Zemra e një Profeti
Ne mund të gëzohemi që profeti i Zotit është në vendin e duhur dhe që puna e Zotit po bëhet në mënyrën hyjnore që Ai e ka përshkruar.
Jam lutur me zjarr që Fryma e Shenjtë do të jetë me secilin prej nesh sot në këtë ngjarje qiellore. Ajo që kemi dëshmuar bashkërisht ka qenë shumë mbresëlënëse ndërsa profeti i 17-të i kësaj periudhe ungjillore është mbështetur në një kuvend solemn.
Ndërsa kërkova udhërrëfim për të ditur temën që Zoti donte të trajtoja sot, mendja më shkoi te një bashkëbisedim i kohëve të fundit me Presidencën e Parë të sapothirrur. Në këtë diskutim, njëri prej këshilltarëve shprehu fjalë të ngjashme me këto: “Unë shpresoj thellësisht që anëtarësia e Kishës të mund ta kuptojë rëndësinë e asaj që ka ndodhur me thirrjen e profetit tonë të ri, Presidentit Rasëll M. Nelson, dhe rëndësinë e shenjtërinë e kuvendit solemn që do të ndodhë në konferencën e përgjithshme”. Ai vëzhgoi më tej: “Kanë kaluar 10 vjet, dhe shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë e Kishës, nuk e mbajnë mend ose nuk e kanë përjetuar këtë më parë”.
Kjo më bëri të reflektoj mbi përvojat që kam pasur. Profeti i parë që sjell ndërmend është Presidenti Dejvid O. Mek-Kej. Isha 14 vjeç kur ai ndërroi jetë. Më kujtohen një ndjesi humbjeje që e shoqëroi vdekjen e tij, lotët në sytë e nënës sime dhe pikëllimi i ndier nga e gjithë familja jonë. Më kujtohet se si fjalët “Të lutem bekoje Presidentin Dejvid O. Mek-Kej” dilnin kaq natyrshëm nga buzët e mia kur lutesha saqë, nëse nuk isha i kujdesshëm, edhe pas vdekjes së tij, e gjeja veten duke përdorur të njëjtat fjalë. Pyesja veten nëse zemra dhe mendja ime do të kishin të njëjtën ndjenjë dhe bindje për profetët që do ta pasonin atë. Por, pothuajse si prindërit që e duan secilin prej fëmijëve të tyre, unë gjeta dashuri, u lidha dhe fitova dëshmi për Profetin Jozef Filding Smith, i cili pasoi Presidentin Mek-Kej, dhe për secilin prej profetëve më pas: Harold B. Li, Spenser W. Kimball, Ezra Taft Benson, Hauard W. Hanter, Gordon B. Hinkli, Tomas S. Monson, dhe sot Presidentin Rasëll M. Nelson. E mbështeta plotësisht secilin profet me dorën të ngritur lart – dhe zemrën të lartësuar.
Ndërkohë që secili prej profetëve tanë të dashur ka ndërruar jetë, është më se e natyrshme të kemi një ndjenjë pikëllimi dhe humbjeje. Por trishtimi ynë zbutet nga gëzimi dhe shpresa që vijnë kur përjetojmë njërin nga bekimet e mëdha të Rivendosjes: thirrjen dhe mbështetjen e një profeti të gjallë në tokë.
Për këtë qëllim, unë do të flas për këtë proces hyjnor siç u vërejt gjatë 90 ditëve të fundit. Do ta përshkruaj atë në katër segmente: së pari, vdekjen e profetit tonë të dashur dhe shpërbërjen e Presidencës së Parë; së dyti, periudhën kohore në pritje të riorganizimit të Presidencës së Parë të re; së treti, thirrjen e profetit të ri; dhe së katërti, mbështetjen e profetit të ri dhe të Presidencës së Parë në kuvendin solemn.
Vdekja e një Profeti
Më 2 janar 2018, profeti ynë i dashur, Tomas S. Monsoni, kaloi në anën tjetër të velit. Ai do të ketë përgjithmonë një vend në zemrat tona. Presidenti Henri B. Ajring shprehu ndjenja për vdekjen e Presidentit Monson, të cilat përshkruajnë shkurtimisht ndjenjat tona: “Shenja dalluese e jetës së tij, ashtu si e Shpëtimtarit, do të jetë shqetësimi i tij individual për të ndihmuar të varfrit, të sëmurët – madje të gjithë individët – në mbarë botën”.
