Mësime të Presidentëve
Kapitulli 13: Tempulli – Simboli i Madhërishëm i Anëtarësisë Sonë


Kapitulli 13

Tempulli – Simboli i Madhërishëm i Anëtarësisë Sonë

“Është dëshira më e thellë e zemrës sime që çdo anëtar të Kishës ta kemi të denjë për të hyrë në tempull.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Nëna e Hauard W. Hanterit ishte një anëtare besnike e Kishës gjatë gjithë jetës së saj, por babai i tij nuk u pagëzua derisa Hauardi ishte 19 vjeç. Vite më vonë, kur Hauardi ishte president kunji në Kaliforni, anëtarët e kunjit udhëtuan për në Tempullin e Mesës në Arizonë, që të bënin punë në tempull. Përpara se të fillonte një sesion, presidenti i tempullit i kërkoi atij që t’u fliste atyre që ishin mbledhur në sallën e mbledhjes në tempull. Ishte ditëlindja e 46-të e Presidentit Hanter. Më vonë ai shkroi për atë përvojë:

“Ndërkohë që po u flisja njerëzve në sallë, … nëna dhe babai im hynë në sallën e mbledhjes të veshur në të bardha. Nuk e kisha idenë që babai ishte përgatitur për bekimet e tij të tempullit, edhe pse nëna mezi e kishte pritur këtë për njëfarë kohe. Isha kaq i pushtuar nga emocioni, sa nuk isha në gjendje të vazhdoja të flisja. Presidenti Pirs [presidenti i tempullit] erdhi pranë meje dhe shpjegoi arsyen për ndërprerjen. Kur nëna dhe babai im erdhën atë mëngjes në tempull, ata i kërkuan presidentit që të mos ma përmendte që ata ishin atje, sepse dëshironin që ajo të ishte një surprizë për ditëlindjen. Kjo ishte një ditëlindje që nuk e kam harruar kurrë, sepse në atë ditë ata morën dhurimin [indaumentin] dhe unë pata privilegjin të dëshmoja vulosjen e tyre, pas së cilës u vulosa me ta.”1

Pak më shumë se 40 vjet më vonë, kur Hauard W. Hanteri bëri deklaratën e tij të parë publike si President i Kishës, një prej mesazheve të tij kryesore ishte që anëtarët t’i kërkonin bekimet e tempullit me përkushtim më të madh.2 Ai vazhdoi ta theksonte atë mesazh gjatë gjithë shërbimit të tij si President. Duke folur te vendi i Tempullit të Navusë në qershor të vitit 1994, ai tha:

“Më herët këtë muaj, unë fillova shërbesën time duke shprehur një dëshirë të thellë për të pasur gjithnjë e më shumë anëtarë të Kishës që të bëhen të denjë për tempullin. Sikurse në kohën [e Jozef Smithit], të paturit e anëtarëve të denjë dhe që kanë marrë dhurimin [indaumentin] në tempull është kyçi i ndërtimit të mbretërisë në të gjithë botën. Denjësia e tempullit siguron që jeta jonë është në harmoni me vullnetin e Zotit dhe ne jemi të përgatitur për ta marrë udhërrëfimin e Tij në jetën tonë.”3

Disa muaj më vonë, në janar të vitit 1995, veprimtaria e fundit publike e Presidentit Hanter ishte përkushtimi i Tempullit të Bauntifullit në Juta. Në lutjen përkushtuese, ai kërkoi që bekimet e tempullit ta pasuronin jetën e të gjithë atyre që hynin:

“Ne lutemi me përulësi që Ti do ta pranosh këtë godinë dhe qofshin mbi të bekimet e Tua. I ndihmoftë dhe i udhëzoftë shpirti Yt të gjithë ata që veprojnë këtu brenda, që shenjtëria të mbizotërojë në çdo dhomë. Paçin të gjithë ata që hyjnë duar të pastra dhe zemra të kulluara. U lartësofshin ata në besimin e tyre dhe u largofshin me një ndjenjë paqeje, duke e përlëvduar emrin Tënd të shenjtë. …

Siguroftë kjo Shtëpi një shpirt paqeje për të gjithë ata që e vëzhgojnë madhështinë e saj dhe veçanërisht për ata që hyjnë për vetë ordinancat e tyre të shenjta dhe për të kryer punën për njerëzit e tyre të dashur përtej velit. Ndjefshin ata dashurinë dhe mëshirën Tënde hyjnore. Paçin ata privilegjin të thonë, sikurse tha psalmisti i lashtësisë: ‘Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë’.

