Mësime të Presidentëve
Kapitulli 16: Martesa – Një Bashkëpunim i Përjetshëm


Kapitulli 16

Martesa – Një Bashkëpunim i Përjetshëm

“Bashkëpunimi më i madhërishëm në jetë është në martesë – ajo marrëdhënie që ka rëndësi të përhershme dhe të përjetshme.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Kur Hauard W. Hanteri ishte 20 vjeç, ai takoi Klera Xhefsin në një mbrëmje vallëzimi në Kishë në Los Anxhelos të Kalifornisë, ndërkohë që ajo kishte ardhur me një prej shokëve të tij. Pas mbrëmjes së vallëzimit, disa të rinj në moshë madhore shkuan të bënin sërf në oqean. Hauardi e humbi kollaren dhe Klera shfaqi dëshirën të ecte përgjatë bregut me të që ta gjenin kollaren. Më vonë Hauardi tha: “Herën tjetër që dolëm, unë shkova me Klerën dhe [shoku im] shkoi me dikë tjetër”.1

Vitin pasues ata filluan të dilnin së bashku seriozisht dhe në një mbrëmje pranvere, gati tre vjet pasi u takuan, Hauardi e çoi Klerën në një vend të bukur që e shihte nga lart oqeanin. “Ne [vështruam] valët që vinin në breg nga Paqësori dhe përplaseshin mbi shkëmbinjtë nën dritën e një hëne të plotë”, shkroi ai. Atë natë Hauardi i propozoi të martoheshin, dhe Klera pranoi. “Ne folëm rreth planeve tona”, tha ai, “[dhe] morëm shumë vendime atë natë dhe bëmë disa zgjedhje të rëndësishme lidhur me jetën tonë”.2

Hauardi dhe Klera u martuan në Tempullin e Solt-Lejkut më 10 qershor 1931. Gjatë 52 viteve të ardhshme, dashuria e tyre u shtua teksa i rritnin djemtë e tyre, shërbenin në Kishë dhe me besim ndesheshin me sfidat e tyre.

Lumturia e tyre si çift ishte e dukshme për familjen e tyre. Robert Hanteri, nipi i tyre më i madh, tha: “Kur mendoj për gjyshin Hanter, mendoj më shumë se ndonjë gjë tjetër për shembullin e një bashkëshorti të dashur. … Me të vërtetë mund ta ndieje një lidhje dashurie ndërmjet atyre të dyve”3.

Dashuria e Presidentit Hanter për bashkëshorten e tij ishte veçanërisht e dukshme, ndërkohë që ai u kujdes për të gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të jetës së saj, kur ajo vuante probleme të rënda shëndetësore. Kur Klera ndërroi jetë më 9 tetor 1983, ishte “një goditje dërmuese” për Presidentin Hanter.4 Ai shkroi se kur mbërriti në shtëpi ditën që ajo vdiq, “shtëpia m’u duk e ftohtë dhe, teksa ecja përreth, gjithçka më kujtonte atë”5.

Pas gati shtatë vitesh i vetëm, Presidenti Hanter u martua me Ajnis Stantonin në prill të vitit 1990. Presidenti Gordon B. Hinkli kreu ceremoninë në Tempullin e Solt-Lejkut. Ajnisa ishte një burim ngushëllimi dhe force të madhe për Presidentin Hanter gjatë shërbimit të tij si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe si President i Kishës. Ajo e shoqëroi atë në shumë prej udhëtimeve të tij për t’u takuar me shenjtorët anembanë botës.

Plaku Xhejms E. Faust, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, foli për bekimin që Ajnisa ishte për Presidentin Hanter: “Pas vdekjes [së Klerës], ishte një kohë e vetmuar për disa vjet derisa ai u martua me Ajnisën. Së bashku ata kanë pasur kaq shumë kujtime dhe përvoja të lumtura”. Më pas, duke folur për Motrën Hanter, ai tha: “Ne të jemi mirënjohës më shumë sesa mund ta shprehin fjalët, Ajnis, për shoqërimin tënd e për përkujdesjen e dashur dhe të përkushtuar ndaj tij. Ti solle shkëlqim në sytë e tij dhe i solle gëzim atij në vitet kurorëzuese të jetës së tij dhe të shërbesës së tij”.6

çift me tempullin në sfond

“Në tempull ne marrim ordinancën më të lartë në dispozicion të burrave dhe grave, vulosjen e bashkëshortëve dhe bashkëshorteve së bashku për përjetësinë.”

