Profetët Flasin nëpërmjet Fuqisë së Shpirtit të Shenjtë
Profetët që ne i kemi, janë shenjë e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij. Ata bëjnë të ditur premtimet dhe natyrën e vërtetë të Perëndisë dhe të Jezu Krishtit.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kudo qofshi, unë do të doja t’ju shprehja falënderimet e mia të sinqerta dhe të thella për votën tuaj mbështetëse dje. Edhe pse si Moisiu nuk ndihem njeri i gojës dhe ndihem i ngathtë në fjalë, unë e ngushëlloj veten me fjalët e Zotit drejtuar atij:
“Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti?
Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash” (Eksodi 4:11–12; shih edhe vargun 10).
Marr gjithashtu lehtësim nga dashuria dhe mbështetja e bashkëshortes sime të dashur. Ajo ka qenë shembull i mirësisë, dashurisë dhe përkushtimit tërësor ndaj Zotit për mua dhe familjen time. E dua atë me çdo grimë të zemrës sime dhe jam mirënjohës për ndikimin pozitiv që ajo ka pasur mbi ne.
Vëllezër e motra, unë duaj t’ju dëshmoj se Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Perëndisë në tokë. Nuk kam parë kurrë asnjë njeri më të mirë dhe më të dashur sesa është ai. Edhe pse unë u ndjeva i papërshtatshëm për këtë thirrje të shenjtë, fjalët e tij dhe vështrimi i dhembshur në sytë e tij, teksa ma drejtoi këtë përgjegjësi, më bënë të ndihem i përqafuar nga dashuria e Shpëtimtarit. Faleminderit, Presidenti Nelson. Unë ju mbështet dhe ju dua.
A nuk është bekim të kemi profetë, shikues dhe zbulues në tokë në këto ditë në të cilat jetojmë, të cilët kërkojnë të dinë vullnetin e Zotit dhe ta ndjekin atë vullnet? Është ngushëlluese të dimë se nuk jemi vetëm në botë, pavarësisht nga sfidat me të cilat përballemi në jetë. Profetët që ne i kemi, janë shenjë e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij. Ata ua bëjnë të ditur premtimet dhe natyrën e vërtetë të Perëndisë dhe të Jezu Krishtit popullit të Tyre. E kam mësuar këtë gjë nëpërmjet përvojave të mia vetjake.
Tetëmbëdhjetë vjet më parë, bashkëshortja ime dhe unë morëm një telefonatë nga Presidenti Xhejms E. Faust, në atë kohë Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë. Na thirri që të shërbenim në Portugali si president misioni dhe shoqja e presidentit të misionit. Na tha se kishim vetëm gjashtë javë përpara se ta fillonim misionin. Edhe pse u ndiem të papërgatitur dhe të papërshtatshëm, ne e pranuam thirrjen. Shqetësimi ynë më i rëndësishëm në atë kohë ishte që të merrnim vizat e kërkuara për të shërbyer në atë vend ngaqë, sipas përvojave tona të shkuara, ne e dinim se procesi kërkonte gjashtë deri në tetë muaj që të përfundohej.
Presidenti Faust atëherë na pyeti nëse kishim besim që Zoti do të kryente një mrekulli dhe që do të ishim në gjendje ta zgjidhnim problemin e vizave më shpejt. Përgjigjja jonë ishte një “po” e madhe dhe filluam t’i bënim përgatitjet menjëherë. I përgatitëm dokumentet e kërkuara për vizat, i morëm fëmijët tanë të vegjël dhe shkuam në konsullatë sa më shpejt që mundeshim. Një zonjë shumë e mirë u takua me ne atje. Pasi i shqyrtoi dokumentet tona dhe pasi mësoi se çfarë do të bënim në Portugali, ajo u kthye nga ne dhe pyeti: “A do ta ndihmoni me të vërtetë popullin e vendit tim?” U përgjigjëm “po” me vendosmëri dhe shpjeguam se do të përfaqësonim Jezu Krishtin dhe do të dëshmonim për Të dhe misionin e Tij hyjnor në botë. U kthyem atje katër javë më vonë, i morëm vizat tona dhe hymë në fushën e misionit brenda gjashtë javësh, siç na kishte kërkuar të bënim një profet i Zotit.
Vëllezër dhe motra, nga thellësia e zemrës, unë dëshmoj se profetët flasin me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë. Ata dëshmojnë për Krishtin dhe misionin e Tij hyjnor në tokë. Ata përfaqësojnë mendjen dhe zemrën e Zotit dhe thirren për ta përfaqësuar Atë dhe për të na mësuar se çfarë duhet të bëjmë që të kthehemi për të jetuar në praninë e Perëndisë dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit. Ne bekohemi kur e ushtrojmë besimin tonë dhe i ndjekim mësimet e tyre. Duke i ndjekur ata, jeta jonë është më e lumtur dhe më pak e ndërlikuar, vështirësitë dhe problemet tona janë më të lehta për t’u mbajtur dhe ne krijojmë një armaturë shpirtërore përreth nesh, e cila do të na mbrojë nga sulmet e armikut në kohën tonë.
Në këtë ditë Pashke, solemnisht dëshmoj që Jezu Krishti është ngritur, Ai jeton dhe që Ai e drejton Kishën e Tij mbi tokë nëpërmjet profetëve, shikuesve dhe zbuluesve të Tij. Unë dëshmoj se Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës dhe se nëpërmjet Tij ne mund të shpëtohemi dhe të ekzaltohemi në praninë e Perëndisë sonë të dashur. Unë e dua Atë; unë e adhuroj Atë. Dua ta ndjek Atë dhe të bëj vullnetin e Tij dhe të bëhem më shumë si Ai. I them përulësisht këto gjëra në emrin e shenjtë të Zotit tonë, Jezu Krishtit, amen.