Kapitulli 4
Ndihmë nga Lart
“Ndoshta asnjë premtim në jetë nuk është më sigurues sesa ai premtim për ndihmë hyjnore dhe drejtim shpirtëror në kohë nevoje.”
Nga Jeta e Hauard W. Hanterit
Hauard W. Hanteri mësoi të lutej kur ishte djalë i vogël. “Nëna ime më pati mësuar të lutem dhe të falënderoj Atin Qiellor për të gjitha gjërat që gëzoja”, tha ai. “Unë shpesh e falënderoja Atë për bukurinë e tokës dhe për kohët e mrekullueshme që kisha pasur në fermë dhe pranë lumit dhe me skautistët. Unë gjithashtu mësova t’i kërkoj Atij gjërat që doja ose kisha nevojë. … Unë e dija se Perëndia më donte dhe më dëgjonte.”1
Gjatë gjithë jetës së tij, Presidenti Hanter iu drejtua lutjes si një burim i ndihmës hyjnore dhe ai u mësoi të tjerëve të bëjnë po kështu. Për shembull, kur shërbente si peshkop, një burrë në lagjen e tij shprehu pakënaqësi ndaj një burri tjetër. Këshilla e Presidentit Hanter pasqyron dëshminë e tij për ndihmën që vjen nëpërmjet lutjes:
“Unë i thashë atij: ‘Vëllai im, nëse do të shkosh në shtëpi dhe do të lutesh për të çdo mëngjes dhe çdo natë, unë do të të takoj ty dy javë pas kësaj dite në të njëjtën orë dhe atëherë ne do të vendosim se çfarë duhet bërë’”.
Pasi ndoqi këtë këshillë, burri u rikthye dhe përulësisht tha për burrin tjetër: “Ai ka nevojë për ndihmë”.
“A je i gatshëm ta ndihmosh?” pyeti Presidenti Hanter.
“Po, sigurisht”, tha burri.
“I gjithë inati qe larguar dhe e gjithë pakënaqësia qe larguar”, kujtoi më vonë Presidenti Hanter. “Kështu ndodh kur ne lutemi për njëri-tjetrin.”2
Mësime të Hauard W. Hanterit
1
Ati ynë Qiellor premton të na japë ndihmë dhe drejtim në kohë nevoje.
Të gjithë ne përballemi me kohë në jetën tonë kur kemi nevojë për ndihmë qiellore në një mënyrë të veçantë dhe urgjente. Ne të gjithë kemi çaste kur pushtohemi nga rrethanat apo ngatërrohemi nga këshilla që marrim nga të tjerët, dhe ne ndiejmë një nevojë të madhe për të marrë drejtim shpirtëror, një nevojë të madhe për të gjetur udhën e drejtë dhe për të bërë gjënë e drejtë. Në parathënien e shkrimit të shenjtë për këtë periudhë ungjillore të ditëve të mëvonshme, Zoti premtoi se nëse do të jemi të përulur në kohë të tilla nevoje dhe i drejtohemi atij për ndihmë, ne do të “bëhe[mi] të fortë e [do] të bekohe[mi] nga lart dhe [do] të marri[m] dituri herë pas here”. (DeB 1:28.) Ajo ndihmë është e jona vetëm nëse do ta kërkojmë, besojmë në të dhe ndjekim atë që mbreti Beniamin, në Librin e Mormonit, e quajti “thirrjet e Frymës së Shenjtë”. (Mosia 3:19.)
Ndoshta asnjë premtim në jetë nuk është më sigurues sesa ai premtim për ndihmë hyjnore dhe drejtim shpirtëror në kohë nevoje. Është një dhuratë e dhënë falas nga qielli, një dhuratë që na nevojitet qysh nga rinia më e hershme deri në ditët më të fundit të jetës sonë. …
Në ungjillin e Jezu Krishtit, ne kemi ndihmë nga lart. “Merrni zemër”, thotë Zoti, “sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës”. (DeB 78:18.) “Unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim.” (DeB 11:13.)
Unë dëshmoj për karakterin hyjnor të Jezu Krishtit. Perëndia njëmend jeton dhe na bekon me Shpirtin e Tij. Gjatë përballimit të problemeve të jetës dhe plotësimit të detyrave të jetës, e kërkofshim të gjithë ne atë dhuratë nga Perëndia, Ati ynë dhe gjetshim gëzim shpirtëror.3
2
Sikurse Jozef Smithi, ne mund t’u drejtohemi shkrimeve të shenjta dhe lutjes që të marrim mësime nga lart.