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe ka për qëllim të jetë e përjetshme.

Zoti e ka përcaktuar martesën për ne. Ai tha: “Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm” (Mateu 19:5).7

Bashkëpunimi më i madhërishëm në jetë është në martesë – ajo marrëdhënie që ka rëndësi të përhershme dhe të përjetshme.8

Me një dituri për planin e shpëtimit si themel, një burrë i cili mban priftërinë, e sheh martesën si një privilegj dhe detyrim të shenjtë. Nuk është mirë për burrin, as për gruan, që të jenë vetëm. Burri nuk është i plotë pa gruan. As nuk mund ta përmbushin qëllimin e krijimit të tyre pa njëri-tjetrin (shih 1 Korintasve 11:11; Moisiu 3:18). Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia (shih DeB 49:15–17). Vetëm nëpërmjet besëlidhjes së re dhe të përjetshme të martesës ata mund të arrijnë plotësinë e bekimeve të përjetshme (shih DeB 131:1–4; 132:15–19).9

Martesës shpesh i drejtohemi si një bashkëpunim me Perëndinë. Kjo nuk është thjesht një mënyrë shprehjeje. Nëse ky bashkëpunim mbetet i fuqishëm dhe veprues, burri dhe gruaja do ta duan njëri-tjetrin, ashtu sikurse e duan Perëndinë, dhe do të hyjë në shtëpinë e tyre një ëmbëlsi dhe një ndjenjë dashurie që do të sjellin sukses të përjetshëm.10

Martesa e parë u krye nga Zoti. Ajo ishte një martesë e përjetshme, sepse nuk pati asgjë të tillë si koha, kur ndodhi ajo ceremoni. Ceremonia u krye për një çift që atëherë nuk i nënshtrohej vdekjes; kështu, në ato kushte, marrëdhënia nuk do të përfundonte kurrë. Pas rënies, prindërit tanë të parë u nxorën jashtë nga Kopshti. Atëherë ata iu nënshtruan vdekjes, por ringjallja iu premtua atyre. Asnjëherë nuk u tha që martesa e tyre e përjetshme duhej të arrinte në një mbarim.11

Në tempull ne marrim ordinancën më të lartë në dispozicion të burrave dhe grave, vulosjen e bashkëshortëve dhe të bashkëshorteve së bashku për përjetësinë. Ne shpresojmë që rinia jonë nuk do të mjaftohet me asgjë më të paktë sesa një martesë në tempull.12

Ashtu si pagëzimi është një urdhërim nga Zoti, po ashtu është martesa në tempull. Ashtu si pagëzimi është thelbësor për pranimin në Kishë, po ashtu martesa në tempull është thelbësore për ekzaltimin tonë në praninë e Perëndisë. Është pjesë e fatit tonë. Ne nuk mund t’i përmbushim qëllimet tona përfundimtare pa të. Mos u kënaqni me asgjë më pak nga kjo.

Ju nuk do ta pranonit një formë të pagëzimit sipas botës, apo jo? Perëndia ka mënyrën e Tij të pagëzimit – me anë të zhytjes nga dikush që mban autoritetin. Atëherë, a do ta pranonit një formë të martesës sipas botës? Ai ka mënyrën e Tij të martesës gjithashtu: Ajo është martesa në tempull.13

Lutem që Zoti do të na bekojë që të mund ta kuptojmë arsyen për ekzistencën tonë dhe atë që duhet të bëjmë për ta gjetur udhën tonë drejt ekzaltimit dhe jetës së përjetshme. Pjesë e planit të përjetshëm është martesa që e mbajmë të shenjtë. Nëse jemi të gatshëm të pajtohemi me to, ordinancat bëhen të qëndrueshme përgjithmonë. Ç’gjë e lavdishme është ta kesh këtë kuptueshmëri dhe që të na jenë zbuluar këto të vërteta.14

2

Kur vendosni se me kë të martoheni, jini të durueshëm, kini besim dhe qëndroni të denjë për marrjen e ndihmës hyjnore.

