Kapitulli 2
“Po Ju Jap Paqen Time”
“Paqja mund të vijë te një individ vetëm nëpërmjet bindjes pa kushte – bindjes ndaj Atij që është Princi i paqes, që ka fuqinë të sjellë paqe.”
Nga Jeta e Hauard W. Hanterit
Një nga shokët e Presidentit Hauard W. Hanter, në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, e përshkroi atë si një burrë “të një durimi të jashtëzakonshëm që vjen nga një paqe e brendshme e madhe”1. Presidenti Hanter foli shpesh rreth paqes së brendshme, duke dhënë mësim se një person mund ta marrë atë vetëm duke iu drejtuar Perëndisë – duke mirëbesuar tek Ai, duke ushtruar besim dhe duke u përpjekur të bëjë vullnetin e Tij. Një paqe e tillë e ndihmoi atë përmes shumë kohërave të vështira.
Nga fundi i vitit 1975 një mjek rekomandoi operacion truri për bashkëshorten e Presidentit Hanter, Klerën. Presidenti Hanter u mundua me veten nëse operacioni ishte në interesin më të mirë të Klerës, pasi do ta sforconte trupin e brishtë të saj dhe mund të mos ia përmirësonte gjendjen. Ai shkoi në tempull, u këshillua me anëtarët e familjes dhe shpejt ndjeu se operacioni ofronte shpresën më të mirë për t’i dhënë Klerës pak lehtësim. Duke përshkruar ndjenjat e tij në ditën e operacionit, ai shkroi:
“Unë shkova me të deri te dyert e dhomës së operacionit, i dhashë një puthje dhe atë e morën mes dyerve. Ndërsa koha kalonte, unë prisja dhe pyesja veten. … Befas ankthi i madh u kthye në një ndjenjë paqeje. Unë e dija se vendimi i drejtë qe marrë dhe se lutjet e mia patën marrë përgjigje.”2
Në vitin 1989, Presidenti Hanter pati një përvojë tjetër gjatë së cilës ai ndjeu paqe në një kohë shqetësimi. Ai ishte në Jerusalem për të përkushtuar Qendrën e Universitetit “Brigam Jang” për Studime të Lindjes së Afërme. Disa grupe patën protestuar kundër pranisë së Kishës në Jerusalem dhe disa patën kërcënuar për dhunë. Një nga folësit në përkushtim ishte Plaku Bojd K. Paker, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, që më vonë tregoi këtë incident:
“Ndërsa po flisja, pati një trazirë nga fundi i sallës. Burra me uniformë ushtarake patën hyrë në dhomë. Ata i dërguan një pusullë Presidentit Hanter. Unë u ktheva dhe pyeta për udhëzime. Ai tha: ‘Kishte qenë një kërcënim për bombë. A je i trembur?’ Unë thashë: ‘Jo’. Ai tha: ‘As unë; mbaroje bisedën’.”3 Shërbimet e përkushtimit vijuan pa incident; nuk pati bombë.
Në situata si këto, Presidenti Hanter mirëbesonte në këtë premtim për paqe nga Shpëtimtari, që ai shpesh e citonte: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27).
Mësime të Hauard W. Hanterit
1
Jezu Krishti është burimi ynë i paqes së vërtetë.
Në profetizimin e lindjes së Krishtit, më shumë se 700 vjet përpara se të ndodhte, profeti Isaia përdori tituj që shprehin admirim të madh. … Një nga këta tituj që është me interes të veçantë në botën tonë të tanishme është “Princ i paqes” (Isaia 9:6). “Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja”, deklaroi Isaia (v. 7). Çfarë shprese drithëruese për një botë të lodhur nga lufta dhe të rënduar me mëkat!4
Paqja, për të cilën bota është e dëshiruar, është një kohë ndalimi veprimesh luftarake; por njerëzit nuk e kuptojnë se paqja është gjendja e ekzistencës që vjen te njeriu vetëm me kushtet dhe kriteret e vendosura nga Perëndia dhe në asnjë mënyrë tjetër.
Në një psalm te Libri i Isaias janë këto fjalë: “Mendjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti”. (Isaia 26:3.) Kjo paqe e përsosur e përmendur nga Isaia i vjen njeriut vetëm nëpërmjet një besimi në Perëndi. Kjo nuk kuptohet nga një botë mosbesuese.
