Kapitulli 21
Besim dhe Dëshmi
“Arritja më e madhe e jetës është të gjesh Perëndinë dhe të dish se Ai jeton.”
Nga Jeta e Hauard W. Hanterit
Hauard W. Hanteri filloi ta fitonte dëshminë e tij gjatë fëmijërisë së hershme në Bois të Ajdahos. Edhe pse babai i tij nuk ishte atëherë anëtar i Kishës, nëna e tij e rriti atë në ungjill. “Ishte te gjunjët e saj ku ne mësuam të luteshim”, kujtoi ai. “Unë mora një dëshmi kur isha djalë i vogël te gjunjët e mamasë sime.”1
Dëshmia e Hauardit u rrit ndër vite. Kur ishte te të 20-at dhe banonte në Los Anxhelos, Kaliforni, ai filloi të dallonte rëndësinë e studimit serioz të ungjillit. Ai shkroi: “Edhe pse duhej të merrja pjesë në klasat e Kishës shumicën e jetës sime, zgjimi im i parë i vërtetë për ungjillin ndodhi në një klasë të Shkollës të së Dielës në Lagjen Adams, ku jepte mësim vëllai Piter A. Klejton. Ai kishte pasuri dijesh dhe aftësish për të frymëzuar të rinjtë. Unë i studioja mësimet, lexoja ato që na caktonte për në shtëpi dhe merrja pjesë duke folur për tema që caktoheshin. … Unë e mendoj këtë periudhë të jetës sime si një kohë të vërtetash të ungjillit që filluan të shpaloseshin. Unë gjithmonë kisha dëshmi për ungjillin, por befas unë fillova ta kuptoj.”2
Shumë vite më vonë, Presidenti Hanter shpjegoi: “Vjen një kohë kur ne i kuptojmë parimet e krijimit tonë dhe se cilët jemi. Befas këto gjëra na ndriçohen dhe kordat e zemrës sonë njëmend dridhen. Kjo është koha kur dëshmia futet brenda vetë shpirtit tonë dhe ne e dimë pa asnjë dyshim se Perëndia është ati ynë — se ai jeton, se ai është realitet, se ne jemi vërtet fëmijët e tij.”3
Lidhur me besimin dhe dëshminë e Presidentit Hanter, Presidenti Gordon B. Hinkli tha:
“Për Presidentin Hanter … ishte fuqia e madhe e besimit. Ishte siguria e dijes së gjërave hyjnore dhe gjërave të përjetshme. … [Ai] pati një dëshmi të sigurt dhe të padyshimtë të realitetit të gjallë për Perëndinë, Atin tonë të Përjetshëm. Ai e thoshte me bindje të madhe dëshminë e tij për hyjninë e Zotit Jezu Krisht, Shëlbuesit të njerëzimit.”4
Mësime të Hauard W. Hanterit
1
Nëpërmjet besimit, ne mund të gjejmë Perëndinë dhe të dimë se Ai jeton.
Arritja më e madhe e jetës është të gjesh Perëndinë dhe të dish se Ai jeton. Sikurse çdo përmbushje tjetër e denjë, kjo mund të arrihet vetëm nga ata që do të besojnë dhe do të kenë besim në atë që fillimisht mund të mos jetë e dukshme.5
Ndërsa mendimet e njeriut drejtohen nga Perëndia dhe gjërat që lidhen me Perëndinë, njeriu kalon nëpër një transformim shpirtëror. Ky e ngre nga vendi i zakonshëm atë dhe i jep atij një karakter fisnik dhe karakter si të Perëndisë. Në qoftë se kemi besim në Perëndi, ne po përdorim një nga ligjet e mëdha të jetës. Forca më e fuqishme në natyrën njerëzore është fuqia shpirtërore e besimit.6
Kërkimi më i madh është kërkimi për Perëndinë – për të përcaktuar realitetin e Tij, cilësitë vetjake të Tij dhe për të siguruar një njohuri për ungjillin e Birit të Tij Jezu Krishtit. Nuk është e lehtë të gjesh një kuptim të përsosur për Perëndinë. Kërkimi do përpjekje këmbëngulëse dhe ka disa njerëz që kurrë nuk lëvizin vetë për ta ndjekur këtë njohuri. …
Qoftë kur kërkon njohuri për të vërteta shkencore apo për të zbuluar Perëndinë, njeriu duhet të ketë besim. Kjo bëhet pika e fillimit. Besimi ka qenë përkufizuar në shumë mënyra, por përkufizimi më klasik qe dhënë nga autori i letrës drejtuar hebrenjve me këto fjalë domethënëse: “Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen”. (Hebrenjve 11:1.) Me fjalë të tjera, besimi na bën të sigurt për atë që shpresojmë dhe të bindur për atë që nuk e shohim. … Ata që e kërkojnë me zell Perëndinë nuk e shohin, por ata e dinë realitetin e Tij me anë të besimit. Është më shumë se shpresë. Besimi e bën atë bindje – një tregim të gjërave që nuk shihen.