Presidenti Spenser W. Kimball shpjegoi:
“Ndërsa një yll zbret përtej horizontit, një tjetër shfaqet, dhe vdekja prodhon jetë.
Vepra e Zotit është e pafundme. Edhe kur vdes një udhëheqës i fuqishëm, për asnjë çast të vetëm Kisha nuk është pa udhëheqje, në saje të Perëndisë që i jep vazhdimësi dhe pafundësi mbretërisë së tij. Ashtu siç ka ndodhur tashmë … më parë në këtë periudhë ungjillore, një popull me nderim e mbyll një varr, i than lotët dhe ata i kthejnë fytyrat e tyre drejt së ardhmes.”
Ndërqeverisja Apostolike
Periudha kohore ndërmjet vdekjes së një profeti dhe riorganizimit të Presidencës së Parë përmendet si një “ndërqeverisje apostolike”. Gjatë kësaj periudhe, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, nën udhëheqjen e presidentit të kuorumit, i mban çelësat së bashku për të administruar udhëheqjen e Kishës. Presidenti Jozef F. Smith tha: “Gjithmonë ka një krye në Kishë dhe nëse Presidenca e Kishës hiqet nga vdekja ose nga ndonjë shkak tjetër, atëherë kreu pasues i Kishës janë Dymbëdhjetë Apostujt, derisa të organizohet sërish një presidencë”.
Periudha më e fundit e ndërqeverisjes filloi kur Presidenti Monson vdiq më 2 janar dhe përfundoi 12 ditë më vonë, të dielën më 14 janar. Në atë mëngjes Shabati, Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve u takua në dhomën e sipërme të Tempullit të Solt-Lejkut në një frymë agjërimi dhe lutjeje, nën drejtimin kryesues të Presidentit Rasëll M. Nelson, Apostullit më të vjetër në detyrë dhe Presidentit të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.
Thirrja e një Profeti të Ri
Në këtë mbledhje të shenjtë dhe të paharrueshme, duke ndjekur një praktikë të mëparshme, të vendosur në unitet dhe njëzëri, Vëllezërit u ulën sipas vjetërsisë në detyrë në një gjysmërrethi me 13 karrige dhe i ngritën duart fillimisht për të mbështetur organizimin e një Presidence të Parë dhe më pas për ta mbështetur Presidentin Rasëll Marion Nelson si President të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kjo mbështetje u pasua nga mbledhja e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve në një rreth dhe vendosja e duarve mbi kokën e Presidentit Nelson për ta shuguruar e veçuar atë, me Apostullin pasues më të vjetër në detyrë që vepronte si zë.
Më pas Presidenti Nelson përmendi emrat e këshilltarëve të tij, Presidentin Dallin Harris Ouks, Presidentin Henri B. Ajring, me Presidentin Ouks si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe Presidentin Melvin Rasëll Ballard si President Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Pas votimeve të ngjashme mbështetëse, secili prej këtyre Vëllezërve u veçua në detyrat e tij përkatëse nga Presidenti Nelson. Kjo ishte një përvojë thellësisht e shenjtë, me një derdhje të shumtë të Shpirtit. Ju ofroj dëshminë time absolute se vullneti i Zotit, për të cilin ne u lutëm me zjarr, u shfaq fuqishëm në veprimtaritë dhe ngjarjet e asaj dite.
Me shugurimin e Presidentit Nelson dhe riorganizimin e Presidencës së Parë, ndërqeverisja apostolike mbaroi, dhe Presidenca e Parë e sapoformuar filloi të funksionojë, mrekullisht, pa asnjë sekondë ndërprerjeje në qeverisjen e mbretërisë së Zotit në tokë.
Kuvendi Solemn
Këtë mëngjes, ky proces hyjnor kulmoi në përputhje me mandatin nga shkrimet e shenjta të përvijuar te Doktrina e Besëlidhje: “Pasi të gjitha gjërat duhet të bëhen në rregull dhe me miratimin e përbashkët në kishë, me anë të lutjes së besimit” dhe “tre Priftërinj të Lartë Kryesues, … të mbështetur nga mirëbesimi, besimi dhe lutja e kishës, përbëjnë një kuorum të Presidencës së Kishës”.
