Mësime të Presidentëve
Kapitulli 10: Shkrimet e Shenjta – Më Të Dobishmet nga të Gjitha Studimet


Kapitulli 10

Shkrimet e Shenjta – Më Të Dobishmet nga të Gjitha Studimet

“Secili prej nesh … [u afroftë] më shumë tek Ati ynë në Qiell dhe Biri i Tij i Dashur nëpërmjet studimit të vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Presidenti Hauard W. Hanter kishte një dashuri të madhe për shkrimet e shenjta dhe ishte një studiues i përkushtuar i tyre. Kjo dashuri dhe ky studim u pasqyruan në mësimdhëniet e tij, që ishin të mbushura me ngjarje dhe fragmente të tjera nga veprat standarde. Shpesh kur jepte mësim një parim të ungjillit, sidomos në konferencë të përgjithshme, ai zgjidhte të paktën një ngjarje nga shkrimet e shenjta, e tregonte në hollësi dhe shpjegonte se si mund të gjente zbatim.

Për shembull, kur jepte mësim rreth të qenit i angazhuar në Perëndi, ai ritregonte ngjarjet nga Jozueu; të Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos; dhe të tjerëve në Dhiatën e Vjetër, që treguan aq angazhim (shih kapitullin 19). Kur jepte mësim rreth shërbimit, ai përdorte shembuj nga Libri i Mormonit për të treguar se si disa njerëz që merrnin pak brohoritje nuk qenë “më pak të dobishëm” sesa të tjerët, shërbimi i të cilëve ishte më i dukshëm (shih kapitullin 23). Kur jepte mësim rreth mënyrës për të pasur paqe të brendshme në kohë trazire, ai përsëri përdorte fragmente të zgjeruara nga shkrimet e shenjta, përfshirë historinë e Pjetrit duke ecur mbi ujë (shih kapitullin 2). Kur jepte mësim rreth sakramentit, ai jepte kontekstin duke rishikuar historinë e fëmijëve të Izraelit dhe të Pashkës (shih kapitullin 15).

Presidenti Hanter e dinte rëndësinë e shkrimeve të shenjta për të ndihmuar një person të fitonte dëshmi për Jezu Krishtin. Prandaj, ai shpesh jepte mësim nga tregimet e shkrimeve të shenjta për shërbesën, kryqëzimin dhe ringjalljen e Shpëtimtarit. Ai shpalli:

“Unë jam mirënjohës për bibliotekën e shkrimeve të shenjta, nëpërmjet së cilës një njohje më e mirë për Jezu Krishtin mund të arrihet nëpërmjet studimit të përkushtuar. Unë jam mirënjohës që përveç Dhiatave të Vjetër dhe të Re, Zoti, nëpërmjet profetëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ka shtuar shkrime të tjera të shenjta të zbuluara si dëshmi shtesë për Krishtin – Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhjet dhe Perla me Vlerë të Madhe – të cilat unë e di se janë të gjitha fjala e Perëndisë. Këto sjellin dëshmi që Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.”1

familje duke studiuar shkrimet e shenjta

“Ne shpresojmë se ju po i lexoni dhe po i studioni shkrimet e shenjta çdo ditë si individë dhe si familje.”

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Studimi i shkrimeve të shenjta është studimi më i dobishëm nga të gjitha studimet në të cilat mund të angazhohemi.

Qendrore te gjithë e vërteta është dëshmia se Jezusi i Nazaretit është Krishti, Jehova i Madh, Shpëtimtari i Botës, dhe Biri i Vetëmlindur i Perëndisë së Gjallë. Ky është mesazhi i shkrimeve të shenjta. Nëpër secilin nga këto libra të shenjtë ka një thirrje për të besuar dhe pasur besim te Perëndia, Ati i Përjetshëm dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti; dhe nga i pari tek i fundit prej këtyre librave të shkrimeve të shenjta është thirrja për të bërë vullnetin e Perëndisë dhe për të mbajtur urdhërimet e Tij.2

