter dhe Plaku J. Tomas Fajans, Ndihmës i Të Dymbëdhjetëve, u caktuan të ndanin 5 kunje në Meksiko-Siti. Pasi u takua me udhëheqës të zonës dhe duke parë informacionin nga presidentët e kunjit, Plaku Hanter drejtoi organizimin e 15 kunjeve nga ato 5 kunje – të gjitha brenda një fundjave.79 Me një thjeshtëzim tipik të tijin, ai shkroi: “Dyshoj nëse ka pasur ndonjëherë një organizim të tillë masiv në Kishë dhe qemë të lodhur kur u kthyem në shtëpi”80.
Klera, një Shoqe e Përkushtuar
“Bashkëshortja ime ka qenë një shoqe e ëmbël dhe e dashur”, tha Plaku Hanter kur u thirr në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve në 1959-ën.81 Për shumë vite, Klera zakonisht e shoqëronte Plakun Hanter në udhëtimet e tij si Apostull. Presidenti Tomas S. Monson kujtoi një herë kur ai vuri re Klerën duke treguar dashurinë e saj për fëmijët në Tonga: “Ajo do t’i merrte në krahët e saj ata fëmijë të vegjël e të ëmbël tonganë dhe do t’i vinte nga një në secilin gju ndërsa u fliste … dhe mandej u shpjegonte mësuesve të Fillores se sa të bekuar dhe të privilegjuar ishin që kishin mundësinë të mësonin fëmijë të tillë të vegjël e të çmuar. Ajo e dinte vlerën e shpirtit njerëzor”82.
Në një intervistë të 1974-ës, Plaku Hanter tha për Klerën: “Gjatë gjithë martesës sonë, … ajo ka qenë gjithmonë e gatshme me dashuri, vëmendje dhe inkurajim. … Ajo ka qenë një mbështetje e madhe.”83
Në kohën e asaj interviste, Klera kishte filluar të përjetonte sfida të rënda shëndetësore. Në fillim ajo pati dhimbje koke të forta dhe humbje herë pas here të kujtesës dhe çorientim. Më vonë ajo vuajti disa goditje të vogla që ia vështirësuan të folurin ose përdorimin e duarve. Kur ajo arriti në pikën që kërkohej kujdes i pandërprerë, Plaku Hanter ishte i vendosur të jepte sa më shumë që mundej ndërsa plotësonte gjithashtu përgjegjësitë e tij si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ai planifikoi që dikush të qëndronte me Klerën gjatë ditës, por ai kujdesej natën për të. Plaku Hanter përballoi vetë disa probleme shëndetësore gjatë atyre viteve, përfshirë një atak në zemër në 1980-ën.
Klera vuajti një hemorragji cerebrale në 1981-shin dhe një tjetër në 1982-shin. E dyta e la aq të paaftë sa mjekët këmbëngulën që ajo të vendosej në një qendër kujdesi për të pasur vëmendjen e duhur mjekësore. Ajo qëndroi në qendër gjatë 18 muajve të fundit të jetës së saj. Gjatë asaj kohe, Presidenti Hanter e vizitonte atë të paktën një herë në ditë, përveç kur ndodhej në udhëtim me detyra të Kishës. Edhe pse Klera nuk e njihte atë shumicën e kohës, ai vazhdonte t’i tregonte asaj për dashurinë e tij dhe të sigurohej që ajo ishte në kushte të mira. Një nip tha: “Ai ishte gjithmonë në ngut që ta shihte, të ishte pranë saj dhe të kujdesej për të”84. Duke kujtuar kujdesin e të atit për nënën e tij, Riçard Hanteri shkroi:
“Nëna ime kishte përkujdesjen më të mirë të mundshme në vitet e fundit të jetës së saj pasi Babai kujdesej për të. E gjithë familja vështronte me admirim dhe respekt të madh kur ai vihej në rolin e kujdestarit. … Unë kujtoj peshën që ndjeu ai kur mjeku e paralajmëroi [se] mund të ishte gjëja më e rëndë që mund t’i ndodhte asaj nëse do të qëndronte në shtëpi dhe nuk do të futej në një qendër me infermierë të specializuar. Nëse ajo do të qëndronte në shtëpi, ai me gjasa do të vdiste gjatë përpjekjeve të tij për t’u kujdesur për të për shkak të vetë kufizimit të tij fizik. Atëherë ajo do të mbetej vetëm për t’u kujdesur për veten. Përkushtimi i tij ndaj saj është një nga gjërat që do të mbetet gjithmonë e dhimbsur në familjen tonë.”85
Klera ndërroi jetë më 9 tetor 1983. Pasi kishte vërejtur përkujdesjen e Plakut Hanter kur Klera vuajti për më shumë se 10 vite sëmundje, Plaku Xhejms E. Faust tha: “Dhembshuria që ishte e dukshme në komunikimin e tyre ishte thellësisht prekëse dhe emocionuese. Unë nuk kam parë kurrë një shembull të tillë përkushtimi të një bashkëshorti ndaj bashkëshortes së tij”86.