Teksa e përkushtojmë këtë godinë të shenjtë, ne sërish e përkushtojmë vetë jetën tonë për Ty dhe veprën Tënde.”4

Tempulli i Mesës, Arizona

Tempulli i Mesës në Arizona, ku Presidenti Hauard W. Hanter u vulos me prindërit e tij në vitin 1953

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Ne nxitemi ta vendosim tempullin si simbolin e madhërishëm të anëtarësisë sonë.

Në kohën e thirrjes sime në këtë detyrë të shenjtë [të Presidentit të Kishës], një ftesë iu bë të gjithë anëtarëve të Kishës që ta vendosnin tempullin e Zotit si simbolin e madhërishëm të anëtarësisë së tyre dhe si mjedisin hyjnor për besëlidhjet e tyre më të shenjta.

Kur sjell ndër mend tempullin, mendoj për këto fjalë:

“Tempulli është një vend udhëzimi ku të vërteta mbresëlënëse shpalosen lidhur me Mbretërinë e Perëndisë. Ai është një vend paqeje ku mendja mund të përqendrohet mbi gjëra të shpirtit dhe ku shqetësimet e botës mund të lihen mënjanë. Në tempull ne bëjmë besëlidhje për t’iu bindur ligjeve të Perëndisë dhe premtime na bëhen neve, të kushtëzuara gjithmonë mbi besnikërinë tonë, të cilat shtrihen për në përjetësi” (The Priesthood and You, Melchizedek Priesthood Lessons—1966, Salt Lake City: The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, 1966, f. 293).

Është Zoti Vetë që, në zbulesat e Tij për ne, e ka bërë tempullin simbolin e madhërishëm për anëtarët e Kishës. Mendoni për qëndrimet dhe sjelljet e drejta drejt të cilave na drejtoi Zoti në këshillën që Ai ua dha shenjtorëve të Kirtlandit, me anë të Profetit Jozef Smith, kur po përgatiteshin për të ndërtuar një tempull. Kjo këshillë është akoma e zbatueshme:

“Organizoni veten tuaj; përgatisni çdo gjë të nevojshme; dhe ngrini një shtëpi, madje një shtëpi lutjeje, një shtëpi agjërimi, një shtëpi besimi, një shtëpi mësimi, një shtëpi lavdie, një shtëpi rregulli, një shtëpi të Perëndisë” (DeB 88:119). A e përshkruajnë vërtet këto qëndrime e sjellje atë që dëshiron e kërkon të jetë secili prej nesh? …

… Që ta kemi tempullin, me të vërtetë, një simbol për ne, duhet të dëshirojmë që ai të jetë i tillë. Ne duhet të jetojmë të denjë për të hyrë në tempull. Ne duhet t’i zbatojmë urdhërimet e Zotit tonë. Nëse mund ta modelojmë jetën tonë sipas Mësuesit dhe t’i marrim mësimet e shembullin e Tij si modelin më të lartë për veten tonë, ne nuk do ta kemi të vështirë të jemi të denjë për tempullin, të jemi të qëndrueshëm e besnikë në çdo fushë të jetës, sepse do të jemi të zotuar ndaj një standardi të vetëm, të shenjtë të sjelljes e besimit. Qoftë në shtëpi apo në treg, qoftë në shkollë apo shumë kohë pasi ta kemi lënë pas shkollën, qoftë nëse po veprojmë krejtësisht të vetëm apo në bashkëpunim me një mori njerëzish të tjerë, drejtimi ynë do të jetë i qartë dhe standardet tona do të jenë të dukshme.