Mendoj se vendimi më i madh që duhet të merrni … është vendimi që do t’i japë formë jetës suaj për përjetësinë dhe ai është martesa juaj. Jam i sigurt se ju do të binit dakord me mua që kjo do të jetë shumë më tepër e rëndësishme sesa ndonjë gjë tjetër që e bëni në jetë, sepse puna juaj dhe profesioni juaj, apo çfarëdo gjëje tjetër që do të bëni, nuk është aspak aq e rëndësishme sa vlerat e përjetshme. … [Vendimi rreth martesës do të] ndikojë te ju përmes përjetësisë; do të ndikojë te ju teksa jetoni këtu në tokë gjithashtu.15

Mos u … nxitoni të hyni në një marrëdhënie pa e menduar mirë dhe pa frymëzimin e duhur. Me lutje kërkoni udhërrëfimin e Zotit për këtë çështje. Qëndroni të denjë për ta marrë atë ndihmë hyjnore.16

Shumë prej jush … shqetësohen rreth shoqërimit, martesës dhe fillimit të një familjeje. Ju ndoshta nuk do ta gjeni emrin e bashkëshortit/es tuaj/suaj të ardhshëm/me në vegimin e Nefit apo në librin e Zbulesës; juve nuk do t’ju thuhet ai nga një engjëll apo madje nga peshkopi juaj. Disa gjëra duhet t’i bëni për veten tuaj. Kini besim e jini të bindur dhe bekimet do të vijnë. Përpiquni të keni durim. Përpiquni të mos e lejoni atë që nuk e keni, t’ju verbojë ndaj asaj që vërtet e keni. Nëse shqetësoheni shumë rreth martesës, kjo mund t’jua shkatërrojë pikërisht mundësinë për të. Jetoni plotësisht dhe besnikërisht si një njeri, përpara se të kini ankthin e tepruar rreth të jetuarit si dy njerëz.17

Ndërkohë që prisni për bekimet e premtuara, një njeri nuk duhet ta shënojë kohën, sepse të dështuarit për të ecur përpara është në një farë mënyre një kthim pas. Përfshihuni me plot dëshirë në kauza të mira, duke përfshirë zhvillimin tuaj vetjak.18

të rinj duke u ngjitur në mal

“Ndërkohë që prisni për bekimet e premtuara, … përfshihuni me plot dëshirë në kauza të mira, duke përfshirë zhvillimin tuaj vetjak.”

3

Asnjë bekim nuk do t’iu mohohet individëve të denjë që nuk martohen.

Kjo është Kisha e Jezu Krishtit, nuk është kisha e të martuarve apo beqarëve ose e ndonjë grupi apo individi tjetër. Ungjilli që ne predikojmë është ungjilli i Jezu Krishtit, i cili i përfshin të gjitha ordinancat dhe besëlidhjet shpëtuese, të nevojshme për ta shpëtuar dhe ekzaltuar çdo individ, i cili është i gatshëm ta pranojë Krishtin dhe t’i zbatojë urdhërimet që i kanë dhënë Ai dhe Ati ynë në Qiell.19

Asnjë bekim, duke përfshirë atë të martesës së përjetshme dhe të një familjeje të përjetshme, nuk do t’i mohohet asnjë individi të denjë. Ndërkohë që mund të kërkojë një kohë disi më të gjatë – ndoshta madje përtej kësaj jete në vdekshmëri – për disa njerëz që ta arrijnë këtë bekim, ai nuk do të mohohet. …

Tani, më lejoni t’ju ofroj pak fjalë këshille dhe dashurie.

Për ju që jeni burra të pamartuar: Mos e vini mënjanë martesën ngaqë nuk keni një karrierë dhe gjendje financiare të përsosur. … Mbani mend se, si mbajtës i priftërisë ju keni detyrimin për të marrë iniciativën në kërkimin e shoqes së përjetshme.