Në rastin e fundit që Jezusi pati darkë me Të Dymbëdhjetët, Ai lau këmbët e tyre, ndau bukë për ta dhe u përcolli kupën; mandej, pasi Juda u largua prej tyre, Mësuesi u foli atyre njëfarë kohe. Midis gjërave të tjera, Ai u tregoi për vdekjen e Tij të afërt dhe për trashëgiminë që la për secilin prej tyre. Ai nuk pati grumbulluar asnjë mall, pronë dhe as pasuri. Analet nuk na tregojnë për ndonjë zotërim përveç rrobave që Ai kishte veshur dhe në ditën tjetër pas kryqëzimit ato do të ndaheshin nga ushtarët, që do të hidhnin short për pallton e Tij. Dhurata e Tij iu dha dishepujve të Tij me këto fjalë të thjeshta, por të thella: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po ua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”. (Gjoni 14:27.)
Ai përdori formën judease të përshëndetjes dhe bekimit: “Po ju jap paqen time”. Kjo përshëndetje dhe ky dhurim nuk duhet të ishte marrë prej tyre në kuptimin e zakonshëm, sepse Ai tha: “… unë po ua jap, po jo si e jep bota”. Jo urime boshe, jo thjesht ceremoni e lëmuar, siç i përdorin fjalët njerëzit e botës si çështje zakoni; por si autor dhe Princ i paqes, Ai ua dha atë atyre. Ai ua dhuroi atë atyre dhe tha: “Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”. Brenda pak orësh ata do të prekeshin nga shqetësimi, por me paqen e Tij ata mund të mposhtnin frikën dhe të qëndronin besnikë.
Deklarata e Tij e fundit për ta përpara lutjes së mbylljes në atë mbrëmje të paharrueshme ishte kjo: “… në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”. (Gjoni 16:33.)5
2
Ne e arrijmë paqen kur i jetojmë parimet e ungjillit.
Ka vetëm një dorë udhërrëfyese në univers, vetëm një dritë vërtet të pagabueshme, një fanar shprese për botën. Ajo dritë është Jezu Krishti, drita dhe jeta e botës, drita që një profet i Librit të Mormonit e përshkroi si “një dritë që është pa mbarim që nuk mund të errësohet kurrë”. (Mosia 16:9.)
Ndërsa kërkojmë për bregun e sigurisë dhe paqes, nëse jemi gra dhe burra, familje, bashkësi apo kombe të veçanta, Krishti është i vetmi fanar në të cilin ne mund të mbështetemi përfundimisht. Është Ai që tha për misionin e Vet: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”. (Gjoni 14:6.) …
Shqyrtoni, për shembull, këtë udhëzim nga Krishti për dishepujt e Tij. Ai tha: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”. (Mateu 5:44.)
Mendoni për atë që kjo këshillë e vetme do të bënte në lagjen tuaj dhe timen, në bashkësitë në të cilat ju dhe fëmijët tuaj jetoni, në kombet që formojnë familjen tonë të madhe globale. Unë e kuptoj se kjo doktrinë është një sfidë e rëndësishme, por sigurisht ajo është një sfidë më e pranueshme sesa detyrat e tmerrshme që na vihen prej luftës dhe varfërisë dhe dhimbjes që bota vijon të përballë.6
Kur përpiqemi të ndihmojmë ata që na kanë ofenduar, kur lutemi për ata që na kanë përdorur padrejtësisht, jeta jonë mund të jetë e bukur. Ne mund të kemi paqe kur jemi në unitet me Shpirtin dhe me njëri-tjetrin ndërsa i shërbejmë Zotit dhe mbajmë urdhërimet e Tij.7
Bota në të cilën jetojmë, qoftë pranë shtëpisë apo tutje larg, ka nevojë për ungjillin e Jezu Krishtit. Ai siguron të vetmen mënyrë me të cilën bota do të njohë ndonjëherë paqe. … Ne kemi nevojë për një botë më paqësore, që krijohet nga familje dhe fqinjësi e bashkësi më paqësore. Për të siguruar dhe forcuar një paqe të tillë, “ne duhet t’i duam të tjerët, madje kundërshtarët tanë si dhe miqtë” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 421]. … Ne duhet të shtrijmë dorën e miqësisë. Ne duhet të jemi më bujarë, më zemërbutë, më falës dhe më të ngadaltë për t’u inatosur.8
Mënyra kryesore e Perëndisë për të vepruar është nëpërmjet bindjes dhe durimit dhe tolerancës, jo nëpërmjet shtrëngimit dhe kundërvënies së ashpër. Ai vepron me anë të kërkesës së butë dhe me nxitje të ëmbël.9