Djali-profet Jozef Smith … kërkoi të dinte mendjen dhe vullnetin e Zotit në një kohë pështjellimi dhe shqetësimi në jetën e tij. … Zona pranë Palmirës në Nju-Jork, qe bërë një vend “gjallërim[i] të pazakontë lidhur me temën e fesë” gjatë viteve të djalërisë së Jozefit të ri atje. Vërtet, i gjithë distrikti atij i dukej sikur të ishte i prekur prej tij, me “mori të mëdha”, shkroi ai, që iu bashkoheshin grupeve të ndryshme fetare dhe shkaktonin jo pak “ngatërresë dhe ndarje” midis njerëzve [Joseph Smith – Historia 1:5].
Për një djalë që sapo qe bërë katërmbëdhjetë vjeç, kërkimi i tij për të vërtetën qe bërë edhe më i vështirë dhe pështjellues sepse anëtarët e familjes Smith në atë kohë ndryshonin në parapëlqimet e tyre fetare.
Tani, me atë sfond dhe mjedis familjar, unë ju ftoj të shqyrtoni këto mendime dhe ndjenja mjaft të shquara nga një djalë i një moshe të tillë kaq të re. Ai shkroi:
“Gjatë kësaj kohe gjallërimi të madh mendja ime u nxit të mendonte seriozisht dhe nuk gjente rehati; por edhe pse ndjenjat e mia ishin të thella dhe shpesh të fuqishme, përsëri unë qëndrova larg nga të gjitha këto grupe … ; por kaq e madhe ishte ngatërresa dhe grindja midis zotërimeve të ndryshme, sa ishte e pamundur për një njeri, të ri si unë dhe të pamësuar me njerëzit dhe gjërat, të arrija në njëfarë përfundimi se kush kishte të drejtë dhe kush ishte gabim.
Mendja ime herë pas here ishte shumë e shqetësuar, e thirrura dhe ulërima ishte kaq e madhe dhe pa pushim. …
Në mes të kësaj lufte fjalësh dhe pështjellimi opinionesh, unë shpesh thashë me vete: Çfarë duhet të bëhet? Cili nga të gjitha grupet ka të drejtë; ose a janë që të gjithë së bashku gabim? Në qoftë se ndonjëri prej tyre kishte të drejtë, cili është ai dhe si do ta njoh unë atë?
Ndërsa unë po punoja nën vështirësitë ekstreme të shkaktuara nga grindjet midis këtyre grupeve të besimtarëve, një ditë po lexoja Letrën e Jakobit, kapitulli i parë dhe vargu i pestë, që thotë: Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim dhe pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.
Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë. M’u duk se hyri me forcë të madhe në çdo ndjenjë të zemrës sime. Mendova për të herë pas here, duke e ditur që, nëse ndonjë njeriu i nevojitej urtësi nga Perëndia, mua më duhej; sepse nuk e dija se si të veproja dhe nëse nuk do të fitoja më shumë urtësi sesa kisha atëherë, unë nuk do ta dija kurrë” [Joseph Smith – Historia 1:8–12].
Sigurisht, ajo që ndodhi më pas ndryshoi drejtimin e historisë njerëzore. Duke vendosur të “kërkojë nga Perëndia”, Jozefi i ri shkoi në një korije pranë shtëpisë së tij në fshat. Atje, në përgjigje të lutjes së tij të thellë, Perëndia, Ati i Përjetshëm dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, e vizituan Jozefin dhe e këshilluan. Ajo shfaqje e madhe, për të cilën unë dëshmoj përulësisht, dha përgjigje për shumë e më shumë pyetje për periudhën tonë ungjillore sesa thjesht cilës kishë duhej t’i bashkohej ose jo Jozefi i ri.
Por qëllimi im … nuk është të përvijoj çastet e para të Rivendosjes, edhe pse është një nga ngjarjet më të shenjta në shkrimet e shenjta. Unë dua, më shumë, thjesht të theksoj shkallën mbresëlënëse të ndjeshmërisë shpirtërore të demonstruar nga ky djalë shumë i ri dhe pa shumë arsim.
