Kapitulli 20
Duke Ecur në Udhën e Dashurisë Hyjnore të Shpëtimtarit
“Guri i provës i dhembshurisë është një matje për dishepullimin tonë; ai është një matje e dashurisë sonë për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin.”
Nga Jeta e Hauard W. Hanterit
Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim se Shpëtimtari “na dha dashurinë e Tij, shërbimin e Tij dhe jetën e Tij. … Ne duhet të përpiqemi të japim siç Ai dha”.1 Më veçanërisht, Presidenti Hanter i nxiti anëtarët e Kishës që të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit për dashurinë hyjnore në jetën e tyre të përditshme.
Veprat e dashurisë hyjnore qenë një aspekt përcaktues i karrierës së Hauard W. Hanterit në profesionin ligjor. Një avokat tjetër shpjegoi:
“Ai shpenzonte shumë nga koha e tij duke dhënë shërbim ligjor [falas] … sepse ai thjesht nuk kishte zemër për të dërguar faturë. … Ai perceptohej si mik, udhërrëfyes, këshilltar dhe profesionist që ishte shumë më tepër i shqetësuar të shihte që njerëzit e merrnin ndihmën që u nevojitej sesa të merrte shpërblim për atë ndihmë.”2
Dashuria hyjnore ishte gjithashtu një karakteristikë e shërbimit në Kishë nga Presidenti Hanter. Një grua që tha se ai ishte mësuesi i saj me më shumë ndikim shpjegoi disa nga arsyet:
“Unë gjithmonë vija re se ky burrë i donte të tjerët duke i vendosur në përparësi të lartë, duke i dëgjuar me vëmendje për t’i kuptuar dhe duke ndarë përvojat e veta me të tjerët, që ishte një nga kënaqësitë e tij të mëdha. Ai më ka mësuar të kuptoj rëndësinë e këtyre virtyteve dhe të ndiej gëzimin e zbatimit të tyre”.3
Një grua tjetër nga kunji i Presidentit Hanter në Kaliforni tha këto gjëra të mira:
“Presidenti Hauard W. Hanter ishte presidenti i kunjit tonë vite përpara kur familja jonë jetonte në Kunjin e Pasadenas. Babai im pati vdekur, duke e lënë nënën time të rriste motrën time të madhe dhe mua. Edhe pse nuk qemë një familje e shquar në kunj, që mbulonte një zonë gjeografike të stërmadhe, Presidenti Hanter përsëri na njihte personalisht.
Kujtimi im më i rëndësishëm për të është diçka që ndihmoi për ndjesinë time për vetëvlerësim. Pas çdo konference kunji, ne do të prisnim në radhë për të shtrënguar duart me të. Ai gjithmonë merrte dorën e nënës sime dhe thoshte: ‘Si jeni, Motra Sesions, dhe si janë Beti dhe Karolina?’ Më jepte një gëzim kur e dëgjoja atë të na thërriste me emër. Unë e dija se ai na njihte dhe kujdesej për mirëqenien tonë. Kujtimi ende ma ngroh zemrën.”4
Presidenti Hanter tha një herë: “Unë ndiej se misioni ynë është të shërbejmë dhe të shpëtojmë, të ndërtojmë dhe të ekzaltojmë”.5 Komentet nga Vëllezërit e tij te Të Dymbëdhjetët tregojnë se sa mirë ai e përmbushte atë mision. “Ai ka një mënyrë për t’i bërë njerëzit të ndihen të lirshëm”, tha njëri; “ai nuk dominon mbi ta. Ai është një dëgjues i mirë”. Një tjetër tha: “Kur udhëtoni me të, ai vëren gjithmonë për t’u siguruar që për secilin ka përkujdesje dhe se askush nuk është në siklet ose i përjashtuar”. Përsëri një tjetër tha: “Ai është i shqetësuar dhe i ndjeshëm për të tjerët. Ai ka dashuri hyjnore dhe një zemër falëse. Ai është një studiues i ungjillit, i njerëzimit, i natyrës njerëzore”.6
Mësime të Hauard W. Hanterit
1
Dy urdhërimet e mëdha janë guri i provës i Zotit për dishepullimin tonë.
