Kapitulli 5
Jozef Smithi, Profeti i Rivendosjes
“Unë jap dëshmi solemne për Profetin Jozef Smith si shërbëtor i vajosur i Zotit në këto ditë të mëvonshme.”
Nga Jeta e Hauard W. Hanterit
Nensi Nouell, që ishte një nga stër-stërgjyshet në linjë atërore e Hauard W. Hanterit, u transferua në Lëpir të Miçiganit, në mesin e viteve 1830. Në vitin 1842 një misionar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme erdhi në Lëpir nga Navuja e Ilinoisit. Nensi e dëgjoi mesazhin e tij, u lut rreth tij dhe mori një dëshmi se ai po i mësonte të vërtetën. Ajo shkoi në Navu për të mësuar më shumë rreth Kishës dhe në ditarin e saj ajo bëri këtë shënim për përvojën e saj:
“Unë shkova të dëgjoja predikuesin mormon [Jozef Smith] me vëmendje të madhe, duke shpresuar të mos mashtrohesha. Tema e tij ishte ardhja e dytë e Krishtit. Unë kisha një dëshmi se ai tha të vërtetën dhe se Jozef Smithi ishte një profet i vërtetë, i thirrur dhe i shuguruar nga Perëndia për të bërë një punë të madhe, sepse ai pati sjellë të vërtetën ashtu siç ishte dhënë mësim nga Jezu Krishti. Unë kërkova të pagëzohesha.”1
Sikurse stër-stërgjyshja e tij, Nensi Nouell, Hauard W. Hanteri pati një dëshmi të sigurt për misionin profetik të Jozef Smithit. Tri javë pasi u bë President i Kishës, ai udhëtoi për në Navu për të përkujtuar 150-vjetorin e martirizimit të Jozef dhe Hajrëm Smithit. Në një mbledhje të mbajtur te vendi i Tempullit të Navusë, Presidenti Hanter tha:
“Përgjegjësia që ndiej për punën që Profeti Jozef filloi më mbush me vendosmëri për të bërë gjithçka mundem në kohën që më është dhënë të jetoj. Sigurisht Jozefi ishte besnik dhe i vërtetë ndaj përgjegjësive që iu dhanë! … Unë jap dëshmi solemne për Profetin Jozef Smith si shërbëtor i vajosur i Zotit në këto ditë të mëvonshme. Dëshmisë së tij për shenjtërinë dhe realitetin e Jezu Krishtit unë i shtoj dëshminë time.”2
Më vonë atë ditë, në një mbledhje të mbajtur pranë burgut Kartheixh, Presidenti Hanter dëshmoi: “Jozef Smithi, që dha jetën në këtë vend, ishte mjeti që Zoti përdori për të rivendosur plotësinë e ungjillit të Tij dhe autoritetin e priftërisë së Tij”.3
Mësime të Hauard W. Hanterit
1
Perëndia, Ati dhe Jezu Krishti iu shfaqën Jozef Smithit për të filluar Rivendosjen.
Shumë herë ungjilli [i ishte] dhënë botës nëpërmjet profetëve dhe çdo herë [kishte] humbur për shkak të mosbindjes. Në vitin 1820 qetësia u thye dhe Zoti përsëri iu shfaq një profeti. Ky profet, Jozef Smithi, mundi të dëshmonte për njohurinë e tij faktike se Perëndia jeton, se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë, një Qenie e Ringjallur, i ndarë dhe i ndryshëm nga Ati. Ai nuk dëshmoi lidhur me atë se çfarë besonte ose çfarë ai apo të tjerë mendonin ose hamendësonin, por dëshmoi për atë që ai dinte. Kjo njohuri erdhi tek ai ngaqë Perëndia Ati dhe Biri iu shfaqën atij personalisht dhe folën me të.4
Perëndia … e shfaqi veten [te Jozef Smithi] si një qenie personale. Për më tepër, Ati dhe Biri demonstruan të vërtetën e pamohueshme se ata janë personazhe të ndarë dhe të ndryshëm. Vërtet, marrëdhënia e Atit dhe e Birit u ripohua nga paraqitja hyjnore te djali profet: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” [Joseph Smith – Historia 1:17].5