President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve
Presidenti Spenser W. Kimball ndërroi jetë në nëntor 1985 dhe Ezra Taft Benson e zëvendësoi atë si President i Kishës. Marion G. Romni u bë President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve ngaqë ishte anëtari më i vjetër i kuorumit. Për shkak të shëndetit të dobët të Presidentit Romni, Plaku Hanter, që ishte pas tij në vjetërsi, u veçua si President Zëvendësues i Të Dymbëdhjetëve. Ai u bë President i Të Dymbëdhjetëve në qershor të 1988-ës, rreth dy javë pas vdekjes së Presidentit Romni.
Presidenti Hanter shërbeu si President Zëvendësues ose Presidenti i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve për tetë vite e gjysmë. Gjatë asaj kohe, shërbesa në mbarë botën e Të Dymbëdhjetëve vazhdoi të zgjerohet ndërsa Kisha u rrit nga 5.9 milionë anëtarë në 8.7 milionë, me lagje ose degë në 149 vende dhe territore. “Është një kohë emocionuese në historinë e Kishës”, tha në 1988-ën Presidenti Hanter. “Sot, rritja e anëtarësisë nuk është mjaft e shpejtë. Ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme për t’iu përgjigjur nevojave dhe për ta çuar përpara punën.”87 Gjatë përmbushjes së përgjegjësisë për të dhënë dëshminë për Jezu Krishtin dhe për të ngritur Kishën kudo në botë, Presidenti Hanter udhëhoqi me shembullin e vet. Ai udhëtoi kudo në Shtetet e Bashkuara dhe në më shumë se 25 vende të tjera gjatë shërbimit të tij si President i Të Dymbëdhjetëve.
Presidenti Hanter i vazhdoi përpjekjet pavarësisht shumë problemeve me shëndetin. Në 1986-ën ai bëri një operacion me zemër të hapur dhe në 1987-ën ai bëri një operacion në shtyllën kurrizore. Edhe pse shpina iu shërua, ai nuk ishte në gjendje të ecte për shkak të një dëmtimi nervor dhe ndërlikimesh të tjera. Atë tetor, ai u ul në një karrige me rrota ndërsa dha bisedën e tij në konferencën e përgjithshme. “Më falni nëse qëndroj ulur ndërsa paraqes këto pak mendime”, filloi ai. “Nuk është me zgjedhje që po flas ulur në karrige me rrota. Vë re se ju duket që po e pëlqeni konferencën duke ndenjur ulur, kështu që unë do të ndjek shembullin tuaj.”88
I vendosur për të rifituar përdorimin e këmbëve të veta, Presidenti Hanter kaloi një regjim të zellshëm fizioterapie. Në konferencën tjetër të përgjithshme, në prill 1988, ai eci ngadalë për te foltorja me një mbështetës për ecje. Në dhjetor ai përdori një mbështetës për ecje për të marrë pjesë në një mbledhje të përjavshme tempulli të Presidencës së Parë dhe Të Dymbëdhjetëve, hera e parë në më shumë se një vit që ai nuk erdhi në karrige me rrota. “Kur erdha në dhomën e këshillit, vëllezërit u ngritën dhe duartrokitën”, tha ai. “Kjo ishte hera e parë që kam dëgjuar duartrokitje në tempull. … Shumica e mjekëve më patën thënë se nuk do të isha kurrë në gjendje të ngrihesha në këmbë ose të ecja, por ata nuk arritën të merrnin parasysh fuqinë e lutjes.”89
Në prill 1990, ndërsa po përfundonte mbledhja e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, Presidenti Hanter pyeti: “A ka ndokush ndonjë gjë që nuk është në rendin e ditës?” Kur askush nuk foli, ai njoftoi: “Në rregull, atëherë, … nëse askush tjetër nuk ka gjë për të thënë, unë mendova thjesht t’ju bëj me dije se unë do të martohem këtë pasdite”. Një anëtar i Të Dymbëdhjetëve tha se njoftimi ishte një befasi e tillë që “secili pyeste veten nëse e dëgjuan mirë”. Presidenti Hanter u shpjegoi vëllezërve të tij: “Ajnis Stantoni është një njohje e vjetër nga Kalifornia. Unë kam biseduar me të për një kohë dhe kam vendosur të martohem”.90 Ajnisa kishte qenë anëtare e Lagjes El Sereno kur Presidenti Hanter ishte peshkop. Udhët e tyre u kryqëzuan më vonë kur Ajnisa u transferua në Juta dhe ishte recepsioniste në Ndërtesën e Zyrave të Kishës. Ata u martuan në Tempullin e Solt-Lejkut më 12 prill 1990 nga Presidenti Gordon B. Hinkli.
