Mësime të Presidentëve
Kapitulli 17: Ruajeni dhe Mbrojeni Familjen


Kapitulli 17

Ruajeni dhe Mbrojeni Familjen

“Shtëpia me raste mund të duket një vend i zakonshëm, me detyrat e saj të përditshme, prapëseprapë suksesi i saj duhet të jetë veprimtaria më e madhërishme nga të gjitha veprimtaritë tona.”

Nga Jeta e Hauard W. Hanterit

Hauard W. Hanteri u rrit në një familje të dashur, që punonte shumë, ku ai mësoi nga prindërit e tij që ndërtimi i një shtëpie të lumtur shpesh kërkonte sakrificë. Pak kohë përpara se të martohej, ai bëri një sakrificë që e ndjeu se ishte e nevojshme për mirëqenien e familjes së tij të ardhshme.

Hauardi kishte zhvilluar një dashuri për muzikën që në moshë të re. Në fillim ai mësoi t’i binte pianos e violinës dhe më pas mësoi vetë t’u binte shumë veglave të tjera muzikore. Kur ishte adoleshent, ai krijoi bandën e vet, Krunejdërat e Hanterit, që luante në mbrëmjet e vallëzimit dhe ngjarje të tjera përreth Boisit në Ajdaho. Kur ishte 19 vjeç, ai dhe banda e tij u pajtuan që të siguronin muzikën për një udhëtim dymujor turistik me anije për në Azi.1

Vitin pasi Hauardi u kthye nga udhëtimi me anije, ai lëvizi në Kaliforninë Jugore, ku vazhdoi të luante me banda të ndryshme. Në Kaliforni ai gjithashtu u takua me Klera Xhefsin, së cilës i propozoi të martoheshin në pranverën e vitit 1931. Katër ditë përpara se të martoheshin, Hauardi luajti me bandën e tij dhe më pas i paketoi veglat e tij muzikore dhe kurrë nuk luajti më si profesion. Luajtja e muzikës për mbrëmjet e vallëzimit dhe festat “ishte magjepsëse në shumë aspekte”, tha ai, “dhe unë bëja mjaft para”, por e ndjeu se pjesë të asaj lloj jetese nuk përputheshin me llojin e jetës që ai kishte përfytyruar për familjen e tij. “Kjo la një zbrazëti për diçka që më kishte kënaqur, [por] për vendimin nuk më ka ardhur keq asnjëherë”, tha ai vite më vonë.2

Hauardi dhe Klera u bekuan me tre djem, Hauard Uilliamin (Billin), Xhonin dhe Riçardin. Për hidhërimin e tyre, Billi vdiq kur ishte foshnjë. Teksa Xhoni dhe Riçardi rriteshin, familja Hanter u lidh shumë ngushtë me njëri‑tjetrin. Hauardi ishte shumë i zënë me praktikën e tij ligjore dhe thirrjet e Kishës, por ai dhe Klera e bënë familjen e tyre një përparësi. Shumë kohë përpara se Kisha ta caktonte natën e së hënës për mbrëmjen familjare të shtëpisë, familja Hanter e veçoi atë natë si një kohë për të dhënë mësim ungjillin, për të treguar histori, për të luajtur lojëra dhe për të shkuar së bashku në vende të ndryshme. Shpesh djemve iu caktuan detyra për mësimet.

Hauardi dhe bijtë e tij zhvilluan interesa të përbashkëta, të tilla si trenat makete. Ata i ndërtonin trenat nga paketat dhe krijonin një hekurudhë të detajuar, me shina të ngjitura në fletë kompensate. Ai solli ndërmend: “Një prej veprimtarive tona të parapëlqyera për të kaluar kohën ishte të shkonim te sheshi i ruajtjes së hekurudhës … pranë stacionit Alhambra të Hekurudhës së Paqësorit Jugor, që të merrnim ide për nyjat ndryshuese dhe pajisjet tona hekurudhore”.3

Më së fundi familja e Presidentit dhe Motrës Hanter u rrit duke përfshirë 18 nipër e mbesa. Përveç vizitave të gjata me fëmijët dhe nipërit e mbesat e tij, shumë nga vizitat e Presidentit Hanter ishin “në vrap e sipër”, gjatë ndalesave në aeroporte kur detyrat e Kishës e çonin atë nëpër të gjithë Kaliforninë. Ngaqë Xhoni shpesh i çonte fëmijët e tij në aeroport që ta shihnin gjyshin e tyre gjatë këtyre ndalesave, ata nganjëherë i drejtoheshin atij si “gjyshi që jeton në aeroport”.4

prindër duke luajtur me fëmijët

Familja “e tejkalon çdo interes tjetër në jetë”.