Kur njerëzit dëgjuan se i riu Jozef Smith po pretendonte se Perëndia i qe shfaqur Vetë djalit, ata e tallën dhe e kundërshtuan, njësoj si në kohën e krishterë njerëzit e urtë dhe të aftë në Athinë kundërshtuan një burrë të vetëm që shërbente mes tyre. Përsëri fakti mbetet që Pali, në atë përvojë më të hershme, ishte i vetmi njeri në atë qytet të madh të dijes që e dinte se një person mund të kalojë nëpër portat e vdekjes dhe të jetojë përsëri. Ai ishte i vetmi njeri në Athinë që mund të përcaktonte qartësisht ndryshimin midis formalitetit të idhujtarisë dhe adhurimit me zemër të të vetmit Perëndi të vërtetë e të gjallë. [Shih Veprat e Apostujve 17:19–20, 22–23.]6
Ata që e kundërshtuan Shpëtimtarin kur erdhi në tokë me deklaratën se Ai ishte Biri i Perëndisë, thanë për të: “A nuk është ky i biri i marangozit?” (Mateu 13:55.) Kur Jozefi shpalli se pati parë një vegim dhe pati parë Atin dhe Birin, lindën pikëpyetje në mendjet dhe buzët e fqinjëve, meshtarëve dhe njerëzve të qytetit: “A nuk është ky biri i fermerit?” Krishti qe persekutuar dhe qe dënuar me vdekje, por koha kishte qenë mbrojtësja e Tij. Sikurse me të birin e marangozit, kështu kishte qenë edhe me të birin e fermerit.7
Jozef Smithi ishte jo vetëm një njeri i madh, por ai ishte një shërbëtor i frymëzuar i Zotit, një profet i Perëndisë. Madhështia e tij qëndron në një gjë – vërtetësinë e deklaratës së tij se ai pa Atin dhe Birin dhe se ai iu përgjigj realitetit të asaj zbulese hyjnore. …
Unë dëshmoj … se Ati dhe Biri iu shfaqën njëmend Profetit Jozef Smith për ta filluar këtë përparim të madh të punës së ditëve të mëvonshme në kohën tonë.
Unë dëshmoj se djali profet, që në aq shumë mënyra mbetet mrekullia qendrore … e përvojës së kësaj kishe, është një provë e gjallë se, në duart e Perëndisë dhe nën drejtimin e Shpëtimtarit të botës, gjërat e dobëta dhe të thjeshta duhet të dalin përpara dhe të thyejnë të fuqishmit dhe të fortët.8
2
Jezu Krishti rithemeloi Kishën e Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith.
Më gjashtë prill 1830, … një grup burrash dhe grash, duke vepruar të bindur ndaj urdhërimit të Perëndisë, u mblodhën në shtëpinë e z. Piter Uitmer [Plakut] për të organizuar Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. … Askush prej tyre nuk pati ndonjë dituri të veçantë apo aftësi udhëheqëse të rëndësishme. Ata qenë njerëz të nderuar dhe qytetarë të respektuar, por qenë thuajse të panjohur jashtë fqinjësisë së vet të drejtpërdrejtë. …
Këta burra të përulur, të zakonshëm u mblodhën sepse njëri prej tyre, Jozef Smith i Riu, një djalë shumë i ri, pati paraqitur një pretendim shumë mahnitës. Ai u deklaroi atyre dhe gjithë të tjerëve që do të mbanin vesh se ai kishte pasur komunikime të thella dhe të përsëritura qiellore, përfshirë një vegim të hapur të Perëndisë Atit dhe Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit. Si rezultat i këtyre përvojave zbulestare, Jozef Smithi pati botuar tashmë Librin e Mormonit, një anal i marrëdhënieve të Krishtit me banorët e lashtë të Amerikës. Për më tepër, Zoti e pati urdhëruar këtë të ri, në këtë kohë vetëm njëzetë e katër vjeç, të rivendoste Kishën që pati ekzistuar në kohët e Dhiatës së Re dhe se në pastërtinë e tij të rivendosur duhej përsëri të emërtohej sipas emrit të gurit të saj të qoshes dhe kreut të përjetshëm, vetë Zotit Jezu Krisht.