Plaku Dejvid B. Hejt përshkroi një dukuri të mëparshme të asaj që ne morëm pjesë sot:
“Ne jemi dëshmitarë dhe pjesëmarrës në një rast shumë të shenjtë – një kuvend solemn për të vepruar sipas gjërave qiellore. Ashtu si në kohët e lashta, ka pasur shumë agjërim dhe lutje të ofruar nga shenjtorët anembanë botës, që ata të mund të merrnin një derdhje të shumtë të Shpirtit të Zotit, e cila është kaq e dukshme … në këtë rast, këtë mëngjes.
Një kuvend solemn, sikurse e nënkupton emri, shënon një rast të shenjtë, të matur dhe plot nderim kur shenjtorët mblidhen nën drejtimin e Presidencës së Parë”.
Vëllezër e motra, ne mund të gëzohemi – madje të bërtasim “Hosana!” – se zëdhënësi i Zotit, një profet i Perëndisë, është në vendin e duhur dhe se Zoti është i kënaqur që puna e Tij po bëhet në mënyrën hyjnore që Ai e ka përshkruar.
Presidenti Rasëll M. Nelson
Ky proces i shuguruar në mënyrë hyjnore çon drejt një profeti tjetër të thirrur në mënyrë hyjnore. Ashtu si Presidenti Monson ishte një nga banorët më të mëdhenj që jetoi në këtë tokë, po kështu është Presidenti Nelson. Ai është përgatitur thellësisht dhe mbikëqyrur posaçërisht nga Zoti për të na udhëhequr në këtë kohë. Çfarë bekimi i madh është që ta kemi tani Presidentin e shtrenjtë Rasëll M. Nelson si profetin tonë të dashur e të përkushtuar – Presidentin e 17-të të Kishës në këtë periudhë të fundit ungjillore.
Presidenti Nelson është me të vërtetë një njeri i jashtëzakonshëm. Pata privilegjin të shërbej në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve me të si presidentin tim të kuorumit për më shumë se dy vjet. Kam udhëtuar me të dhe mrekullohem nga energjia e tij, teksa një njeri përpiqet të ruajë të njëjtin ritëm me të. Në tërësi, ai ka vizituar 133 vende gjatë jetës së tij.
Rrezja e veprimit të tij shtrihet tek të gjithë, të rinj e të vjetër. Duket se i njeh të gjithë dhe është veçanërisht i talentuar për t’i mbajtur mend emrat. Të gjithë ata që e njohin, e ndiejnë se janë të parapëlqyerit e tij. Dhe kështu është me secilin prej nesh – për shkak të dashurisë dhe shqetësimit të tij të vërtetë për çdokënd.
Shoqërimi im kryesor me Presidentin Nelson ka qenë në role kishtare, prapëseprapë, unë jam njohur edhe me jetën profesionale që bëri Presidenti Nelson përpara se të thirrej si Autoritet i Përgjithshëm. Siç shumë prej jush e dinë, Presidenti Nelson ishte një kirurg zemre i njohur në botë dhe, në fillim të karrierës së tij mjekësore, ishte një nga njerëzit e parë që zhvilloi makinerinë zemër-mushkëri. Ai ishte në ekipin kërkimor që mbështeti ndërhyrjen e parë me zemër të hapur te një qenie njerëzore, në vitin 1951, duke përdorur një bajpas zemër-mushkëri. Presidenti Nelson kreu një ndërhyrje në zemër për Presidentin Spenser W. Kimball, jo shumë kohë përpara se Presidenti Kimball të bëhej profeti.
Në mënyrë interesante, ndërsa thirrja e Presidentit Nelson tek Të Dymbëdhjetët 34 vjet më parë i dha fund një karriere profesionale mjekësore për forcimin dhe rregullimin e zemrës, ajo filloi një shërbesë si një Apostull kushtuar forcimit dhe rregullimit të zemrave të dhjetëra mijërave njerëzve të panumërt anembanë botës, të cilët janë lartësuar e shëruar nga fjalët e tij dhe nga veprat e diturisë, shërbimit e dashurisë.
Një Zemër si e Krishtit
Kur përfytyroj një zemër si të Krishtit në ushtrimin e përditshëm, unë shoh Presidentin Nelson. Nuk kam takuar asnjë njeri që e mishëron këtë tipar në një nivel më të lartë sesa e bën ai. Ka qenë një kujdestari mbresëlënëse për mua të jem në pozitën për të vëzhguar drejtpërsëdrejti shfaqjet e zemrës si të Krishtit të Presidentit Nelson.