Mësime të Hauard W. Hanterit

1

Familja është njësia më e rëndësishme në shoqëri, në Kishë dhe në përjetësi.

Familja është njësia më e rëndësishme në kohë e në përjetësi dhe, si e tillë, e tejkalon çdo interes tjetër në jetë.5

Kisha ka përgjegjësinë – dhe autoritetin – për ta ruajtur e mbrojtur familjen si themelin e shoqërisë. Modeli për jetën familjare, i filluar që përpara themelimit të botës, siguron për fëmijët që të linden e rriten nga një atë dhe një nënë të cilët janë bashkëshort e bashkëshorte, të martuar ligjërisht. Priftëria është një detyrim e privilegj i shenjtë, me fëmijë të mirëpritur si një “trashëgimi që vjen nga Zoti” (Psalmeve 127:3).

Një shoqëri e shqetësuar tani fillon të shohë që shpërbërja e familjes sjell në botë fatkeqësitë e parashikuara nga profetët. Këshillat dhe diskutimet e botës do të dalin me sukses vetëm kur ta përcaktojnë familjen ashtu siç e ka zbuluar Zoti që të jetë ajo. “Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit” (Psalmeve 127:1).6

Në kërkimin për mirëqenien e individëve dhe familjeve, është e rëndësishme të kujtojmë që njësia bazë e Kishës është familja. Megjithatë, në mbështetjen te familja, ne duhet të kujtojmë se në botën në të cilën jetojmë, familjet nuk kufizohen nga grupimi tradicional i babait, nënës dhe fëmijëve. Familjet në Kishë sot gjithashtu përbëhen nga [bashkëshortë e bashkëshorte] pa fëmijë, prindër të vetëm me fëmijë dhe individë beqarë që jetojnë të vetëm. … Secila prej këtyre familjeve duhet të marrë përkujdesjen e vëmendshme të priftërisë. Shpesh ato që mund të kenë nevojë për kujdesin më të vëmendshëm përkujdesës, janë ato familje që nuk e kanë strukturën tradicionale. Mësues të kujdesshëm e të zotuar të shtëpisë nevojiten në çdo shtëpi. Askush nuk duhet të lihet pas dore.7

grup i madh familjar

Presidenti Hanter me bijtë e tij, nipërit e mbesat e tij dhe familjet e tyre më 2 tetor 1994, ditën pasi ai u mbështet si President i Kishës

2

Prindërit janë partnerë në udhëheqjen e shtëpisë dhe gjenden nën detyrimin e rreptë për t’i mbrojtur e dashur fëmijët e tyre.

Përgjegjësitë e prindërve janë të rëndësisë më të madhe. Rezultatet e përpjekjeve tona do të kenë pasoja të përjetshme për ne dhe për djemtë e vajzat që rritim. Çdo njeri që bëhet prind është nën detyrimin e rreptë për t’i mbrojtur e dashur fëmijët [e tij] dhe për t’i ndihmuar ata të kthehen tek Ati i tyre Qiellor. Të gjithë prindërit duhet të kuptojnë që Zoti nuk do t’i mbajë të pafaj ata që i lënë pas dore këto përgjegjësi.8

Etërit dhe nënat kanë një përgjegjësi të madhe për sa u përket fëmijëve që iu besohen nën kujdesin e tyre. … Në Librin e Fjalëve të Urta ne gjejmë këtë këshillë për prindërit:

“Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket”. (Fjalët e Urta 22:6.)