Në kohët e lashta, një provë e pastërtisë së arit kryhej me një gur të lëmuar, të zi prej silici, që quhej gur prove. Kur fërkohej nëpër gurin e provës, ari prodhonte një vijë ose shenjë mbi sipërfaqen e tij. Argjendari e maste këtë shenjë me një ngjyrë në kartën e tij të ngjyrave të renditura. Shenja ishte më e kuqe kur sasia e bakrit ose e aliazhit rritej ose më e verdhë kur përqindja e arit rritej. Ky proces tregonte plotësisht me saktësi pastërtinë e arit.
Metoda e gurit të provës për kontrollin e pastërtisë së arit ishte e shpejtë dhe ishte e kënaqshme për shumicën e qëllimeve praktike. Por argjendari, që ende e vinte në dyshim pastërtinë, kryente një provë më të saktë duke përdorur një proces që përfshinte zjarr.
Unë ju sugjeroj se Zoti ka përgatitur një gur prove për ju dhe për mua, një matje nga jashtë të dishepullimit të brendshëm që shënon besnikërinë tonë dhe do t’u mbijetojë zjarreve që do të vijnë më tej.
Në një rast, ndërsa Jezusi po mësonte njerëzit, një njeri i drejtësisë iu afrua dhe i drejtoi këtë pyetje: “Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?”
Jezusi, kryemësuesi, iu përgjigj burrit, që dukej qartë se ishte i mirinformuar në drejtësi, me një pyetje tjetër: “Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?”
Burri iu përgjigj me një përmbledhje të qartë dy urdhërimeve të mëdha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten”.
Duke e miratuar Krishti u përgjigj: “Vepro kështu dhe do të rrosh” (Lluka 10:25–28).
Jeta e përjetshme, jeta e Perëndisë, jeta që ne po kërkojmë, është e rrënjosur në dy urdhërime. Shkrimet e shenjta thonë se “nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët” (Mateu 22:40). Duaje Perëndinë dhe duaje të afërmin tënd. Të dy veprojnë së bashku; ata janë të pandashëm. Në kuptimin më të lartë, ato mund të konsiderohen si sinonime. Dhe ato janë urdhërime që secili prej nesh mund t’i jetojë.
Përgjigjja e Jezusit për njeriun e drejtësisë mund të konsiderohet si guri i provës i Zotit. Ai tha në një rast tjetër: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mateu 25:40). Ai do ta masë përkushtimin tonë ndaj Tij nga ajo se sa ne i duam dhe u shërbejmë bashkëqenieve tona. Çfarë lloj shenje po lëmë mbi gurin e provës së Zotit? A jemi vërtet të afërm të mirë? A tregon prova se jemi ar 24-karatësh, apo mund të diktohet gjurma e një ari fals (pirit hekuri)?7
2
Shpëtimtari na mësoi ta duam cilindo, përfshirë ata që mund të jenë të vështirë për t’u dashur.
Si për të justifikuar veten që po i bënte një pyetje të tillë të thjeshtë Mësuesit, njeriu i drejtësisë u përpoq ta justifikonte veten duke kërkuar më tej: “Po kush është i afërmi im?” (Lluka 10:29).
Ne të gjithë duhet të jemi përjetësisht mirënjohës për atë pyetje, sepse në përgjigjen e Shpëtimtarit erdhi një nga shëmbëlltyrat më të pasura dhe më të vlerësuara të Tij, të cilën secili prej nesh e ka lexuar dhe dëgjuar përsëri dhe përsëri:
“Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.
Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.
Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.
Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.
Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.
Dhe të nesërmen, para se të nise[j], nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: ‘Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem’” (Lluka 10:30–35).
