2010–2019
Familjet e Përjetshme
Prill 2016


15:34

Familjet e Përjetshme

Detyrimi ynë në priftëri është që t’i vendosim familjet tona dhe familjet e atyre përreth nesh në qendër të interesimit tonë.

Jam mirënjohës që jam me ju në këtë mbrëmje në sesionin e përgjithshëm të priftërisë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ky është një çast madhështor në historinë e Kishës. Njëqind e tetëdhjetë e dy vjet më parë në vitin 1834, në Kirtland të Ohajos, të gjithë mbajtësit e priftërisë u thirrën për t’u mbledhur së bashku në një shtëpi prej druri 4.2 me 4.2 metra që ishte edhe shkollë. Në atë mbledhje, Profeti Jozef Smith raportohet të ketë thënë: “Ju nuk dini më shumë lidhur me fatet e kësaj Kishe e mbretërie, sesa foshnja në prehrin e nënës së saj. Ju nuk e kuptoni atë. … [Është] vetëm një grusht njerëzish që mbajnë Priftërinë këtu sonte, por kjo Kishë do të mbushë Amerikën e Veriut dhe të Jugut – ajo do të mbushë botën”.

Miliona mbajtës të priftërisë, në më shumë se 110 vende, janë mbledhur në këtë sesion. Ndoshta Profeti Jozef e parashikoi këtë kohë dhe të ardhmen e lavdishme që është ende përpara nesh.

Mesazhi im sonte është një përpjekje për ta përshkruar atë të ardhme dhe atë që duhet të bëjmë për të qenë pjesë e planit të lumturisë që Ati ynë Qiellor ka përgatitur për ne. Përpara se të lindeshim, ne jetuam në një familje me Atin tonë të ekzaltuar e të përjetshëm Qiellor. Ai shuguroi një plan që na mundëson të përparojmë dhe të ecim përpara për t’u bërë si Ai. Këtë Ai e bëri nga dashuria për ne. Qëllimi i planit ishte që të na jepte privilegjin e të jetuarit përgjithmonë ashtu siç jeton Ati ynë Qiellor. Ky plan i ungjillit na dha një jetë në vdekshmëri, në të cilën ne do të viheshim në provë. U dha një premtim se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, nëse u bindeshim ligjeve dhe ordinancave të priftërisë në ungjill, ne do të kishim jetë të përjetshme, dhuratën më të madhe nga të gjitha dhuratat e Tij.

Jeta e përjetshme është ajo lloj jete që jetohet nga Perëndia, Ati ynë i Amshuar. Perëndia tha se qëllimi i Tij është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Prandaj, qëllimi i madh i çdo mbajtësi të priftërisë është që të japë përkrahje në punën e ndihmës që u jepet njerëzve që të arrijnë deri te jeta e përjetshme.

Çdo përpjekje e priftërisë dhe çdo ordinancë e priftërisë ka për qëllim që t’i ndihmojë fëmijët e Atit Qiellor të ndryshohen përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit, për t’u bërë pjesëtarë të njësive të përsosura familjare. Pra, si rrjedhojë, ajo “punë e madhe e çdo njeriu është që ta besojë ungjillin, t’i zbatojë urdhërimet dhe të krijojë e të përsosë një njësi familjare të përjetshme”, dhe t’i ndihmojë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Meqenëse kjo është e vërtetë, çdo gjë që ne bëjmë duhet ta ketë martesën çelestiale si qendrën e vëmendjes dhe qëllimin e saj. Kjo do të thotë se ne duhet të përpiqemi të vulosemi me një shoqe të përjetshme në tempullin e Perëndisë. Ne gjithashtu duhet t’i nxitim të tjerët që të bëjnë dhe t’i mbajnë besëlidhjet që i lidhin një bashkëshort dhe një bashkëshorte së bashku, me familjen e tyre, në këtë jetë dhe në botën që do të vijë.

Përse duhet të jetë kjo kaq e rëndësishme për secilin prej nesh – i ri apo i moshuar, dhjak ose prift i lart, bir ose at? Duhet të jetë sepse detyrimi ynë në priftëri është që t’i vendosim familjet tona dhe familjet e atyre përreth nesh në qendër të interesimit tonë. Çdo vendim i rëndësishëm duhet të bazohet mbi ndikimin që do të ketë te një familje për t’u kualifikuar për jetën me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo në shërbimin tonë të priftërisë.

Më lejoni t’ju tregoj se çdo të thotë kjo për një dhjak që po dëgjon sonte si pjesëtar i një njësie familjare dhe si anëtar i një kuorumi.