Kështu, përulësisht, por në mënyrë shumë kuptimplotë u hap skena e parë në dramën e madhe të Kishës, që përfundimisht do të ndikonte jo vetëm te brezi i burrave, por te gjithë familja njerëzore. … Një fillim i përulur, po, por pretendimi se Perëndia pati folur, që Kisha e Krishtit qe organizuar përsëri dhe doktrinat e saj qenë ripohuar nga zbulesa hyjnore, ishte deklarata më madhështore që i qe bërë botës qysh prej kohëve të vetë Shpëtimtarit kur Ai eci në udhët e Judesë dhe kodrat e Galilesë.9
Pjesë e zbulesës hyjnore [që Jozef Smithi mori] ishte udhëzimi për të rikrijuar Kishën e vërtetë dhe të gjallë, të rivendosur në këto kohë moderne ashtu siç ekzistonte në kohën e vetë shërbesës tokësore të Shpëtimtarit. Profeti Jozef Smith tha se Kisha e Jezu Krishtit ishte “organizuar në përputhje me urdhërimet dhe zbulesat që Ai na kishte dhënë neve në këto ditë të fundit, si dhe në përputhje me rendin e Kishës siç shënohet në Dhiatën e Re” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 143]. …
… Ata që u pagëzuan në Kishë më gjashtë prill 1830, besonin në ekzistencën e një Perëndie individ; ata besonin se realiteti i Tij dhe realiteti i Birit të Tij, Jezu Krishtit, formojnë themelin e përjetshëm mbi të cilin është ndërtuar kjo kishë.10
Nëpërmjet [Jozef Smithit] dhe nga ngjarjet e njëpasnjëshme, priftëria dhe ungjilli në plotësinë e tij u rivendosën edhe një herë në tokë, për të mos u hequr kurrë më [shih DeB 65:2]. Kisha e Krishtit, mbretëria e Perëndisë në tokë, ishte rikrijuar dhe përcaktuar, sipas shkrimit të shenjtë, për të shkuar përpara dhe për të mbushur gjithë tokën [shih Daniel 2:35].11
3
Jozef Smithi ishte profet, shikues dhe zbulues.
Ardhja e Profetit Jozef në botë ishte plotësimi i një profecie të shqiptuar shumë shekuj përpara nga Jozefi që u shit në Egjipt:
“Një shikues do të ngrejë Zoti, Perëndia im, i cili do të jetë një shikues i zgjedhur prej frytit të ijeve të mia. … Dhe emri i tij do të jetë sikurse i imi; dhe do të jetë sikurse ai i atit të tij” (2 Nefi 3:6, 15).
Jozef Smithit të Riut, iu dha emri i Jozefit të vjetrit që u çua rob në Egjipt dhe gjithashtu sipas emrit të babait të tij, Jozef Smith Plakut, duke përmbushur kështu këtë profeci. Ai njihet si Profeti Jozef Smith dhe thirret “Jozef Shikuesi”. Ai shpesh përmendet si “profet, shikues dhe zbulues”.
Termat “Profet” dhe “Shikues” dhe “Zbulues” përdoren shpesh në vend të njëra-tjetrës dhe mendohen nga shumë njerëz si të ishin e njëjta gjë. Ato nuk janë e njëjta, gjithsesi, dhe këto tre terma kanë kuptime të ndara dhe të ndryshme.
[Plaku] Xhon A. Uitso e përkufizon profetin si një mësues – një njeri që shpjegon të vërtetën. Ai i jep mësim të vërtetën njeriut siç i zbulohet nga Zoti dhe nën frymëzim e shpjegon atë për ta kuptuar njerëzit. Fjala “profet” shpesh përdoret për të përcaktuar dikë që merr zbulesa dhe drejtim nga Zoti. Shumë kanë menduar se një profet është në thelb një parathënës i ngjarjeve dhe ndodhive të ardhme, por kjo është vetëm një nga shumë funksionet e një profeti. Ai është një zëdhënës për Zotin.
Një shikues është dikush që sheh. Kjo nuk do të thotë se ai sheh nëpërmjet syve të tij natyrorë, por më shumë nëpërmjet syve shpirtërorë. Dhurata e të parit është një dhurim [indaument] i mbinatyrshëm. Jozefi ishte i ngjashëm me Moisiun, shikuesin e lashtë, dhe Moisiu e pa Perëndinë ballë për ballë, por ai shpjegon se si e pa atë me këto fjalë:
“Por tani sytë e mi kanë parë Perëndinë; por jo sytë e mi natyrorë, por sytë e mi shpirtërorë, sepse sytë e mi natyrorë nuk mund të kishin parë; sepse do të isha tharë dhe do të kisha vdekur në prani të tij; por lavdia e tij ishte mbi mua; dhe unë pashë fytyrën e tij, sepse isha shpërfytyruar përpara tij” (Moisiu 1:11).
