Kapitulli 18
Ne Besojmë në të Qenit të Ndershëm
“Nëse do të donim ta kishim shoqërimin e Mësuesit dhe të Shpirtit të Frymës së Shenjtë, ne duhet të jemi të ndershëm me veten tonë, të ndershëm me Perëndinë dhe me bashkëqeniet tona.”
Nga Jeta e Hauard W. Hanterit
Ndërkohë që prisnin të bënin një vizitë turistike në Kështjellën Hërst në Kaliforni, Presidenti e Motra Hanter dhe një çift tjetër shkuan me makinë te një dyqan i vogël. Teksa po shihnin përreth dyqanit, “Plaku Hanter shkoi te banaku, numëroi disa karamele [dhe] e pagoi shitësin 10 qindarka”. Të dy çiftet më pas hipën sërish në makinë dhe filluan të udhëtonin për t’u kthyer te kështjella për vizitën. Në udhë e sipër, “Plaku Hanter ua dha karamelet të gjithëve një e nga një e më pas përsëri dhe papritur ishte e qartë për të që duhej t’i kishte numëruar gabim, sepse ne kishim përfunduar me 11 copë në vend të 10 copëve për të cilat ai kishte paguar.
Ai mund ta kishte anashkaluar gabimin. Në fund të fundit, ishte thjesht një qindarkë dhe ne ishim në një farë nxitimi tani që të arrinim për vizitën turistike. Kush do ta dallonte ndryshimin apo kush do të shqetësohej? Por ai as që mendoi dy herë për të. Bëri një rrotullim të makinës dhe u nis duke iu ngjitur udhës që të kthehej te dyqani. … Ai ia shpjegoi problemin një shitësi tjetër, kërkoi falje për gabimin dhe ia pagoi qindarkën shtesë shitësit të habitur.”1
Për Hauard W. Hanterin, ishte e rëndësishme të ishte i ndershëm në gjëra të vogla, ashtu edhe në gjëra të mëdha.
Ai i mësoi bijtë e tij rreth integritetit moral nëpërmjet shembullit të tij. “Çfarë di rreth ndershmërisë dhe integritetit moral ka ardhur në përmasë të madhe nëpërmjet asaj që njerëzit më kanë thënë rreth babait tim”, tha Riçard Hanteri. Një herë Riçardi shkoi me babanë e tij në një mbledhje pune ku po diskutohej një projekt i ndërlikuar. Ndërkohë që ishin jashtë gjatë një pushimi, Riçardi dhe një prej burrave po flisnin rreth mbledhjes. Riçardi tha se ndoshta do të kishte një kohë të gjatë pritjeje për ta filluar projektin, sepse do të kërkonte një sasi të pamasë dokumentesh ligjore. Burri e korrigjoi Riçardin, duke i thënë atij se projekti mund të fillonte përpara se të përfundoheshin dokumentet, ngaqë njerëzit e dinin se Hauard W. Hanteri do të bënte gjithçka që ai tha se do ta bënte.2
Në vitin 1962, Presidenti Hanter i foli rinisë së Kishës dhe shprehu bindjen e tij rreth rëndësisë së të qenit të ndershëm:
“Një jetë e lumtur do të vijë te secili prej nesh nëse do të jemi vërtet të ndershëm – të ndershëm me etërit dhe nënat tona, qoftë për sa i përket daljes në takime, detyrave tona të shkollës, fëmijëve me të cilët shoqërohemi apo frekuentimit të kishës; të ndershëm me peshkopët tanë – duke e pranuar këshillën e tyre, duke iu treguar atyre të vërtetën rreth vetes sonë, duke paguar një të dhjetë të ndershme, duke jetuar një jetë të pastër, të dëlirë; të ndershëm me shkollat tona – duke mos mashtruar kurrë në asnjë pjesë të veprimtarive tona, qoftë brenda në klasë apo në godinat e shkollës; të ndershëm në pagesën e kërkuar, qoftë në lojëra apo filma, ose në kryerjen e pjesës sonë të përgjegjësive në një festë; të ndershëm me shokët e shoqet tona – kurrë duke mos përfituar prej tyre, kurrë duke mos i mashtruar ata, kurrë duke mos i çuar ata drejt tundimit; të ndershëm me Zotin vetë”.3
Mësime të Hauard W. Hanterit
1
Zoti na këshillon të jemi të ndershëm.