Kur ne e ndjekim këshillën e udhëheqësve tanë për të lexuar dhe studiuar shkrimet e shenjta, përfitime dhe bekime të shumëllojshme na vijnë. Ky është studimi më i dobishëm nga të gjitha studimet në të cilat mund të angazhohemi. …

Shkrimet e shenjta përmbajnë analet e shfaqjes së Vetë Perëndisë dhe nëpërmjet tyre Perëndia i flet njeriut. Ku mund të ketë përdorim më të dobishëm të kohës sesa në leximin nga biblioteka e shkrimeve të shenjta të literaturës që na mëson të njohim Perëndinë dhe të kuptojmë marrëdhënien tonë me Të? Koha është gjithmonë e çmueshme për njerëzit e zënë, dhe neve na rrëmbehet vlera e saj kur shpërdorojmë orë në leximin apo shikimin e asaj që është pa rëndësi dhe me pak vlerë.3

Ne shpresojmë se ju po i lexoni dhe po i studioni shkrimet e shenjta çdo ditë si individë dhe si familje. Ne nuk duhet ta marrim lehtësisht urdhërimin e Zotit: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua” (Gjoni 5:39). Shpirti do të vijë në shtëpitë tuaja dhe në jetën tuaj ndërsa lexoni fjalën e zbuluar.4

Ne duhet të kemi një Kishë plot me gra dhe burra që i njohin tërësisht shkrimet e shenjta, të cilët bëjnë kryqëzime referencash dhe i shënojnë ato, që bëjnë mësime dhe biseda duke përdorur Udhëzuesin Tematik dhe që i kanë zotëruar hartat, Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta dhe ndihmesa të tjera që gjenden në këtë komplet të mrekullueshëm të veprave standarde. Është e qartë se ka më shumë sesa mund të zotërojmë shpejt e shpejt. Sigurisht fusha e shkrimeve të shenjta është “e bardhë gati për t’u korrur” [shih DeB 4:4]. …

As në këtë periudhë ungjillore, sigurisht as në çfarëdo periudhe ungjillore, shkrimet e shenjta – fjala e qëndrueshme, ndriçuese e Perëndisë – nuk kanë qenë aq lehtësisht të arritshme dhe të ndërtuara aq dobishëm për përdorim nga çdo burrë, grua dhe fëmijë që do të kërkojë në to. Fjala e shkruar e Perëndisë është forma më e lexueshme dhe më e arritshme që u është siguruar ndonjëherë anëtarëve të zakonshëm në historinë e botës. Sigurisht ne do të mbahemi përgjegjës nëse nuk i lexojmë ato.5

2

Studimi i shkrimeve të shenjta na ndihmon të mësojmë dhe t’i bindemi vullnetit të Perëndisë.

Me qëllim që të jemi të bindur ndaj ligjit të ungjillit dhe të jemi të bindur ndaj mësimeve të Jezu Krishtit, ne duhet së pari ta kuptojmë ligjin dhe të gjejmë vullnetin e Zotit. Kjo plotësohet më së miri duke kërkuar dhe duke studiuar shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve. Në këtë mënyrë ne njihemi me atë që Perëndia i ka zbuluar njeriut.

Midis Neneve të Besimit është një nen që deklaron: “Ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë” (Nenet e Besimit 1:9).

Vullneti i Perëndisë ka qenë zbuluar në shkrimet e shenjta, dhe për këtë shkak ne jemi urdhëruar t’i lexojmë ato për të gjetur të vërtetën. Zoti i shpjegoi Oliver Kaudërit mënyrën se si t’i gjente këto të vërteta. Ai tha: “Vër re, unë të jap urdhërim, që ti të mbështetesh mbi gjërat që janë shkruar; sepse në to janë shkruar të gjitha gjërat lidhur me themelin e kishës sime, të ungjillit tim dhe të shkëmbit tim” (DeB 18:3–4).