Shkollimi më i madh që mund t’i jepet një fëmije është ai që vjen nga shembujt e prindërve. Prindërit kanë nevojë të japin shembullin për të rinjtë që ta ndjekin. Forcë e madhe vjen nga shtëpitë ku jepen mësim parime të drejta, ku ka dashuri e respekt për njëri‑tjetrin, ku lutja ka qenë një ndikim në jetën familjare dhe ku gjendet respekt për ato gjëra që i përkasin Perëndisë.9

Udhëheqja frytdhënëse familjare … kërkon kohë si në sasi, ashtu edhe në cilësi. Mësimdhënia dhe qeverisja e familjes nuk duhet t’i lihen … shoqërisë, shkollës apo madje Kishës.10

Një burrë që mban priftërinë e sheh familjen e tij si të shuguruar nga Perëndia. Udhëheqja juaj e familjes është përgjegjësia juaj më e rëndësishme dhe më e shenjtë. …

Një burrë që mban priftërinë, e udhëheq familjen e tij drejt pjesëmarrjes në Kishë, me qëllim që ata ta dinë ungjillin dhe të jenë nën mbrojtjen e besëlidhjeve dhe të ordinancave. Nëse doni të gëzoni bekimet e Zotit, ju duhet t’i vendosni vetë shtëpitë tuaja në rregull. Së bashku me bashkëshorten tuaj, ju përcaktoni klimën shpirtërore në shtëpinë tuaj. Detyrimi juaj i parë është ta vendosni në rregull vetë jetën tuaj shpirtërore nëpërmjet studimit të rregullt të shkrimeve të shenjta dhe lutjes së përditshme. Sigurojeni e nderojeni priftërinë tuaj dhe besëlidhjet tuaja të tempullit; nxiteni familjen tuaj të bëjë të njëjtën gjë.11

Një burrë i cili mban priftërinë, ka nderim për nënat. Nënave iu jepet një privilegj i shenjtë që të “lindin shpirtrat e njerëzve; sepse në këtë vazhdohet vepra e Atit …, që ai të mund të përlëvdohet” (DeB 132:63).

… Priftëria nuk mund ta vërë në veprim qëllimin e saj përfundimtar, as nuk mund të përmbushen qëllimet e Perëndisë, pa ndihmëset tona. Nënat kryejnë një punë që priftëria nuk mund ta bëjë. Për këtë dhuratë të jetës, priftëria duhet të ketë dashuri të pakufizuar për nënat e fëmijëve të tyre.

[Vëllezër,] nderojeni rolin e pashoq dhe të caktuar në mënyrë hyjnore të bashkëshortes suaj si një nënë në Izrael dhe nderojeni aftësinë e saj të veçantë për t’i lindur e rritur fëmijët. Ne jemi nën urdhërimin hyjnor për t’u shumëzuar e për ta mbushur tokën dhe për t’i rritur fëmijët tanë dhe nipërit e mbesat tona në dritë e të vërtetë (shih Moisiu 2:28; DeB 93:40). Ju merrni pjesë, si një partner i dashur, në përkujdesjen për fëmijët. Ndihmojeni atë që ta organizojë e mbajë siç duhet shtëpinë tuaj. Ndihmoni për të dhënë mësim, për të ushtruar e disiplinuar fëmijët tuaj.

Ju duhet t’ia shprehni rregullisht bashkëshortes dhe fëmijëve tuaj nderimin e respektin tuaj për të. Me të vërtetë, një prej gjërave më të madhërishme që një atë mund të bëjë për fëmijët e tij, është ta dojë nënën e tyre.12

Një burrë që e mban priftërinë, e pranon bashkëshorten e tij si një partnere në udhëheqjen e shtëpisë dhe të familjes, me një dituri të plotë për të gjitha vendimet që lidhen me të dhe me një pjesëmarrje të plotë në to. Për shkak të nevojës, duhet të ketë në Kishë dhe në shtëpi një drejtues që kryeson (shih DeB 107:21). Me anë të caktimit hyjnor, përgjegjësia për të kryesuar në shtëpi qëndron mbi mbajtësin e priftërisë (shih Moisiu 4:22). Zoti kishte për qëllim që bashkëshortja të ishte një ndihmëse për burrin (fjala ndihmëse nënkupton barazinë) – që është, një shoqëruese e barabartë dhe e nevojshme në një bashkëpunim tërësor. Kryesimi me drejtësi e bën të nevojshme një përgjegjësi të ndarë midis bashkëshortit e bashkëshortes; së bashku ju veproni me njohuri dhe merrni pjesë në të gjitha çështjet familjare. Kur një burrë vepron i pavarur ose pa u kushtuar vëmendje ndjenjave dhe këshillës së bashkëshortes së tij në qeverisjen e familjes, do të thotë që ushtrohet një mbizotërim i padrejtë.13