Sa prej nesh, në moshën katërmbëdhjetëvjeçare apo çfarëdo moshe, mund t’i mbanin kokat lart dhe mendjen të kthjellët me aq shumë forca duke na tërhequr e shtyrë, veçanërisht për një temë të tillë të rëndësishme si shpëtimi ynë i përjetshëm? Sa prej nesh mund t’i rezistonin konfliktit emocional që mund të vijë kur prindërit ndryshojnë në bindjet e tyre fetare? Sa prej nesh, në moshën katërmbëdhjetë apo pesëdhjetëvjeçare, do të kërkonin në shpirtin tonë dhe do të kërkonin në librat e shenjta për të gjetur përgjigje për atë që Apostulli Pal e quante “të thellat e Perëndisë”? (1 Korintasve 2:10.)
Sa e mrekullueshme … që ky djalë i ri do të drejtohej thellësisht te shkrimet e shenjta dhe pastaj te lutja vetjake, ndoshta dy burimet më të mëdha të depërtimit shpirtëror dhe të mbresës shpirtërore që janë në dispozicion botërisht për njerëzimin. Sigurisht, ai ishte nën presionin e opinioneve të ndryshme, por ishte i vendosur të bënte gjënë e drejtë dhe i vendosur të gjente udhën e drejtë. Ai besonte, sikurse duhet të besojmë ju dhe unë, se mund të merrte mësime dhe të bekohej nga lart, siç ndodhte me të.
Por mund të themi se Jozef Smithi ishte një shpirt shumë i veçantë dhe rasti i tij ishte i veçantë. Çfarë mund të themi për ne të tjerët, që mund të jemi më të mëdhenj tani – të paktën më të mëdhenj se katërmbëdhjetë vjeç – dhe nuk na është caktuar të hapim një periudhë ungjillore? Ne mund të marrim gjithashtu vendime dhe të ndreqim një pështjellim e të çajmë përmes një lufte fjalësh në një mori të tërë temash që prekin jetën tonë. Bota është plot vendime të tilla të vështira, dhe ndonjëherë ndërsa përballemi me to, ne mund të ndiejmë moshën tonë apo dobësitë tona.
Ndonjëherë mund të ndiejmë se tehu ynë shpirtëror është konsumuar. Në disa ditë shumë sprovuese, ne mund të ndiejmë madje që Perëndia na ka harruar, na ka lënë vetëm në pështjellimin dhe shqetësimin tonë. Por ajo ndjenjë nuk justifikohet më për më të vjetrit midis nesh as për më të rinjtë dhe me më pak përvojë. Perëndia na njeh dhe na do të gjithëve. Ne jemi, secili prej nesh, bijat dhe bijtë e Tij dhe çfarëdo mësimesh jete që mund të na ketë sjellë, premtimi përsëri është i vërtetë: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”. (Jakob [Bibël] 1:5.)4
3
Lutja është një mënyrë për të marrë njohuri dhe drejtim shpirtëror.
Të mësuarit dhe urtësia për gjëra tokësore dhe gjithçka që është e përkohshme na vjen nëpërmjet ndjesive fizike në mënyra tokësore e të përkohshme. Ne prekim, ne shohim, ne dëgjojmë e shijojmë dhe nuhasim e mësojmë. Sidoqoftë, njohuria shpirtërore, siç tha Pali, na vjen në një mënyrë shpirtërore nga burimi i saj shpirtëror. Pali vazhdon:
“Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht”. (1 Korintasve 2:14.)
Ne kemi gjetur dhe e dimë se e vetmja mënyrë për të fituar njohuri shpirtërore është t’i qasemi Atit tonë në Qiell nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë në emrin e Jezu Krishtit. Kur e bëjmë këtë, dhe nëse jemi shpirtërisht të përgatitur, ne shohim gjëra që sytë tanë nuk i kanë parë më parë dhe dëgjojmë gjëra që mund të mos i kemi dëgjuar më parë – “ato që Perëndia ka përgatitur”, duke përdorur fjalët e Palit. (1 Korintasve 2:9.) Këto gjëra ne i marrim nëpërmjet Shpirtit.
Ne besojmë, dhe i dëshmojmë botës, se komunikimi me Atin tonë në Qiell dhe drejtimi nga Zoti janë në dispozicion sot. Ne dëshmojmë se Perëndia i flet njeriut sikurse bëri në ditët e Shpëtimtarit në kohët e Dhiatës së Vjetër.5
4
Ne mund të lutemi gjithmonë, jo vetëm në kohë dëshpërimi.