Nuk ka premtim për paqe për ata që e kundërshtojnë Perëndinë, për ata që nuk do t’i mbajnë urdhërimet e Tij ose për ata që i shkelin ligjet e Tij. Profeti Isaia foli për rënien dhe korrupsionin e udhëheqësve dhe pastaj vazhdoi me këshillat e tij duke thënë: “Por të pabesët janë si deti i trazuar, që nuk mund të qetësohet dhe ujërat e të cilit vjellin llucë dhe baltë. ‘Nuk ka paqe për të pabesët’, thotë Perëndia im”. (Isaia 57:20–21.) …
… Indiferenca ndaj Shpëtimtarit ose mosmbajtja e urdhërimeve të Perëndisë shkakton pasiguri, trazirë të brendshme dhe grindje. Këto janë e kundërta e paqes. Paqja mund të vijë te një individ vetëm nëpërmjet bindjes pa kushte – bindjes ndaj Atij që është Princi i paqes, që ka fuqinë të sjellë paqe.10
Shqetësimet e botës shpesh të shprehura në tituj alarmues të artikujve duhet të na kujtojnë të kërkojmë paqen që vjen nga të jetuarit e parimeve të thjeshta të ungjillit të Krishtit. Pakicat zhurmëmëdha nuk do ta prishin paqen tonë të shpirtit nëse ne i duam bashkënjerëzit tanë dhe kemi besim në sakrificën shlyese të Shpëtimtarit dhe sigurinë e qetë që Ai jep për jetën e përjetshme. Ku e gjejmë ne një besim të tillë në një botë të trazuar? Zoti tha: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet. Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t’i hapet atij që troket”. (Lluka 11:9–10.)11
Duket se dy të vërteta të përjetshme duhet të pranohen nga të gjithë nëse ne duhet të gjejmë paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen. 1) Që Jezusi është Krishti, biri i vërtetë i përjetshëm i Atit tonë Qiellor, që erdhi në tokë për qëllimin e saktë të shëlbimit të njerëzimit nga mëkati dhe varri, dhe që Ai jeton për të na kthyer drejt pranisë së Atit. 2) Që Jozef Smithi ishte profeti i Tij, u përgatit në ditët e mëvonshme për të rivendosur të vërtetën që pati humbur për njerëzimin për shkak të shkeljes. Nëse të gjithë njerëzit do t’i pranonin dhe jetonin këto dy të vërteta themelore, paqja do t’i sillej botës.12
Nëse ju, vetë, u rezistoni … tundimeve dhe vendosni të paguani çmimin e përditshëm, ta jetoni Ligjin e Korrjes së të Mbjellave me mendime dhe praktika të pastra morale, me raporte të drejta dhe të ndershme, me integritet dhe vetëdije në studimet tuaja, duke agjëruar, lutur dhe adhuruar, ju do të vilni frytet e lirisë dhe të paqes së brendshme dhe begati.13
Një jetë e mbushur me shërbim bujar gjithashtu do të mbushet me paqe që e kapërcen të kuptuarin [tonë]. … Kjo paqe mund të vijë vetëm nëpërmjet të jetuarit të parimeve të ungjillit. Këto parime përbëjnë programin e Princit të Paqes.14
Kaq shumë është përllogaritur në botën tonë për të shkatërruar … paqen personale me mijëra lloje mëkatesh dhe tundimesh. Ne lutemi që jeta e shenjtorëve të jetohet në harmoni me shembullin e përsosur të vendosur për ne nga Jezusi i Nazaretit.
Ne lutemi që përpjekjet e Satanit do të dështojnë, që jeta vetjake mund të jetë paqësore dhe e qetë, që familjet të mund të jenë pranë dhe të vëmendshme me çdo pjesëtar, që lagjet dhe kunjet, degët dhe distriktet të mund të formojnë trupin e madh të Krishtit, t’i përgjigjen çdo nevoje, duke zbutur çdo lëndim, duke shëruar çdo plagë gjersa e gjithë bota, siç u lut Nefi, do të “shko[jë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit”. …
“Vëllezërit e mi të dashur”, vijoi Nefi, “kjo është udha; dhe s’ka udhë tjetër”. (2 Nefi 31:20–21.)15
3
Shpëtimtari mund të na ndihmojë të gjejmë paqe pavarësisht trazirës rreth nesh.
Jezusit nuk ia kursyen pikëllimin e dhimbjen dhe vuajtjen e goditjen. Nuk ka gjuhë që mund të shprehë barrën e pashqiptuar që Ai duroi, as nuk kemi ne urtësinë që të kuptojmë përshkrimin e profetit Isaia për Të si “njeri i dhimbjeve”. (Isaia 53:3.) Anija e Tij u trondit shumicën e jetës së Tij, dhe, të paktën sipas syve të vdekshmërisë, ajo pësoi përplasjen fatale në bregun shkëmbor të Kalvarit. Neve na kërkohet të mos shohim në jetë me sy të vdekshmërisë; me shikim shpirtëror ne e dimë se diçka krejt tjetër po ndodhte në kryq.