Shkrimi i shenjtë është i mbushur me këshillime për të qenë të ndershëm dhe urdhërimet janë të shumta lidhur me faktin që ne duhet të jemi të ndershëm. Ne mendojmë për to si të shkruara me shkronja të mëdha: NUK DO TË – nuk do të vjedhësh, nuk do të bësh dëshmi të rreme, nuk do të dëshirosh [shih Eksodi 20:15–17]. …
Disa prej shembujve më të zakonshëm të mungesës së ndershmërisë janë këta:
1. Vjedhja. Rrallë lexoj një gazetë pa gjetur një numër raportesh për grabitje, vjedhje me dhunë, rrëmbime çantash, vjedhje të mallrave në dyqane, vjedhje makinash dhe një mori gjërash të tjera. Edhe në godinat tona kishtare ka raporte për vjedhje të vogla.
2. Mashtrimi. Gazetat mbartin histori të ngjashme të ndërveprimeve hileqare në marrëdhëniet financiare, në ndërveprimet e bizneseve, mashtrime në investime dhe gjëra të tjera që ia tërheqin vëmendjen publikut. Ka disa njerëz që do të mashtronin gjatë viteve të tyre të shkollës dhe disa do të mashtronin në provime.
3. Shkelja e standardeve të Fjalës së Urtësisë. Këto janë standarde të Kishës. Ato nuk janë shkelje të standardeve të botës. Por juve ju është dhënë fjala e Zotit lidhur me këtë çështje.
4. Shkeljet e rregullave të trafikut rrugor. Një njeri nuk mund të jetë në thelb i ndershëm dhe t’i shkelë ligjet e përpiluara nga shoqëria dhe qeveria për mirëqenien e njerëzve të tjerë.4
“Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd” [Eksodi 20:16]. Kryesisht ky urdhërim i drejtohet dëshmisë së rreme në procedurat gjyqësore, por ai shtrihet për t’i mbuluar të gjitha deklarimet që janë në fakt të rreme. Çfarëdo e pavërtetë që priret ta dëmtojë një njeri tjetër në të mirat e tij materiale, si person ose si karakter, është kundër shpirtit dhe fjalës së këtij ligji. Ndrydhja e së vërtetës, e cila çon si përfundim drejt të njëjtit lëndim, është gjithashtu një shkelje e këtij urdhërimi.
“Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd” [Eksodi 20:17]. Të dëshirosh do të thotë të lakmosh diçka, të kesh mall për diçka, të pëlqesh shumë diçka që i përket një njeriu tjetër. Dëshira për të fituar gjëra të mira nuk është një shkelje, por dëshira për t’i marrë ato prej dikujt tjetër në mënyrë të paligjshme është një gabim. Lidhur me këtë, është mirë për ne që të kuptojmë se mirësia apo ligësia nuk fillon kur ndodh veprimi, por kur dikush e ngul zemrën te diçka.5
Zoti e urren një shikim kryelartë, një gjuhë gënjeshtare, një zemër që kurdis plane të liga, këmbët që turren me vrap drejt së keqes, një dëshmitar të rremë që thotë gënjeshtra [dhe] atë që shtie grindje midis vëllezërve [shih Fjalët e Urta 6:16–19]. Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, a mund t’ia dalim të bëjmë ndonjë gjë që Zoti e urren? Sa shpesh ka folur Ai kundër pandershmërisë!6
2
Ne zhvillojmë ndershmëri në gjërat e vogla, të zakonshme të jetës.
Nëse jemi të ndjeshëm ndaj marrëdhënies sonë me Shpëtimtarin, ne duhet të jemi të ndershëm në gjëra të vogla, si edhe në gjëra të mëdha.7
Kur përpiqemi për arritje dhe sukses, shumë prej kohës sonë harxhohet duke e menduar dhe studiuar ndërlikimin që ne shpesh gjejmë kohë për të thjeshtat – gjërat e thjeshta, gjërat e vogla që janë në të vërtetë baza mbi të cilën ne ndërtojmë dhe pa të cilën një themel i fuqishëm nuk mund të ekzistojë. Një ndërtesë mund të ngrihet drejt qiellit dhe ne mund ta shohim atë me mahnitje për shkak të përmasës dhe lartësisë së saj të madhe; sidoqoftë, ajo nuk mund të qëndrojë nëse themeli i saj nuk hidhet brenda shkëmbit ose në çelik e beton.
Karakteri duhet të ketë një themel të tillë. Jua tërheq vëmendjen tuaj drejt parimit të ndershmërisë. Përse ndodh që shumë njerëz besojnë në parimet e larta dhe krenare të ndershmërisë, por përsëri ka shumë pak që janë të gatshëm të jenë tërësisht të ndershëm?