Aftësia e dikujt për të qenë besnik ndaj parimeve të veta, për të jetuar me integritet e besim sipas bindjes të vet – kjo është ajo që ka rëndësi. Ai përkushtim ndaj parimit të vërtetë – në jetën tonë vetjake, në shtëpitë e familjet tona dhe në të gjitha vendet ku i takojmë dhe ndikojmë te njerëzit e tjerë – ai përkushtim është ajo çka Perëndia po kërkon nga ne më së fundi. Kërkon zotim – zotim me gjithë shpirt, të mbajtur thellë, të ushqyer përjetësisht për parimet që ne e dimë se janë të vërteta në urdhërimet që ka dhënë Perëndia. Nëse do të jemi të vërtetë dhe besnikë ndaj parimeve të Zotit, atëherë ne do të jemi gjithmonë të denjë për tempullin dhe Zoti e tempujt e Tij të shenjtë do të jenë simbolet e madhërishme të të qenit dishepuj të Tij nga ana jonë.5

2

Secili prej nesh duhet të përpiqet që të jetë i denjë për të marrë një rekomandim tempulli.

Është dëshira më e thellë e zemrës sime që çdo anëtar të Kishës ta kemi të denjë për të hyrë në tempull. Zoti do të kënaqej nëse çdo anëtar i rritur do të ishte i denjë për ta pasur – dhe do ta kishte – një rekomandim të vlefshëm tempulli. Gjërat që duhet t’i bëjmë dhe të mos i bëjmë për të qenë të denjë për një rekomandim tempulli, janë pikërisht ato gjëra që na sigurojnë se do të jemi të lumtur si individë dhe si familje.6

Ati ynë Qiellor e ka shpjeguar qartë se ata të cilët hyjnë në tempull, duhet të jenë të pastër dhe të çliruar nga mëkatet e botës. Ai tha: “Dhe për aq sa njerëzit e mi më ndërtojnë një shtëpi mua në emër të Zotit dhe nuk lejojnë gjëra të papastra të hyjnë në të, që ajo të mos ndotet, lavdia ime do të pushojë në të; … Por, në qoftë se ndotet, unë nuk do të hyj në të dhe lavdia ime nuk do të jetë atje; sepse unë nuk do të hyj në tempuj jo të shenjtë” (DeB 97:15, 17).

Mund të jetë interesante për ju të dini se Presidenti i Kishës dikur nënshkruante secilin rekomandim tempulli. Kjo është se sa fuqimisht ndiheshin presidentët e hershëm rreth denjësisë për të hyrë në tempull. Në vitin 1891 përgjegjësia u vendos mbi peshkopët dhe presidentët e kunjeve, të cilët ju bëjnë mjaft pyetje për sa i përket denjësisë suaj për t’u kualifikuar për një rekomandim tempulli. Ju duhet ta dini se çfarë pritet prej jush me qëllim që të kualifikoheni për një rekomandim tempulli.

Ju duhet të besoni te Perëndia, Ati i Përjetshëm, te Biri i Tij, Jezu Krishti, dhe te Fryma e Shenjtë. Ju duhet të besoni se kjo është vepra e tyre e shenjtë dhe hyjnore. Ne ju nxitim të punoni çdo ditë për ta ngritur dëshminë tuaj për Atin tonë Qiellor dhe Zotin Jezu Krisht. Shpirti që ndieni është Fryma e Shenjtë duke ju dëshmuar për realitetin e tyre. Më vonë, në tempull, ju do të mësoni më shumë rreth Kreut-Perëndi, nëpërmjet udhëzimeve dhe ordinancave të dhëna me anë të zbulesës.

Ju duhet t’i mbështetni Autoritetet e Përgjithshme dhe autoritetet vendore të Kishës. Kur e ngrini krahun në formë katrori, kur paraqiten emrat e këtyre udhëheqësve, ju vini në dukje se do t’i mbështetni ata në përgjegjësitë e tyre dhe në këshillën që ata ju japin.

