2010–2019
Ai na Kërkon të Jemi Duart e Tij
Prill 2016


10:18

Ai na Kërkon të Jemi Duart e Tij

Shërbimi i vërtetë si i Krishtit është vetëmohues dhe përqendrohet tek të tjerët.

“Ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.” Këto fjalë të kënduara nga ky kor i mrekullueshëm, qenë folur nga Jezusi pak orë përpara Shlyerjes së Tij të madhe – një sakrificë që Plaku Xhefri R. Holland e përshkroi si “shfaqjen më madhështore të dashurisë së pastër, të treguar ndonjëherë në historinë e kësaj bote”.

Jezusi nuk na mësoi vetëm që të duam, por Ai gjithashtu e jetoi atë që dha mësim. Gjatë shërbesës së Tij, Jezusi “e përshkoi vendin duke bërë mirë” dhe “iu përgjërua të gjithëve që ta ndiqnin shembullin e Tij”. Ai dha mësim: “Sepse kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë: por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë”.

Presidenti Tomas S. Monson, i cili e ka kuptuar dhe e ka jetuar këshillën për të dashur, tha: “Unë besoj se Shpëtimtari po na thotë që, nëse nuk e humbasim veten në shërbim për të tjerët, ka pak qëllim për vetë jetën tonë. Ata që jetojnë vetëm për vete, përfundimisht vyshken dhe … e humbasin jetën e tyre, ndërsa ata që e humbasin veten në shërbim për të tjerët, rriten e lulëzojnë dhe në fakt e shpëtojnë jetën e tyre.”

Shërbimi i vërtetë si i Krishtit është vetëmohues dhe përqendrohet tek të tjerët. Një grua, e cila u kujdes për bashkëshortin e saj invalid, shpjegoi: “Mos e mendoni si barrë detyrën tuaj; mendojeni atë si një mundësi për të mësuar se çfarë është dashuria në të vërtetë”.

Duke mbajtur fjalim në takimin shpirtëror në UBJ, Motra Sondra D. Histon, pyeti: “Po sikur të mundnim vërtet të shihnim në zemrën e njëri-tjetrit? A do ta kuptonim më mirë njëri-tjetrin? Duke ndier atë që ndiejnë të tjerët, duke parë atë që shohin të tjerët, dhe duke dëgjuar atë që dëgjojnë të tjerët, a do ta gjenim dhe ta jepnim kohën për t’u shërbyer të tjerëve dhe a do t’i trajtonim ndryshe ata? A do t’i trajtojmë atë me më shumë durim, me më shumë mirësi dhe me më shumë tolerancë?”

Motra Histon tregoi një përvojë kur ajo shërbeu në një kamp të Të Rejave. Ajo tha:

“Një nga … folëset tona në takimin shpirtëror … na mësoi rreth asaj çka duhet ‘të bëhemi’. Një nga thëniet e saj … ishte: ‘Jini dikush i cili arrin t’i njohë të tjerët e t’u shërbejë atyre – lërini mënjanë pasqyrat e shihni përmes dritares’.

Bashkëbisedimi ndërmjet një të reje dhe një udhëheqëseje është i vështirë kur shohim në pasqyrë

Për ta treguar këtë, ajo thirri një nga të rejat dhe i kërkoi asaj të reje të qëndronte përballë saj. Pastaj [ajo] mori një pasqyrë dhe e vendosi midis të resë dhe vetes së saj, në mënyrë që ajo, [folësja], të shihte në pasqyrë ndërkohë që përpiqej të fliste me të renë. Nuk qe çudi që biseda as nuk filloi të bëhej ndopak e efektshme apo prekëse. Ky ishte një objekt i fuqishëm mësimi që ilustroi se sa e vështirë është të komunikosh me të tjerët e t’u shërbesh atyre nëse jemi tepër të shqetësuar për veten tonë dhe shohim vetëm veten dhe nevojat tona. Pastaj [ajo] e la pasqyrën mënjanë, mori një kanat dritareje dhe e vendosi midis fytyrës së saj dhe fytyrës të së resë. … Ne qemë në gjendje të shihnim se e reja ishte bërë pika e [saj] qendrore dhe se shërbimi i vërtetë kërkon që ne të përqendrohemi te nevojat dhe emocionet e të tjerëve. Shpeshherë ne jemi kaq të shqetësuar për veten tonë dhe për jetët tona të zëna me punë – teksa shihemi në pasqyrë ndërkohë që përpiqemi të gjejmë mundësi për të shërbyer – saqë nuk shohim qartë përmes dritareve të shërbimit.”

