Mësime të Presidentëve
Kapitulli 15: Sakramenti i Darkës së Zotit


Kapitulli 15

Sakramenti i Darkës së Zotit

“Teksa [Jezusi] e mori bukën dhe e theu, dhe e mori kupën dhe e bekoi, Ai po e paraqiste vetveten si pikërisht Qengjin e Perëndisë, i cili do të siguronte ushqim shpirtëror dhe shpëtim të përjetshëm.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Hauard W. Hanteri u rrit nga një nënë shenjtore aktive e ditëve të mëvonshme dhe një baba i mirë, i cili në atë kohë nuk ishte i lidhur me ndonjë kishë. Babai i tij nuk ishte kundër pjesëmarrjes së familjes në Kishë – ai madje i frekuentoi mbledhjet e sakramentit me ta me raste – por nuk donte që fëmijët e tij të pagëzoheshin kur ishin 8 vjeç. Ai mendonte se ata nuk duhej ta merrnin atë vendim derisa të ishin më të mëdhenj në moshë. Kur Hauardi mbushi 12 vjeç, ai nuk mundi ta merrte Priftërinë Aarone dhe të shugurohej dhjak, ngaqë nuk ishte pagëzuar. Edhe pse ishte në gjendje të merrte pjesë me të rinjtë në veprimtari të tjera, Hauardi ishte tepër i zhgënjyer që nuk mund ta shpërndante sakramentin me ta.

“Unë ulesha në mbledhjet e sakramentit me djemtë e tjerë”, kujtonte ai. “Kur vinte koha për ta që të shpërndanin sakramentin, unë do të zhytesha poshtë në karrigen time. Ndihesha kaq i përjashtuar. Doja ta shpërndaja sakramentin, por nuk mund ta bëja ngaqë nuk isha pagëzuar.”1

Pothuajse pesë muaj pas ditëlindjes së tij të 12‑të, Hauardi e bindi të atin që ta lejonte të pagëzohej. Pak kohë më pas, ai u shugurua dhjak. “Më kujtohet hera e parë që e shpërndava sakramentin”, tha ai. “Isha i frikësuar, por shumë i emocionuar që e pata privilegjin. Pas mbledhjes, peshkopi më përgëzoi lidhur me mënyrën se si isha sjellë.”2

Kur Hauard W. Hanteri u thirr si Apostull, ai mori pjesë rregullisht në ordinancën e sakramentit me Autoritete të tjera të Përgjithshme në Tempullin e Solt-Lejkut. Plaku Dejvid B. Hajt, i cili shërbeu me Plakun Hanter në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve, përshkroi përvojën kur e dëgjoi atë ta bekonte sakramentin:

“Dëshiroj që djemtë e Priftërisë Aarone anembanë Kishës të mund të kishin të njëjtën mundësi për ta dëgjuar Plakun Hauard W. Hanter të bekonte sakramentin, sikurse e kemi pasur ne në tempull. Ai është një dëshmitar i veçantë i Krishtit. Ndërkohë që e kam dëgjuar atë t’i kërkojë Atit tonë Qiellor për ta bekuar sakramentin, unë e kam ndier shpirtshmërinë e thellë brenda qenies së tij. Çdo fjalë ishte e qartë dhe kuptimplotë. Ai nuk ishte duke nxituar, nuk ngutej. Ai ishte zëdhënësi për të gjithë Apostujt duke iu drejtuar Atit tonë Qiellor.”3

Këto tregime vënë në dukje nderimin e Presidentit Hanter gjatë gjithë jetës së tij për emblemat e shenjta të flijimit shlyes të Krishtit.

Siç e vënë në dukje mësimet në këtë kapitull, një mënyrë që Presidenti Hanter kërkoi t’i ndihmonte anëtarët e Kishës për ta kuptuar domethënien e sakramentit, ishte duke i shpjeguar lidhjen e tij me festimin e lashtë të Pashkës dhe duke i shqyrtuar paraqitjen nga Shpëtimtari të kësaj ordinance gjatë një vakti ushqimi të Pashkës me dishepujt e Tij.

Krishti në Darkën e Fundit

“Bëni këtë në përkujtimin tim” (Lluka 22:19).