Ne ju nxitim ju, vëllezër, që ta mbani mend se priftëria është vetëm një autoritet i drejtë. Fitojeni respektin dhe vetëbesimin e fëmijëve tuaj nëpërmjet marrëdhënies suaj të dashur me ta. Një atë i drejtë i mbron fëmijët e tij me kohën dhe praninë e tij në veprimtaritë dhe përgjegjësitë e tyre shoqërore, arsimore dhe shpirtërore. Shprehjet e dhembshura të dashurisë e përkujdesjes kundrejt fëmijëve janë përgjegjësia e babait po aq sa edhe e nënës. Thojuni fëmijëve tuaj që ju i doni.14

3

Shtëpitë tona duhet të jenë vende të dashurisë, lutjes e mësimdhënies së ungjillit.

Ne thjesht duhet të kemi dashuri e integritet moral dhe parime të fuqishme në shtëpitë tona. Ne duhet të kemi një zotim durues ndaj martesës e fëmijëve dhe ndaj vdekshmërisë. Ne duhet të dalin të suksesshëm atje ku suksesi luan rolin më të madh për brezin e ardhshëm.

Sigurisht që familja më e fuqishme dhe më e bukur është ajo familje në të cilën e gjejmë çdo njeri të ndjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve, duke u përpjekur që t’u shërbejë të tjerëve, duke u përpjekur që t’i jetojë në shtëpi parimet që ne i tregojmë në mjedise më publike. Na nevojitet të përpiqemi më shumë për ta jetuar ungjillin në rrethet tona familjare. Shtëpitë tona meritojnë zotimet tona më besnike. Një fëmijë ka të drejtën të ndiejë se në shtëpinë e tij ai është i sigurt, se atje ai ka një vend mbrojtjeje nga rreziqet dhe ligësitë e botës së jashtme. Uniteti dhe integriteti moral i familjes janë të domosdoshme për ta siguruar këtë nevojë. Një fëmijë ka nevojë për prindër të cilët janë të lumtur në marrëdhënien e tyre me njëri‑tjetrin, të cilët po punojnë me gëzim drejt përmbushjes së të jetuarit ideal si familje, të cilët i duan fëmijët e tyre me një dashuri të sinqertë e vetëmohuese dhe të cilët zotohen ndaj suksesit të familjes.15

Kur mbrëmjet familjare të shtëpisë u paraqitën fillimisht si pjesë e programit zyrtar të Kishës, Presidenca e Parë tha: “Nëse shenjtorët i binden kësaj këshille [për të mbajtur mbrëmje familjare të shtëpisë], ne premtojmë se do të vijnë bekime të mëdha. Dashuria në shtëpi dhe bindja ndaj prindërve do të rriten. Besimi do të zhvillohet në zemrat e rinisë së Izraelit dhe ata do të fitojnë fuqi për t’i luftuar ndikimit të lig dhe tundimeve që i mësyjnë ata.” Ne i ripohojmë bekimet e premtuara ndaj atyre që me besnikëri i mbajnë mbrëmjet familjare të shtëpisë.

Mbrëmjet e së hënës duhet të rezervohen për mbrëmjen familjare të shtëpisë. Udhëheqësit vendorë duhet të sigurohen që ndërtesat dhe godinat e Kishës të jenë të mbyllura, që asnjë aktivitet i lagjes apo i kunjit të mos planifikohet për mbrëmjet e së hënës dhe që të shmangen ndërprerje të tjera që i pengojnë mbrëmjet familjare të shtëpisë.