Për ju gra të pamartuara: Premtimet e profetëve të Perëndisë gjithmonë kanë qenë që Zoti është i vetëdijshëm për ju; nëse jeni besnike, të gjitha bekimet do të jenë tuajat. Të jeni pa një martesë dhe pa një familje në këtë jetë është veçse një gjendje e përkohshme dhe përjetësia është një kohë e gjatë. Presidenti Benson na ka kujtuar se “koha numërohet vetëm nga njeriu. Perëndia e ka në mendje këndvështrimin tuaj të përjetshëm.” (Ensign, nëntor 1988, f. 97.) Mbusheni jetën tuaj me veprimtari të vlefshme, domethënëse.

Për ju që e keni provuar divorcin: Mos e lejoni zhgënjimin ose ndjenjën e dështimit t’i japin ngjyrë idesë suaj për martesën ose për jetën. Mos e humbisni besimin te martesa ose mos e lejoni hidhërimin që ta gërryejë shpirtin tuaj dhe t’ju shkatërrojë ju apo ata që i doni ose i keni dashur.20

4

Martesa e suksesshme kërkon përpjekjet tuaja më të mira për t’i jetuar parimet e ungjillit.

[Martesa] … është një sjellje që mësohet. Përpjekja jonë e ndërgjegjshme, jo instinkti, e përcakton suksesin. Forca shtytëse buron nga mirësia, dashuria e vërtetë dhe përkujdesja për lumturinë dhe mirëqenien e njëri-tjetrit.

Përpara martesës ne e shihnim jetën nga vetë pikëpamja jonë, por pas kapërcimit të atij pragu, ne filluam ta marrim atë parasysh nga këndvështrimi i dikujt tjetër gjithashtu. Është e nevojshme të bëhen sakrifica dhe përshtatje si shfaqje të risigurisë dhe dashurisë.

Thuhet shpesh që të jesh i martuar në mënyrë të lumtur dhe të suksesshme është në përgjithësi jo aq shumë çështje e martesës me personin e duhur sesa është të qenit personi i duhur. Statistikat që tregojnë shkallën e lartë të divorcit, mund të tregojnë zgjedhje jo të urta nga partnerët. Nëse do të ishin martuar me njerëz të tjerë, problemi i caktuar mund të ishte përjashtuar, por sigurisht një problem tjetër do të kishte qenë në vend të tij. Një zgjedhje e urtë e një partneri është një ndihmesë e madhe kundrejt një martese të suksesshme, sidoqoftë përpjekja e ndërgjegjshme që një njeri ta luajë rolin e tij tërësisht, është përbërësi më i rëndësishëm që luan rol drejt suksesit.21

Ndërkohë që është e vërtetë se çifte të denja do të fitojnë ekzaltim në mbretërinë çelestiale, secili burrë e grua, të vulosur në një marrëdhënie të përjetshme, duhet të jetë i denjë në mënyrë individuale për atë bekim.

Një martesë e përjetshme do të përbëhet nga një burrë i denjë dhe një grua e denjë, të cilët, që të dy, janë pagëzuar në mënyrë individuale me anë të ujit dhe me anë të Shpirtit; të cilët kanë shkuar në tempull në mënyrë individuale për të marrë vetë dhurimet [indaumentet] e tyre; të cilët janë zotuar në mënyrë individuale për besnikërinë e tyre ndaj Perëndisë dhe ndaj partnerit të tyre në besëlidhjen e martesës; dhe të cilët i kanë mbajtur në mënyrë individuale besëlidhjet e tyre, duke bërë gjithçka që Perëndia priste prej tyre.22

Të jetuarit e parimeve të ungjillit e bën një martesë të lumtur. … Kur dy njerëz mund t’i jetojnë parimet e ungjillit, martesa mund të jetë e ëmbël dhe mund të jetë e lumtur.23

5

Bashkëshortët dhe bashkëshortet duhet të punojnë së bashku për t’i forcuar lidhjet e martesës.