Ky nuk është një veprim për të shfaqur nderim ndaj atyre që Zoti i ka thirrur për të kryesuar. Përkundrazi, është një shprehje e mirënjohjes për faktin që Perëndia ka thirrur profetë, shikues e zbulues dhe njerëz të tjerë si Autoritete të Përgjithshme. Është një zotim që ju do t’i ndiqni udhëzimet që vijnë nga drejtuesit kryesues të Kishës. Po ashtu ju duhet të ndieni besnikëri kundrejt peshkopit e presidentit të kunjit dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës. Dështimi për t’i mbështetur ata që janë me autoritet, është i papajtueshëm me shërbimin në tempull.

Ju duhet të jeni të pastër moralisht për të hyrë në tempullin e shenjtë. Ligji i dëlirësisë kërkon që ju të mos keni marrëdhënie seksuale me dikë tjetër përveç bashkëshortit ose bashkëshortes suaj. Ne ju nxitim veçanërisht që të ruheni kundrejt nxitjeve të Satanit për ta njollosur pastërtinë tuaj morale.

Ju duhet të siguroheni që nuk ka asgjë në marrëdhënien tuaj me pjesëtarët e familjes që nuk përputhet me mësimet e Kishës. Ne veçanërisht i nxitim [të rinjtë] që t’u binden prindërve [të tyre] në drejtësi. Prindërit duhet të jenë vigjilentë për të siguruar që marrëdhëniet e tyre me pjesëtarët e familjes janë në përputhje me mësimet e ungjillit dhe kurrë nuk përfshijnë keqtrajtim ose lënie pas dore.

Që të hyni në tempull ju duhet të jeni të ndershëm në të gjitha marrëdhëniet tuaja me të tjerët. Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme ne kemi një detyrim të shenjtë që të mos jemi kurrë mashtrues apo të pandershëm. Baza e integritetit tonë moral është në rrezik kur ne e shkelim këtë besëlidhje.

Që të kualifikoheni për një rekomandim tempulli, ju duhet të përpiqeni të bëni detyrën tuaj në Kishë, duke frekuentuar mbledhjet tuaja të sakramentit, të priftërisë dhe mbledhjet e tjera. Ju duhet të përpiqeni gjithashtu t’u bindeni rregullave, ligjeve dhe urdhërimeve të ungjillit. Mësoni … të pranoni thirrje dhe përgjegjësi të tjera që ju vijnë juve. Jini pjesëmarrës aktivë në lagjet e degët tuaja dhe jini një njeri tek i cili mund të mbështeten udhëheqësit tuaj.

Që të hyni në tempull, ju duhet të jeni një pagues i së dhjetës së plotë dhe ta jetoni Fjalën e Urtësisë. Këto dy urdhërime, të thjeshta në udhëzimin e tyre, por jashtëzakonisht të rëndësishme për rritjen tuaj shpirtërore, janë thelbësore për ta vërtetuar denjësinë tuaj vetjake. Ne kemi vërejtur për shumë vite se ata të cilët e paguajnë me besnikëri të dhjetën e tyre dhe e zbatojnë Fjalën e Urtësisë, janë zakonisht besnikë në të gjitha çështjet e tjera që lidhen me hyrjen në tempullin e shenjtë.

Këto nuk janë çështje për t’u marrë me lehtësi. Pasi të jemi gjetur të denjë për të hyrë në tempull, ne kryejmë ordinanca që janë ordinancat më të shenjta të administruara në ndonjë vend mbi tokë. Këto ordinanca lidhen me gjërat e përjetësisë.7

burrë në zyrën e udhëheqësit të priftërisë

“Peshkopët dhe presidentët e kunjeve … ju bëjnë mjaft pyetje për sa i përket denjësisë suaj për t’u kualifikuar për një rekomandim tempulli.”