Kohët tona moderne duket se sugjerojnë që përkushtimi dhe nderimi plot lutje për shenjtëri është i paarsyeshëm ose i padëshirueshëm, ose të dyja. Dhe përsëri, njerëzit mosbesues “modernë” kanë nevojë për lutje. Çaste të rrezikshme, përgjegjësi e madhe, ankth i thellë, pikëllim dërrmues – këto sfida që na nxjerrin nga kushtet e rehatshme dhe rutina e krijuar do të nxjerrin në sipërfaqe prirjet tona natyrore. Nëse i lejojmë, ato do të na përulin, zbutin dhe drejtojnë te lutja plot respekt.
Nëse lutja është vetëm një thirrje rastësore për ndihmë në kohë krize, atëherë ajo është tërësisht egoiste dhe ne arrijmë ta mendojmë Perëndinë si një riparues apo agjenci shërbimi për të na ndihmuar vetëm në nevojat tona të ngutshme. Ne duhet ta kujtojmë Shumë të Lartin ditë e natë – gjithmonë – jo vetëm në rastet kur asnjë ndihmë tjetër nuk ka ardhur dhe kemi nevojë të dëshpëruar për ndihmë. Nëse ka ndonjë element në jetën njerëzore për të cilin ne kemi të dhëna suksesi të mrekullueshëm dhe vlere të paçmueshme për shpirtin njerëzor, ai është komunikimi plot lutje, nderues dhe i përkushtuar me Atin tonë Qiellor.
“Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim.
Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time.
O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres.” (Psalmeve 5:1–3.)
Ndoshta ajo që i nevojitet kësaj bote, më shumë se çdo gjë, është “të pres[ë]” sikurse tha Psalmisti – të presë në gëzimet tona si dhe në hidhërimet tona, në begatinë tonë si dhe në skamjen tonë. Ne duhet vazhdimisht të presim dhe ta njohim Perëndinë si dhënës të çdo gjëje të mirë dhe burimi i shpëtimit tonë. …
Ka pjesë të gjera të shoqërisë sonë në të cilat shpirti i lutjes dhe nderimit dhe adhurimit është venitur. Burra e gra në shumë rrethana janë të zgjuar, interesantë apo të shkëlqyer, por atyre u mungon një element vendimtar për një jetë të plotë. Ata nuk presin. Ata nuk ofrojnë zotime në drejtësi [shih DeB 59:11]. Biseda e tyre shkëndijon, por nuk është e shenjtë. E folura e tyre është e zgjuar, por nuk është e urtë. Qofshin në zyrë, në dhomën e sportistëve apo në laborator, ata kanë zbritur tepër poshtë nivelit të dinjitetit që shfaq vetë fuqitë e tyre të kufizuara, dhe atëherë e gjejnë të nevojshme të blasfemojnë ato fuqi të pakufizuara që vijnë nga lart.
Fatkeqësisht ndonjëherë ne e gjejmë këtë mungesë nderimi edhe brenda Kishës. Me raste ne bisedojmë me zë tepër të lartë, hyjmë dhe dalim nga mbledhjet tepër pa respekt në atë që duhet të jetë një orë lutjeje dhe adhurimi pastrues. Nderimi karakterizon atmosferën e qiellit. Lutja është zëri i shpirtit drejtuar Perëndisë Atit. Ne bëjmë mirë të bëhemi më shumë si Ati ynë duke parë drejt Tij, duke e kujtuar Atë gjithmonë dhe duke u kujdesur shumë për botën e Tij dhe punën e Tij.6
5
Ne zhvillojmë aftësinë tonë për të marrë njohuri shpirtërore ndërsa gjejmë kohë për të medituar, për të përsiatur dhe për t’u lutur.