[Shumë] vite më parë pati afishe në korridoret dhe hyrjet e godinave tona kishtare, të cilat titulloheshin: “Jini të Ndershëm me Veten Tuaj”. Shumica e tyre u përkiste gjërave të vogla, të zakonshme të jetës. Ky është mjedisi ku zhvillohet parimi i ndershmërisë.
Ka disa njerëz që do ta pohojnë se është e gabuar moralisht të jesh i pandershëm në gjëra të mëdha, prapëseprapë besojnë se kjo është e justifikueshme nëse ato gjëra janë të një rëndësie më të vogël. …
Më kujtohet një i ri që ishte në kunjin tonë kur unë shërbeva si president kunji. Ai shoqërohej përreth me një turmë që mendonte se ishte diçka e mençur që të bënin gjëra që nuk ishin të drejta. Në pak raste ai u zu në disa shkelje të vogla. Një ditë pata një telefonatë nga rajoni i policisë dhe më thanë se atë po e mbanin atje për shkak të shkeljes së rregullave të trafikut rrugor. E kishin kapur duke e ngarë makinën më shpejt sesa kufiri i lejuar, sikurse e kishte bërë edhe në disa raste të tjera përpara kësaj here. Duke e ditur që gjërat që ai po bënte mund ta pengonin që të shkonte në një mision, ai hoqi dorë prej tyre dhe kur ishte 19 vjeç, e mori thirrjen e tij.
Nuk do ta harroj kurrë bisedën që patëm kur ai u kthye. Më tha se ndërkohë që ishte në fushën e misionit, ai shpesh kishte menduar për shqetësimin që kishte shkaktuar nëpërmjet bindjes së gabuar se shkelja e gjërave të vogla nuk ishte e rëndësishme. Por një ndryshim i madh kishte ardhur në jetën e tij. Ai kishte arritur të kuptonte se nuk ka lumturi apo kënaqësi në shkeljen e ligjit, qoftë ai ligji i Perëndisë apo ligjet që shoqëria vendos për ne.8
3
Ne mund t’i shërbejmë Perëndisë duke qenë të ndershëm dhe të drejtë në marrëdhëniet tona personale dhe të punës.
Feja mund të jetë pjesë e punës sonë të përditshme, e biznesit tonë, e blerjes dhe shitjes sonë, ndërtimit, transportit, prodhimit, tregtisë apo profesionit tonë ose pjesë e gjithçkaje që ne bëjmë. Ne mund t’i shërbejmë Perëndisë me anë të ndershmërisë dhe marrëdhënieve të drejta në ndërveprimet tona të biznesit, në të njëjtën mënyrë që e bëjmë në adhurimin e së dielës. Parimet e vërteta të krishterimit nuk mund të veçohen dhe ndahen nga biznesi e nga punët tona të përditshme.9
Nëse feja ka ndonjë domethënie për ne, ajo duhet të jetë diçka që na jep shtytje në jetën tonë. Nuk besoj se feja mund të degradohet deri te një fjalim nga një shërbestar për një orë të dielën dhe të mos ketë ndonjë domethënie në jetën tonë. Nëse nuk hyn në jetën tonë individuale – në jetën tonë familjare – në jetën tonë të biznesit – dhe në gjithçka që bëjmë, atëherë feja ka pak domethënie për ne dhe bëhet thjesht një idhull që të vendoset në një vend të lartë dhe të adhurohet vetëm me raste.10
Ç’ndryshim i madh do t’i vinte botës nëse ne të gjithë mund të mbështeteshim te të tjerët për aq sa i takon ndershmërisë! Njerëzit do të kishin vetëbesim të përsosur te njëri‑tjetri në marrëdhëniet personale dhe të punës. Nuk do të kishte … mosbesim midis punonjësve dhe drejtuesve. Do të kishte integritet në pozitat publike e në punët qeveritare dhe kombet do të jetonin në paqe, në vend të trazirës që e shohim në botë në kohën e tanishme. …
Në marrëdhëniet e punës ka disa njerëz që do të ndërmarrin një përfitim të pandershëm nëse vendoset përpara tyre. Ata e arsyetojnë dhe e justifikojnë qëndrimin e tyre duke thënë se në punë një njeri pritet që ta përdorë çdo përfitim të ofruar. Ndërveprime të tilla mund të lidhen me shuma të mëdha parash, por në parim ato nuk janë aspak të ndryshme nga dështimi për ta kthyer një qindarkë që i është paguar më shumë nga një shitës një njeriu i cili e vuri re gabimin. Ajo është një formë mashtrimi.11
Më lejoni të sugjeroj një përkufizim të “punësimit të nderuar”. Punësimi i nderuar është një punësim i ndershëm. Jepet vlera e drejtë dhe nuk ka gënjeshtra, mashtrim ose hile. Produkti ose shërbimi i [këtij punësimi] është i një cilësie të lartë dhe punëdhënësi, myshteriu, klienti ose pacienti merr më shumë nga çfarë ai ose ajo priste. Punësimi i nderuar është i moralshëm. Nuk përfshin asgjë që do ta zhvleftësonte të mirën publike ose moralshmërinë. Për shembull, nuk përfshin trafikimin e pijeve alkoolike, narkotikëve të paligjshëm ose kumarin. Punësimi i nderuar është dobiprurës. Ai siguron të mira materiale ose shërbime që e bëjnë botën një vend më të mirë në të cilin të jetohet.12
4
Integriteti moral na mbron nga ligësia, na ndihmon të jemi të suksesshëm dhe do t’i shpëtojë shpirtrat tanë.