Në familjen e tij, mund të ketë ose mund të mos ketë lutje familjare të rregullta apo mbrëmje familjare të shpeshta. Nëse babai i tij, duke i kuptuar këto detyrime, e thërret familjen së bashku për t’u lutur ose për të lexuar shkrimet e shenjta, dhjaku mund të nxitojë për të marrë pjesë me një buzëqeshje. Ai mund t’i nxitë vëllezërit dhe motrat e tij që të marrin pjesë, dhe t’i lavdërojë kur e bëjnë këtë gjë. Ai mund t’i kërkojë babait të tij një bekim kur fillon shkolla ose në një çast tjetër të nevojshëm.

Ai mund të mos e ketë një baba të tillë besnik. Por vetë dëshira e zemrës së tij për ato përvoja, do të sjellë fuqitë e qiellit mbi ata përreth tij, për shkak të besimit të tij. Ata do të kërkojnë për jetën familjare atë që ai dhjak e dëshiron me gjithë zemrën e tij.

Mësuesi në Priftërinë Aarone mund të shohë te detyra e vizitave të shtëpisë një mundësi që ta ndihmojë Zotin të ndryshojë jetën e një familjeje. Zoti e sugjeroi këtë te Doktrina e Besëlidhje:

“Detyra e mësuesit është të vëzhgojë mbi kishën gjithmonë dhe të jetë me ta e t’i forcojë ata;

Dhe të kujdeset që nuk ka paudhësi në kishë, as ashpërsi me njëri-tjetrin, as gënjeshtra, të folur pas shpine apo të folur dashakeqës” (DeB 20:53–54).

Në mënyrë të ngjashme, priftit në Priftërinë Aarone i jepet kjo porosi:

“Detyra e priftit është të predikojë, të japë mësim, të sqarojë, të këshillojë, të pagëzojë dhe të administrojë sakramentin,

Dhe të vizitojë shtëpinë e çdo anëtari, dhe t’i nxisë ata të luten me zë e në fshehtësi dhe të ndjekin të gjitha detyrat familjare” (DeB 20:46–47).

Ju mund ta pyetni veten, ashtu siç bëra unë kur isha një mësues dhe prift i ri, se si mund të ngrihesha në nivelin e atyre sfidave. Nuk isha kurrë i sigurt se si mund të këshilloja në një mënyrë që do ta çonte një familje drejt jetës së përjetshme pa e fyer ose pa u dukur se po e kritikoja. Kam mësuar se e vetmja këshillë që i ndryshon zemrat vjen nga Fryma e Shenjtë. Kjo ndodh më shpesh kur ne dëshmojmë për Shpëtimtarin, i cili ishte dhe është pjesëtari i përsosur i familjes. Kur ne përqendrohemi te dashuria jonë për Të, harmonia dhe paqja do të shtohen në shtëpitë që ne vizitojmë. Fryma e Shenjtë do të na shoqërojë në shërbimin tonë ndaj familjeve.

Mbajtësi i ri i priftërisë, nga mënyra se si lutet, nga mënyra se si flet dhe nga mënyra se si i nxit pjesëtarët e familjes, mund të sjellë ndikimin dhe shembullin e Shpëtimtarit në mendjet dhe zemrat e tyre.

Një udhëheqës i mençur i priftërisë më tregoi se ai e kuptoi këtë. Ai i kërkoi djalit tim të vogël që të drejtonte në një vizitë shtëpie. Ai tha se familja mund t’i kundërshtonte këshillat e tij, por mendoi se mësimdhënia e thjeshtë dhe dëshmia e një djaloshi do të kishin më shumë gjasa të depërtonin në zemrat e tyre të ngurtësuara.

Çfarë mund të bëjë plaku i ri për të ndihmuar në krijimin e familjeve të përjetshme? Ai mund të jetë gati të shkojë në fushën e misionit. Ai mund të lutet me gjithë zemrën e tij se do të jetë në gjendje të gjejë, të mësojë dhe të pagëzojë familje. Ende më kujtohet një i ri i pashëm me nusen e tij të dashur dhe dy vogëlushet e tyre të bukura, të cilat ishin ulur me mua dhe shokun tim misionar një ditë. Fryma e Shenjtë erdhi dhe u dëshmoi atyre se ungjilli i Jezu Krishtit ishte rivendosur. Ata besonin mjaftueshëm aq sa madje pyetën nëse mund t’u jepnim një bekim dy vogëlusheve të tyre, ashtu siç e kishin parë të bëhej në një nga mbledhjet tona të sakramentit. Ata kishin tashmë një dëshirë që fëmijët e tyre të bekoheshin, por nuk e kishin kuptuar ende se bekimet më të larta do të ishin të mundura vetëm në tempujt e Perëndisë pasi t’i kishin bërë besëlidhjet.