Të zhvilluarit e shpirtshmërisë dhe të harmonizuarit e vetes me ndikimet më të larta të perëndishmërisë nuk është një gjë e lehtë. Kërkohet kohë dhe shpesh përfshin luftë. Kjo nuk do të ndodhë rastësisht, por plotësohet vetëm nëpërmjet përpjekjes së menduar dhe duke iu drejtuar Perëndisë dhe duke mbajtur urdhërimet e Tij. …
Profeti Jozef Smith … na ka dhënë ndoshta deklaratën më të qartë nga të gjitha mbi nevojën për t’u bërë shpirtërorë si dhe kohën e durimin që duhet t’i njohim si pjesë të procesit. [Ai] tha: “Ne mendojmë se Perëndia e ka krijuar njeriun me një mendje të aftë për udhëzim dhe një aftësi që mund të zmadhohet në përpjesëtim me vëmendjen dhe zellin që i jepet dritës së komunikuar nga qielli intelektit; dhe që, sa më pranë t’i afrohet njeriu përsosjes, aq më të qarta janë pikëpamjet e tij dhe aq më të mëdha gëzimet e tij, derisa ai të ketë kapërcyer të ligat e jetës së tij dhe të ketë humbur çdo dëshirë për mëkat; dhe, ashtu si të lashtët, mbërrin në atë pikë të besimit ku ai mbështillet në fuqi dhe lavdi të Bërësit të tij dhe merret lart që të banojë me Të. Por ne mendojmë se kjo është një gjendje tek e cila askush ndonjëherë nuk ka arritur brenda një çasti” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 221].7
Ne duhet të marrim kohë për ta përgatitur mendjen tonë për gjëra shpirtërore. Zhvillimi i aftësisë shpirtërore nuk vjen me dhënien e autoritetit. Duhet të ketë dëshirë, përpjekje dhe përgatitje vetjake. Kjo kërkon, sigurisht, … agjërim, lutje, kërkim në shkrimet e shenjta, përvojë, meditim dhe uri e etje për një jetë të drejtë.
Unë e gjej të dobishme të rishikoj këto paralajmërime nga Perëndia i Plotfuqishëm:
“Në qoftë se do të kërkosh, ti do të marrësh zbulesë pas zbulese, dituri pas diturie, që të mund të dish misteret dhe gjërat paqësore—ato që sjellin gëzim, ato që sjellin jetë të përjetshme” (DeB 42:61).
“I kërkoni Atit në emrin tim, me besim, duke besuar se do të merrni dhe ju do të keni Frymën e Shenjtë, që i manifeston gjithë gjërat të cilat janë të domosdoshme për fëmijët e njerëzve” (DeB 18:18).
“I lini gjërat solemne të përjetësisë të pushojnë në mendjet tuaja” (DeB 43:34).
“Mblidhni vazhdimisht si thesar në mendjet tuaja fjalët e jetës dhe do t’ju jepet në çastin e duhur ajo pjesë që do t’i shpërndahet çdo njeriu” (DeB 84:35).
“Kërkoni me zell, lutuni gjithmonë e jini besimtarë dhe gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj, në qoftë se ecni drejt dhe kujtoni besëlidhjen me të cilën keni lidhur besë njëri me tjetrin” (DeB 90:24).
“Perëndia do t’ju japë juve dituri me anë të Shpirtit të tij të Shenjtë, po, me anë të dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë” (DeB 121:26).
Këto janë premtime që Zoti do t’i përmbushë me siguri nëse e përgatitim veten.
Gjeni kohë për të medituar, për të përsiatur dhe për t’u lutur për çështje shpirtërore.8
6
Perëndia do të na ndihmojë të përparojmë shpirtërisht hap pas hapi.
Pjesë e vështirësisë sonë ndërsa përpiqemi të fitojmë shpirtshmëri është ndjesia se ka shumë për të bërë dhe se nuk po bëjmë mjaftueshëm. Përsosja është diçka ende përpara për këdo; por ne mund t’i përdorim me sukses forcat tona, duke filluar atje ku jemi dhe duke kërkuar lumturinë që mund të gjendet në përpjekjen për gjërat e Perëndisë. Ne duhet të kujtojmë këshillën e Zotit:
“Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe.
Vini re, Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme; dhe të gatshmit dhe të bindurit do të hanë të mirat e tokës së Sionit në këto ditë të fundit.” (DeB 64:33–34.)
Gjithmonë ka qenë inkurajuese për mua ajo që Zoti tha se janë “të gatshmit dhe të bindurit [ata që] do të hanë të mirat e tokës së Sionit në këto ditë të fundit”. Të gjithë ne mund të jemi të gatshëm dhe të bindur. Nëse Zoti ka thënë se i përsosuri do të hajë të mirat e tokës së Sionit në këto ditë të fundit, unë mendoj se disa nga ne do të shkurajoheshin dhe do të dorëzoheshin. …
Vendi për të filluar është këtu. Koha për të filluar është tani. Ne duhet vetëm t’i hedhim hapat një nga një. Perëndia, që ka “përcaktuar lumturinë tonë” do të na udhëheqë madje si fëmijë të vegjël dhe ne nëpërmjet këtij procesi do t’i afrohemi përsosjes.