Autori i letrës drejtuar hebrenjve [Apostulli Pal] vijon: “Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen”. (Hebrenjve 11:3.) Besimi është përshkruar këtu si pasja e besimit apo pasja e bindjes se bota qe krijuar nga fjala e Perëndisë. Dëshmitarët nuk mund të krijohen për ta provuar këtë fakt, por besimi jep njohurinë se ajo që shohim në mrekullitë e tokës dhe në të gjithë natyrën qe krijuar nga Perëndia. …
Unë kam një bindje pozitive se Perëndia është një realitet – se Ai jeton. Ai është Ati ynë Qiellor dhe ne jemi fëmijët e Tij shpirtërorë. Ai krijoi qiellin dhe tokën dhe të gjitha gjërat mbi tokë dhe është autori i ligjeve të përjetshme me anë të të cilave qeveriset universi. Këto ligje janë zbuluar pak nga pak ndërsa njeriu vijon kërkimin e tij, por ato kanë ekzistuar gjithmonë dhe do të mbeten të pandryshuara përgjithmonë.7
2
Për të fituar njohuri për realitetin e Perëndisë, ne duhet të bëjmë një përpjekje besnike, të bëjmë vullnetin e Tij dhe të lutemi për kuptim.
Me qëllim që ta gjejmë Perëndinë si realitet, ne duhet të ndjekim drejtimin që Ai na tregoi për kërkimin. Udha është e vështirë; ajo kërkon besim dhe përpjekje dhe nuk është drejtimi i lehtë. Për këtë arsye shumë njerëz nuk do t’ia kushtojnë veten detyrës së vështirë të të provuarit vetë të realitetit të Perëndisë. Përkundrazi, disa marrin udhën e lehtë dhe mohojnë ekzistencën e Tij ose thjesht ndjekin drejtimin e dyshuesit të pasigurisë. …
… Ndonjëherë besim do të thotë ta besosh diçka si të vërtetë kur tregimi nuk është i mjaftueshëm për të krijuar njohuri. Ne duhet ta vijojmë provën dhe të ndjekim paralajmërimin: “Lypni dhe do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket”. (Mateu 7:7–8.) …
Është rregulli i përgjithshëm që ne nuk i marrim gjërat me vlerë po të mos jemi të gatshëm të paguajmë një çmim. Shkollari nuk bëhet i mësuar po të mos bëjë punë dhe përpjekje për të pasur sukses. Në qoftë se nuk është i gatshëm të veprojë kështu, a mund të thotë ai se nuk ka një gjë të tillë si dituria? … Është po aq e pamend për një njeri që të thotë se nuk ka Perëndi thjesht sepse ai nuk ka pasur prirjen që ta kërkojë Atë.
… Me qëllim që një individ të fitojë njohuri të patundur për realitetin e Perëndisë, ai duhet t’i jetojë urdhërimet dhe doktrinat e shpallura nga Shpëtimtari gjatë shërbesës së Tij vetjake. … Atyre që janë të gatshëm ta bëjnë kërkimin, të përpiqen vetë dhe të bëjnë vullnetin e Perëndisë, do t’u vijë njohuria për realitetin e Perëndisë.