Tundimet e ligësisë na rrethojnë nga çdo anë. Pa mbrojtjen e integritetit moral, ne jemi në mëshirën e të gjitha llojeve të mëkatit dhe gabimeve.
Jobi nuk pati vështirësi me këto probleme. Ai u mbrojt nga vetë integriteti i tij moral. Kjo është mënyra se si u ndje ai:
“Deri sa të ketë një frymë jete tek unë dhe të jetë fryma e Perëndisë në flegrat e hundës sime,
buzët e mia nuk do të thonë asnjë ligësi, as gjuha ime nuk ka për të shqiptuar asnjë gjë të rreme. …
Do të qëndroj i patundur në drejtësinë time, pa bërë lëshime; zemra nuk më qorton asnjë nga ditët e mia” (Jobit 27:3–4, 6).
Sa frymëzuese! Për shkak të forcës së tij, ai nuk pati asnjë shqetësim për tundimet e parëndësishme në të cilat bien shumica e njerëzve. Jobi kishte ndërtuar brenda jetës së tij një forcë dhe kënaqësi që Satani vetë nuk mund ta dërrmonte. Është gjithashtu interesante të shohim se si Perëndia u kënaq me të: “Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t’i largohet së keqes[, dhe] ai qëndron i patundur në ndershmërinë e tij” (Jobit 2:3).
Kjo cilësi e lartë e integritetit është tërësisht në dispozicionin tonë. Nëse përdoret siç duhet, ai do t’i zgjidhte të gjitha problemet tona në qeveri, fe, industri dhe në jetën tonë vetjake. Ai do ta zhdukte ndëshkimin e tmerrshëm të krimit, divorcit, varfërisë dhe mjerimit. Do të na bënte të suksesshëm këtu dhe do të na i shpëtonte shpirtrat tanë në botën pas kësaj.
Një nga arritjet më të mëdha të jetës sonë është që të nxitë një integritet të ndershëm, të zellshëm brenda vetes sonë. Kjo do të thotë që ne bëhemi të fortë shpirtërisht, të sinqertë intelektualisht, të ndershëm moralisht dhe gjithmonë të përgjegjshëm personalisht kundrejt Perëndisë. Integriteti është ai çelës i artë që do ta çelë derën drejt pothuajse çdo suksesi.13
5
Gëzimi i vërtetë rrjedh nga të qenit të ndershëm me vetveten, me të tjerët dhe me Perëndinë.
Ne shpesh flasim për atë referencë në shkrimet e shenjta: “Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” [2 Nefi 2:25]. Ka gëzim që i vjen dikujt nga të qenit i ndershëm. Më lejoni t’ju tregoj se si. Nëpërmjet këtij mjeti ju mund të keni shoqërimin e Mësuesit dhe mund të keni Shpirtin e Frymës së Shenjtë. Shkeljet e kodit të ndershmërisë do t’ju bëjnë t’i humbisni këto dy bekime të mëdha. A mund të mendoni se dikush që do të gënjente ose mashtronte … do ta kishte shoqërimin e Mësuesit ose do ta kishte Shpirtin e Frymës së Shenjtë?
