Gjithmonë Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja
Nëpërmjet fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm, ne gjithmonë mund ta mbajmë një heqje të mëkateve tona.
Një frazë shumë domethënëse, e përdorur nga mbreti Beniamin në mësimet e dhëna prej tij rreth Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij, ka qenë një temë e rishfaqur në studimin dhe përsiatjen time për shumë vite.
Në predikimin e tij që të nxit shpirtërisht, drejtuar njerëzve që u kishte shërbyer dhe të cilët i kishte dashur, mbreti Beniamin përshkroi rëndësinë e njohurisë së lavdisë së Perëndisë dhe të të shijuarit të dashurisë së Tij, të marrjes së një heqjeje të mëkateve, të kujtuarit gjithmonë të madhështisë së Perëndisë, të lutjes së përditshme dhe të qëndrimit të palëkundur në besim. Ai gjithashtu premtoi se duke i bërë këto gjëra, “ju do të gëzoheni gjithmonë dhe do të mbusheni me dashurinë e Perëndisë dhe gjithmonë do të mbani një heqje të mëkateve tuaja”.
Mesazhi im përqendrohet te parimi i mbajtjes gjithmonë të një heqjeje të mëkateve tona. E vërteta e shprehur në këtë frazë mund ta forcojë besimin tonë në Zotin Jezu Krisht dhe ta thellojë dishepullimin tonë. Unë lutem që Fryma e Shenjtë do të na frymëzojë dhe lartësojë ndërkohë që marrim parasysh së bashku të vërteta të rëndësishme shpirtërore.
Rilindja Shpirtërore
Në vdekshmëri ne përjetojmë lindjen fizike dhe mundësinë për rilindje shpirtërore. Ne këshillohemi nga profetët dhe apostujt që të zgjohemi në Perëndinë, të “lind[emi] rishtas” dhe të bëhemi krijesa të reja në Krishtin, duke i marrë në jetën tonë bekimet e bëra të mundura nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. “Merita[t] dhe mëshir[a] dhe hiri [i] Mesias së Shenjtë” mund të na ndihmojnë që të triumfojmë mbi prirjet përqendruese te vetja dhe egoiste të njeriut natyror dhe të bëhemi më vetëmohues, dashamirës dhe shenjtërorë. Ne këshillohemi që të jetojmë në mënyrë të tillë që të “qëndro[jmë] pa njollë para [Zotit] në ditën e fundit”.
Fryma e Shenjtë dhe Ordinancat e Priftërisë
Profeti Jozef Smith e përmblodhi shkurtimisht rolin thelbësor të ordinancave të priftërisë në ungjillin e Jezu Krishtit: “Të lindesh përsëri vjen nga Shpirti i Perëndisë nëpërmjet ordinancave”. Kjo thënie lehtësisht e kuptueshme thekson rolet si të Frymës së Shenjtë, ashtu edhe të ordinancave të shenjta në procesin e rilindjes shpirtërore.
Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi. Ai është një personazh i shpirtit dhe jep dëshmi për gjithë të vërtetën. Në shkrimet e shenjta Frymës së Shenjtë i drejtohemi si Ngushëlluesi, një mësues dhe një zbulues. Përveç këtyre, Fryma e Shenjtë është një shenjtërues, i cili pastron dhe djeg papastërtinë dhe ligësinë nga shpirtrat njerëzorë si nëpërmjet zjarrit.
Ordinancat e shenjta janë thelbësore në ungjillin e Shpëtimtarit dhe në procesin e ardhjes tek Ai dhe të kërkimit të rilindjes shpirtërore. Ordinancat janë veprime të shenjta që kanë qëllim shpirtëror, rëndësi të përjetshme dhe lidhen me ligjet dhe statutet e Perëndisë. Të gjitha ordinancat shpëtuese dhe ordinanca e sakramentit duhet të autorizohen nga dikush që mban çelësat e nevojshme të priftërisë.
Ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit, të administruara në Kishën e rivendosur të Zotit, janë shumë më tepër sesa kryerje rituale apo simbolike. Përkundrazi, ato përbëjnë kanalet e autorizuara nëpërmjet të cilave bekimet dhe fuqitë e qiellit mund të rrjedhin brenda jetës sonë individuale.
“Dhe kjo priftëri më e madhe administron ungjillin dhe mban çelësin e mistereve të mbretërisë, madje çelësin e diturisë së Perëndisë.
Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet.
Dhe pa ordinancat e saj dhe pa autoritetin e priftërisë, fuqia e perëndishmërisë nuk u manifestohet njerëzve në mish.”
Ordinancat e marra dhe të nderuara me integritet moral janë të domosdoshme për marrjen e fuqisë së shenjtërisë dhe të gjitha bekimeve të vëna në dispozicion nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit.
Marrja dhe Mbajtja e një Heqjeje të Mëkateve nëpërmjet Ordinancave
Për ta kuptuar më tërësisht procesin me anë të të cilit ne e marrim dhe gjithmonë e mbajmë një heqje të mëkateve tona, ne fillimisht nevojitet të kuptojmë marrëdhënien e pandashme midis tri ordinancave të shenjta që sigurojnë mundësinë për t’i përdorur fuqitë e qiellit: pagëzimit me anë të zhytjes, vënies së duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe sakramentit.