Pali i shkruante mikut të tij të mirë Timoteut, duke e nxitur t’i lexonte shkrimet e shenjta dhe në letrën e tij i thoshte: “Që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus”. Mandej ai shtonte: “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi” (2 Timoteut 3:15–16). …

Udhëheqësit e Kishës sonë i kanë vënë theks të fortë çështjes së leximit të shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të profetëve, të lashtë e bashkëkohor. Baballarëve dhe nënave u është kërkuar t’i lexojnë shkrimet e shenjta në mënyrë që të mund t’i mësojnë siç duhet fëmijët e tyre. Fëmijët tanë po lexojnë shkrimet e shenjta si rezultat i shembullit që u është dhënë nga prindërit. Ne po i studiojmë shkrimet e shenjta në mbrëmjet tona familjare në shtëpi, dhe disa familje po i lexojnë shkrimet e shenjta së bashku në një orë herët në mëngjes. … Kjo është mënyra se si mësojmë ta njohim vullnetin e Zotit, që të mund të jemi të bindur.6

Shqyrtoni serinë e hapave te shkrimet e shenjta, që fillon duke i kushtuar me zell vëmendje fjalës së Perëndisë dhe mandej vijohet me premtimin se nëse e bëjmë këtë, ne mund të arrijmë te vetë prania e Tij:

“Dhe unë tani ju jap një urdhërim … t’u vini veshin me zell fjalëve të jetës së përjetshme.

Sepse ju do të jetoni me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.

Sepse fjala e Zotit është e vërtetë dhe çfarëdo që është e vërtetë, është dritë, dhe çfarëdo që është dritë, është Shpirt, madje Shpirti i Jezu Krishtit. …

Dhe kushdo që i bindet zërit të Shpirtit, vjen te Perëndia, madje Ati” (DeB 84:43–45, 47).

Ky është një udhëtim i mrekullueshëm i filluar te fjala e Perëndisë dhe që do të kulmojë në ekzaltim. “Fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni” (2 Nefi 32:3).7

Unë ju rekomandoj juve zbulesat e Perëndisë si standardin me të cilin ne duhet ta jetojmë jetën tonë dhe me të cilin ne duhet të matim çdo vendim dhe çdo veprim. Prandaj, kur keni shqetësime dhe sfida, përballuni me to duke iu drejtuar shkrimeve të shenjta dhe profetëve.8

i ri duke lexuar shkrimet e shenjta

Studimi i shkrimeve të shenjta “është studimi më i dobishëm nga të gjitha studimet në të cilat mund të angazhohemi”.

3

Për t’i kuptuar shkrimet e shenjta kërkohet studim i përqendruar, i përhershëm dhe plot lutje.

Ne e nxitim secilin prej jush të shqyrtojë me kujdes se sa kohë po i jep aktualisht përsiatjes plot lutje të shkrimeve të shenjta.

Si një prej shërbëtorëve të Zotit, unë ju ftoj të bëni sa më poshtë:

1. Lexoni, përsiatni dhe lutuni për shkrimet e shenjta çdo ditë si anëtarë të veçantë të Kishës.

2. Bëjeni leximin e shkrimeve të shenjta në familje rregullisht. Ne i lëvdojmë ata prej jush që po e bëjnë këtë tashmë dhe i nxitim ata prej jush që nuk kanë filluar ende që ta bëjnë këtë pa vonuar. …

Secili prej nesh përparoftë me një vendosmëri të fortë për të qenë më i përgjëruar; që të përpiqet të jetojë më plotësisht me anë të Shpirtit; dhe të afrohet më shumë tek Ati ynë në Qiell dhe Biri i Tij i Dashur nëpërmjet studimit të vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta.9

Shprehitë e të lexuarit ndryshojnë gjerësisht. Ka lexues të shpejtë dhe lexues të ngadalshëm, disa që lexojnë një nga një vetëm pjesë të vogla dhe të tjerë që këmbëngulin pa reshtur derisa libri mbaron. Ata që gërmojnë në bibliotekën e shkrimeve të shenjta, gjithsesi, zbulojnë se për t’i kuptuar kërkohet më shumë se një lexim rastësor apo shfletim – duhet të ketë lexim të përqendruar. Është e sigurt se një person që i studion shkrimet e shenjta çdo ditë bën shumë më tepër sesa një person që i kushton kohë të konsiderueshme një ditë dhe më pas i lë ditët të shkojnë para se të vazhdojë. Jo vetëm që duhet të studiojmë çdo ditë, por duhet të ketë një kohë të rregullt të veçuar kur ne mund të përqendrohemi pa ndërhyrje.