Dashuria hyjnore dhe durimi me papërsosmëritë

Shumica e partnerëve kanë papërsosmëri. … Riçard L. Evans dikur tha: “Ndoshta secili prej nesh mund të shkonte mirë me njerëzit e përsosur, por detyra jonë është të shkojmë mirë me njerëzit e papërsosur” [Richard Evans’ Quote Book (1971), f. 165]. Ne e kuptojmë se në martesë ne nuk po bashkëveprojmë me njerëz të përsosur; ne po kërkojmë përsosmëri dhe po udhëtojmë nëpër shtegun në të cilin ne shpresojmë të gjejmë përsosmëri, por duhet të kemi kuptueshmëri, të japim më të mirën nga vetja dhe ta bëjmë jetën të bukur. …

… Bibla na thotë: “Dashuria është e durueshme; plot mirësi” (shih 1 Korintasve 13:4). Ajo lloj dashurie, lloji që nuk shihet si e pavlerë, që nuk mbarohet sipas dëshirës e nuk flaket tutje si një qese mbeturinash, por që përballet me të gjitha vështirësitë e vogla të jetës krah për krah, duke i ndërthurur shpirtrat, është shprehja përfundimtare e lumturisë njerëzore.24

Të pasurit e një zemre

Sigurisht martesat më të lumtura janë ato ku lëndimi yt është lëndimi im, dhembja ime është dhembja jote, fitorja ime, fitorja jote, shqetësimet e mia, shqetësimet e tua. Të pasurit e një zemre, një shpirti, një mishi duket të jetë një sfidë gjithnjë e më shumë nga sa ishte më parë në botë, në të cilën pyetja duket të jetë: “Çfarë mund të përfitoj unë prej kësaj?” Gjithnjë e më shumë partnerët e martesave janë bërë thjesht një mjet zbukurues për t’u parë, në vend që të jenë një pjesë e zemrës.25

çift i ri me një foshnjë

Kur bashkëshorti dhe bashkëshortja e “duan njëri-tjetrin, ashtu sikurse e duan Perëndinë, … do të hyjë në shtëpinë e tyre një ëmbëlsi dhe një ndjenjë dashurie që do të sjellin sukses të përjetshëm”.

Besnikëri në mendim, fjalë e veprim

Një burrë që mban priftërinë, tregon besnikëri morale të përsosur ndaj bashkëshortes së tij dhe nuk i jep asaj asnjë arsye për të dyshuar në besnikërinë e tij. Një bashkëshort duhet ta dojë bashkëshorten e tij me gjithë zemër dhe të kapet pas saj e pas askujt tjetër (shih DeB 42:22–26). Presidenti Spenser W. Kimball shpjegoi:

“Fjalët askujt tjetër përjashtojnë gjithkënd dhe gjithçka. Bashkëshorti/ja atëherë bëhet përparësor/e në jetën e bashkëshortes apo bashkëshortit dhe as jeta shoqërore, as jeta profesionale, as jeta politike, as ndonjë interes ose njeri apo gjë tjetër nuk do të marrë asnjëherë përparësi ndaj bashkëshortit/es shoqërues/e” (The Miracle of Forgiveness, Salt Lake City: Bookcraft, 1969, f. 250).

Zoti e ndalon dhe Kisha e Tij e dënon çfarëdolloj marrëdhënieje intime jashtë martesës. Mungesa e besnikërisë nga ana e një burri e thyen zemrën e bashkëshortes së tij dhe e humbet vetëbesimin e saj dhe vetëbesimin e fëmijëve të tij (shih Jakobi [LiM] 2:35).

Jini besnikë në besëlidhjet tuaja të martesës në mendim, fjalë e veprim. Pornografia, flirtet dhe fantazitë e pashëndetshme e gërryejnë karakterin e një njeriu dhe godasin te themeli i një martese të lumtur. Uniteti dhe mirëbesimi brenda një martese, si rrjedhim, shkatërrohen. Një njeri që nuk i kontrollon mendimet e tij dhe, si rrjedhojë, kryen shkelje të kurorës në zemrën e tij, nëse nuk pendohet, ai nuk do ta ketë Shpirtin, por do ta mohojë besimin dhe do të ketë frikë (shih DeB 42:23; 63:16).26