Kur një njeri e ka gjetur Perëndinë dhe i kupton mënyrat e Tij, ai mëson se asgjë në univers nuk erdhi rastësisht, por të gjitha gjërat erdhën nga një plan i parapërgatitur hyjnisht. Sa kuptim i pasur vjen në jetën e tij! Kuptimi që e kapërcen të mësuarit sipas botës është i tij. Bukuritë e botës bëhen më të bukura, rendi i universit bëhet më domethënës dhe të gjitha krijesat e Perëndisë janë më të kuptueshme ndërsa ai dëshmon ditët e Perëndisë të vijnë e të shkojnë dhe stinët ndjekin njëra-tjetrën në radhën e tyre.8
Krishti, gjatë shërbesës së Tij, shpjegoi mënyrën me të cilën njeriu mund të dijë të vërtetën rreth Perëndisë. Ai tha: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime”. (Gjoni 7:17.) Mësuesi gjithashtu shpjegoi vullnetin e Atit dhe urdhërimin e madh në këtë mënyrë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. (Mateu 22:37.) Ata që do të përpiqen të bëjnë vullnetin e Perëndisë dhe do të mbajnë urdhërimet e Tij, do të marrin zbulesë vetjake lidhur me shenjtërinë e punës së Zotit në dhënien e dëshmisë për Atin.
Për ata që kërkojnë kuptim, fjalët e Jakobit shpjegojnë se si mund të arrihet: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”. (Jakob [Bibla] 1:5.) Nuk duket se Jakobi po fliste për njohuri faktike në kuptimin e shkencës, por më shumë për zbulesën që vjen nga lart e cila u përgjigjet pyetjeve të njerëzve si rrjedhim i ndjekjes së kësaj këshille për t’u lutur. …
Kështu ne kemi formulën për kërkimin e Perëndisë dhe mjetet për të plotësuar kërkimin – besim, dashuri dhe lutje. Shkenca ka bërë gjëra të mrekullueshme për njeriun, por ajo nuk mund të plotësojë gjërat që ai duhet t’i bëjë vetë, më e madhja e të cilave është të gjejë realitetin e Perëndisë. Detyra nuk është e lehtë; puna nuk është e lehtë; por siç thuhet nga Mësuesi: “I madh do të jetë shpërblimi i tyre dhe e përjetshme do të jetë lavdia e tyre”. (DeB 76:6.)9
3
Ne duhet të besojmë me qëllim që të shohim.
Thomai donte të shihte përpara se të besonte.
Në mbrëmjen e ditës së ringjalljes, Jezusi u shfaq dhe qëndroi në mes të dishepujve të Tij në dhomën e mbyllur. Ai u tregoi atyre duart e Tij nëpër të cilat ishin ngulur gozhdët dhe brinjën e Tij që ishte shpuar nga heshta. Thomai, një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte i pranishëm kur kjo ndodhi, por të tjerët i thanë atij se ata e patën parë Zotin dhe se Ai u pati folur atyre. … Thomai ishte mosbesues, dhe ai u tha dishepujve:
“… Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj”. (Gjoni 20:25.)
… Në një kuptim, Thomai përfaqëson shpirtin e kohës sonë. Ai nuk do të kënaqej me asgjë që nuk do të mund ta shihte, madje edhe pse ai pati qenë me Mësuesin dhe i dinte mësimet e Tij lidhur me besimin dhe dyshimin. … Besimi nuk e zëvendëson dyshimin kur dikush duhet të ndiejë ose të shohë me qëllim që të besojë.
Thomai nuk ishte i gatshëm të mbështetej te besimi. Ai donte të dhëna të sigurta për faktet. Ai donte njohuri, jo besim. Njohuria është e lidhur me të kaluarën sepse përvojat tona për të kaluarën janë ato gjëra që na japin ne njohuri, por besimi lidhet me të ardhmen – me të panjohurën ku ne nuk kemi shkelur ende.