Nuk ka gjë më të dobishme sesa lutja për të hapur kuptimin tonë të shkrimeve të shenjta. Nëpërmjet lutjes ne mund ta përqendrojmë mendjen për të kërkuar përgjigjet mbi kërkimet tona. Zoti tha: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet” (Lluka 11:9). Këtu është garancia e Krishtit që nëse do të pyetim, kërkojmë dhe trokasim, Shpirti i Shenjtë do ta drejtojë të kuptuarin tonë nëse jemi gati dhe të etur për të marrë.

Shumë njerëzve u duket se koha më e mirë për të studiuar është në mëngjes, pasi një pushim nate e ka pastruar mendjen nga shumë gajle që e ndërpresin mendimin. Të tjerë parapëlqejnë të studiojnë në orët e qeta pasi puna dhe shqetësimet e ditës kanë mbaruar dhe janë lënë mënjanë, duke e mbyllur ditën kështu me një paqe dhe qetësi që vjen duke e kaluar kohën në shoqërinë e shkrimeve të shenjta.

Ndoshta ajo që është më e rëndësishme sesa ora e ditës është që një kohë e rregullt të veçohet për studim. Do të ishte ideale nëse një orë do të mund të shpenzohej çdo ditë; por nëse nuk mund të kihet kaq shumë, një gjysmë ore rregullisht do të jepte një përmbushje thelbësore. Një çerek ore është kohë e shkurtër, por është befasuese sa shumë ndriçim dhe njohuri mund të fitohet në një temë kaq domethënëse. E rëndësishme është të mos lejojmë asgjë tjetër të ndërhyjë ndonjëherë në studimin tonë.

Disa parapëlqejnë të studiojnë vetëm, por shokë apo/dhe shoqe mund të studiojnë së bashku dobishëm. Familjet bekohen shumë kur etër dhe nëna të urta i mbledhin fëmijët rreth tyre, lexojnë së bashku nga faqet e bibliotekës së shkrimeve të shenjta dhe më pas i diskutojnë lirshëm historitë dhe mendimet e bukura sipas të kuptuarit të të gjithëve. Shpesh të rinjtë dhe të vegjlit kanë ide dhe vlerësim mahnitës për literaturën bazë të fesë.

Ne nuk duhet të hallakatemi në leximin tonë, por të bëjmë madje një plan sistematik studimi. Ka disa që lexojnë sipas një programi një numër faqesh apo një numër të caktuar kapitujsh çdo ditë ose javë. Kjo mund të jetë plotësisht e justifikuar dhe mund të jetë e kënaqshme nëse dikush lexon për kënaqësi, por ajo nuk përbën një studim domethënës. Është më mirë të kesh një masë të caktuar kohe për studim shkrimesh të shenjta çdo ditë, sesa të kesh një masë të caktuar kapitujsh për të lexuar. Ndonjëherë ne shohim se studimi i një vargu të vetëm do të zërë gjithë kohën.10

4

Përsiatja e rrëfimit të shkurtër në shkrimet e shenjta për Jairin sjell një thellësi të madhe kuptimi dhe domethënieje.

Jeta, veprimet dhe mësimet e Jezusit mund të lexohen shpejt. Ngjarjet janë të thjeshta në shumicën e rasteve dhe ngjarjet janë treguar thjeshtë. Mësuesi përdori pak fjalë në mësimet e Tij, por secila është aq e saktë në domethënie që së bashku ato formojnë një shëmbëllim të qartë për lexuesin. Ndonjëherë, sidoqoftë, shumë orë mund të shpenzohen në përsiatjen e mendimeve të thella shprehur në disa fjalë të thjeshta.