Thuajse shtatë vite patën kaluar që nga vdekja e Klerës. Ajnisa ishte burim i madh ngushëllimi dhe force për Presidentin Hanter gjatë shërbimit të tij si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe si President i Kishës. Ajo e shoqëroi atë në shumicën e udhëtimeve të tij për t’u takuar me shenjtorët në mbarë botën.
Më 7 shkurt 1993, Presidenti Hanter shkoi në Universitetin “Brigam Jang” për të folur në një mbledhje rreth vatrës ku merrnin pjesë 17.000 vetë. Ai sapo fillonte fjalimin e tij kur një burrë u vërsul te podiumi duke mbajtur një çantë në njërën dorë dhe një objekt të zi në tjetrën. “Ndal aty!” bërtiti burri. Ai kërcënoi ta shpërthente atë që pretendonte se ishte bombë, nëse Presidenti Hanter do të lexonte deklaratën e përgatitur. Presidenti Hanter kundërshtoi dhe qëndroi i vendosur në foltore gjatë gjithë kohës që burri po e kërcënonte. Ndërsa frika dhe tronditja u përhapën në të gjithë ndërtesën, dëgjuesit filluan të këndojnë “Të Falemi, Zot, për Profetin”. Pas disa minutash pasigurie, dy persona të sigurisë e ndalën burrin dhe Presidenti Hanter zbriti nga foltorja për siguri. Kur rregulli u rivendos, ai qëndroi pak dhe pastaj vazhdoi me vërejtjet e tij. “Jeta ka një numër të madh sfidash”, filloi ai, dhe pastaj shtoi, “siç u pa”.91
Gjatë 20 viteve të mëparshme, Presidenti Hanter pati duruar shumë sprova, përfshirë shëndetin e keq dhe vdekjen përfundimtare të Klerës, shtrime të shumta në spital për problemet e veta të shëndetit dhe dhimbje të madhe e paaftësi fizike. Mësimet e tij përgjatë atyre viteve shpesh u përqendruan te vështirësia dhe sollën dëshmi për Shpëtimtarin Jezu Krisht si burimi i paqes dhe i ndihmës në kohë sprove. Në një predikim ai dha mësim:
“Profetët dhe Apostujt e Kishës janë përballur … me vështirësi vetjake. Unë e pranoj se jam përballur me disa dhe ju pa dyshim që do të përballeni me disa nga tuajat tani dhe më vonë në jetën tuaj. Kur këto përvoja na përulin dhe na përmirësojnë dhe na mësojnë e na bekojnë, ato mund të jenë mjete të fuqishme në duart e Perëndisë për të na bërë njerëz më të mirë, për të na bërë më mirënjohës, më të dashur dhe më vlerësues për njerëzit e tjerë në vetë kohët e tyre të vështirësisë.”92
Mësime të tilla ishin si një përqafim i dashur për ata që po vuanin. Fjalët e frymëzuara të Presidentit Hauard W. Hanter nxitën shumë njerëz të ktheheshin te Shpëtimtari, ashtu siç kishte bërë ai vetë.
President i Kishës
“Presidenti Hanter është një nga burrat më të dashur, më të ngjashëm me Krishtin që kemi njohur ndonjëherë. Thellësia e tij shpirtërore është aq e madhe sa nuk mund të përshkruhet. Duke pas qenë nën ndikimin udhërrëfyes të Zotit Jezu Krisht si dëshmitari i Tij i veçantë për aq shumë vite, shpirtshmëria e Presidentit Hanter ishte mprehur në një mënyrë të pazakontë. Ai është burimi i tërë qenies së tij” (Xhejms E. Faust).93
Më 30 maj 1994, Presidenti Ezra Taft Benson u nda nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë. Gjashtë ditë më vonë, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve u mblodh në Tempullin e Solt-Lejkut për të riorganizuar Presidencën e Parë. Si Apostulli më i vjetër, Hauard W. Hanteri u veçua si President i Kishës. Ai thirri Gordon B. Hinklin dhe Tomas S. Monsonin, që kishin shërbyer si këshilltarë të Presidentit Benson, që të ishin këshilltarët e tij.