Pagëzimi me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve “është ordinanca paraprirëse e ungjillit” të Jezu Krishtit dhe duhet të paraprihet nga besimi në Shpëtimtarin dhe nga pendimi i sinqertë. Kjo ordinancë “është një shenjë dhe një urdhërim që Perëndia e ka vendosur për [fëmijët e Tij] që të hyj[në] në mbretërinë e Tij”. Pagëzimi administrohet nga autoriteti i Priftërisë Aarone. Në procesin e ardhjes te Shpëtimtari dhe të rilindjes shpirtërore, pagëzimi siguron një pastrim fillestar të domosdoshëm të shpirtit tonë nga mëkati.
Besëlidhja pagëzimore përfshin tri zotime themelore: 1) të jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit, 2) gjithmonë ta kujtojmë Atë dhe 3) t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Bekimi i premtuar për nderimin e kësaj besëlidhjeje është “që të mund të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e Tij me [ne]”. Kështu, pagëzimi është përgatitja thelbësore për të marrë mundësinë e autorizuar për shoqërimin e vazhdueshëm të anëtarit të tretë të Kreut-Perëndi.
“Pagëzimi [me anë të] ujit … duhet të pasohet nga pagëzimi i Shpirtit me qëllim që të jetë i plotë”. Sikurse Shpëtimtari i dha mësim Nikodemit, “Kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”.
Tri thënie nga Profeti Jozef Smith e theksojnë lidhjen jetike midis ordinancave të pagëzimit me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve dhe të vënies së duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë:
Thënia 1: “Pagëzimi është një ordinancë e shenjtë përgatitore për marrjen e Frymës së Shenjtë; është kanali dhe çelësi nga ku do të administrohet Fryma e Shenjtë”.
Thënia 2: “Ju do të mund të pagëzonit njëlloj një thes me rërë në vend të një njeriu dhe do të kishte të njëjtën pasojë, nëse nuk do të bëhej nga pikëpamja e heqjes së mëkateve dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Pagëzimi me ujë është vetëm gjysmë pagëzim dhe nuk vlen për asgjë pa gjysmën tjetër – që është pagëzimi i Frymës së Shenjtë.”
Thënia 3: “Pagëzimi me ujë, pa pagëzimin me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë që e pasojnë atë, është i kotë. Ata janë të lidhur në mënyrë të domosdoshme dhe të pandashme.”
Lidhshmëria e vazhdueshme midis parimit të pendimit, ordinancave të pagëzimit dhe marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe bekimit të lavdishëm të heqjes së mëkateve theksohet në mënyrë të përsëritur në shkrimet e shenjta.
Nefi shpalli: “Pasi porta nëpër të cilën ju duhet të hyni është pendimi dhe pagëzimi me anë të ujit; dhe pastaj vjen një heqje e mëkateve tuaja me anë të zjarrit dhe me anë të Frymës së Shenjtë ”.
Shpëtimtari Vetë shpalli: “Tani ky është urdhërimi: Pendohuni, të gjitha ju skajet e tokës dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje, në ditën e fundit.”
Vënia e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë është një ordinancë e administruar nga autoriteti i Priftërisë Melkizedeke. Në procesin e ardhjes te Shpëtimtari dhe rilindjes shpirtërore, marrja e fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë në jetën tonë krijon mundësinë e një pastrimi të vazhdueshëm të shpirtit tonë nga mëkati. Ky bekim i gëzueshëm është jetik ngaqë “asgjë e papastër nuk mund të jetojë me Perëndinë”.
Si anëtarë të Kishës së rivendosur të Zotit, ne bekohemi si nëpërmjet pastrimit tonë fillestar nga mëkati, që lidhet me pagëzimin dhe me mundësinë për një pastrim të vazhdueshëm nga mëkati, të mundësuar nëpërmjet shoqërimit dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë – që është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi.
Merrni parasysh se si një fermer mbështetet te modeli i pandryshueshëm i mbjelljes dhe korrjes. Të kuptuarit e lidhjes midis mbjelljes dhe korrjes është një burim i vazhdueshëm qëllimi dhe i ndikon të gjitha vendimet dhe veprimet që i ndërmerr një fermer në të gjitha stinët e vitit. Në mënyrë të ngjashme, lidhja e pandashme midis ordinancës së pagëzimit me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve dhe vënia e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë duhet ta ndikojë çdo aspekt të dishepullimit tonë në të gjitha stinët e jetës sonë.