Ne e mendojmë Thomain si dikë që pati udhëtuar dhe folur me Mësuesin dhe që pati qenë zgjedhur prej Tij. Përbrenda ne urojmë që Thomai të mund të ishte kthyer drejt së ardhmes me mirëbesim në gjërat që nuk qenë të dukshme atëherë, në vend që të thoshte faktikisht: “Të shohësh do të thotë të besosh”. …
Besimi na jep mirëbesim në gjërat që nuk janë të dukshme.
Një javë më vonë, dishepujt ishin përsëri së bashku në të njëjtën shtëpi në Jerusalem. Këtë herë Thomai ishte me ta. Dera ishte e mbyllur, por Jezusi erdhi dhe qëndroi në mes të tyre dhe tha: “Paqja me ju!
Pastaj i tha Thomait: ‘Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!’” (Gjoni 20:26–27.) …
“Jezusi i tha: ‘Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!’” ([Gjoni] 20:29.)
Kjo ndodhi mbetet si një nga mësimet më të mëdha të të gjitha kohërave. Thomai pati thënë: “Të shohësh do të thotë të besosh”, por Krishti u përgjigj: “Të besosh do të thotë të shohësh”. …
Shembulli klasik i besimit i vishet Apostullit Pal te letra e tij drejtuar hebrenjve: “Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen”. (Hebrenjve 11:1.)
Kjo deklaratë nuk supozon një njohuri të përkryer, por e përshkruan besimin si diçka që i jep dikujt një siguri apo një mirëbesim në gjërat që janë ende në të ardhmen. Këto gjëra mund të jenë në ekzistencë, por është nëpërmjet besimit që ato realizohen. Besimi jep një ndjesi sigurie në atë që nuk është e dukshme ose e pranueshme si provë e vërtetë.
Do të dukej se Thomai e kishte humbur mirëbesimin e vet tek e ardhmja. Ai vështronte tek e shkuara. Ai donte provë për atë që atëherë nuk ishte e dukshme. Ata që humbasin apo u mungon besimi, jetojnë në të shkuarën – atje ka humbje shprese për të ardhmen. Çfarë ndryshimi i madh vjen në jetën e dikujt që gjen një besim të patundur për të dhënë siguri dhe mirëbesim.
I verbri nuk dyshoi; ai besoi te Shpëtimtari.
Nëse kthehemi në kapitullin e nëntë të Gjonit, ne lexojmë një ngjarje tjetër që ndodhi në Jerusalem, në të cilën një burrë që kishte lindur i verbër mori dritën e tij. Ishte dita e Shabatit dhe Jezusi dukej që ishte në afërsi të tempullit kur pa të verbrin dhe dishepujt e pyetën:
“… Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?
Jezusi u përgjigj: ‘As ai, as prindërit e tij s’kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë.
Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë.
Derisa jam në botë, unë jam drita e botës’.” (Gjoni 9:2–5.)
Jezusi pastaj pështyu përdhe dhe bëri baltë me pështymën e përzier me pluhurin e tokës. Ai leu sytë e të verbrit me baltën dhe i tha atij të shkojë të lahet në pellgun e Siloamit. Nëse ky do të kishte qenë Thomai, a do të kishte shkuar siç qe urdhëruar apo do të bënte pyetjen: “Çfarë e mire mund të vijë nga larja në ujërat e ndenjura të atij pellgu të ndotur?” apo “Çfarë cilësish kurative ka te pështyma e përzier me pluhurin e tokës?” Këto duket të jenë pyetje të arsyeshme, por nëse burri i verbër do të dyshonte dhe pyeste, ai do ishte përsëri i verbër. Duke pasur besim, ai besoi dhe bëri siç e drejtuan. Ai shkoi dhe u la në pellg dhe kur u kthye ishte në gjendje të shihte. Të besosh do të thotë të shohësh. …
“Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar.”
I verbri besoi dhe u lejua të shihte. Thomai nuk donte të besonte gjersa të mund të shihte. Bota është plot me Thoma, por ka shumë si i verbri i Jerusalemit. Misionarët e Kishës takojnë edhe nga këta çdo ditë ndërsa çojnë mesazhin e tyre nëpër botë, mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. … Disa besojnë, kanë besim dhe pagëzohen. Disa nuk do të pranojnë sepse ata nuk mund të shohin apo të ndiejnë.