Ende ndjej dhembje kur mendoj për atë çift dhe ato vogëlushe, ndoshta tani të rritura, pa premtimin e një familjeje të përjetshme. Prindërit e tyre kishin të paktën një ide të vagëlluar për bekimet që mund të viheshin në dispozicion të tyre. Është shpresa ime që në njëfarë mënyre, diku ata të mund të kenë ende mundësinë që të kualifikohen për të qenë një familje e përjetshme.

Pleq të tjerë që shkojnë në fushën [e misionit] do të kenë përvojën e lumtur që pati im bir, Methju. Ai dhe shoku i tij gjetën një të ve me 11 fëmijë që jetonin në rrethana të përulura. Ai donte për ata, atë që ju doni – të kishin një familje të përjetshme. Për tim bir, dukej e pamundur ose të paktën e vështirë në atë çast.

E vizitova atë qytet të vogël vite pasi im bir e kishte pagëzuar atë të ve, dhe ajo më ftoi që të takoja familjen e saj në kishë. M’u desh të prisja pak kohë sepse shumica e fëmijëve të saj, me nipat dhe mbesat e saj të shumta, erdhën nga disa godina kishtare të ndryshme në zonë. Njëri nga djemtë po shërbente besnikërisht në një peshkopatë, shumë prej fëmijëve të saj ishin bekuar nga besëlidhjet e tempullit dhe ajo është vulosur në një familje të përjetshme. Teksa u largova nga kjo motër e dashur, ajo i vendosi krahët e saj rreth belit tim (ajo ishte shumë e shkurtër, kështu që mezi mund të më arrinte deri te beli) dhe tha: “Të lutem thuaji Mateos të kthehet para se unë të vdes”. Asaj i ishte dhënë, për shkak të atyre pleqve besnikë, parapritja e lumtur e dhuratës më të madhe të të gjitha dhuratave të Perëndisë.

Ka gjëra që një plak, ndërsa kthehet nga misioni i tij, duhet t’i bëjë që të jetë i vërtetë ndaj zotimit të tij për të kërkuar jetë të përjetshme për veten e tij dhe për ata që ai do. Nuk ka zotim më të rëndësishëm në kohë ose përjetësi sesa martesa. Ju e keni dëgjuar këshillën e mençur për ta bërë martesën një përparësi në planet e hershme pas misionit. Shërbëtori besnik i priftërisë do ta bëjë atë me mençuri.

Kur ta marrë në konsideratë martesën, ai do të shohë se po zgjedh prindërit e fëmijëve të tij dhe trashëgiminë që ata do të kenë. Ai do ta bëjë zgjedhjen me një kërkim të zellshëm dhe një gjykim plot lutje. Ai do të sigurohet se personi me të cilin po martohet i ka të përbashkëta me të idealet për familjen, bindjet e tij mbi qëllimet e Zotit për martesën dhe se ajo është një person tek e cila ai do të ishte i gatshëm të mirëbesonte lumturinë e fëmijëve të tij.

Presidenti N. Eldon Tanner dha një këshillë të mençur: “Prindërit që ju duhet t’i nderoni më shumë se sa ndonjë njeri tjetër janë prindërit e fëmijëve që ju do të keni. Ata fëmijë kanë të drejtën të kenë prindërit më të mirë të mundshëm që ju mund t’u jepni – prindër të pastër.” Pastërtia do të jetë mbrojtja juaj dhe mbrojtja e fëmijëve tuaj. Ju ua keni borxh atë bekim.

Tani, ka disa bashkëshortë dhe etër që po dëgjojnë sonte. Çfarë mund të bëni ju? Është shpresa ime se ju është shtuar dëshira për të bërë ndryshimet e nevojshme që ju dhe familja juaj të jetoni në mbretërinë çelestiale një ditë. Si një baba që ka priftërinë, me bashkëshorten tuaj në krahë, ju mund të prekni zemrat e çdo pjesëtari të familjes për t’i nxitur ata që të shohin përpara drejt asaj dite. Ju do të merrni pjesë në mbledhjet e sakramentit me familjen tuaj, do të mbani mbledhje familjare ku të jetë ftuar Fryma e Shenjtë, do të luteni me bashkëshorten e familjen tuaj, dhe do ta përgatitni veten tuaj që ta çoni familjen tuaj në tempull. Ju do të ecni me ta përgjatë udhës drejt një shtëpie familjare të përjetshme.