3

Bërja e punës në tempull sjell bekime të mëdha për individët dhe familjet.

Sa gjë e lavdishme është për ne të kemi privilegjin të shkojmë në tempull për bekimet tona vetjake! Pastaj, pasi të shkojmë në tempull për bekimet tona vetjake, çfarë privilegji i lavdishëm është të bëjmë punën për ata që kanë shkuar përpara nesh. Ky aspekt i punës në tempull është një punë vetëmohuese. Sidoqoftë, kurdoherë që bëjmë punë në tempull për njerëz të tjerë, ka një bekim që na kthehet neve. Kështu, nuk duhet të jetë e çuditshme për ne që Zoti njëmend dëshiron që populli i Tij të jetë një popull i nxitur drejt tempullit. …

… Ne duhet të shkojmë jo vetëm për të afërmit tanë të vdekur, por edhe për bekimin vetjak të adhurimit në tempull, për shenjtërinë dhe sigurinë që gjenden brenda atyre mureve të shenjtëruara e të përkushtuara. Kur e frekuentojmë tempullin, ne i mësojmë në mënyrë më të plotë e më të thellë qëllimin e jetës dhe rëndësinë e flijimit shlyes të Zotit Jezu Krisht. E bëfshim tempullin, së bashku me adhurimin në tempull dhe besëlidhjet e tempullit dhe martesën në tempull, qëllimin tonë përfundimtar në tokë dhe përvojën tonë më të lartë të vdekshmërisë.8

Disa gjëra përmbushen nëpërmjet frekuentimit tonë të tempullit – ne pajtohemi me udhëzimet e Zotit për kryerjen e vetë punës sonë të ordinancave, ne i bekojmë familjet tona me anë të ordinancave vulosëse dhe i ndajmë bekimet tona me të tjerët duke bërë për ta atë që ata nuk mund ta bëjnë për veten e tyre. Përveç këtyre, ne i lartësojmë vetë mendimet tona, afrohemi më pranë Zotit, e nderojmë priftërinë dhe e shpirtërojmë jetën tonë.9

Ne marrim bekime vetjake kur e frekuentojmë tempullin. Duke komentuar mbi atë se si jeta jonë bekohet nëpërmjet frekuentimit të tempullit, Plaku Xhon A. Uitso shpalli:

“Puna në tempull … jep një mundësi të mrekullueshme për ta mbajtur të gjallë njohurinë dhe forcën tonë shpirtërore. … Këndvështrimi i fuqishëm i përjetësisë shpaloset përpara nesh në tempujt e shenjtë; ne e shohim kohën që nga fillimi i saj i pafundmë deri në fundin e saj të pambarueshëm; dhe drama e jetës së përjetshme shpaloset përpara nesh. Atëherë e shoh më me qartësi vendin tim mes gjërave të universit, vendin tim mes qëllimeve të Perëndisë; unë jam më i aftë ta vendos veten time atje ku i përkas dhe jam më i aftë t’i vlerësoj e t’i peshoj, t’i veçoj e t’i organizoj detyrat e zakonshme, të përditshme të jetës sime, me qëllim që gjërat e vogla nuk do të më mpakin ose nuk do të ma largojnë vështrimin tim prej gjërave më të mëdha që Perëndia na ka dhënë” (në Conference Report, prill 1922, f. 97–98).10

Merrni parasysh mësimet e mrekullueshme të lutjes së madhërishme përkushtuese të Tempullit të Kirtlandit, një lutje që Profeti Jozef Smith tha se iu dha atij me anë të zbulesës. Është një lutje që vazhdon të marrë përgjigje mbi ne si individë, mbi ne si familje dhe mbi ne si një popull për shkak të fuqisë së priftërisë që Zoti na e ka dhënë për ta përdorur në tempujt e Tij të shenjtë.