Theksimi kryesor i mbrëmjes familjare të shtëpisë duhet të jetë për familjet që të jenë së bashku për ta studiuar ungjillin. Ne u kujtojmë të gjithëve që Zoti i ka këshilluar prindërit për t’ua mësuar fëmijëve të tyre ungjillin, për t’u lutur dhe për ta zbatuar Ditën e Shabatit. Shkrimet e shenjta janë burimi më i rëndësishëm për mësimdhënien e ungjillit.16

Lutuni si familje si në darkë edhe në mëngjes. Çfarë bekimesh të mëdha vijnë në jetën e fëmijëve që i dëgjojnë prindërit e tyre t’i bëjnë kërkesë Zotit për mirëqenien e tyre. Sigurisht fëmijët, të cilët gjenden nën ndikimin e prindërve të tillë të drejtë, do të mbrohen më mirë ndaj ndikimeve të kundërshtarit.17

Me qëllim që prindërit dhe fëmijët të mund ta kuptojnë më mirë njëri‑tjetrin, u përshtat nga Kisha një plan, i njohur si “Këshilli Familjar”. Ky këshill thirret e drejtohet nga prindërit dhe ndiqet nga të gjithë anëtarët e familjes. Ai i forcon lidhjet familjare, i siguron fëmijët që ata “i përkasin” [familjes] dhe i bind ata që prindërit interesohen për problemet e tyre. Kjo mbledhje familjare u mëson respekt reciprok për njëri‑tjetrin, mënjanon egoizmin dhe thekson Rregullën e Artë [shih Mateu 7:12] në shtëpi dhe të jetuarin e një jete të pastër. Adhurimi dhe lutja familjare mësohen, së bashku me mësimet për mirësinë dhe ndershmërinë. Problemi i familjes zakonisht përballet me dikë në një shkallë të tillë të ngushtë, sa që përmasat dhe rëndësia e tij e vërtetë nuk vlerësohen me lehtësi, por kur familjet janë të forta dhe të bashkuara në përpjekjen për t’i shërbyer Perëndisë dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij, zhduken shumë prej problemeve tona të kohëve moderne.18

[Vëllezër,] merreni me seriozitet përgjegjësinë tuaj për t’ia mësuar ungjillin familjes suaj nëpërmjet mbrëmjes së rregullt familjare të shtëpisë, lutjes familjare, kohës shpirtërore dhe leximit të shkrimeve të shenjta dhe çasteve të tjera të mësimdhënies. Kushtojini theksim të veçantë përgatitjes për shërbimin misionar dhe për martesën në tempull. Si patriark në shtëpi, ushtrojeni priftërinë tuaj nëpërmjet kryerjes së ordinancave të duhura për familjen tuaj dhe duke u dhënë bekime bashkëshortes dhe fëmijëve tuaj. Mbas shpëtimit tuaj vetjak, vëllezër, nuk ka asgjë kaq të rëndësishme për ju sa shpëtimi i bashkëshortes dhe fëmijëve tuaj.19

një çift duke ecur me birin e tyre adoleshent

“Ne duhet të jemi plot lutje dhe … t’ua bëjmë të njohur fëmijëve tanë dashurinë dhe shqetësimin tonë.”

4

Një prind i suksesshëm është ai që e ka dashur një fëmijë, ka sakrifikuar dhe është kujdesur për të, i ka dhënë mësim atij dhe u ka shërbyer nevojave të tij.

Autoritetet e Përgjithshme kanë privilegjin e takimit dhe të njohjes me anëtarë të Kishës anembanë botës, të cilët në mënyrë të vazhdueshme kanë jetuar një jetë të mirë dhe i kanë rritur familjet e tyre nën ndikimin e ungjillit. Këta shenjtorë i kanë përjetuar bekimet dhe ngushëllimin e madh që mund të vijnë kur i kthejmë sytë pas, si prindër, gjyshër e stërgjyshër, drejt përpjekjeve afatgjata dhe të suksesshme të të qenit prindër. Sigurisht kjo është diçka që secili prej nesh do ta pëlqente.