Sakramenti është ordinanca e tretë e domosdoshme për të marrë përdorimin e fuqisë së shenjtërisë. Që të mund ta ruajmë veten tonë në mënyrë më tërësore të panjollë nga bota, ne urdhërohemi që të shkojmë në shtëpinë e lutjes dhe të ofrojmë sakramentet tona në ditën e shenjtë të Zotit. Ju lutem të merrni parasysh se emblemat e trupit dhe të gjakut të Zotit, buka dhe uji, që të dyja bekohen dhe shenjtërohen. “O Perëndi, Ati i Amshuar, ne të kërkojmë ty në emër të Birit tënd, Jezu Krishtit, t’u bekosh e t’u shenjtërosh këtë bukë [ose këtë ujë] shpirtrave të të gjithë atyre që marrin [pinë] prej saj.” Të shenjtërosh do të thotë ta bësh të pastër e të shenjtë. Emblemat e sakramentit shenjtërohen në kujtim të pastërtisë së Krishtit, të vartësisë sonë tërësore ndaj Shlyerjes së Tij dhe të përgjegjësisë sonë për t’i nderuar në këtë mënyrë ordinancat e besëlidhjet tona, që ne të mund të “qëndro[jmë] pa njollë para [Tij] në ditën e fundit”.
Ordinanca e sakramentit është një ftesë e shenjtë dhe e përsëritur për t’u penduar sinqerisht dhe për t’u ripërtërirë shpirtërisht. Veprimi i marrjes së sakramentit, në vetvete, nuk na pastron nga mëkatet. Por ndërsa përgatitemi në mënyrë të ndërgjegjshme dhe marrim pjesë në këtë ordinancë të shenjtë me një zemër të thyer e shpirt të penduar, atëherë premtimi është që ne mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Zotit me ne. Dhe nëpërmjet fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm, ne gjithmonë mund ta mbajmë një heqje të mëkateve tona.
Me të vërtetë ne bekohemi çdo javë me anë të mundësisë për ta vlerësuar jetën tonë nëpërmjet ordinancës së sakramentit, për t’i ripërtërirë besëlidhjet tona dhe për ta marrë këtë premtim të besëlidhjes.
Të Pagëzuar Sërish
Nganjëherë shenjtorët e ditëve të mëvonshme shprehin dëshirën që të mund të pagëzoheshin sërish – dhe në këtë mënyrë të bëhen po aq të pastër e të denjë sa në ditën në të cilën e morën ordinancën e tyre të parë shpëtuese të ungjillit. Me respekt më lejoni të sugjeroj se Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur nuk kanë për qëllim që ne ta përjetojmë një ndjenjë të tillë të ripërtëritjes, rigjallërimit dhe rivendosjes shpirtërore vetëm një herë në jetën tonë. Bekimet e marrjes dhe të mbajtjes së heqjes së mëkateve tona gjithmonë nëpërmjet ordinancave të ungjillit na ndihmojnë të kuptojmë se pagëzimi është një pikë nisjeje në udhëtimin tonë shpirtëror në vdekshmëri; nuk është një vendmbërritje të cilën na merr malli ta vizitojmë përsëri herë pas here.
Ordinancat e pagëzimit me anë të zhytjes, vënies së duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe sakramentit nuk janë ngjarje të veçuara dhe pa lidhje; përkundrazi, ato janë pjesë përbërëse të një modeli të ndërthurur dhe përmbushës të përparimit shëlbues. Çdo ordinancë pasuese e lartëson dhe e zmadhon qëllimin, dëshirën dhe arritjen tonë shpirtërore. Plani i Atit, Shlyerja e Shpëtimtarit dhe ordinancat e ungjillit sigurojnë hirin që na nevojitet të shkojmë përpara dhe të përparojmë hap pas hapi dhe parim pas parimi drejt vendmbërritjes sonë të përjetshme.
Premtimi dhe Dëshmia
Ne jemi qenie të papërsosura njerëzore duke u përpjekur të jetojmë në vdekshmëri në përputhje me planin e përsosur të Atit Qiellor për përparimin e përjetshëm. Kërkesat e planit të Tij janë të lavdishme, të mëshirshme dhe të rrepta. Nganjëherë mund të jemi të mbushur me vendosmëri dhe herë të tjera mund të ndihemi krejtësisht të papërshtatshëm. Mund të pyesim veten nëse mund ta përmbushim ndonjëherë shpirtërisht urdhërimin që të qëndrojmë pa njollë para Tij në ditën e fundit.
Me ndihmën e Zotit dhe nëpërmjet fuqisë së Shpirtit të Tij që të na “mësojë çdo gjë”, me të vërtetë ne mund të bekohemi që t’i kuptojmë përgjegjësitë tona shpirtërore. Ordinancat i ftojnë qëllimin dhe fuqinë shpirtërore në jetën tonë, ndërkohë që përpiqemi të lindemi sërish dhe të bëhemi burra e gra të Krishtit. Dobësitë tona mund të forcohen dhe kufizimet tona mund të kapërcehen.
Edhe pse askush prej nesh nuk mund të arrijë përsosmëri në këtë jetë, ne mund të bëhemi gjithnjë e më shumë të denjë dhe të panjollë pasi jemi “pastruar nga gjaku i Qengjit”. Unë premtoj dhe dëshmoj se ne do të bekohemi me besim të shtuar në Shpëtimtarin dhe siguri më të madhe shpirtërore ndërsa kërkojmë që gjithmonë të mbajmë një shlyerje të mëkateve tona dhe, më së fundi, të qëndrojmë pa njollë para Zotit në ditën e fundit. Unë kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.