Pastaj Jezusi e pyeti njeriun e drejtësisë: “Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?” (Lluka 10:36). Atje Mësuesi nxjerr gurin e provës së krishterimit. Ai kërkon që shenja jonë të matet mbi të.
Edhe prifti edhe leviti në shëmbëlltyrën e Krishtit duhet të kenë kujtuar kërkesën e ligjit: “Në qoftë se ti shikon gomarin e vëllait tënd apo kaun e tij të rrëzuar gjatë rrugës, ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë, por do të ndihmosh tët vëlla për t’i ngritur” (Ligji i Përtërirë 22:4). Dhe nëse ndihmon një ka, sa shumë më tepër do ishte i gatshëm dikush për të ndihmuar një vëlla në nevojë. Por siç shkroi Plaku Xhejms E. Talmixh: “Justifikimet [për të mos vepruar kështu] janë të lehta për t’i gjetur; ato shpërthejnë po aq shpejt dhe bollshëm si edhe bari i keq anës rrugës” (Jesus the Christ, bot. i 3-të, Salt Lake City: The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 1916, f. 431).
Samaritani na dha një shembull të dashurisë së pastër të krishterë. Ai pati dhembshuri; ai shkoi te burri që ishte plagosur nga hajdutët dhe ia lidhi plagët. Ai e çoi në një han, u kujdes për të, i pagoi shpenzimet dhe ofroi edhe më shumë po të nevojitej për kujdesin për të. Kjo është historia e një dashurie të një fqinji për fqinjin e tij.
Një aksiomë e vjetër thotë se një njeri “i mbështjellë tërësisht vetëm formon një bohçe të vogël”. Dashuria ka një mënyrë të sigurt për ta bërë bohçen e vogël një deng të madh. Çelësi është ta duam fqinjin tonë, duke përfshirë fqinjin që është i vështirë për ta dashur. Ne kemi nevojë të kujtojmë se edhe pse miqtë i bëjmë vetë, fqinjët na i ka bërë Perëndia – kudo. Dashuria nuk duhet të ketë kufi; ne nuk duhet të kemi besnikëri të ngushta. Krishti tha: “Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?” (Mateu 5:46).8
3
Ne duhet t’i duam dhe t’u shërbejmë të tjerëve në fatkeqësitë e tyre.
Jozef Smithi u shkroi një letër shenjtorëve, botuar te Messenger and Advocate [Lajmëtari dhe Avokati], mbi temën e të dashurit të njëri-tjetrit që të jemi të përligjur përpara Perëndisë. Ai shkroi:
“Të dashur Vëllezër: – Është një detyrë që çdo shenjtor duhet të bëjë lirisht për vëllezërit e tij – t’i dojë ata gjithmonë dhe t’i ndihmojë ata përherë. Që të jemi të përligjur përpara Perëndisë ne duhet ta duam njëri-tjetrin: ne duhet ta kapërcejmë të ligën; ne duhet të vizitojmë jetimët dhe të vejat në pikëllimin e tyre dhe ta ruajmë veten të panjollosur nga bota, sepse virtyte të tilla rrjedhin nga burimi i shkëlqyer i fesë së pastër. Duke forcuar besimin tonë përmes shtimit të çdo cilësie të mirë që i zbukuron fëmijët e Jezusit të bekuar, ne mund të lutemi në stinën e lutjes; ne mund ta duam të afërmin tonë porsi veten dhe të jemi besnikë në shqetësime, duke e ditur që shpërblimi i të tillëve është më i madh në mbretërinë e qiellit. Çfarë ngushëllimi! Çfarë gëzimi! Më lini të jetoj jetën e të drejtit dhe shpërblimi im le të jetë i tillë!” (History of the Church, 2:229).
Këto dy virtyte, dashuria dhe shërbimi, na kërkohen ne nëse duhet të jemi fqinj të mirë dhe të gjejmë paqe në jetën tonë. Sigurisht ato qenë në zemrën e Plakut Uillard Riçards. Ndërsa ishte në burgun Kartheixh në pasditen e martirizimit të Jozefit dhe të Hajrëmit, rojtari i burgut sugjeroi se do të ishin më të sigurt në qeli. Jozefi iu drejtua Plakut Riçards dhe e pyeti: “Nëse shkojmë në qeli, a do të vish me ne?”