“Dhe tani, Atë i Shenjtë”, u lut Profeti Jozef Smith, “ne të kërkojmë të na ndihmosh ne, popullin tënd, me hirin tënd … që ne të mund të gjendemi të denjë, në sytë e tu, për të fituar plotësim të premtimeve që ti na i ke bërë neve, popullit tënd, në zbulesat e dhëna për ne;

Që lavdia jote të mund të pushojë mbi njerëzit e tu. …

Dhe ne të kërkojmë, Atë i Shenjtë, që shërbëtorët e tu të mund të largohen nga kjo shtëpi të armatosur me fuqinë tënde dhe që emri yt të mund të jetë mbi ta e lavdia jote të jetë përreth tyre dhe engjëjt e tu të ngarkohen me përgjegjësi për ta” [DeB 109:10–12, 22].11

Frekuentimi i tempullit krijon shpirtshmëri. Ai është një nga programet më të mira që ne kemi në Kishë për ta zhvilluar shpirtshmërinë. Ky program i kthen zemrat e bijve drejt etërve të tyre dhe zemrat e etërve drejt bijve të tyre (Malakia 4:6). Ky program nxit bashkëpunim dhe unitet familjar.12

4

Le të nxitojmë drejt tempullit.

Le të ndajmë me fëmijët tanë ndjenjat shpirtërore që kemi në tempull. Dhe le t’u mësojmë atyre më me zell dhe më me kënaqësi gjërat që mund të themi siç duhet rreth qëllimeve të shtëpisë së Zotit. Mbajeni një figurë të një tempulli në shtëpinë tuaj që fëmijët tuaj të mund ta shohin atë. Mësojuni atyre rreth qëllimeve të shtëpisë së Zotit. Bëjini ata të planifikojnë, që nga vitet më të hershme, që të shkojnë atje dhe të qëndrojnë të denjë për atë bekim. Le ta përgatitim çdo misionar që të shkojë në tempull me denjësi dhe ta bëjë atë përvojë një theksim edhe më të madh sesa marrja e thirrjes së misionit. Le të planifikojmë e të japim mësim dhe të lutemi me fëmijët tanë që të martohen në shtëpinë e Zotit. Le të ripohojmë më fuqishëm sesa e kemi bërë ndonjëherë në të shkuarën, që ka rëndësi se ku martoheni dhe se cili autoritet ju shpall bashkëshort e bashkëshorte.13

Është e këndshme për Zotin që të rinjtë tanë të shkojnë me denjësi në tempull dhe të kryejnë pagëzimin me mëkëmbës për ata të cilët nuk e patën mundësinë të pagëzoheshin gjatë jetës. Është e këndshme për Zotin kur ne shkojmë me denjësi në tempull që të bëjmë personalisht besëlidhjet tona vetjake me Të dhe që të vulosemi si çifte dhe si familje. Dhe është e këndshme për Zotin kur ne shkojmë me denjësi në tempull për të kryer po ato ordinanca shpëtuese për ata që kanë vdekur, shumë prej të cilëve presin me padurim kryerjen e këtyre ordinancave në emër të tyre.14

Atyre që nuk i kanë marrë bekimet e tyre të tempullit ose atyre që nuk e mbajnë një rekomandim të vlefshëm tempulli, lejomëni t’ju nxit me përulësi e dashuri që të punoni drejt ditës kur mund të hyni në shtëpinë e Zotit. Ai u ka premtuar atyre që janë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre: “Nëse njerëzit e mi do t’i binden zërit tim dhe zërit të shërbëtorëve të mi të cilët i kam caktuar ta udhëheqin popullin tim, vini re, në të vërtetë unë ju them, ata nuk do të nxirren jashtë vendit të tyre” (DeB 124:45). … Ju premtoj se shpirtshmëria juaj vetjake, marrëdhënia juaj me bashkëshortin ose bashkëshorten tuaj dhe marrëdhëniet tuaja familjare do të bekohen e forcohen kur ju e frekuentoni tempullin rregullisht.15