Ne nuk duhet të supozojmë se të shohësh shpirtërisht nuk do të thotë të shohësh vërtet. Një shikim i tillë nuk është mendim apo përfytyrim. Objekti vërtet shihet, por jo me sytë natyrorë. Secili prej nesh ka sy shpirtërorë që janë plotësues të syve tanë natyrorë. Ne qemë krijuar fillimisht shpirtërisht dhe mandej trupat tanë qenë krijuar si mbulesë e shpirtit tonë. Neve na është thënë se në gjendjen tonë të parë ecnim me anë të shikimit. Kjo ishte nëpërmjet shikimit me sytë tanë shpirtërorë sepse neve ende nuk na ishin dhënë trupat me sy natyrorë. Të gjithë njerëzit kanë shikim shpirtëror, por nuk janë kurdoherë të privilegjuar që ta përdorin një shikim të tillë pa u nxitur nga Shpirti i Zotit. …
Me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, disa persona, të dërguar në tokë për atë qëllim, janë në gjendje të shohin dhe të vënë re gjërat që lidhen me Perëndinë. Një shikues është një person që sheh dhe di gjëra që janë të shkuara, dhe gjithashtu gjërat që do të ndodhin, dhe nëpërmjet tyre të gjitha gjërat do të zbulohen (shih Mosia 8:15–17). Shkurt, ai është një person i cili sheh, i cili ecën në dritën e Zotit me sy shpirtërorë të hapur dhe i nxitur nga fuqia e Frymës së Shenjtë. Moisiu, Samueli, Isaia, Ezekieli dhe shumë të tjerë qenë shikues, sepse ata qenë të privilegjuar të kenë pamje më të afërt të lavdisë dhe fuqisë hyjnore sesa kanë të vdekshmit e tjerë.
Një zbulesë bën të njohur diçka të panjohur apo që kishte qenë më parë e njohur nga njeriu dhe është hequr nga kujtesa e tij. Gjithmonë zbulesa merret me të vërtetën dhe gjithmonë shoqërohet me vulën hyjnore të miratimit. Zbulesa merret në mënyra të ndryshme, por gjithmonë parakupton që zbuluesi vetë të ketë jetuar dhe të jetë sjellë në mënyrë të atillë që të jetë në përputhje ose në harmoni me shpirtin hyjnor të zbulesës, shpirtin e së vërtetës dhe si rrjedhojë i aftë që të marrë mesazhe hyjnore.
Për ta përmbledhur, mund të themi se një profet është një mësues i së vërtetës hyjnore, një shikues në gjithë kuptimin e fjalës. Ndjesia e shikimit shpirtëror [e Jozef Smithit] ishte nxitur në një shkallë të mahnitshme nga Fryma e Shenjtë dhe u bë shpirtërore prej tij. Ishte nëpërmjet kësaj dhurate që ai pa Atin dhe Birin kur shkoi në pyll për t’u lutur. Ndërsa ndjekim jetën dhe veprat e tij nga ajo pikë, ne shohim se ai nuk tentoi të vazhdonte me vetë fuqitë e tij. Ai ishte i varur nga Zoti, dhe në këtë mënyrë merrte ndihmën e Tij dhe i jepej udhëzimi i Tij. Jeta e tij u drejtua me anë të zbulesës.12
4
Lavdi njeriut që me Jehovën foli.
Kur këndojmë për Jozef Smithin, “Lavdi Njeriut” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, 1985, f. 50), ne kujtojmë aq shumë gjëra për t’u lavdëruar rreth tij.
Ne e lëvdojmë atë për aftësinë e tij për të biseduar jo vetëm me Jehovan, por gjithashtu me personazhe të tjera të qiellit. Kaq shumë e vizituan, i dhanë çelësa dhe e udhëzuan atë “shikues [të] zgjedhur” të ngritur në ditët e mëvonshme (2 Nefi 3:6–7). Kur Ati Smith e bekoi Jozefin e ri në vitin 1834, ai deklaroi se Jozefi i lashtësisë në Egjipt e pa këtë shikues të ditëve të mëvonshme. Jozefi i lashtësisë qau kur kuptoi se si do t’i bekonte puna e Profetit Jozef pasardhësit e shumtë më të hershëm të Jozefit.