Në një konferencë për shtyp ditën tjetër, Presidenti Hanter bëri deklaratat e tij të para publike si President i Kishës. “Zemrat tona kanë qenë mjaft të prekura qysh nga vdekja e mikut dhe vëllait tonë Ezra Taft Benson”, filloi ai. “Unë e kam ndier humbjen e tij në një mënyrë veçanërisht personale për shkak të përgjegjësisë së re që ka rënë mbi mua që nga vdekja e tij. Unë kam derdhur shumë lot dhe i kam kërkuar Atit tim në Qiell në lutje të sinqertë dhe me dëshirë që të mund të jem në gjendje të përmbush thirrjen e lartë dhe të shenjtë që tani është imja.
Forca ime më e madhe gjatë këtyre orëve që kaluan dhe ditëve të fundit ka qenë dëshmia ime e patundur se kjo është puna e Perëndisë dhe jo e njeriut, se Jezu Krishti është kreu i autorizuar dhe i gjallë i kësaj kishe dhe Ai e udhëheq atë me fjalë dhe me vepra. Unë ia blatoj jetën time, forcën time dhe tërë shpirtin tim shërbimit ndaj Atij plotësisht.”94
Pas shprehjeve të dashurisë, Presidenti Hanter u bëri dy ftesa anëtarëve të Kishës. E para ishte të jenë më të zellshëm në ndjekjen e shembullit të Jezu Krishtit dhe e dyta ishte të marrin më plotësisht nga bekimet e tempullit (shih faqet 1–3). Ai ftoi gjithashtu ata që ishin të lënduar, duke hasur vështirësi apo të trembur “të kthehen [dhe] të na [lënë] të qëndrojmë me ju dhe t’jua fshijmë lotët”.95
Me gjithë shëndetin e brishtë, Presidenti Hanter ishte i vendosur të bënte gjithçka që mundej për t’u takuar me shenjtorët dhe për t’i forcuar ata. Dy javë pasi u bë President, ai mbajti dy bisedat e tij të mëdha, duke u folur presidentëve të rinj të misioneve dhe mandej përpara më shumë se 2.200 misionarëve. Më vonë, po atë muaj, ai shkoi në Kartheixh dhe Navu të Ilinoisit, për të përkujtuar 150-vjetorin e martirizimit të Jozef dhe Hajrëm Smithit. “Kudo që shkuam, njerëzit mblidheshin rreth tij”, tha Presidenti Gordon B. Hinkli. “Ai shtrëngonte duart me mijëra, me një buzëqeshje të veçantë kur fëmijët mblidheshin përreth për ta parë në sy dhe për të kapur dorën e tij.”96
Më 1 tetor 1994, në sesionin e paradites të së shtunës të konferencës së përgjithshme, anëtarët e Kishës e mbështetën formalisht Hauard W. Hanterin si President të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe si profet, shikues dhe zbulues. Në fjalën e tij të hapjes, Presidenti Hanter përsëriti ftesat e tij për anëtarët e Kishës që të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit dhe “ta shihnin tempullin e Zotit si simbolin e madh të anëtarësisë [së tyre]”.97 Ai i theksoi përsëri javën tjetër tempujt, kur udhëtoi në Florida për të përkushtuar tempullin e Orlandos në Florida. “Plani i ungjillit që Zoti zbuloi nuk është i plotë pa tempullin”, dha mësim ai, “sepse këtu është vendi ku administrohen ordinancat e nevojshme për planin e Tij të jetës dhe të shpëtimit”.98
Në nëntor, Presidenti Hanter foli në një transmetim satelitor në përkujtim të 100 vjetorit të Shoqatës Gjenealogjike – një ngjarje që kishte një kuptim të veçantë për të, duke qenë se ai pati kryesuar në organizatë nga 1964-ra deri në 1972-shin. “E hedh vështrimin pas plot habi te tapiceria e thurur nga Zoti në çuarjen përpara të punës në tempull dhe të punës së historisë familjare”, tha ai. Ai më pas deklaroi: “Unë kam një mesazh të mbiçmuar: Kjo punë duhet të përshpejtohet”.99
Presidenti Hanter vazhdoi të punojë fuqishëm gjatë fundit të vitit. Në takimin shpirtëror të Presidencës së Parë për Krishtlindjen, ai dëshmoi për Shpëtimtarin dhe përsëri theksoi rëndësinë e ndjekjes së shembullit të Tij:
“Shpëtimtari e përkushtoi jetën e Tij për të bekuar njerëz të tjerë. … [Ai] nuk dha kurrë me shpresën që të merrte në këmbim. Ai dha lirisht e me dashuri dhe dhuratat e Tij qenë të një vlere të paçmueshme. Ai i dha sy të verbrit, veshë të shurdhrit dhe këmbë të gjymtuarit; pastërti të papastërit, plotësi të mekurit dhe frymë të pajetit. Dhuratat e Tij ishin mundësi për të ndrydhurin, liri për të shtypurin, falje për të penduarin, shpresë për të dëshpëruarin dhe dritë në errësirë. Ai na dha dashurinë e Tij, shërbimin e Tij dhe jetën e Tij. Dhe më e rëndësishmja, Ai na dha neve dhe të gjitha qenieve të vdekshme ringjallje, shpëtim dhe jetë të përjetshme.