Megjithatë, ka shumë vetë në Kishë dhe në botë që po jetojnë me ndjenja të fajit dhe të pavlefshmërisë, sepse disa prej bijve dhe bijave të tyre janë endur ose e kanë humbur udhën larg prej tufës. …

… Ne e kuptojmë se prindërit e ndërgjegjshëm përpiqen të bëjnë gjithçka munden, sidoqoftë pothuajse të gjithë kanë bërë gabime. Dikush nuk futet në një projekt të tillë si të qenit prind pa e kuptuar shpejt se do të ketë shumë gabime përgjatë udhës. Sigurisht Ati ynë Qiellor e di, kur Ai i beson fëmijët e Tij shpirtërorë nën kujdesin e prindërve të rinj në moshë dhe pa përvojë, se do të ketë keqkuptime dhe gabime në gjykim. …

… Secili prej nesh është i pashoq. Secili fëmijë është i pashoq. Ashtu sikurse secili prej nesh e fillon nga një pikë e ndryshme në garën e jetës dhe ashtu sikurse secili prej nesh ka anë të ndryshme të forta dhe dobësi e talente, po ashtu secili fëmijë bekohet me një grup të vetin, të veçantë karakteristikash. Nuk duhet të hamendësojmë se Zoti do ta gjykojë suksesin e dikujt pikërisht në të njëjtën mënyrë si suksesin e një tjetri. Si prindër ne shpesh hamendësojmë se, në qoftë se fëmija jonë nuk bëhet një njeri me arritje të mëdha në çdo drejtim, ne kemi dështuar. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në gjykimet tona. …

Një prind i suksesshëm është ai që e ka dashur një fëmijë, ai që ka sakrifikuar dhe ai që është kujdesur për të, që i ka dhënë mësim atij dhe që u ka shërbyer nevojave të tij. Nëse i keni bërë të gjitha këto dhe fëmija juaj ende është i pabindur ose shqetësimprurës, apo i dhënë pas gjërave të botës, mund të jetë fare mirë që ju, megjithëkëtë, jeni një prind i suksesshëm. Ndoshta ka fëmijë që kanë ardhur në botë, të cilët do ta sfidonin cilindo çift të prindërve nën çfarëdolloj grupi rrethanash. Në mënyrë të ngjashme, ndoshta ka të tjerë që do ta bekonin jetën e pothuajse cilitdo babai ose cilësdo nëne dhe do të ishin një gëzim për ta.

Shqetësimi im sot është që ka prindër, të cilët mund të jenë duke shpallur gjykime të rrepta mbi veten dhe mund të jenë duke i lejuar këto ndjenja që ta shkatërrojnë jetën e tyre, kur në fakt ata kanë bërë gjithçka munden dhe duhet të vazhdojnë me besim.20

Një atë ose një nënë [fëmija i të cilit ka shkuar në udhë të gabuar] nuk është i vetëm. Prindërit tanë të parë e dinin dhembjen dhe vuajtjen kur i panë disa prej fëmijëve të tyre të mos i pranonin mësimet për jetën e përjetshme. (Shih Moisiu 5:27.) Shekuj më vonë Jakobi arriti të dinte për xhelozinë dhe ndjenjat e këqija të bijve të tij më të mëdhenj kundrejt Jozefit të tij të dashur. (Shih Zanafilla 37:1–8.) Profeti i madhërishëm, Alma, i cili pati një bir të quajtur Alma, iu lut për shumë kohë Zotit lidhur me sjelljen kryengritëse të birit të tij dhe pa dyshim që u pushtua nga shqetësimi dhe meraku rreth kundërshtimit e ligësisë që po shkaktonte biri i tij mes atyre që ishin anëtarë të Kishës. (Shih Mosia 27:14.) Ati ynë në Qiell gjithashtu i ka humbur shumë prej fëmijëve të Tij shpirtërorë në botë; Ai i di ndjenjat e zemrës suaj. …

… Mos hiqni dorë nga shpresa për një djalë ose vajzë që ka shkuar në udhë të gabuar. Shumë veta, që janë dukur se ishin të humbur tërësisht, janë kthyer. Ne duhet të jemi plot lutje dhe, nëse është e mundur, t’ua bëjmë të njohur fëmijëve tanë dashurinë dhe shqetësimin tonë. …

… Dijeni se Ati ynë Qiellor do ta dallojë dashurinë dhe sakrificën, merakun dhe shqetësimin, madje edhe kur përpjekja jonë e madhe ka qenë e pasuksesshme. Zemrat e prindërve shpeshherë thyhen, sidoqoftë ata duhet të kuptojnë që përgjegjësia përfundimtare qëndron mbi fëmijën, pasi prindërit ia kanë dhënë mësim parimet e duhura.