Asnjë nga ne nuk ka arritur përsosmëri ose zenitin e rritjes shpirtërore që është i mundur në vdekshmëri. Çdo person mund dhe duhet të bëjë përparim shpirtëror. Ungjilli i Jezu Krishtit është plani hyjnor për atë rritje të përjetshme shpirtërore. Ai është më shumë se një kod etik. Ai është më shumë se një urdhër shoqëror ideal. Ai është më shumë se mendim pozitiv mbi vetëpërmirësimin dhe vendosmërinë. Ungjilli është fuqia shpëtuese e Zotit Jezu Krisht me priftërinë dhe ushqimin shpirtëror të Tij dhe me Shpirtin e Shenjtë. Me besim në Zotin Jezu Krisht dhe bindje ndaj ungjillit të Tij, duke u përmirësuar hap pas hapi ndërsa ecim, duke u lutur për forcë, duke përmirësuar qëndrimet dhe qëllimet tona, ne do ta gjejmë veten me sukses në grigjën e Bariut të Mirë. Kjo do të kërkojë disiplinë e trajnim dhe punë e forcë. Por sikurse tha Apostulli Pal: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon”. (Filipianëve 4:13.)
Një zbulesë e ditëve të sotme bën këtë premtim: “Vëre besimin tënd në atë Shpirt që drejton për të bërë mirë—po, për të bërë të drejtën, për të ecur me përulësi, për të gjykuar me drejtësi; dhe ky është Shpirti im.
Në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them ty, unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim;
Dhe atëherë ti do të dish, ose me anë të kësaj ti do të dish, gjithë gjërat, cilatdo që dëshiron prej meje, të cilat çojnë në gjërat e drejtësisë, me besim, duke besuar në mua se do të marrësh.” (DeB 11:12–14.)9
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Pasi të lexoni pjesën 1, mendoni për kohët kur keni pasur nevojë për ndihmë qiellore. Si e ka bekuar jetën tuaj premtimi për ndihmë hyjnore në kohë nevoje?
Te pjesa 2, çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jozef Smithit, që mund të na ndihmojë kur përballemi me pështjellim? Si mund të zhvillojmë ndjeshmëri më të madhe shpirtërore si Jozefi?
Përsiatni mësimet e Presidentit Hanter për mënyrën se si marrim njohuri shpirtërore (shih pjesën 3). Si mund ta rritim dëshirën dhe aftësinë tonë për të fituar njohuri shpirtërore? Cilat janë disa mënyra me të cilat ju ka ndihmuar njohuria shpirtërore?
Cilat janë rreziqet e të parit të Perëndisë “si një riparues apo agjenci shërbimi për të na ndihmuar vetëm në nevojat tona të ngutshme”? (Shih pjesën 4.) Si ka qenë lutja një bekim për ju?
Te pjesa 5, Presidenti Hanter na mëson se si ta zhvillojmë shpirtshmërinë. Përse përpjekja është e nevojshme për të zhvilluar forcë shpirtërore? Çfarë mund të mësojmë nga shkrimet e shenjta që Presidenti Hanter i citon në këtë pjesë?
Rishikoni mësimet e Presidentit Hanter te pjesa 6 rreth rritjes shpirtërore. Si ka qenë rritja shpirtërore një proces hap pas hapi për ju? Si mund të jenë të dobishme për ju mësimet e Presidentit Hanter në këtë pjesë, nëse ndieni se nuk po bëni mjaftueshëm në rritjen tuaj shpirtërore?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Psalmeve 25:5; Fjalët e Urta 3:6; 2 Nefi 32:8–9; Alma 5:46; 34:17–27; 37:36–37; DeB 8:2–3; 88:63; 112:10; Joseph Smith – Historia 1:13–17
Ndihmë për Mësimdhënien
Ftojini anëtarët e klasës të kërkojnë te kapitulli, duke parë për fjali apo paragrafë që janë të rëndësishëm për ta. Kërkojuni t’i tregojnë këto fjali apo paragrafë dhe të shpjegojnë përse janë domethënës.