Përgjigjja e Plakut Riçards ishte një përgjigje me dashuri: “Vëlla Jozef, ti nuk më kërkove të kaloja lumin me ty – ti nuk më kërkove të vija në Kartheixh – ti nuk më kërkove të vija në burg me ty – dhe mendon se unë do të të braktis tani? Por unë do të të them se ç’do të bëj; në qoftë se dënohesh me varje për ‘tradhti’, unë do të varem në vendin tënd dhe ti do të shkosh i lirë.”
Duhet të ketë qenë me emocion dhe ndjenjë të konsiderueshme që Jozefi u përgjigj: “Por ti nuk mundesh”.
Së cilës Plaku Riçards iu përgjigj me ngulm: “Unë do të vij” (shih B. H. Roberts, A Comprehensive History of the Church, 2:283).
Sprova e Plakut Riçards ishte ndoshta më e madhe nga ajo që shumica prej nesh do të ndeshin: sprovë zjarri më shumë sesa sprovë me gurin e provës. Por nëse na kërkohet të veprojmë kështu, a mund ta japim jetën për familjen tonë? miqtë tanë? fqinjët tanë?
Guri i provës i dhembshurisë është një matje për dishepullimin tonë; ai është një matje e dashurisë sonë për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin. A do të lëmë gjurmë ari të pastër apo, si prifti dhe leviti, do të kalojmë në anën tjetër?9
4
Ne duhet të ecim më me vendosmëri në udhën e dashurisë hyjnore që Jezusi ka treguar.
Në një mesazh të rëndësishëm për shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Navu, vetëm një vit përpara martirizimit të tij tragjik dhe të parakohshëm, Profeti Jozef Smith tha:
“Nëse ne do të sigurojmë dhe kultivojmë dashurinë e të tjerëve, ne duhet t’i duam të tjerët, madje kundërshtarët tanë si edhe miqtë. … Të krishterët duhet të pushojnë së grinduri dhe kundërshtuari me njëri-tjetrin dhe të kultivojnë parimet e bashkimit dhe miqësisë midis tyre.” (History of the Church, 5:498–499.)
Ajo është një këshillë e mrekullueshme sot, madje siç ishte [atëherë]. Bota në të cilën jetojmë, qoftë pranë shtëpisë apo tutje larg, ka nevojë për ungjillin e Jezu Krishtit. Ai siguron të vetmen mënyrë me të cilën bota do të njohë ndonjëherë paqe. Ne duhet të jemi më të dashur me njëri-tjetrin, më të butë dhe më falës. Ne duhet të jemi më të ngadaltë për t’u zemëruar dhe më të gatshëm për të ndihmuar. Ne duhet të shtrijmë dorën e miqësisë dhe ta kundërshtojmë dorën e ndëshkimit. Shkurt, ne duhet ta duam njëri-tjetrin me dashurinë e pastër të Krishtit, me dashurinë hyjnore të vërtetë e dhembshuri dhe, nëse është e nevojshme, me ndarje të vuajtjes, sepse kjo është mënyra se si Perëndia na do ne.
Në shërbesat tona të adhurimit, ne shpesh këndojmë një himn të dashur me tekst të shkruar nga Sjuzën Evans Mek-Klaud. A mund të kujtoj disa rreshta të atij himni për ju?
Shpëtimtar, mësom’ të t’dua,
N’shtegun që m’tregon të shkoj,
Me forcë përtej vetvetes,
Dikë tjetër të ndihmoj. …
Kush jam un’ që tjetrin t’gjykoj
Kur ec’ pa përsosuri?
Në zemrën e qetë fshihet
Hidh’rim që s’e sheh syri. …
Ruajtës i v’llait do t’jem;
Do mësoj si të shëroj.