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Pashka shpall se vdekja nuk ka fuqi të përhershme mbi ne.

[Pashka] është festivali më i vjetër i festivaleve judease, duke festuar një ngjarje përpara marrjes së Ligjit tradicional të Moisiut. Ajo e kujton çdo brez për kthimin e fëmijëve të Izraelit në tokën e premtuar dhe për gjendjen tepër të rëndë në Egjipt, që e parapriu atë kthim. Ajo përkujton kalimin e një populli nga nënshtrimi dhe skllavëria drejt lirisë dhe çlirimit. Është festivali i Dhiatës së Vjetër i kohës së pranverës, kur bota e natyrës zgjohet drejt jetës, rritjes dhe lulëzimit.

Ajo lidhet me festimin nga të krishterët të Pashkës. … Pashka dëshmon për dhuratën e madhërishme që Perëndia e ka dhënë dhe për flijimin që u përfshi në atë dhuratë. Këto festa përkujtimore fetare të madhërishme, që të dyja, shpallin se vdekja do të “kalojë pranë” nesh e nuk do të ketë fuqi të përhershme mbi ne dhe që varri nuk do të ketë fitore.

Gjatë çlirimit të fëmijëve të Izraelit nga Egjipti, vetë Jehova i foli Moisiut prej shkurres që digjej në Sinai, duke thënë:

“Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij. …

Prandaj eja dhe unë do të të dërgoj te Faraoni me qëllim që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti.” (Eksodi 3:7, 10.)

Ngaqë Faraoni nuk po lëkundej, shumë plagë u sollën në Egjipt, por akoma “zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i la të bijtë e Izraelit të shko[nin]”. (Eksodi 9:35.)

Në përgjigje të atij mospranimi nga Faraoni, Zoti tha: “Dhe çdo i parëlindur në vendin e Egjiptit do të vdesë, nga i parëlinduri i Faraonit që rri mbi fron, tek i parëlinduri i shërbëtores që rri pas mokrës, si dhe pjellja e parë e bagëtisë”. (Eksodi 11:5.)

Si mbrojtje ndaj këtij ndëshkimi të fundit dhe më të tmerrshmit, të shkaktuar mbi egjiptianët, Zoti e udhëzoi Moisiun që t’i bënte fëmijët e Izraelit të merrnin nga çdo burrë një qengj të panjollë.

“Pastaj do të marrin nga ai gjak dhe do ta vënë mbi dy shtalkat dhe mbi arkitraun e shtëpive ku do ta hanë.

Do të hanë mishin e pjekur në zjarr, po atë natë, do ta hanë atë me bukë pa maja dhe me barishte të hidhura. …

Do ta hani në këtë mënyrë: ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit. …

[Dhe do të ndodhë], kur bijtë tuaj do t’ju pyesin: ‘Ç’kuptim ka ky rit për ju?’

Ju do t’u përgjigjeni: ‘Kjo është flija e Pashkës së Zotit, që kaloi tej shtëpive të bijve të Izraelit në Egjipt’.” (Eksodi 12:7–8, 11, 26–27.)

Pasi izraelitët ishin larguar prej shtypjes së Faraonit dhe vdekja erdhi mbi të paralindurit e egjiptianëve, izraelitët më së fundi e kapërcyen lumin Jordan. Shënohet se “bijtë e Izraelit e ngritën kampin e tyre në Gilgal dhe e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit, në të ngrysur, në fushat e Jerikos”. (Jozueut 5:10.) Dhe kështu ishte me familjet judease vit pas viti që nga ajo kohë, duke përfshirë familjen e Jozefit e Maries dhe djalin e vogël, Jezusin.4

2

Gjatë një feste të përkujtimit të Pashkës, Shpëtimtari krijoi ordinancën e sakramentit.