Ne duhet të përpiqemi të japim siç Ai dha. Të japësh nga vetja është një dhuratë hyjnore. Ne japim në kujtim të gjithçkaje që Shpëtimtari ka dhënë.”100
Si pjesë të fjalës së tij, ai përshtati gjithashtu një mesazh që ishte botuar në një revistë në po atë vit kur ai u thirr si Apostull:
“Këtë Krishtlindje, paqo një grindje. Gjej një mik të harruar. Flake dyshimin dhe zëvendësoje me besim. Shkruaj një letër. Jep një përgjigje të ëmbël. Nxite rininë. Shfaq besnikërinë tënde me fjalë dhe vepra. Mbaj një premtim. Shmang një mëri. Fal një armik. Kërko ndjesë. Përpiqu të kuptosh. Shqyrto kërkesat e tua ndaj të tjerëve. Mendo së pari për dikë tjetër. Ji i sjellshëm. Ji i miqësor. Qesh pak më tepër. Shpreh mirënjohjen tënde. Mirëprit një të huaj. Gëzo zemrën e një fëmije. Kënaqu me bukurinë dhe mrekullinë e tokës. Shprehe dashurinë tënde dhe shprehe përsëri atë.”101
Javën pasuese Presidenti Hanter udhëtoi në Meksiko-Siti për të organizuar kunjin e 2.000-të të Kishës. Nëntëmbëdhjetë vjet më parë në Meksiko-Siti, ai pati drejtuar organizimin e 15 kunjeve nga 5 kunje ekzistuese brenda një fundjave të vetme. Presidenti Gordon B. Hinkli e përshkroi krijimin e kunjit të 2.000-të si “një arritje e rëndësishme në historinë e Kishës”.102
Një natë gjatë atyre muajve, djali i Presidentit Hanter, Riçardi, ishte në Ndërtesën Përkujtimore të Jozef Smithit dhe pa se një nga mikpritëset ishte në një karrige me rrota. “Munda ta vë re se ishte diçka e re për të”, tha ai. “Shkova për të biseduar me të dhe i thashë se babai im kishte një karrige me rrota njësoj si e saja. Ajo më tha se profeti i Kishës së saj gjithashtu kishte një karrige me rrota njësoj si e saja. Ajo tha se nëse ai mund t’ia dalë, atëherë ndoshta edhe ajo do të mundej po ashtu. Kjo i jepte shpresë asaj. Mendoj se Babanë e donin shumë njerëz. Ndoshta një nga arsyet për këtë është se ata mund të shihnin se ai vuante njësoj si ata dhe ai e duronte atë barrë vuajtjeje dhe kjo u jepte atyre shpresë.”103
Për të filluar me vitin 1995, Presidenti Hanter përkushtoi Tempullin e Bauntifullit në Juta. Ai kryesoi në gjashtë sesione përkushtuese përpara se të lodhej aq shumë sa të shtrohej në spital. Pasi doli pas disa ditësh, Kisha nxori një deklaratë ku thuhej se ai kishte kancer prostate që ishte përhapur në eshtrat e tij. Presidenti Hanter nuk bëri më shfaqje publike gjatë gjashtë javëve të fundit të jetës së tij, edhe pse ai vazhdoi të takohej me këshilltarët e tij dhe të drejtonte punët e Kishës në banesën e vet. “Unë jam mirënjohës që ai pati mundësinë ta përkushtonte [atë tempull]”, tha Presidenti Gordon B. Hinkli, “veçanërisht duke pasur parasysh kërkesën e tij të mëparshme që anëtarët e Kishës ‘ta shihnin tempullin e Zotit si simbolin e madh të anëtarësisë [së tyre]’”.104