Ju do ta trajtoni bashkëshorten dhe fëmijët tuaj në mënyrën që Ati Qiellor ju ka trajtuar juve. Ju do të ndiqni shembullin dhe udhëzimin e Shpëtimtarit për ta udhëhequr familjen tuaj në mënyrën e Tij.

“Asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të priftërisë, veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur;

Nëpërmjet mirësisë dhe diturisë së pastër, të cilat do ta zgjerojnë shumë shpirtin, pa hipokrizi dhe pa mashtrim –

Duke qortuar në kohën e duhur me mprehtësi, kur u nxite nga Fryma e Shenjtë; dhe atëherë duke treguar më pas rritje të dashurisë ndaj atij që e ke qortuar, që ai të mos të të vlerësojë si armikun e tij” (DeB 121:41–43).

Zoti ua ka treguar etërve që e kanë priftërinë, llojin e bashkëshortëve që ata duhet të jenë. Ai thotë: “Duaje bashkëshorten tënde me gjithë zemër dhe do të kapesh pas saj e pas askujt tjetër” (DeB 42:22). Kur Zoti i flet si bashkëshortit edhe bashkëshortes, Ai urdhëron: “Mos bëj … shkelje kurore, … as mos bëj diçka të ngjashme” (DeB 59:6).

Për të rinjtë, Zoti ka vendosur një standard. “Ju bij, bind[j]uni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin” (Kolosianëve 3:20) dhe “ndero atin tënd dhe nënën tënde” (Eksodi 20:12).

Kur Zoti u flet të gjithë atyre që janë në familje, këshilla e tij është që ta duan dhe ta përkrahin njëri-tjetrin.

Ai na kërkon që të “përpiqemi ta përsosim jetën e çdo … [pjesëtari të familjes]; [ta] forcojmë të dobëtin; ta kthejmë [njeriun] e dashur që ka shkuar në udhë të gabuar dhe të gëzojmë në forcën e tyre shpirtërore të përtërirë”.

Zoti na kërkon gjithashtu që të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndihmuar të afërmit tanë që kanë vdekur, që të jenë me ne në shtëpinë tonë të përjetshme.

Udhëheqësi i grupit të priftërinjve të lartë, i cili ka punuar me zell për t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë paraardhësit e tyre dhe për të çuar emra në tempull, është duke i shpëtuar ata që janë larguar më parë nga kjo jetë. Do të ketë falënderime në botën që do të vijë për ata priftërinj të lartë dhe për ata që i bëjnë ordinancat, sepse nuk e lanë në harresë familjen e tyre që po priste në botën e shpirtrave.

Profetët kanë thënë: “Puna më e rëndësishme e Zotit që ju do të bëni ndonjëherë do të jetë puna që do të bëni brenda mureve të shtëpisë suaj. Vizitat e shtëpisë, puna në peshkopatë dhe detyrat e tjera në Kishë janë të gjitha të rëndësishme, por puna më e rëndësishme është brenda mureve të shtëpisë suaj.”

Në shtëpinë tonë dhe në shërbimin tonë të priftërisë, vlera më e madhe do të jetë në veprimet e vogla që na ndihmojnë neve dhe ata që ne i duam të punojnë drejt jetës së përjetshme. Ato veprime mund të duken të vogla në këtë jetë, por do të sjellin bekime të përhershme në përjetësi.

Ndërsa jemi besnikë në shërbimin tonë për t’i ndihmuar fëmijët e Atit Qiellor të kthehen në shtëpi tek Ai, ne do të kualifikohemi për atë përshëndetje që të gjithë duam ta dëgjojmë kaq shumë kur të mbarojmë shërbesën tonë në tokë. Këto janë fjalët: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:21).

Midis këtyre “shumë gjëra[ve]” janë premtimet e një pasardhjeje të pafundme. Lutja ime është që të gjithë ne të mund të kualifikohemi dhe t’i ndihmojmë të tjerët të kualifikohen për atë bekim hyjnor në shtëpinë e Atit tonë dhe të Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 142.

  2. Bruce R. McConkie, në Conference Report, prill 1970, f. 26.

  3. N. Eldon Tanner, Church News, 19 prill 1969, f. 2.

  4. Bruce R. McConkie, në Conference Report, prill 1970, f. 27.

  5. Harold B. Lee, Decisions for Successful Living (1973), f. 248–249.