Sikurse e bën të qartë Ungjilli sipas Gjonit, festa e Pashkës shënoi arritje të rëndësishme gjatë shërbesës së Krishtit në vdekshmëri. Në Pashkën e parë gjatë shërbesës së Tij, Jezusi e bëri të njohur misionin e tij nëpërmjet pastrimit të tempullit, kur ai i hodhi jashtë dyerve të tempullit këmbyesit e parave dhe ata që shisnin kafshë. Në Pashkën e dytë, Jezusi shfaqi fuqinë e Tij nëpërmjet mrekullisë së bukëve dhe të peshqve. Këtu Krishti paraqiti simbolet që më vonë do të kishin një domethënie edhe më të madhe në Dhomën e Sipërme. “Unë jam buka e jetës”, tha Ai. “Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.” (Gjoni 6:35.)

Sigurisht, do të ishte festa e Tij e fundit e Pashkës, që do t’i jepte kuptim të plotë këtij festimi të lashtë. Në atë javë të fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezusi e dinte qartësisht se çfarë do të thoshte për Të kjo Pashkë e veçantë. Shqetësimi ndihej tashmë kudo. Mateu shënon:

“Mbasi Jezusi i mbaroi të gjitha këto fjalime, u tha dishepujve të vet:

‘Ju e dini se pas dy ditësh janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t’u kryqëzuar’.” (Mateu 26:1–2.)

Duke e ditur shumë mirë çfarë e priste Atë, Jezusi i kërkoi Pjetrit dhe Gjonit të bënin përgatitje për një darkë pashke. Ai u tha atyre t’i kërkonin të zotit të një shtëpie vendore: “Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?” (Lluka 22:11.)

Vetmia e lindjes së Tij, në një farë mënyre, duhej të përsëritej sërish në vetminë e vdekjes së Tij. Dhelprat kishin strofkat dhe zogjtë kishin çerdhe, por Biri i Njeriut nuk kishte as ku të mbështeste kokën në lindjen e Tij apo në orët e Tij të fundit në vdekshmëri [shih Mateu 8:20].

Më së fundi, përgatitjet për darkën e Pashkës u përfunduan, duke i ruajtur pothuajse njëmijë e pesëqind vjet të traditës. Jezusi u ul me dishepujt e Tij dhe, pas ngrënies së qengjit flijues dhe të bukës e verës së kësaj feste të lashtë, Ai u mësoi atyre një kuptim më të ri dhe më të shenjtë të atij bekimi të lashtë nga Perëndia.

Ai e mori një prej bukëve të sheshta, rrumbullake dhe pa maja, e tha bekimin mbi të dhe e theu atë në pjesë që ua shpërndau Apostujve, duke thënë: “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim”. (Lluka 22:19.)

Ndërkohë që kupa po mbushej, Ai e mori dhe, duke dhënë falënderime, i ftoi ata të pinin prej saj, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju”. (Lluka 22:20.) Pali tha për këtë: “Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë”. (1 Korintasve 11:26.)

Buka dhe vera, në vend të kafshëve dhe bimëve, do të bëheshin emblemat e trupit dhe të gjakut të Qengjit të madhërishëm, emblema që duhen ngrënë e pirë me nderim dhe për kujtimin e Tij përherë.

Në këtë mënyrë të thjeshtë, por mbresëlënëse, Shpëtimtari krijoi ordinancën që njihet tani si sakramenti i Darkës së Zotit. Me vuajtjen në Gjetseman, flijimin në Kalvar dhe ringjalljen nga një varr në kopsht, Jezusi e përmbushi ligjin e lashtë dhe filloi një periudhë të re ungjillore, të bazuar në një kuptueshmëri më të lartë e më të shenjtë të ligjit të sakrificës. Njerëzve nuk do t’iu kërkohej më ta ofronin qengjin e parëlindur nga tufa e tyre, sepse i Parëlinduri i Perëndisë kishte ardhur për ta ofruar vetveten si një “flijim i pafundmë dhe i përjetshëm”.