Bashkëbisedimi ndërmjet një të reje dhe një udhëheqëseje është i lehtë kur shihni përmes një dritareje

Presidenti Monson na e ka rikujtuar shpesh që ne jemi “të rrethuar nga ata që kanë nevojë për vëmendjen tonë, nxitjen tonë, mbështetjen tonë, ngushëllimin tonë, mirësinë tonë – qofshin ata pjesëtarë të familjes, miq të njohur apo të huaj”. Ai tha: “Ne jemi duart e Zotit këtu në tokë, me autorizimin për të shërbyer dhe për të ngritur moralisht fëmijët e Tij. Ai varet nga secili prej nesh.”

Fëmijët janë ftuar që të shërbejnë e të jenë duart e Zotit

Vitin e kaluar në janar, revistat Miku dhe Liahona i ftuan fëmijët në mbarë botën që të ndiqnin këshillën e Profetit Monson – për të qenë duart e Zotit. Fëmijët u ftuan që të kryenin vepra shërbimi – të mëdha e të vogla. Ata më pas u nxitën që të vizatonin gjurmën e dorës së tyre në një copë letre, ta prisnin atë, të shkruanin në të shërbimin që bënë, dhe t’ua dërgonin revistave. Shumë prej jush që po dëgjoni këtë mbrëmje, mund të jeni disa nga mijëra fëmijët që keni bërë një shërbim dashamirës dhe e keni dërguar atë.

Fëmijët treguan vepra shërbimi me gjurmët e duarve në letrat e prera
Mijëra fëmijë ua dërguan revistave një raport të veprave të tyre të shërbimit

Kur fëmijët mësojnë se si t’i duan dhe t’u shërbejnë të tjerëve kur janë të vegjël, ata vendosin një model shërbimi për pjesën e mbetur të jetës së tyre. Shpesh fëmijët na mësojnë ne të tjerëve se të treguarit e dashurisë dhe të shërbimit nuk ka pse të jetë diçka e madhe dhe madhështore, në mënyrë që të jetë kuptimplote e që të sjellë një ndryshim.

Një mësuese e Fillores tregoi shembullin vijues. “Sot”, tha ajo, “klasa jonë e pesë dhe gjashtëvjeçarëve bëri varëse si shenjë dashurie. Çdo fëmijë vizatoi figura në shirita letrash: një të vetes së tyre, një të Jezusit dhe disa të pjesëtarëve të familjes së tyre dhe të njerëzve të dashur. Ne i ngjitëm shiritat si rrathë që i kapëm me njëri-tjetrin, për të formuar një zinxhir që e shndërruam në varëse dashurie. Teksa po vizatonin, fëmijët folën rreth familjeve të tyre.

Hedhëri tha: ‘Unë mendoj se motra ime nuk më do. Ne grindemi gjithnjë. … Madje e urrej veten. Kam një jetë të keqe.’ Dhe i vendosi duart në kokë.

Unë mendova për rrethanat e saj familjare dhe ndjeva se ndoshta ajo vërtetë kishte një jetë të vështirë. Por pasi Hedhëri e tha këtë, Ana, në cepin tjetër të tavolinës, u përgjigj: ‘Hedhër, do të të vendos në varësen time midis meje dhe Jezusit sepse Ai të do ty edhe unë të dua’.

Kur Ana e tha këtë, Hedhëri u zvarrit këmbadoras poshtë tavolinës për të shkuar tek Ana dhe ia hodhi duart në qafë.

Në fund të orës mësimore, kur gjyshja e saj erdhi që ta merrte, Hedhëri tha: ‘A e di çfarë gjyshe? Jezusi më do.’”

Kur ne arrijmë të duam e të shërbejmë edhe në mënyrat më të vogla, zemrat ndryshojnë dhe zbuten teksa të tjerët e ndiejnë dashurinë e Zotit.

Sidoqoftë, ndonjëherë për shkak të njerëzve të panumërt rreth nesh që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe lehtësim të barrëve, mund të jetë e vështirë të plotësohen nevojat e shumta të ngutshme.

Motra, disa prej jush që dëgjoni, mund të ndiheni se po përdorni gjithë aftësinë tuaj duke u shërbyer nevojave të pjesëtarëve të familjes. Kujtoni, në ato detyra rutinë e shpesh të rëndomta, ju jeni “në shërbimin e Perëndisë tuaj”.