… Cilido qoftë hidhërimi, cilado qoftë dhembja, cilido qoftë meraku dhe ankthi, kërkoni një mënyrë për ta kthyer atë për përdorimin tuaj dobiprurës – ndoshta duke i ndihmuar të tjerët që t’i shmangin të njëjtat probleme ose ndoshta duke zhvilluar një këndvështrim më të madh drejt ndjenjave të të tjerëve, të cilët po hasin vështirësi në një mënyrë të ngjashme. Sigurisht, ne do të kemi një kuptueshmëri më të thellë për dashurinë e Atit tonë Qiellor kur, nëpërmjet lutjes, ne më së fundi arrijmë të dimë se Ai na kupton dhe dëshiron që ne të shohim përpara. …

Kurrë nuk duhet ta lejojmë Satanin të na mashtrojë që të mendojmë se gjithçka ka mbaruar. Qofshim krenarë për gjërat e mira dhe të drejta që kemi bërë; mohofshim dhe largofshim nga jeta jonë ato gjëra që janë të gabuara; shikofshim te Zoti për falje, forcë e ngushëllim; dhe më pas ecshim përpara.21

5

Shtëpitë tona duhet të jenë vende të shenjta ku parimet e ungjillit mund të jetohen dhe ku mund të banojë Shpirti i Zotit.

Ne shpresojmë që ju nuk do të mposhteni nga shkurajimi në përpjekjet tuaja për ta rritur familjen tuaj në drejtësi. Mbani mend se Zoti ka urdhëruar këtë: “Por dishepujt e mi do të qëndrojnë në vende të shenjta dhe nuk do të lëvizen” (DeB 45:32).

Ndërkohë që disa njerëz e interpretojnë këtë që të nënkuptojë tempullin, të cilin sigurisht e nënkupton, kjo mund të përfaqësojë gjithashtu shtëpitë në të cilat ne jetojmë. Nëse ju do të punoni me zell për t’i udhëhequr familjet tuaja me drejtësi, duke i nxitur e duke marrë pjesë në lutje të përditshme familjare, në leximin e përditshëm të shkrimeve të shenjta, në mbrëmjen familjare të shtëpisë, dhe nëse e doni dhe mbështetni njëri‑tjetrin në të jetuarin e mësimeve të ungjillit, ju do t’i merrni bekimet e premtuara nga Zoti në rritjen e pasardhësve të drejtë.

Në një botë gjithnjë e më shumë të ligë, sa thelbësore është që secili prej nesh “të qëndroj[ë] në vende të shenjta” dhe të zotohet që të jetë i vërtetë dhe besnik ndaj mësimeve të ungjillit të Jezu Krishtit.22

Për të arritur sukses në familje, prindërit duhet të kenë dashuri e respekt për njëri‑tjetrin. Bashkëshortët, mbajtësit e priftërisë, duhet të tregojnë vlerësimin më të lartë për bashkëshortet e tyre përpara fëmijëve të tyre dhe bashkëshortet duhet t’i duan e përkrahin bashkëshortët e tyre. Si rrjedhojë, fëmijët do të kenë dashuri për prindërit e tyre dhe për njëri‑tjetrin. Shtëpia, atëherë, do të bëhet një vend i shenjtë ku parimet e ungjillit mund të jetohen në mënyrën më të mirë dhe ku mund të banojë Shpirti i Zotit. Të jesh një atë i suksesshëm ose një nënë e suksesshme, është shumë më tepër sesa të ngrihesh drejt posteve udhëheqëse ose vendeve të larta në biznes, qeveri apo në punët e botës. Shtëpia me raste mund të duket një vend i zakonshëm, me detyrat e saj të përditshme, prapëseprapë suksesi i saj duhet të jetë veprimtaria më e madhërishme nga të gjitha veprimtaritë tona në jetë.23

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Ndërkohë që rishikoni mësimet e Presidentit Hanter në pjesën 1, merrni parasysh rëndësinë e familjes. Cila është përgjegjësia e Kishës për familjen? Si mund t’i mbrojmë e forcojmë familjet tona?