Kjo është madhështia e Shlyerjes dhe Ringjalljes, jo thjesht një anashkalim prej vdekjes, por një dhuratë e jetës së përjetshme nëpërmjet një flijimi të pafundmë.5

Sa me vend ishte që gjatë mbajtjes së kësaj besëlidhjeje të lashtë të mbrojtjes [darkës së Pashkës], Jezusi do të krijonte emblemat e një besëlidhjeje të re të sigurisë – emblemat e vetë trupit dhe gjakut të Tij. Teksa Ai e mori bukën dhe e theu, dhe e mori kupën dhe e bekoi, Ai po e paraqiste vetveten si pikërisht Qengjin e Perëndisë, i cili do të siguronte ushqim shpirtëror dhe shpëtim të përjetshëm.6

Krishti me bukë

“Teksa Ai e mori bukën dhe e theu, dhe e mori kupën dhe e bekoi, Ai po e paraqiste vetveten si pikërisht Qengjin e Perëndisë.”

3

Pjesëmarrja jonë në sakrament është një mundësi për ta shqyrtuar jetën tonë dhe për t’i ripërtërirë besëlidhjet tona.

Jo shumë kohë më parë … pata privilegjin të frekuentoj një shërbim sakramenti në lagjen tonë të banimit. … Ndërkohë që priftërinjtë po e përgatitnin sakramentin, ne u drejtuam që të këndonim:

“At, dëgjoje lutjen ton’;

Hirin tënd dërgona sot.

Kur emblemat marrim ne,

Te Shpëtuesi prehje gjejm’.”

[Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 21]

Një prift ra në gjunjë mbi bukën e thyer dhe u lut: “Që ata të mund të hanë në kujtim të trupit të Birit tënd dhe të mund të të dëshmojnë ty, O Perëndi, Ati i Amshuar, se ata janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Birit tënd dhe gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre”. (DeB 20:77.) Dhjakët u shpërndanë nëpër të gjithë sallën e mbledhjes për ta shërbyer bukën e thyer. Një prej tyre erdhi te radha jonë dhe e mbajti mbajtësen ngjyrë argjendi ndërkohë që unë e mora bukën. Më pas unë e mbajta mbajtësen në mënyrë që Motra Hanter të mund ta merrte bukën dhe ajo e mbajti atë për njeriun pranë saj. Në këtë mënyrë mbajtësja shkoi deri në fund të radhës, secili duke shërbyer dhe duke marrë shërbim.

Mendova për ngjarjet që ndodhën në mbrëmjen e gati dymijë viteve më parë, kur Jezusi u tradhtua. … Sakramenti i Darkës së Zotit [u] paraqit për të zëvendësuar flijimin [e kafshëve] dhe për të qenë një kujtues për të gjithë ata që e marrin, se Ai me të vërtetë e bëri një flijim për ta; dhe për të qenë një kujtesë shtesë e besëlidhjeve që ata kanë bërë për ta ndjekur Atë, për t’i zbatuar urdhërimet e Tij dhe për të qenë besnikë deri në fund.

Teksa [po] mendoja rreth kësaj, më erdhi në mendje këshilla e Palit në letrën e tij drejtuar kishës në Korint. Ai tha: “Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit.

Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa,

sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit.” (1 Korintasve 11:27–29.)

U shqetësova. I bëra vetes këtë pyetje: “A e vendos Perëndinë mbi të gjitha gjërat e tjera dhe a i zbatoj të gjitha urdhërimet e Tij?” Atëherë erdhën reflektimi dhe vendosmëria. Bërja e një besëlidhjeje me Zotin për t’i zbatuar gjithmonë urdhërimet e Tij është një detyrim serioz dhe ripërtëritja e asaj besëlidhjeje duke e marrë sakramentin është po aq serioze. Çastet solemne të të menduarit, ndërkohë që po shërbehet sakramenti, kanë domethënie të madhe. Ato janë çaste të shqyrtimit të vetvetes, të shqyrtimit të brendshëm, të dallimit të vetvetes – një kohë për të reflektuar dhe për të treguar vendosmëri.

Në këtë kohë një prift tjetër po binte në gjunjë te tavolina, duke u lutur që të gjithë të cilët duhej të pinin “të mund ta bëjnë atë në kujtim të gjakut të Birit tënd, i cili u derdh për ta; që … gjithmonë [ta] kujtojnë atë, që të mund të kenë Shpirtin e tij me ta”. (DeB 20:79.)