Pati një rast në jetën e Shpëtimtarit që u përmend nga Mateu, Marku dhe Lluka. Një pjesë e rëndësishme e ngjarjes u tregua nga Marku në vetëm dy vargje të shkurtra dhe pesë fjalë të vargut pasues. …

“Atëhere erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa [pra, kur ai pa Jezusin], i ra ndër këmbë,

dhe ju lut me të madhe duke thënë: ‘Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!’

Dhe ai shkoi me të” (Marku 5:22–24).

Koha e leximit të asaj pjese të ngjarjes është rreth tridhjetë sekonda. Ajo është shkurtër dhe jo e ndërlikuar. Figura pamore është e qartë dhe madje një fëmijë mund ta përsëritë pa vështirësi. Por ndërsa shpenzojmë kohë në mendim dhe përsiatje, një thellësi e madhe kuptimi dhe domethënieje na vjen. …

… Jezusi dhe ata që qenë me Të sapo patën kapërcyer përsëri Detin e Galilesë dhe një shumicë njerëzish që po prisnin e takuan Atë në bregun pranë Kapernaumit. “Atëhere erdhi një nga krerët e sinagogës.” Sinagogat më të mëdha të asaj kohe kryesoheshin nga një grup pleqsh me autoritet nën drejtimin e një kryetari ose një sundimtari. Ky ishte burrë me një pozitë dhe famë, të cilin hebrenjtë e shihnin me respekt të madh.

Mateu nuk e jep emrin e këtij plaku kryetar, por Marku e identifikon duke i shtuar titullit të tij fjalët “Me emër Jair”. Askund tjetër në shkrimet e shenjta nuk shfaqet ky burrë apo emri i tij përveç këtij rasti, dhe përsëri kujtimi i tij jeton në histori për shkak të një takimi të shkurtër me Jezusin. Shumë, shumë jetë janë bërë të paharrueshme, që ndryshe do të kishin humbur në errësirë nëse nuk do të ishte prekja prej dorës së Mësuesit, e cila bëri një ndryshim të rëndësishëm të mendimit e të veprimit dhe një jetë të re e më të mirë.

“Që, kur e pa [d.m.th, kur Jairi pa Jezusin], i ra ndër këmbë.”

Kjo ishte një rrethanë e pazakontë për një burrë me pozitë dhe famë, një sundimtar të sinagogës, që të binte në gjunjë te këmbët e Jezusit – te këmbët e dikujt që mendohej se ishte një mësues udhëtar me dhuratën e shërimit. Shumë të tjerë të mësuar dhe me autoritet e panë gjithashtu Jezusin por e shpërfillën Atë. Mendjet e tyre ishin të mbyllura. Sot nuk është ndryshe; pengesat qëndrojnë në udhën e shumëkujt për ta pranuar Atë.

“Dhe [Jairi] ju lut me të madhe duke thënë: ‘Ime bijë është duke dhënë shpirt’.” Kjo është tipike për çka ndodh shpesh kur një njeri vjen te Krishti, jo aq për nevojën e vet, por për shkak të nevojës së skajshme të një të dashuri. Drithërima që dëgjojmë në zërin e Jairit ndërsa ai flet për “Ime bijë” shkakton në shpirtrat tanë simpati ndërsa mendojmë për këtë burrë me pozitë të lartë në sinagogë në gjunjë përpara Shpëtimtarit.

Pastaj vjen një pranim madhështor besimi: “[Unë të lutem Ty]; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë”. Këto nuk janë vetëm fjalë besimi të një babai të dërrmuar në pikëllim, por janë gjithashtu një kujtesë për ne se gjithçka ku Jezusi vendos duart e Tij jeton. Nëse Jezusi vendos duart e Tij mbi një martesë, ajo jeton. Nëse Ai lejohet t’i vendosë duart e Tij mbi familjen, ajo jeton.