… Ne gjithmonë duhet të kujtojmë që nuk jemi kurrë vetëm. Nuk ka asnjë veprim, që nuk vëzhgohet; nuk ka asnjë fjalë të thënë, që nuk dëgjohet; nuk ka asnjë mendim të lindur në mendjen e njeriut që nuk njihet nga Perëndia. Nuk ka errësirë që mund t’i fshehë gjërat që ne bëjmë. Ne duhet të mendojmë përpara se të veprojmë.
A mendoni se mund të jeni vetëm kur kryeni një veprim të pandershëm? A mendoni se mund të mos vëzhgoheni kur mashtroni në një provim, edhe pse ju jeni i vetmi njeri në dhomë? Ne duhet të jemi të ndershëm me veten tonë. Nëse do të donim ta kishim shoqërimin e Mësuesit dhe të Shpirtit të Frymës së Shenjtë, ne duhet të jemi të ndershëm me veten tonë, të ndershëm me Perëndinë dhe me bashkëqeniet tona. Kjo çon në gëzim të vërtetë.14
Zoti i njeh mendimet tona më të brendshme [shih DeB 6:16]. Ai e merr vesh çdo veprim që ne bëjmë. Ne do të takohemi me Të një ditë dhe do ta shohim ballë për ballë. A do të jemi krenarë për analin e jetës sonë?
Ne e bëjmë atë anal çdo ditë. Çdo veprim, çdo mendim është pjesë e tij. A do të jemi krenarë për të? Ne do të jemi, nëse e kemi bërë gjithçka mundemi – nëse kemi qenë të ndershëm me veten tonë, me njerëzit tanë të dashur, me miqtë tanë, me gjithë njerëzimin. …
Të bekuar janë ata që janë të ndershëm. …
Të bekuar janë ata që janë të bindur ndaj Zotit.
Ata janë ata që janë të lirë – që janë të lumtur – që mund të ecin me kokat lart. Ata kanë respekt për veten e tyre. Ata kanë respektin e atyre që i njohin më mirë nga të tjerët.
Dhe mbi të gjitha, ata kanë respektin dhe bekimin e Atit tonë në Qiell. Jezusi na fton që ta ndjekim Atë. Shtigjet e Tij janë të drejta dhe të pastra, dhe të çiltra, dhe të ndershme. Le ta ndjekim Atë drejt jetës së begatë të lumturisë. Është e vetmja udhë.15
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Rishikoni shembujt e mungesës së ndershmërisë që Presidenti Hanter i përcakton në pjesën 1. Cilat janë disa pasoja të atyre praktikave të pandershme? Çfarë mund të na mësojnë ato pasoja rreth arsyes përse Zoti vendos kaq shumë theksim mbi qenien të ndershëm?
Përsiatni mësimet e Presidentit Hanter rreth qenies të ndershëm në gjëra të vogla dhe qenies të ndershëm me veten tonë (shih pjesën 2). Përse është e nevojshme të jemi të ndershëm në “gjëra të vogla”? Çfarë do të thotë të jemi të ndershëm me veten tonë? Si mund t’i mposhtim tundimet për t’i justifikuar madje veprimet më të vogla në dukje të mungesës së ndershmërisë?
Presidenti Hanter thekson nevojën për ta bërë besimin fetar pjesë të gjithçkaje që bëjmë në jetën tonë të përditshme (shih pjesën 3). Në ç’mënyrë mund t’i jetojmë më mirë mësimet në këtë pjesë? Si mund ta japim mësim ndershmërinë në mënyrë më frytdhënëse në shtëpitë tona?
Në pjesën 4, Presidenti Hanter përmend disa bekime që vijnë nga të jetuarit me integritet moral. Si e zhvillon një njeri integritetin moral? Si jeni bekuar ju kur keni jetuar të vërtetë ndaj standardeve të Zotit?
Si na sjell gëzim të qenit të ndershëm? (Shih pjesën 5.) Përse të qenit të ndershëm është i domosdoshëm për ne për ta pasur shoqërimin e Frymës së Shenjtë? Si na bën të lirë të qenit të ndershëm?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Jobit 27:5; 31:5–6; Psalmeve 15; Fjalët e Urta 20:7; Alma 53:20–21; DeB 10:25–28; 42:20–21, 27; 51:9; 124:15; 136:20, 25–26; Nenet e Besimit 1:13
Ndihmë për Studimin
Ndërsa lexoni, “nënvizoni dhe shënoni fjalët ose shprehjet që të mund të dalloni ndryshimet ndërmjet ideve në një [paragraf] të vet[ëm]. … Në anë të fletës shkruani referencat e shkrimeve të shenjta që qartësojnë paragrafët që po studioni” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 23).