Ne e lëvdojmë Jozef Smithin, gjithashtu, për zellin dhe aftësinë e tij për të përkthyer e për të marrë qindra faqe të shkrimit të shenjtë të zbuluar. Ai qe kanali për zbulesën. Përmes tij, është vlerësuar, kanë kaluar më shumë faqe të mrekullueshme shkrimi të shenjtë sesa përmes cilitdo njeriu tjetër në histori.
Ne e lavdërojmë Jozefin jo vetëm për aftësinë e tij për të duruar por për të “dur[uar] mirë” (DeB 121:8). Më herët, kur ishte djalë, pati një operacion të dhimbshëm në këmbë – operacion pa të cilin ai nuk do ta kishte bërë dot marshimin e mëvonshëm të vështirë të Kampit të Sionit nga Ohajo në Misuri. Gjatë marshimit Jozefi “eci shumicën e kohës dhe pati përvojën e tij të këmbëve me flluska, të përgjakura dhe të lënduara” [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 306]. Po ashtu, ne e lavdërojmë atë dhe Emën që duruan humbjen e dhimbshme të gjashtë prej fëmijëve biologjikë dhe të birësuar në vdekje të hershme. Prindërit që kanë humbur qoftë edhe një fëmijë mbushen me dhimbje.
Ne e lavdërojmë Jozefin për aftësinë për të duruar persekutim, përfshirë humbjet e gjata dhe të ashpra në burgun Liberti. Për aq shumë njerëz, gjithçka atëherë dukej e pashpresë. Përsëri Zoti i qiellit e risiguroi Jozefin e burgosur se “skajet e tokës do të pyesin për emrin tënd” (DeB 122:1). Ne jetojmë në një kohë ku ka kërkim të shtuar rreth Jozef Smithit dhe ungjillit të rivendosur.
Jozefi e ka përmbushur kohë përpara dëshirën e tij që të mund të mbante “një ngarkesë të njëjtë në baraspeshë me” të lashtët [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith, f. 243]. Ne mund të këndojmë tani për atë se si Jozefi ka qenë “kuror’zuar mes profet’ve t’jer’” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, 1985, nr. 50).
Ne e lavdërojmë Jozefin që duroi tradhti të hidhura e të përsëritura dhe zhgënjime. Kështu, ai shkoi në Kartheixh “si një qengj për t’u therur”, “i qetë si një mëngjes vere” dhe “[i] paqortuesh[ëm] përpara … gjithë njerëzve” (DeB 135:4). Ai nuk shkoi në Kartheixh me hidhërim. Ai nuk shkoi në Kartheixh duke u ankuar. Sa aftësi e mrekullueshme për të duruar mirë!
Jozefi e dinte se çfarë udhe kishte përpara. Ishte drejt Shpëtimtarit Jezu Krisht, të cilin ai e dëgjonte gjithmonë qysh kur Ati ynë Qiellor e udhëzoi për herë të parë Jozefin e ri, duke i thënë: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” [Joseph Smith – Historia 1:17].13
5
Jeta dhe misioni i Profetit Jozef Smith na ndihmojnë të drejtohemi tek udhët që të çojnë në jetë të përjetshme.
Unë jam mirënjohës për këtë burrë, për mësimet e tij, për zbulesat e tij, për atë që ai ka lënë për ne, sepse ishte nëpërmjet tij që ungjilli u rivendos në tokë. Unë mendoj se nuk ka histori më të bukur në gjithë historinë sesa historia e thjeshtë dhe e këndshme e djalit të ri që shkoi në pyllin pranë shtëpisë së tij, duke u gjunjëzuar në lutje dhe duke pritur vizitorë qiellorë.
Tani ne shohim në jetën e tij dhe në veprat e tij. Shumë njerëz kanë bërë kërkime për të gjetur misterin e gjithçkaje prapa fjalës së shkruar, por nuk ka mister. … Ishte një besim i thjeshtë, besimi i një djali të ri që duhej të trajnohej në gjërat që lidheshin me Perëndinë. Dhe ndërsa koha kalonte, ky i ri, pa arritje shkollore dhe pa arsimim, qe edukuar nga Zoti për gjërat që duhej të vinin.