Të lodhurit dhe t’munduarit
Zemër t’but’ do t’i tregoj.
Ruajtës i v’llait do t’jem –
Zot, un’ Ty do të t’ndjek.
(Hymns, 1985, nr. 220.)
Ne duhet të ecim më vendosmërisht dhe me më shumë dashuri hyjnore në udhën që Jezusi ka treguar. Ne duhet “dikë tjetër të ndihmoj[më]” dhe sigurisht do të gjejmë “forcë përtej vetvetes”. Nëse do të bëjmë më shumë për të mësuar “si të shëroj[më]”, do të ketë shanse të panumërta për ta përdorur atë, për të prekur “të lodhurit dhe t’munduarit” dhe për t’u treguar të gjithëve një “zemër t’but’”. Po, Zot, ne duhet të të ndjekim Ty.10
5
Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk do të dështojë.
“Po ju jap një urdhërim të ri”, tha [Jezusi], “ta doni njëri-tjetrin; … Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”. (Gjoni 13:34–35.) Kjo dashuri që ne duhet të kemi për vëllezërit dhe motrat tona në familjen njerëzore, dhe që Krishti e ka për secilin prej nesh, quhet dashuri hyjnore ose “dashuria e pastër e Krishtit”. (Moroni 7:47.) Ajo është dashuria që nxiti vuajtjen dhe sakrificën për shlyerjen e Krishtit. Ajo është kulmi që mund të arrijë shpirti njerëzor dhe shprehja më e thellë e zemrës njerëzore.
… Dashuria hyjnore i përfshin të gjitha virtytet e tjera të perëndishme. Ajo shquan edhe fillimin edhe fundin e planit të shpëtimit. Kur gjithçka tjetër dështon, dashuria hyjnore – dashuria e Krishtit – nuk do të dështojë. Ajo është më e madhja nga të gjitha vetitë hyjnore.
Me zemrën e Tij të madhe, Krishti u foli të varfërve, të përndjekurve, të vejave, fëmijëve të vegjël; bujqve dhe peshkatarëve dhe atyre që kujdeseshin për dhi e dhen; të panjohurve dhe të huajve, të pasurve, të fuqishmëve politikisht, si dhe farisenjve dhe skribëve jomiqësorë. Ai u shërbeu të varfërve, të uriturve, skamnorëve dhe të sëmurëve. Ai bekoi sakatët, të verbrit, të shurdhrit dhe njerëz të tjerë me paaftësi fizike. Ai dëboi demonët dhe shpirtrat e këqij që patën shkaktuar sëmundje mendore apo emocionale. Ai i pastroi ata që qenë rënduar me mëkat. Ai dha mësime dashurie dhe në mënyrë të përsëritur demonstroi shërbim vetëmohues ndaj të tjerëve. Të gjithë merrnin nga dashuria e Tij. Të gjithë “gëzo[nin] të njëjtin privilegj si njëri, ashtu edhe tjetri dhe asnjëri nuk [ishe] i ndaluar”. (2 Nefi 26:28.) Këto janë të gjitha shprehje dhe shembuj të dashurisë së Tij të pakufishme hyjnore.
Bota në të cilën jetojmë do të përfitonte shumë nëse burrat dhe gratë kudo do të ushtronin dashurinë e pastër të Krishtit, që është e dashur, e duruar dhe e përulur. Është pa zili apo krenari. Është pa egoizëm sepse nuk kërkon asgjë në kthim. Nuk e pranon ligësinë apo keqdashjen, as i gëzohet padrejtësisë; nuk ka vend për paragjykim, urrejtje apo dhunë. Ajo kundërshton ta pranojë talljen, vulgaritetin, keqtrajtimin apo përjashtimin. Ajo nxit njerëz të ndryshëm të jetojnë së bashku në dashuri të krishterë pavarësisht besimit fetar, racës, kombësisë, gjendjes financiare, arsimit apo kulturës.