Fjalët “dhe [Jezusi] shkoi me të” vijojnë. Ne nuk do të hamendësonim se kjo ngjarje qe brenda planeve të ditës. Mësuesi qe kthyer nëpër det atje ku turma po priste në breg për Të që t’i mësonte. … Ai u ndërpre nga lutja e një babai. Ai mund ta kishte shpërfillur kërkesën pasi shumë të tjerë po prisnin. Ai mund t’i kishte thënë Jairit se Ai do të shkonte ta shihte nesër bijën e tij, por “[Jezusi] shkoi me të”. Nëse ndjekim gjurmët e Mësuesit, a do të jemi ndonjëherë tepër të zënë për t’i anashkaluar nevojat e bashkëqenieve tona?

Nuk është e nevojshme të lexohet pjesa tjetër e ngjarjes. Kur ata shkuan në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, Jezusi e mori vajzën e vogël nga dora dhe e ngriti nga vdekja. Në një mënyrë të ngjashme, ai do të ngrejë dhe rrisë në një jetë të re dhe më të mirë çdo njeri që do ta lejojë Shpëtimtarin ta marrë atë nga dora.11

5

Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje do të na sjellin ne më afër Krishtit.

Libri i Mormonit

Një nga burimet më të rëndësishme që Zoti ka siguruar për të na ndihmuar në përmbushjen e kësaj pune hyjnore është Libri i Mormonit, me nëntitull “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”. [Presidenti Ezra Taft Benson] na paralajmëroi drejtpërdrejt që të mos lëmë pas dore leximin dhe zbatimin e këtyre këshillave të këtij vëllimi shkrimesh të shenjta. “Misioni i saj i madh”, na mësoi ai, “është të sjellë njerëz te Krishti [dhe kështu tek Ati], dhe të gjitha gjërat e tjera janë dytësore”. (Ensign, maj 1986, f. 105.) Ne shpresojmë se ju vëllezër dhe motra po i ushqeni shpirtrat tuaja duke e lexuar rregullisht Librin e Mormonit dhe shkrime të tjera të shenjta dhe duke i përdorur ato në shërbesat tuaja.12

Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë. Ne ju ftojmë ta lexoni këtë anal të mrekullueshëm. Ai është vëllimi më i shquar që ekziston sot. Lexojeni me kujdes dhe me lutje, dhe ndërsa e bëni këtë, Perëndia do t’ju japë dëshmi për vërtetësinë e tij siç është premtuar nga Moroni (shih Moroni 10:4).13

Është nëpërmjet leximit dhe studimit të Librit të Mormonit dhe kërkimit me lutje të vërtetimit të përmbajtjeve të tij, që ne mund të marrim dëshmi se Jozef Smithi ishte profet i Perëndisë dhe se Kisha e Jezu Krishtit ishte rivendosur në tokë.14

Leximi [i Librit të Mormonit] do të ketë një ndikim të thellë në jetën tuaj. Ai do të zgjerojë njohurinë tuaj për mënyrën se si Perëndia merret me njeriun dhe do t’ju japë një dëshirë më të madhe për të jetuar në përputhje me mësimet e ungjillit të Tij. Ai do t’ju sigurojë gjithashtu juve një dëshmi të fuqishme për Jezusin.15

Doktrina e Besëlidhje

Doktrina e Besëlidhje është një libër i pashoq. Ai është libri i vetëm në faqen e gjithë tokës me një parathënie të hartuar nga Vetë Krijuesi. Për më tepër, ky libër shkrimi i shenjtë përmban më shumë citime të drejtpërdrejta nga Zoti sesa ndonjë libër tjetër ekzistues shkrimesh të shenjta.

Ai nuk është përkthim i ndonjë dokumenti të lashtë, por është i një prejardhjeje moderne. Ai është një libër zbulese për kohën tonë. Ai është një përzgjedhje e pashoqe dhe e frymëzuar në mënyrë hyjnore e zbulesave që erdhën nëpërmjet profetëve të Perëndisë në kohën tonë në përgjigje të pyetjeve, shqetësimeve dhe sfidave që hasën ata dhe të tjerë. Ai përmban përgjigje hyjnore për probleme të jetës reale ku përfshihen njerëz të vërtetë. …