Të tjera prej jush mund të ndiejnë një zbrazëti që mund të mbushet teksa kërkoni në lagjen ose komunitetin tuaj mundësi për të ndihmuar që t’ia lehtësoni barrën dikujt tjetër.

Të gjithë ne mund të përfshijmë disa shërbime në jetën tonë të përditshme. Ne jetojmë në një botë kundërshtie. Ne japim shërbim kur nuk kritikojmë, kur refuzojmë të bëjmë thashetheme, kur nuk gjykojmë, kur buzëqeshim, kur themi faleminderit dhe kur jemi të duruara e të sjellshme.

Lloje të tjera shërbimi kërkojnë kohë, planifikim me qëllim dhe energji shtesë. Por ia vlen çdo përpjekje e jona. Ndoshta mund të fillojmë duke i bërë vetes këto pyetje:

  • Cilin njoh në rrethin tim që mund ta ndihmoj sot?

  • Sa kohë e çfarë burimesh kam?

  • Në çfarë mënyrash mund t’i përdor talentet dhe aftësitë e mia për t’i bekuar të tjerët?

  • Çfarë mund të bëjmë ne si familje?

Presidenti Diter F. Uhtdorf, dha mësim:

“Ju duhet të bëni … atë që kanë bërë dishepujt e Krishtit në çdo periudhë ungjillore: të këshilloheni bashkë, të përdorni gjithë burimet që keni në dispozicion, të kërkoni frymëzimin e Frymës së Shenjtë, të kërkoni miratimin e Zotit dhe pastaj të përvishni mëngët e të filloni nga puna.

Unë ju jap një premtim”, tha ai. “Nëse ju do ta ndiqni këtë model, ju do të merrni udhëzim konkret se kë, çfarë, kur dhe ku duhet të ndihmoni sipas mënyrës së Zotit.”

Sa herë pyes veten se si do të jetë kur Shpëtimtari të vijë sërish, mendoj për vizitën e Tij te nefitët kur Ai pyeti:

“A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë? Silleni këtu. A ka ndonjë që është i çalë ose i verbër, ose i gjymtë, ose sakat, ose i lebrosur, ose i deformuar, ose i shurdhër, ose i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata, pasi kam dhembshuri për ju; zemra ime është e mbushur me mëshirë. …

… [Shpëtimtari] i shëroi, secilin.”

Tani për tani, Ai na kërkon të jemi duart e Tij.

Kam arritur të kuptoj se është dashuria ndaj Perëndisë e ndaj fqinjëve që i jep kuptim jetës. E ndjekshim shembullin e Shpëtimtarit tonë dhe këshillën e Tij që t’u afrohemi të tjerëve me dashuri.

Unë dëshmoj për realitetin e premtimit të Presidentit Henri B. Ajring “që nëse [ne do t’i] përdorim dhuratat [tona] për t’i shërbyer dikujt tjetër, [ne do ta] ndiejmë dashurinë e Perëndisë për atë person. [Ne do ta] ndiejmë gjithashtu dashurinë e tij për [ne].” Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim: Më 2 prill 2016, Motra Esplin u lirua nga thirrja si këshilltare e parë në presidencën e përgjithshme të Fillores.

Shënime

  1. Gjoni 13:34.

  2. Xhefri R. Holland, “Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen”, Liahona, maj 2015, f. 106.

  3. Veprat e Apostujve 10:38.

  4. “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Liahona, prill 2000, f. 2.

  5. Lluka 9:24.

  6. Tomas S. Monson, “Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?” Liahona, nëntor 2009, f. 85.

  7. Lola B. Walters, “Sunshine in My Soul”, Ensign, gusht 1991, f. 19.

  8. Sondra D. Heaston, “Keeping Your Fingers on the PULSE of Service” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 23 qershor 2015), f.1, 5, speeches.byu.edu. E reja folëse në kamp, e cila tregoi këto pikëpamje, është Motra Virginia H. Pearce.

  9. Tomas S. Monson, “Çfarë Kam Bërë për Dikë Sot?” f. 86.

  10. Shih “Give Us a Hand!” Liahona, janar 2015, f. 64–65.

  11. Mosia 2:17.

  12. Diter F. Uhtdorf, “Ndihma sipas Mënyrës së Zotit”,Liahona, nëntor 2011, f. 55.

  13. 3 Nefi 17:7, 9.

  14. Henry B. Eyring, To Draw Closer to God (1997), f. 88.