Nuk ka të dhëna të sigurta, konkrete e të prekshme se Perëndia jeton, përsëri me miliona kanë njohurinë se Ai njëmend jeton nëpërmjet atij besimi që përbën faktin e gjërave të padukshme. Shumë u thonë misionarëve: “Unë do ta pranoja pagëzimin nëse do të mund të besoja se Jozef Smithi u vizitua nga Ati dhe Biri”. Për këtë fakt nuk ka të dhëna të sigurta, konkrete e të prekshme, por për ata që preken nga Shpirti, besimi do t’i zëvendësojë të dhëna të tilla për gjërat e padukshme. Kujtoni fjalët e Mësuesit të kryqëzuar ndërsa qëndronte përpara Thomait:
“Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar”. ([Gjoni] 20:29.)
Ata që besojnë nëpërmjet besimit do të shohin.
Unë i shtoj dëshminë time dëshmive të mijëra misionarëve se Perëndia vërtet jeton, se Jezusi është Shpëtimtari i botës, se ata që do të besojnë nëpërmjet besimit do të arrijnë të shohin.10
4
Të vepruarit sipas besimit tonë çon në dëshmi vetjake.
Si fëmijë ne i pranuam si fakte gjërat që na u thanë nga prindërit tanë ose mësuesit tanë për shkak të mirëbesimit që ne kishim tek ata. Një djalë i vogël do të kërcejë nga një vend i lartë pa frikë nëse babai i tij i thotë se ai do ta kapë atë. Djali i vogël ka besim se babai i tij nuk do ta lërë të bjerë. Ndërsa fëmijët rriten, ata fillojnë të mendojnë vetë, të pyetin dhe të kenë dyshime rreth atyre gjërave që nuk kanë provë të prekshme. Unë kam simpati për të rinj dhe të reja kur dyshime të ndershme hyjnë në mendjen e tyre dhe ata hyjnë në konfliktin e madh të zgjidhjes së dyshimeve. Këto dyshime mund të zgjidhen, nëse ata kanë një dëshirë të ndershme për të ditur të vërtetën, duke ushtruar përpjekje morale, shpirtërore dhe mendore. Ata do të dalin prej konfliktit me një besim më të qëndrueshëm, më të fortë dhe më të madh për shkak të luftës. Ata kanë kaluar nga një besim i thjeshtë mirëbesues, nëpër dyshim e ndeshje, te një besim i fortë thelbësor që bëhet dëshmi.11
Studentët shpenzojnë orë në laboratorë shkencorë duke eksperimentuar të gjejnë të vërtetën. Nëse ata do ta bëjnë të njëjtën gjë me besim, lutje, falje, përulësi dhe dashuri, ata do ta gjejnë dëshminë për Jezu Krishtin, që i dha këto parime.12
Ungjilli i Jezu Krishtit nuk është thjesht një ungjill besimi; ai është një plan veprimi. … Ai nuk tha “vër re” ungjillin tim; ai tha “jetoje” atë! Ai nuk tha: “Vër re ndërtimin dhe fantazinë e tij të mrekullueshme”; Ai tha: “Shko, bëj, shih, ndiej, jep, beso!” …
Veprimi është një nga themelet kryesore të dëshmisë vetjake. Dëshmia më e sigurt është ajo që vjen drejtpërdrejt nga përvoja vetjake. Kur hebrenjtë e sfiduan doktrinën që Jezusi dha mësim në tempull, Ai u përgjigj: “… Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar”. Pastaj Ai shtoi çelësin e dëshmisë personale: “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime”. (Gjoni 7:16–17.)
A e dëgjojmë ne urdhërimin në këtë deklaratë të Shpëtimtarit? “Në qoftë se dikush don … do ta njohë!” Gjoni e kapi rëndësinë e këtij urdhri dhe theksoi kuptimin e tij në [letrën] e tij. Ai tha: “Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai”. (1 Gjon 2:6.)