Tani neve na është dhënë inteligjencë dhe mendje. Ne kemi nevojë vetëm ta stërvitim dhe ta kultivojmë atë sikurse Zoti e udhëzoi Jozefin, dhe të kemi një besim të thjeshtë sikurse ai e pati dhe të jemi të gatshëm të ndjekim udhëzime të thjeshta. Kur veprojmë kështu dhe ndjekim udhën që [Zoti] do të donte që të ndiqnim dhe të mësonim mësimet që Ai do të donte të mësonim, ne zbulojmë se jeta jonë është e pastruar nga të gjitha gjërat që janë në kundërshtim me qëllimet e Perëndisë, dhe kështu ishte me Jozefin. Ai erdhi për të qenë një njeri më pranë përsosmërisë, sepse ai e pati pastruar shpirtin e tij dhe mendjen e tij dhe jetonte pranë Zotit dhe mund të fliste me Të dhe ta dëgjonte Atë, të thoshte gjërat që ai na ka lënë nëpërmjet zbulesave të tij. Nëpërmjet syve të tij shpirtërorë ai ishte në gjendje të shihte se çfarë ka kaluar dhe çfarë do të vijë në të ardhmen dhe ne kemi pasur prova për vërtetësinë e asaj që ai ka parë. …
Jam mirënjohës për anëtarësinë time në Kishë, dhe dëshmia ime për karakterin hyjnor të saj mbështetet mbi ndodhinë e thjeshtë të djalit të ri nën pemë që gjunjëzohet dhe i vijnë vizitorë qiellorë – jo një Perëndi, por dy personazhe individualë të veçuar, Ati dhe Biri, duke i zbuluar përsëri tokës personazhet e Kreut-Perëndi. Besimi dhe dëshmia ime mbështeten mbi këtë ndodhi të thjeshtë, sepse nëse nuk është e vërtetë, mormonizmi bie. Nëse është e vërtetë – dhe unë jap dëshmi se është e tillë – ajo është një prej ngjarjeve unike më të shkëlqyera në të gjithë historinë.
Është lutja ime [që] ndërsa po përkujtojmë këtë profet të madh dhe mendojmë mbi jetën e tij, që ne të kemi mirënjohje në zemrën tonë për gjërat që kanë ardhur në jetën tonë në saje të shikueshmërisë së tij dhe zbulesës së tij për ne – një shikues i zgjedhur, i ngritur nga Zoti për të na drejtuar ne në këto ditë të mëvonshme, që ne të mund t’i kthejmë hapat tona përsëri tek ato udhë që do të na çojnë në ekzaltim dhe jetë të përjetshme.14
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Përsiatni mësimet e Presidentit Hanter rreth Vegimit të Parë të Jozef Smithit (shih pjesën 1). Si ka ndikuar dëshmia juaj për Vegimin e Parë te ju? Përse është jetike për shenjtorët e ditëve të mëvonshme të kenë një dëshmi se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë?
Cilat janë përshtypjet tuaja ndërsa rishikoni mësimet e Presidentit Hanter rreth organizimit të Kishës? (Shih pjesën 2.) Çfarë bekimesh kanë ardhur te ju dhe familja juaj nëpërmjet Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit?
Përse është e dobishme të kuptohen domethëniet e titujve profet, shikues dhe zbulues? (Shih pjesën 3.) Si jeni bekuar ju nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit?
Te pjesa 4, Presidenti Hanter përvijon disa nga arsyet që ne lavdërojmë Jozef Smithin. Si e kanë rritur këto mësime vlerësimin tuaj për Profetin Jozef? Çfarë mund të mësoni ju nga shembulli i Jozef Smithit?
Rishikoni mësimet e Presidentit Hanter rreth besimit, edukimit shpirtëror dhe bindjes së Jozef Smithit (shih pjesën 5). Si zbatohen këto mësime për ne? Si mund të tregojmë ne mirënjohje për bekimet që na kanë ardhur nëpërmjet Profetit Jozef Smith?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 50:25–33; Daniel 2:44; Efesianëve 2:19–22; 4:11–14; DeB 1:17–32; 5:9–10; 122:1–2; 135; Joseph Smith – Historia
Ndihmë për Studimin
“Ndërsa ndieni gëzimin që vjen nga të kuptuarit e ungjillit, ju do të ndieni dëshirën për ta zbatuar atë që mësoni. Përpiquni të jetoni në harmoni me botëkuptimin tuaj. Duke e bërë këtë do të forconi besimin, njohurinë dhe dëshminë tuaj” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 19).