Brenda disa javësh nga thirrja ime tek Të Dymbëdhjetët, në tetor 2015, unë pata mundësinë që të kisha një vështrim nga afër të jetës së mëparshme profesionale të Presidentit Nelson. U ftova të merrja pjesë në një ngjarje ku ai u nderua si pionier për kirurgjinë e zemrës. Kur hyra në sallë, u habita kur pashë numrin e madh të njerëzve profesionistë që ishin atje për të nderuar e vlerësuar punën që Presidenti Nelson e kishte bërë shumë vite më parë si doktor dhe kirurg.
Atë mbrëmje, shumë njerëz të profesionit u ngritën dhe shprehën respektin dhe admirimin e tyre për ndihmesën e jashtëzakonshme të Presidentit Nelson në specialitetin e tij mjekësor. Pavarësisht nga sa mbresëlënës ishte secili prej prezantuesve në përshkrimin e arritjeve të ndryshme të Presidentit Nelson, unë isha edhe më i magjepsur nga një bisedë që nisa me një burrë i cili qe ulur pranë meje. Ai nuk e dinte se kush isha, por e njihte Presidentin Nelson si Dr. Nelson, drejtor të programit të praktikantëve të kirurgjisë së toraksit në një shkollë mjekësore në vitin 1955.
Ky burrë ishte ish-student i Presidentit Nelson. Ai tregoi shumë kujtime. Më interesanti ishte përshkrimi i tij i stilit të mësimdhënies së Presidentit Nelson, i cili, tha ai, solli me vete një masë të madhe të famës. Ai shpjegoi se shumë nga mësimdhënia për praktikantët e kirurgjisë së zemrës zhvillohej në sallën e operacionit. Atje, praktikantët vëzhgonin dhe kryenin ndërhyrje nën mbikëqyrjen e trupës pedagogjike, si një klasë laboratorike. Ai tregoi se mjedisi i dhomës së operacionit nën kirurgë të caktuar të trupës pedagogjike ishte kaotik, konkurrues, i mbushur me tension dhe madje i shtyrë nga egoja. Ky burrë e përshkroi atë si një mjedis të vështirë, ndonjëherë madje poshtërues. Si rrjedhojë, kirurgët praktikantë madje ndienin se karrierat e tyre shpesh ishin në rrezik.
Pastaj ai shpjegoi mjedisin e pashoq që gjendej në sallën e operacionit të Presidentit Nelson. Ishte paqësor, i qetë dhe dinjitoz. Praktikantët trajtoheshin me respekt të thellë. Megjithatë, pas paraqitjes së një procedure, Dr. Nelsoni priste nivelin më të lartë të kryerjes nga secili prej praktikantëve. Ky burrë përshkroi më tej se si rezultatet më të mira të pacientëve dhe kirurgët më të mirë dolën nga dhoma e operimit të Dr. Nelsonit.
Kjo nuk ishte aspak një habi për mua. Kjo është ajo që kam vëzhguar drejtpërdrejtë dhe prej së cilës jam bekuar me të vërtetë në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. Ndihem sikur kam qenë, në njëfarë kuptimi, një nga “praktikantët e tij në trajnim”.
Presidenti Nelson ka një mënyrë të jashtëzakonshme për t’i mësuar të tjerët dhe për të ofruar korrigjim në një mënyrë pozitive, respektuese dhe lartësuese. Ai është mishërimi i një zemre si të Krishtit dhe një shembull për të gjithë ne. Prej tij mësojmë se në çfarëdo rrethane që e gjejmë veten tonë, sjellja jonë dhe zemrat tona mund të jenë në përputhje me parimet e ungjillit të Jezu Krishtit.
Tani ne kemi bekimin e madh për ta mbështetur profetin tonë, Presidentin Rasëll M. Nelson. Gjatë gjithë jetës së tij, ai i ka lartësuar rolet e tij të shumta si student, baba, profesor, bashkëshort, doktor, udhëheqës i priftërisë, gjysh dhe Apostull. Ai i përmbushi këto role atëherë – dhe vazhdon ta bëjë këtë – me zemrën e një profeti.
Vëllezër e motra, ajo që kemi dëshmuar sot dhe në të cilën kemi marrë pjesë, në një kuvend solemn, më çon drejt dëshmisë sime se Presidenti Rasëll M. Nelson është zëdhënësi i gjallë i Zotit për gjithë njerëzimin. Unë gjithashtu shtoj dëshminë time për Perëndinë, Atin, për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.