Thjesht të thënit, të pranuarit, të besuarit nuk mjaftojnë. Ato janë të paplota derisa ajo që nënkuptojnë, shndërrohet në veprimin dinamik të të jetuarit të përditshëm. Ky, më pas, është burimi më i mirë i dëshmisë personale. Dikush e di, sepse ai e ka përjetuar. Ai nuk ka pse të thotë: “Vëllai Xhons thotë se është e vërtetë dhe unë e besoj atë”. Ai mund të thotë: “E kam jetuar këtë parim në vetë jetën time dhe e di nëpërmjet përvojës vetjake se ai jep rezultate. E kam ndier ndikimin e tij, e kam provuar dobinë e tij praktike dhe e di se është i mirë. Unë mund të dëshmoj për vetë njohurinë time se ai është një parim i vërtetë.”
Shumë njerëz mbajnë një dëshmi të tillë në vetë jetën e tyre dhe nuk e dallojnë vlerën e saj. Kohët e fundit një zonjë e re tha: “Unë nuk kam dëshmi për ungjillin. Dëshiroj që të kisha. Unë i pranoj mësimet e tij. Unë e di se ato japin rezultate në jetën time. Unë i shoh ato që japin rezultate në jetën e të tjerëve. Vetëm sikur Zoti t’u përgjigjej lutjeve të mia dhe të më jepte një dëshmi, do të isha një nga njerëzit e gjallë më të lumtur!” Ajo që kjo zonjë e re donte ishte një ndërhyrje e mrekullueshme; por prapë ajo tashmë e kishte parë mrekullinë e ungjillit që të zmadhonte dhe lartësonte vetë jetën e saj. Zoti i qe përgjigjur lutjeve të saj. Ajo e kishte një dëshmi, por ajo nuk e dallonte atë se çfarë ishte.13
Si një Apostull i shuguruar dhe dëshmitar i veçantë i Krishtit, unë ju jap dëshminë time solemne se Jezu Krishti është në fakt Biri i Perëndisë. … Është nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë që unë e jap dëshminë time. Unë kam dije për vërtetësinë e Krishtit sikur ta kisha parë me sytë e mi dhe ta kisha dëgjuar me veshët e mi. Unë e di gjithashtu se Shpirti i Shenjtë do ta ripohojë vërtetësinë e dëshmisë sime në zemrat e të gjithë atyre që dëgjojnë me vëmendje me një vesh besimi.14
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Presidenti Hanter na mëson se “arritja më e madhe e jetës është të gjesh Perëndinë dhe të dish se Ai jeton” (pjesa 1). Cili është roli i besimit në përmbushjen e këtij kërkimi? Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të gjeni Perëndinë dhe të dini se Ai jeton?
Presidenti Hanter thotë “detyra nuk është e lehtë” dhe “puna nuk është e lehtë” në arritjen e njohurisë së realitetit të Perëndisë. Përse mendoni se një përpjekje e përkushtuar është e nevojshme që ne ta fitojmë atë njohuri? Pse është e rëndësishme mbajtja e urdhërimeve për arritjen e njohjes së Perëndisë?
Në pjesën 3, Presidenti Hanter përdor kontrastin midis Thomait dhe burrit që kishte lindur i verbër për të dhënë mësim se nëse besojmë, ne do të jemi në gjendje të shohim. Si munden thellimet e Presidentit Hanter në këto histori të gjejnë zbatim në jetën tuaj? Si e ka bërë të mundur ushtrimi i besimit që ju të shihni?
Rishikoni mësimet e Presidentit Hanter që të vepruarit sipas besimit tuaj është çelësi për të fituar një dëshmi (shih pjesën 4). Cilat janë disa mënyra me të cilat mund të veproni sipas besimit tuaj? Si mundet që besimi ta mposhti dyshimin? Si ka ndihmuar të vepruarit sipas besimit tuaj që dëshmia juaj të bëhet më e fortë?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Gjoni 17:3; Hebrenjve 11:1–6; Alma 5:45–48; 30:40–41; 32:26–43; Ethëri 12:4, 6–22; Moroni 10:4–5; DeB 42:61
Ndihmë për Mësimdhënien
“Bëni pyetje që kërkojnë që nxënësit t’i gjejnë përgjigjet te shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 62).