Butësi dhe respekt në marrëdhëniet intime

Mbajeni veten mbi çfarëdo sjellje autoritare ose të padenjë në marrëdhënien e butë, intime midis bashkëshortit e bashkëshortes. Ngaqë martesa shugurohet nga Perëndia, marrëdhënia intime midis bashkëshortëve e bashkëshorteve është e mirë dhe nderuese në sytë e Perëndisë. Ai ka urdhëruar që ata të jenë një mish dhe që të shumëzohen e të mbushin tokën (shih Moisiu 2:28; 3:24). Ju duhet ta doni bashkëshorten tuaj sikurse Krishti e deshi Kishën dhe e dha veten e Tij për të (shih Efesianëve 5:25–31).

Butësia dhe respekti – asnjëherë egoizmi – duhet të jenë parimet udhëzuese në marrëdhënien intime midis bashkëshortit e bashkëshortes. Secili partner duhet të tregojë interes e të jetë i ndjeshëm ndaj nevojave dhe dëshirave të partnerit tjetër. Çfarëdo sjellje autoritare, e pahijshme ose e pakontrolluar në marrëdhënien intime midis bashkëshortit e bashkëshortes dënohet nga Zoti.

Çdo burrë që e keqtrajton ose e poshtëron bashkëshorten e tij fizikisht apo shpirtërisht, është fajtor për një mëkat të rëndë dhe i nevojitet një pendim i sinqertë dhe serioz. Mospërputhjet duhet të zgjidhen me dashuri e mirësi dhe me një shpirt të pajtimit reciprok. Një burrë gjithmonë duhet t’i flasë bashkëshortes së tij me dashuri e mirësi, duke e trajtuar atë me respektin më të madh. Martesa është si një lule e njomë … dhe duhet të ushqehet vazhdimisht me shprehjet e dashurisë dhe të përkujdesjes.27

Të dëgjuarit me vëmendje

Shumë probleme mund të merrnin përgjigje shpejt dhe shumë situata të vështira mund të zgjidheshin, në qoftë se ne mund ta kuptonim që ka raste kur është e nevojshme të dëgjojmë. Në shkollë ne e mësuam mësimin kur dëgjuam, por nuk ia dolëm mbanë kur nuk pranuam t’i kushtonim vëmendje. Në martesë ka një mungesë të plotë të kuptueshmërisë, në qoftë se nuk jemi të gatshëm të dëgjojmë. … Sigurisht, ne kemi nevojë të flasim, por duhet ta dëgjojmë pikëpamjen e tjetrit me qëllim që të na shtohet kuptueshmëria jonë në mënyrë të mjaftueshme për të marrë një vendim të mençur. Një vesh dëgjues shpeshherë mund ta sjellë ndryshimin.28

Mungesa e egoizmit

Miqësitë nuk mund të durojnë nëse ato bazohen mbi rërat e egoizmit. Martesat nuk durojnë kur nuk kanë një bazament, përveçse te tërheqja fizike, dhe nuk kanë një themel të një dashurie dhe besnikërie më të thellë.29

Ne shpresojmë se ju që martoheni, do t’i kujtoni ndjenjat e dashurisë të cilat ju çuan drejt altarit në shtëpinë e Zotit. Zemrat tona trishtohen kur mësojmë për shumë vetë, dashuria e të cilëve është ftohur ose të cilët, nëpërmjet arsyeve të egoizmit apo shkeljes, i harrojnë ose i trajtojnë si pak të rëndësishme besëlidhjet e martesës që ata bënë në tempull. Ne u lutemi bashkëshortëve dhe bashkëshorteve që të kenë dashuri e respekt për njëri-tjetrin. Me të vërtetë, do të ishte shpresa jonë më e dëshiruar që çdo familje do të bekohej me një nënë e një atë, të cilët do të shprehin dashuri për njëri-tjetrin, të cilët janë të sjellshëm ndaj njëri-tjetrit dhe që punojnë së bashku për t’i forcuar lidhjet e martesës.30

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Në pjesën 1, Presidenti Hanter thekson se martesa shugurohet nga Perëndia dhe ka për qëllim të jetë e përjetshme. Si mund të ndikojë në marrëdhënien me bashkëshortin/en tuaj kur e dini këtë gjë? Çfarë do të thotë për ju që martesa është “një bashkëpunim me Perëndinë”? Si mund t’i ndihmojmë fëmijët dhe të rinjtë që të përgatiten për t’u martuar në tempull?