Presidenti Hauard W. Hanter vdiq më 3 mars 1995, në moshën 87-vjeçare. Fjalët e tij të fundit thënë me “një zë shumë të qetë e të ëmbël” atyre pranë shtratit të tij, ishin thjesht: “Ju faleminderit!”105 Edhe pse kishte qenë President i Kishës për vetëm nëntë muaj, ndikimi i tij ishte i thellë. “Anëtarët e Kishës kudo në botë qenë lidhur në një mënyrë të veçantë me të si profet, shikues dhe zbulues i tyre”, tha Plaku Xhejms E. Faust. “Ata kanë parë tek ai mishërimin e cilësive të vetë Shpëtimtarit. Ata u janë përgjigjur në mënyrë të mrekullueshme mesazheve të tij profetike për ta bërë jetën tonë më të ngjashme me atë të Krishtit dhe për t’i bërë tempujt tanë qendrën e adhurimit tonë.”106
Në funeralin e Presidentit Hanter, Presidenti Gordon B. Hinkli tha me mirënjohje:
“Një pemë madhështore në pyll u rrëzua, duke lënë një vend zbrazëtie. Një forcë e madhe dhe e qetë u shkëput nga mesi ynë.
Shumë është thënë rreth vuajtjes së tij. Unë besoj se ajo vazhdoi më gjatë dhe ishte më e dhimbshme dhe më e thellë nga sa di vërtet cilido nga ne. Ai zhvilloi një durim të madh për dhimbjen dhe nuk u ankua për të. Që ai rrojti kaq gjatë është në vetvete një mrekulli. Vuajtja e tij ka ngushëlluar dhe zbutur dhimbjen e shumë të tjerëve që vuajnë. Ata e dinë se ai e kuptonte peshën e barrëve të tyre. Ai i ndihmonte këta me një lloj të veçantë dashurie.
Shumë është thënë rreth mirësisë së tij, vëmendjes së tij, mirësjelljes së tij ndaj të tjerëve. Ajo është e gjitha e vërtetë. Ai e dorëzoi veten te shembulli i Zotit të cilin e donte. Ai ishte një burrë i qetë dhe i matur. Por ai edhe mundej të ngrihej për të shprehur opinione të forta dhe të urta. …
Vëllai Hanter ishte i sjellshëm dhe miqësor. Por ai mundej të ishte gjithashtu i fortë dhe bindës në thëniet e tij. … Ai ishte stërvitur në drejtësi. Ai dinte si ta paraqiste një çështje. Ai i parashtronte kushtet e ndryshme paraprake në mënyrë të rregullt. Ai kalonte nga këto te konkluzioni i tij. Kur fliste ai, ne të gjithë mbanim vesh. Sugjerimet e tij shumë shpesh mbizotëronin. Por kur nuk pranoheshin, ai kishte përkulshmërinë që t’i tërhiqte ato. …
Për tridhjetë e gjashtë vite tani, duke mbajtur mantelin e apostullimit të shenjtë, zëri i tij ishte një zë udhëheqës dhe i fuqishëm në deklarimin e mësimeve të ungjillit të Jezu Krishtit dhe në çuarjen përpara të punës së Kishës. Ai udhëtoi gjerësisht nëpër botë si një shërbestar i vërtetë dhe i aftë në shërbim të Mësuesit. …
Hauard W. Hanteri, profet, shikues dhe zbulues, pati një dëshmi të sigurt dhe të patundur të realitetit të gjallë të Perëndisë, Atit tonë të Amshuar. Ai e shprehu me bindje të madhe dëshminë e tij për hyjninë e Zotit Jezu Krisht, Shëlbuesit të njerëzimit. Ai foli me dashuri për Profetin Jozef Smith dhe për të gjithë ata që e pasuan atë në linjën e pasardhësve deri te koha e vetë Presidentit Hanter. …
E bekoftë Perëndia kujtimin e tij për të mirën tonë madhështore.”107