A e kuptuat se duke lexuar Doktrina e Besëlidhjet ju mund të dëgjoni zërin e Zotit nëpërmjet shkrimit të shenjtë? [shih DeB 18:33–36]. … Ai zë ndriçimi do të vijë zakonisht në mendjen tuaj si “mendime” dhe në zemrën tuaj si “ndjenja” (shih DeB 8:1–3). Premtimi për atë dëshmi është … në dispozicion për çdo burrë, grua dhe fëmijë të denjë që kërkon me lutje për një dëshmi të tillë. A nuk duhet që secili prej nesh të zgjedhë të lexojë, studiojë, përsiatë dhe të lutet mbi zbulesa të tilla të shenjta?16

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të mësoni se të studiuarit e shkrimeve të shenjta “është studimi më i dobishëm nga të gjitha studimet”? (Shih pjesën 1.) Si mund ta forcojmë zotimin tonë për të qenë “gra dhe burra që i njohin tërësisht shkrimet e shenjta”?

  • Si na ndihmon të studiuarit e shkrimeve të shenjta që të jemi më të bindur? (Shih pjesën 2.) Si e keni parë që “fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”? (2 Nefi 32:3.)

  • Cilat aspekte të këshillës së Presidentit Hanter rreth mënyrës se si t’i studiojmë shkrimet e shenjta mund t’ju ndihmojnë? (Shih pjesën 3.) Si ju ka bekuar studimi i vazhdueshëm, me lutje i shkrimeve të shenjta?

  • Çfarë idesh mund të fitojmë nga rrëfimi i Presidentit Hanter për Shpëtimtarin që shëroi bijën e Jairit? (Shih pjesën 4.) Si mund përsiatja vetëm e disa vargjeve si ky ta pasurojë studimin tuaj të shkrimeve të shenjta?

  • Si ju ka ndihmuar Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje për t’iu afruar më pranë Shpëtimtarit? (Shih pjesën 5.) Cilat janë disa mënyra të tjera që këto vëllime të shenjta kanë ndikuar te ju? Merrni parasysh ta ndani dëshminë tuaj për këto shkrime të shenjta me anëtarët e familjes dhe të tjerët.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Jozueut 1:8; Fjalët e Urta 30:5; 1 Nefi 15:23–24; 2 Nefi 3:12; Alma 31:5; 37:44; Helamani 3:29–30; DeB 98:11

Ndihmë për Studimin

“Leximi, studimi dhe përsiatja nuk janë e njëjta gjë. Ne lexojmë fjalë dhe mund të marrim ide. Ne studiojmë dhe mund të zbulojmë modele dhe lidhje në shkrimin e shenjtë. Por kur përsiatemi, ne ftojmë zbulesë nga Shpirti. Përsiatja, për mua, është mendimi dhe lutja që bëj, pasi i lexoj e i studioj me kujdes shkrimet shenjta” (Henri B. Ajring, “Shërbeni me Shpirtin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 60).

Shënime

  1. “Reading the Scriptures”, Ensign, nëntor 1979, f. 65.

  2. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 50.

  3. “Reading the Scriptures”, f. 64.

  4. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 53–54.

  5. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 51.

  6. “Obedience” (bisedë dhënë në Konferencën e Zonës së Havait, 18 qershor 1978), f. 3–5, Church History Library, Salt Lake City; paragrafi i fundit është gjithashtu te The Teachings of Howard W. Hunter, f. 52.

  7. “Eternal Investments” (bisedë me mësuesit fetarë të SAK-ut, 10 shkurt 1989), f. 3; si.lds.org.

  8. “Fear Not, Little Flock” (bisedë dhënë në Universitetin “Brigam Jang”, 14 mars 1989), f. 2; speeches.byu.edu.

  9. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 51–52.

  10. “Reading the Scriptures”, f. 64.

  11. “Reading the Scriptures”, f. 64–65.

  12. “The Mission of the Church” (bisedë dhënë në seminarin e përfaqësuesve rajonalë, 30 mars 1990), f. 2.

  13. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 54.

  14. “The Pillars of Our Faith”, Ensign, shtator 1994, f. 54.

  15. “Evidences of the Resurrection”, Ensign, maj 1983, f. 16.

  16. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 55–56.