Paqja ishte në buzët dhe në zemrën e Shpëtimtarit pavarësisht sa egërsisht sulej shtrëngata. Qoftë kështu me ne – në vetë zemrat tona, në vetë shtëpitë tona, në kombet tona të botës dhe madje në goditjet që përball herë pas here Kisha. Ne nuk duhet të presim të kalojmë nëpër jetë individualisht apo kolektivisht pa një kundërshti.16
Dikush mund të jetojë në mjedis të bukur dhe paqësor por, për shkak të një grindjeje a mosmarrëveshjeje të brendshme, mund të jetë në një gjendje trazire të përhershme. Nga ana tjetër, dikush mund të jetë në mes të shkatërrimit të plotë dhe gjakderdhjes së luftës dhe përsëri të ketë kthjelltësinë e një paqeje të pathënë. Nëse vështrojmë nga njeriu dhe mënyrat e botës, do të gjejmë trazirë dhe rrëmujë. Vetëm nëse kthehemi te Perëndia, ne do të gjejmë paqe për shpirtin pa prehje. Kjo u bë e qartë nga fjalët e Shpëtimtarit: “Në botë do të keni mundime” (Gjoni 16:33); dhe në dhuratën e Tij për Të Dymbëdhjetët dhe gjithë njerëzimin, Ai tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota. …” (Gjoni 14:27.)
Ne mund ta gjejmë këtë paqe tani në një botë konflikti vetëm nëse e pranojmë dhuratën e Tij të madhe dhe ftesën e Tij të mëtejshme: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.
Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”. (Mateu 11:28–29.)
Kjo paqe na mbron ne nga trazira e botës. Njohuria se Perëndia jeton, se ne jemi fëmijët e Tij dhe se Ai na do, qetëson zemrën e trazuar. Përgjigjja për kërkimin është te besimi në Perëndi dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin. Kjo do të sjellë paqe për ne tani dhe në përjetësinë që pason.17
Në këtë botë rrëmuje dhe ngutjeje, përparimi tokësor, ne kemi nevojë të kthehemi te thjeshtësia e Krishtit. … Ne kemi nevojë të studiojmë bazat e thjeshta të të vërtetave të dhëna mësim nga Mësuesi dhe të fshijmë gjërat kundërshtuese. Besimi ynë në Perëndi duhet të jetë real dhe jo me spekulime. Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit mund të jetë i fuqishëm, me ndikim të thellë dhe pranimi i vërtetë na jep një përvojë të rëndësishme fetare. Një nga forcat më të mëdha të fesë mormone është ky kthim i besimit në mendim e sjellje të përditshme. Kjo zëvendëson trazirën dhe rrëmujën me paqen dhe qetësinë.18
4
Duke i fiksuar sytë tanë te Jezusi, ne mund të triumfojmë mbi elementët që do të shkatërronin paqen.
Më lejoni të kujtoj një nga historitë e mëdha të fitores së Krishtit mbi atë që duket se na provon dhe na gjykon dhe na sjell frikë në zemër. Ndërsa dishepujt e Krishtit kishin dalë në një nga udhëtimet e tyre të shpeshta nëpër detin e Galilesë, nata ishte e errët dhe moti ishte i keq dhe me stuhi. Dallgët qenë të trazuara dhe era e fuqishme, dhe këta burra të vdekshëm, të brishtë qenë trembur. Fatkeqësisht nuk qe askush me ta që t’i qetësonte dhe t’i shpëtonte, sepse Jezusi qe lënë vetëm në breg.
Si gjithmonë, Ai po i ruante ata. Ai i donte ata dhe kujdesej për ta. Në çastin e tyre të një ankthi të skajshëm ata vërejtën dhe panë në errësirë një shëmbëlltyrë me një rrobë që valëvitej, duke ecur drejt tyre mbi kreshtat e detit. Ata bërtitën të tmerruar nga pamja, duke menduar se ishte një fantazmë që ecte mbi valë. Dhe përmes stuhisë dhe errësirës për ta – siç është aq shpesh për ne, kur, përmes errësirës së jetës, oqeani duket aq i madh dhe barkat tona aq të vogla – erdhi zëri më i fuqishëm dhe sigurues i paqes me këtë thënie të thjeshtë: “Jam unë, mos kini frikë!” Pjetri thirri: “Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra”. Dhe përgjigjja e Krishtit për të ishte njësoj si për të gjithë ne: “Eja”.