  • Përsiatni mësimet e Presidentit Hanter rreth prindërve që janë partnerë në udhëheqjen e shtëpisë (shih pjesën 2). Si mund t’i ndihmojnë këto mësime si etërit ashtu edhe nënat? Si mund të bëhen të bashkuar prindërit në rritjen e fëmijëve të tyre? Merrni parasysh se si mund ta përmirësoni “klimën shpirtërore” në shtëpinë tuaj.

  • Në pjesën 3, Presidenti Hanter jep këshillë për ngritjen e një familjeje të fortë. Si mund të ndërtojmë “unitet dhe integritet [më të madh] moral [të] familjes”? Si e ka bekuar mbrëmja familjare e shtëpisë familjen tuaj? Si e kanë bekuar familjen tuaj studimi i shkrimeve të shenjta si familje dhe lutja familjare?

  • Si mund t’i ndihmojnë mësimet e Presidentit Hanter në pjesën 4, prindërit e një fëmije që ka shkuar në udhë të gabuar? Si mund t’i përdorin prindërit që po përjetojnë hidhërim e dhembje, këto për qëllime dobiprurëse? Çfarë mund të bëjnë prindërit, gjyshërit, udhëheqësit e rinisë dhe njerëz të tjerë për t’i ndihmuar fëmijët të cilët shkojnë në udhë të gabuar?

  • Pas leximit të seksionit 5, mendoni mbi mësimet e dhëna nga Presidenti Hanter rreth bërjes së shtëpive tona “vende të shenjta”. Cilat janë disa sfida që i hasim kur e bëjmë këtë? Si mund të përpiqemi për t’i bërë shtëpitë tona vende të shenjta?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Eksodi 20:12; Ligji i Përtërirë 6:4–7; Psalmeve 127:3–5; Efesianëve 6:1–4; Enosi 1:1–3; Mosia 4:14–15; Alma 56:45–48; 3 Nefi 18:21; DeB 68:25–28; 93:40; 121:41–46

Ndihmë për Mësimdhënien

Kërkojuni anëtarëve të klasës që të punojnë në dyshe dhe të planifikojnë se si ata do ta japin mësim një pjesë të kapitullit në një mbrëmje familjare të shtëpisë. Si mund t’i bëjmë mësimet domethënëse për fëmijët dhe rininë? Ftojini disa nga dyshet që t’ua tregojnë planet e tyre klasës.

Shënime

  1. Shih Eleanor Knowles, Howard W. Hunter (1994), f. 46–48.

  2. Në Knowles, Howard W. Hunter, f. 81.

  3. Në Knowles, Howard W. Hunter, f. 109.

  4. Në Knowles, Howard W. Hunter f. 252; shih edhe f. 251.

  5. “Being a Righteous Husband and Father”, Ensign, nëntor 1994, f. 50.

  6. “Exceeding Great and Precious Promises”, Ensign, nëntor 1994, f. 9.

  7. The Teachings of Howard W. Hunter, red. Clyde J. Williams (1997), f. 144.

  8. “Parents’ Concern for Children”, Ensign, nëntor 1983, f. 65.

  9. Në Conference Report, prill 1960, f. 125.

  10. “Being a Righteous Husband and Father”, f. 50.

  11. “Being a Righteous Husband and Father”, f. 50, 51.

  12. “Being a Righteous Husband and Father”, f. 50.

  13. “Being a Righteous Husband and Father”, f. 50–51.

  14. “Being a Righteous Husband and Father”, f. 51.

  15. “Standing As Witnesses of God”, Ensign, maj 1990, f. 61–62.

  16. Letër e Presidencës së Parë, 30 gusht 1994 (Hauard W. Hanter, Gordon B. Hinkli dhe Tomas S. Monson).

  17. Në Mike Cannon, “‘Be More Fully Converted’, Prophet Says”, Church News, 24 shtator 1994, f. 4; shih edhe The Teachings of Howard W. Hunter, f. 37.

  18. Në Conference Report, prill 1960, f. 125–126.

  19. “Being a Righteous Husband and Father”, f. 51.

  20. “Parents’ Concern for Children”, f. 63, 64–65.

  21. “Parents’ Concern for Children”, f. 64, 65.

  22. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 155.

  23. The Teachings of Howard W. Hunter, f. 156.