Le të jemi një popull që shkon në tempull dhe që e do tempullin. Le të nxitojmë për në tempull aq shpesh sa të na e lejojnë koha e mjetet dhe rrethanat personale. Le të shkojmë jo vetëm për të afërmit tanë të vdekur, por le të shkojmë gjithashtu për bekimin vetjak të adhurimit në tempull, për shenjtërinë dhe sigurinë që gjendet brenda atyre mureve të shenjtëruar e të përkushtuar. Tempulli është një vend bukurie, është një vend zbulese, është një vend paqeje. Ai është shtëpia e Zotit. Ai është i shenjtë për Zotin. Ai duhet të jetë i shenjtë për ne.16

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Përsiatni mësimet e Presidentit Hanter në pjesën 1. Si mund ta “vendos[im] tempullin e Zotit si simbolin e madhërishëm të anëtarësisë [sonë]”?

  • Rishikoni kërkesat për një rekomandim tempulli siç përvijohen në pjesën 2. Si ju ka bekuar të jetuarit sipas këtyre kërkesave ju dhe familjen tuaj? Përse na kërkohet që të përpiqemi të jemi “të pastër dhe të çliruar nga mëkatet e botës” kur hyjmë në tempull?

  • Rishikoni mësimet e Presidentit Hanter rreth bekimeve të bërjes së punës në tempull (shih pjesën 3). Si ju ka bekuar pjesëmarrja në ordinancat e tempullit ju dhe familjen tuaj? Si mund të përfitojmë në mënyrë më të plotë nga bekimet e tempullit? A mund të tregoni për një rast kur e ndiet forcën shpirtërore ose udhëzimin në tempull? Nëse nuk keni qenë ende në tempull, përsiatni se si mund të përgatiteni për ta marrë atë bekim.

  • Cilat janë disa mënyra se si ne mund t’i ndihmojmë fëmijët dhe të rinjtë që të mësojnë rreth tempujve dhe që të zhvillojnë një dashuri për ta? (Shih pjesën 4.) Si mund t’i ndihmojmë fëmijët dhe të rinjtë që të dëshirojnë të martohen në shtëpinë e Zotit? Përse është e rëndësishme që ne të shkojmë në tempull “aq shpesh sa të na e lejojnë koha e mjetet dhe rrethanat personale”?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Psalmeve 55:14; Isaia 2:2–3; DeB 97:12–17; 110:6–10; 124:39–41; 138:53–54; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Tempull, Shtëpi e Zotit”, f. 187–188

Ndihmë për Mësimdhënien

“Shpesh një mësim do të përmbajë më shumë material sesa jeni në gjendje ta jepni mësim në kohën që ju jepet. Në raste të tilla, ju duhet të përzgjidhni materialin që do të jetë më i dobishëm për ata të cilëve iu jepni mësim” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 98).

Shënime

  1. Në Eleanor Knowles, Howard W. Hunter (1994), f. 135.

  2. Shih Jay M. Todd, “President Howard W. Hunter: Fourteenth President of the Church”, Ensign, korrik 1994, f. 4–5.

  3. “The Temple of Nauvoo”, Ensign, shtator 1994, f. 62–63.

  4. Teksti i lutjes përkushtuese të Tempullit të Bauntifullit në Juta, te “‘Magnificent Edifice’ Consecrated to [the] Lord”, Church News, 14 janar 1995, f. 4.

  5. “The Great Symbol of Our Membership”, Ensign, tetor 1994, f. 2, 5.

  6. “Exceeding Great and Precious Promises”, Ensign, nëntor 1994, f. 8.

  7. “Your Temple Recommend”, New Era, prill 1995, f. 6–9.

  8. “A Temple-Motivated People”, Ensign, shkurt 1995, f. 5.

  9. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 240.

  10. “We Have a Work to Do”, Ensign, mars 1995, f. 65.

  11. “The Great Symbol of Our Membership”, f. 4.

  12. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 239–240.

  13. “A Temple-Motivated People”, f. 5.

  14. “The Great Symbol of Our Membership”, f. 5.

  15. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 240–241.

  16. “The Great Symbol of Our Membership”, f. 5.