Pjetri u hodh tek ana e barkës dhe në dallgët e trazuara dhe ndërsa sytë e tij qenë fiksuar te Zoti, era mund t’ia shprishte flokët dhe stërkalat mund t’ia lagnin rrobat, por gjithçka ishte mirë. Vetëm kur me besimin e lëkundur ai e hoqi vështrimin nga Mësuesi për të vështruar dallgët e furishme dhe humnerën e zezë poshtë tij, vetëm atëherë ai filloi të fundosej. Përsëri, si shumë prej nesh, ai bërtiti: “O Zot, shpëtomë!” As Jezusi nuk e la atë. Ai zgjati dorën dhe e kapi dishepullin që po fundosej me qortimin e butë: “O njeri besimpak, pse dyshove?”
Më pas hipën të sigurt në anijen e tyre të vogël, ata panë erën të pushonte dhe rrapëllima e dallgëve u bë valëzim. Shpejt ata qenë në limanin e tyre, në portin e tyre të sigurt, ku të gjithë mund të shpresojnë një ditë të jenë. Ekuipazhi si dhe dishepujt e Tij qenë mbushur me një habi të madhe. Disa prej tyre iu drejtuan Atij me një titull që unë po e deklaroj sot: “Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!” (Përshtatur nga Farrar, The Life of Christ, f. 310–313; shih Mateu 14:22–33.)
Është besimi im i palëkundur që nëse si njerëz individual, si familje, komunitete dhe kombe, ne mund t’i fiksojmë sytë te Jezusi, si Pjetri, ne gjithashtu mund të ecim fitimtarë mbi “dallgët gllabëruese të mosbesimit” dhe të qëndrojmë “të patrembur midis erërave në rritje të dyshimit”. Por nëse i largojmë sytë prej Atij, tek i cili ne duhet të besojmë, siç është aq e lehtë të bëhet dhe bota është aq shumë e tunduar ta bëjë, nëse vështrojmë te fuqia dhe furia e atyre faktorëve të tmerrshëm e shkatërrimtarë rreth nesh në vend që të shohim tek Ai që mund të na ndihmojë dhe shpëtojë, atëherë ne do të fundosemi pashmangshmërisht në një det konflikti e dhimbjeje dhe dëshpërimi.
Në kohë të tilla kur ne ndiejmë që vërshimet po na kërcënojnë të na fundosin dhe thellësia do të gllabërojë anijen e tronditur të besimit tonë, unë lutem që ne të mund kurdoherë të dëgjojmë përmes stuhisë dhe errësirës atë shqiptim të ëmbël nga Shpëtimtari i botës: “Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!” (Mateu 14:27.)19
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Presidenti Hanter na mëson se Jezu Krishti është burimi i paqes së vërtetë (shih pjesën 1). Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të arrini ta dini këtë të vërtetë? Si mund ta marrim paqen që Jezusi na ofron?
Si na sjell të dashurit e të tjerëve paqe? (Shih pjesën 2.) Si na ndihmon të jetuarit e ungjillit që të kemi paqe? Përse është “bindj[a] pa kushte” ndaj Shpëtimtarit e nevojshme për ne që të kemi paqe?
Rishikoni mësimet e Presidentit Hanter te pjesa 3. Si e keni përjetuar plotësimin e premtimit të Shpëtimtarit që t’ju “jap çlodhje” nga barrët tuaja ndërsa ju vini tek Ai?
Reflektoni mbi tregimin e Presidentit Hanter për Pjetrin që ecën mbi ujë (shih pjesën 4). Çfarë mund të mësoni nga ky tregim rreth asaj se si të gjeni paqe në kohë trazire? Si ju ka ndihmuar Shpëtimtari të “qetësoh[eni]” dhe të “mos kini frikë” në kohë të vështira?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Psalmeve 46:10; 85:8; Isaia 32:17; Marku 4:36–40; Romakëve 8:6; Galatasve 5:22–23; Filipianëve 4:9; Mosia 4:3; DeB 19:23; 59:23; 88:125
Ndihmë për Mësimdhënien
Ftojini anëtarët e klasës të zgjedhin një nga pjesët në kapitullin që do t’u pëlqente të diskutonin dhe të formonin një grup me të tjerë që zgjedhin të njëjtën pjesë. Nxiteni secilin grup të diskutojë mbi pyetjen përkatëse në fund të kapitullit.