Shpëtimtari na ka urdhëruar ta duam njëri-tjetrin sikurse Ai na ka dashur ne; ta veshim veten “me lidhjen e dashurisë hyjnore” (DeB 88:125), në atë mënyrë që Ai e veshi veten. Ne jemi thirrur t’i pastrojmë ndjenjat tona të brendshme, t’i ndryshojmë zemrat tona, të bëjmë që veprimet dhe paraqitja jonë e jashtme të përputhen me atë që themi se besojmë dhe ndiejmë brenda. Ne duhet të jemi dishepuj të vërtetë të Krishtit.11
6
Të dashurit e të tjerëve është “një udhë shumë më [e] lartë”.
Kur ishte i ri, Vëllai Vern Kraulli tha se mësoi diçka nga mësimi jetik që Profeti Jozef u pati dhënë shenjtorëve të hershëm në Navu, kur u tha: “T’i duam të tjerët, madje kundërshtarët tanë si edhe miqtë”. Ky është një mësim i mirë për secilin prej nesh.
Pasi iu sëmur babai, Vern Kraulli mori përgjegjësinë të administronte oborrin e familjes me pjesë këmbimi të përdorura edhe pse ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç. Disa klientë me raste përfitonin pandershmërisht nga i riu, ndërsa gjatë natës zhdukeshin pjesë nga vendi. Verni u inatos dhe u betua se do ta kapte ndonjërin dhe do ta bënte shembull. Shpagimi do të bëhej i tiji.
Pak pasi babai i tij kishte filluar ta merrte veten nga sëmundja, Verni po bënte xhirot e tij në oborr një natë në kohën e mbylljes. Ishte thuajse errësirë. Në një qoshe të largët të pronës, ai kapi pamjen e dikujt që po mbante një pjesë të madhe makinerie drejt gardhit të pasmë. Ai vrapoi si kampion atletike dhe e kapi hajdutin e ri. Mendimi i parë i tij ishte ta shfrynte acarimin e vet me grushte dhe mandej ta zvarriste djalin te zyra ballore dhe t’i telefononte policisë. Zemra e tij ishte plot zemërim dhe hakmarrje. Ai e pati kapur hajdutin e tij dhe synonte të merrte hakën e vet.
Si nga hiçi, u duk babai i Vernit, vuri dorën e tij të dobët dhe të pasigurt mbi supin e birit të tij dhe tha: “E shoh që je pak i mërzitur, Vern. A mund të merrem unë me këtë?” Ai shkoi mandej tek i riu që do të vidhte dhe i hodhi krahun rreth supit, e vështroi në sy për një çast, dhe tha: “Bir, më thuaj, përse po e bën këtë? Përse po përpiqeshe ta vidhje atë transmision?” Pastaj z. Kraulli filloi të ecte drejt zyrës me krahun rreth djalit, duke bërë pyetje rreth problemeve të makinës së të riut ndërsa ecnin. Kur patën arritur në zyrë, babai tha: “Mirë, mendoj se friksioni yt ka marrë fund dhe ai ta krijon problemin”.
Gjatë kësaj kohe, Verni po ziente përbrenda. “Kujt i bëhet vonë për friksionin e tij?” mendonte. “Le t’i telefonojmë policisë dhe të mbarojmë me të.” Por babai i tij thjesht vazhdoi të bisedonte. “Vern, silli një friksion. Silli edhe një ndarës automatik. Dhe silli një pllakë shtytëse. Kjo është gjithçka që të nevojitet.” Babai ia dha të gjitha pjesët të riut që pati tentuar të vidhte dhe tha: “Merri këto. Dhe këtu është edhe transmisioni. Nuk ke pse të vjedhësh, djalosh. Thjesht kërko për të. Ka një rrugëdalje për çdo problem. Njerëzit janë të gatshëm të ndihmojnë.”