  • Cilat janë mendimet dhe përshtypjet tuaja kur e studioni këshillën e Presidentit Hanter rreth marrjes së vendimit se me kë të martoheni? (Shih pjesën 2.)

  • Si mund t’i ndihmojnë njerëzit që nuk janë të martuar premtimet dhe këshilla e Presidentit Hanter në pjesën 3? Si mund ta vëmë në jetë mesazhin e Presidentit Hanter se “kjo është Kisha e Jezu Krishtit, nuk është kisha e të martuarve apo beqarëve”?

  • Si mendoni, çfarë do të thotë Presidenti Hanter nëpërmjet thënies që martesa “është një sjellje që mësohet”? (Shih pjesën 4.) Kur e keni parë që të jetuarit e parimeve të ungjillit i ka sjellë lumturi një martese? Nëse jeni të martuar, merrni parasysh atë që mund të bënit për ta shfaqur në mënyrë më të plotë dashurinë tuaj për bashkëshortin/en tuaj.

  • Përsiatni këshillën e Presidentit Hanter në pjesën 5. Si mund të zhvillojnë bashkëshortët/et durim më të madh me papërsosmëritë e njëri-tjetrit? Si mund të zhvillojnë bashkëshortët/et në mënyrë më të madhe “të pasurit e një zemre”? Si mund të tregojnë bashkëshortët/et besnikëri në martesë nëpërmjet mendimit, fjalës e veprimit?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Zanafilla 2:18, 21–24; Jakobi [LiM] 2:27, 31–33; 4 Nefi 1:11; DeB 42:22; Moisiu 3:19–24; shih edhe “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Ensign, ose Liahona, nëntor 2010, f. 129

Ndihmë për Studimin

“Studimi i ungjillit është më efektiv kur ju mësoheni nga Fryma e Shenjtë. Gjithmonë, fillojeni studimin tuaj të ungjillit duke u lutur që Fryma e Shenjtë t’ju ndihmojë të mësoni” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 18).

Shënime

  1. Në Eleanor Knowles, Howard W. Hunter (1994), f. 72.

  2. Në Knowles, Howard W. Hunter, f. 79–80.

  3. Në Don L. Searle, “President Howard W. Hunter, Acting President of the Quorum of the Twelve Apostles”, Ensign, prill 1986, f. 24–25.

  4. Gordon B. Hinckley, “A Prophet Polished and Refined”, Ensign, prill 1995, f. 34.

  5. Në Knowles, Howard W. Hunter, f. 270; shih edhe f. 264, 267, 269.

  6. James E. Faust, “Howard W. Hunter: Man of God”, Ensign, prill 1995, f. 28.

  7. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 137.

  8. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 130.

  9. “Being a Righteous Husband and Father”, Ensign, nëntor 1994, f. 49.

  10. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 130.

  11. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 132.

  12. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 130.

  13. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 131–132.

  14. “Divine Creation of Women” (bisedë e dhënë në Konferencën e Zonës së Australisë, në Adelaide, Australi, 30 nëntor 1979), f. 7, Church History Library, Salt Lake City.

  15. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 141–142.

  16. “The Church Is for All People”, Ensign, qershor 1989, f. 77.

  17. “Fear Not, Little Flock” (bisedë e dhënë tek Universiteti “Brigam Jang”, 14 mars 1989), f. 4; speeches.byu.edu.

  18. “The Church Is for All People”, f. 77.

  19. “The Church Is for All People”, f. 76.

  20. “The Church Is for All People”, f. 76–77.

  21. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 129–130.

  22. “The Church Is for All People”, f. 76.

  23. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 137.

  24. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 135–136.

  25. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 137.

  26. “Being a Righteous Husband and Father”, f. 50.

  27. “Being a Righteous Husband and Father”, f. 51.

  28. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 129.

  29. Në Conference Report, tetor 1967, f. 12.

  30. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 130–131.