Pati përsiatje të heshtur, qetësia u thye vetëm nga zëri i një foshnje të njomë, nëna e të cilit menjëherë e afroi atë pranë vetes. Çdo gjë që e thyen heshtjen gjatë kësaj ordinance të shenjtë, duket e pavend; por sigurisht zëri i një foshnje të vogël nuk do të ishte i pakëndshëm për Zotin. Ai, gjithashtu, ishte përkundur nga një nënë e dashur në fillimin e një jete në vdekshmëri, që nisi në Bethlehem dhe përfundoi në kryqin në Kalvar.

Djemtë e rinj e përfunduan shërbimin e sakramentit. Atëherë pasuan fjalë nxitjeje dhe udhëzimi, një himn dhe një lutje mbylljeje; dhe çastet e shenjta, që “shqet’simet s’[i] trazojn’” kishin arritur drejt një mbylljeje (shih “Secret Prayer” [“Lutja e Fshehtë”], Hymns [Himnet], nr. 144). Duke u kthyer në shtëpi … ky mendim më erdhi në mendje: “Çfarë gjëje e mrekullueshme do të ishte nëse të gjithë njerëzit do kishin një kuptueshmëri të qëllimit të pagëzimit dhe të gatishmërisë për ta pranuar atë; dëshirën që t’i mbanin besëlidhjet e bëra në atë ordinancë për t’i shërbyer Zotit dhe për t’i vënë në jetë urdhërimet e Tij; dhe, përveç kësaj, dëshirën që ta merrnin sakramentin në ditën e Shabatit për t’i ripërtërirë ato besëlidhje për t’i shërbyer Atij dhe për të qenë besnikë deri në fund. …

Frekuentimi i mbledhjes së sakramentit dhe marrja e sakramentit e bënë ditën më domethënëse dhe unë e ndjeva se e kuptova më mirë arsyen përse Zoti tha: ‘Dhe që të mund ta ruash veten më tepër të panjollë nga bota, duhet të shkosh në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofrosh sakramentet e tua në ditën time të shenjtë;

Sepse në të vërtetë kjo është një ditë e caktuar për ty që të prehesh nga punët e tua dhe t’i drejtosh lutje Më të Lartit’.” (DeB 59:9–10.)7

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Shqyrtoni mësimet e Presidentit Hanter rreth Pashkës në Izraelin e lashtë (shih pjesën 1). Çfarë mund të mësojmë prej Pashkës? Si lidhet Pashka e lashtë me festimin e Pashkës nga të krishterët?

  • Shqyrtoni tregimin e Presidentit Hanter rreth Shpëtimtarit duke krijuar sakramentin (shih pjesën 2). Përse është kjo ngjarje kuptimplote për ju? Në ç’mënyra sakramenti është një “besëlidhje … siguri[e]” për ne?

  • Çfarë ju lë mbresa rreth tregimit të Presidentit Hanter për marrjen e sakramentit në pjesën 3? Çfarë mund të mësojmë nga ky tregim për ta bërë sakramentin më domethënës? Si është marrja e sakramentit një bekim për ju?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Korintasve 5:7–8; 11:23–29; 3 Nefi 18:3–14; 20:8–9; Moroni 6:5–6; DeB 20:75–79; 27:1–2

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kur e japim mësim ungjillin, ne duhet të dallojmë përulësisht se Fryma e Shenjtë është mësuesi i vërtetë. Privilegji ynë është të shërbejmë si mjete nëpërmjet të cilëve Fryma e Shenjtë mund të japë mësim, të dëshmojë, të ngushëllojë dhe të frymëzojë” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 41).

Shënime

  1. Në Gerry Avant, “Elder Hunter—Packed Away Musician’s Career for Marriage”, Church News, 19 maj 1985, f. 4.

  2. Në J M. Heslop, “He Found Pleasure in Work”, Church News, 16 nëntor 1974, f. 4.

  3. David B. Haight, “The Sacrament”, Ensign, maj 1983, f. 13.

  4. “Christ, Our Passover”, Ensign, maj 1985, f. 17–18.

  5. “Christ, Our Passover”, f. 18–19.

  6. “His Final Hours”, Ensign, maj 1974, f. 18.

  7. “Thoughts on the Sacrament”, Ensign, maj 1977, f. 24–25.