Vëllai Vern Kraulli tha se ai mori një mësim të përjetshëm për dashurinë atë ditë. I riu u kthye shpesh herë te vendi. Me dashje, muaj pas muaji, ai i pagoi të gjitha pjesët që Vis Kraulli i pati dhënë, përfshirë transmisionin. Gjatë atyre vizitave, ai e pyeti Vernin përse ishte ashtu siç ishte babai i tij dhe përse ai e bëri atë që bëri. Verni i tregoi atij diçka për bindjet fetare të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe se sa shumë i donte babai i tij Zotin dhe njerëzit. Përfundimisht ai që donte të vidhte, u pagëzua. Verni tha më vonë: “Është e vështirë tani të përshkruash ndjenjat që pata dhe ajo që përjetova në atë përvojë. Unë, gjithashtu, isha i ri. Unë pata kapur hajdutin tim. Doja t’i jepja ndëshkimin më të rëndë. Por babai im më mësoi një mënyrë tjetër.”
Një mënyrë tjetër? Një mënyrë më të mirë? Një mënyrë më të lartë? Një mënyrë më të shkëlqyer? Oh, sa do të përfitonte bota nga një mësim i tillë i mrekullueshëm. Siç thotë Moroni:
“Prandaj, kushdo që beson në Perëndi, mund të shpresojë me siguri për një botë më të mirë. …
Në dhuratën e Birit të tij, Zoti përgatiti një udhë më të shkëlqyer”. (Ethëri 12:4, 11.)12
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Çfarë do të thotë Presidenti Hanter duke iu referuar dy urdhërimeve të mëdha si “guri i provës i Zotit”? (Shih pjesën 1.) Mendoni se si do t’u përgjigjeshit pyetjeve që Presidenti Hanter bën në fund të pjesës 1.
Rishikoni tregimin e Presidentit Hanter mbi shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë (shih pjesën 2). Çfarë mund të mësojmë ne nga këto mësime rreth të dashurit të fqinjëve tanë? Si mund ta rritim dashurinë tonë për ata që mund të jenë “të vështirë për [t’u] dashur”?
Te pjesa 3, Presidenti Hanter jep mësim se ne duhet t’i duam dhe t’u shërbejmë të tjerëve në kohët e tyre të fatkeqësisë. Si jeni bekuar nga dikush që ju ka dashur dhe ju ka shërbyer në kohë nevoje?
Përsiatni mësimet e Presidentit Hanter rreth ndjekjes së shembullit të Shpëtimtarit për dashurinë hyjnore (shih pjesën 4). Si mund të tregojmë dashuri më të madhe për të tjerët? Cilat janë disa mënyra që ne mund ta tregojmë më aktivisht dashurinë tonë?
Te pjesa 5, Presidenti Hanter rishikon disa nga mënyrat me të cilat Krishti ka shfaqur dashurinë e Tij. Kur e keni ndjerë dashurinë e Shpëtimtarit në jetën tuaj? Çfarë bekimesh ju kanë ardhur ndërsa keni “ushtr[uar] dashurinë e pastër të Krishtit”?
Çfarë mund të mësojmë nga tregimi i Presidentit Hanter për ngjarjen e Vern Kraullit? (Shih pjesën 6.) Si mund t’i zëvendësojmë ndjenjat e “zemërim[it] dhe [të] hakmarrje[s]” me ndjenjat e dashurisë hyjnore? Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të mësoni se dashuria hyjnore është “një udhë shumë [e] lartë”?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Mateu 25:31–46; 1 Korintasve 13; Efesianëve 4:29–32; 1 Gjon 4:20; Mosia 4:13–27; Alma 34:28–29; Ethëri 12:33–34; Moroni 7:45–48; DeB 121:45–46
Ndihmë për Studimin
“Të vepruarit sipas asaj që keni mësuar do t’ju sjellë një kuptim të ri dhe të qëndrueshëm (shih Gjoni 7:17)” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 19). Mendoni të pyetni veten se si mund t’i zbatoni mësimet në shtëpi, në shkollë dhe në përgjegjësitë tuaja në Kishë.