2010–2019
Këshillat e Familjeve
Prill 2016


14:27

Këshillat e Familjeve

Kur prindërit janë të përgatitur dhe fëmijët dëgjojnë e marrin pjesë në diskutim, këshilli i familjes me të vërtetë funksionon!

Vëllezërit dhe motrat e mia, ironia e të qenit prindër është që ne kemi prirjen të bëhemi të mirë si prindër pasi të jenë rritur fëmijët tanë. Do të ndaj me ju këtë pasdite diçka që do të dëshiroja ta kisha kuptuar më mirë kur Barbara dhe unë filluam t’i rritnim fëmijët tanë të çmuar.

Gjatë shërbesës sime apostolike, e kam theksuar shpesh fuqinë dhe rëndësinë e këshillave të Kishës, duke përfshirë këshillat e misioneve, kunjeve, lagjeve dhe të organizatave ndihmëse.

Unë besoj që këshillat janë mënyra më dobiprurëse për të arritur rezultate të vërteta. Përveç kësaj, unë e di se këshillat janë mënyra e Zotit dhe se Ai i krijoi të gjitha gjërat e gjithësisë nëpërmjet një këshilli qiellor, siç përmendet në shkrimin e shenjtë.

Megjithatë, deri tani asnjëherë nuk kam folur në konferencën e përgjithshme rreth këshillit më bazë dhe më themelor – dhe ndoshta këshillit më të rëndësishëm – të të gjithë këshillave: këshillit të familjes.

Këshillat e familjeve gjithmonë kanë qenë të nevojshëm. Ata janë, në fakt, të përjetshëm në natyrë. Ne i përkitnim një këshilli të familjes në ekzistencën paratokësore, kur jetuam me prindërit tanë qiellorë si fëmijët e tyre shpirtërorë.

Një këshill i familjes, kur mbahet me dashuri dhe me tipare të ngjashme me të Krishtit, do ta pakësojë ndikimin e teknologjisë bashkëkohore që shpesh na e largon vëmendjen prej të shpenzuarit të kohës cilësore me njëri-tjetrin dhe gjithashtu ka prirje të sjellë ligësi drejtpërsëdrejti brenda në shtëpitë tona.

Ju lutem, mbajeni mend që këshillat e familjeve janë të ndryshëm nga mbrëmjet familjare të shtëpisë që mbahen të hënave. Mbrëmjet familjare përqendrohen kryesisht mbi udhëzimin e ungjillit dhe veprimtaritë familjare. Këshillat e familjeve, nga ana tjetër, mund të mbahen në çfarëdo dite të javës dhe janë kryesisht një mbledhje në të cilën prindërit dëgjojnë – njëri-tjetrin dhe fëmijët e tyre.

Besoj se ka të paktën katër lloje të këshillave të familjeve:

Së pari, një këshill i përgjithshëm i familjes që përfshin të gjithë familjen.

Së dyti, një këshill ekzekutiv i familjes që përfshin një nënë dhe një baba.

Së treti, një këshill i kufizuar i familjes që përfshin prindërit dhe një fëmijë.

Së katërti, një këshill vetëm-për-vetëm i familjes që përfshin një prind dhe një fëmijë.

Në të gjitha këto mjedise të këshillave të familjes, mjetet elektronike duhet të mbyllen me qëllim që gjithsecili të mund ta shohë dhe ta dëgjojë njëri-tjetrin. Gjatë këshillave të familjeve dhe në raste të tjera të përshtatshme, ju mund të doni të keni një shportë për mjetet elektronike kështu që kur familja mblidhet, që të gjithë – duke përfshirë nënën e babanë – mund t’i vendosin në shportë telefonat, kompjuterët e dorës dhe pajisjet e tij ose të saj MP3. Më pas ata mund të këshillohen së bashku pa u tunduar që t’i përgjigjen një mesazhi në Facebook, në celular, në Instagram, Snapchat ose mesazheve të postës elektronike.

Lejomëni të tregoj shkurtimisht se si mund të veprojë secili prej këtyre llojeve të këshillave të familjes.

Së pari, këshilli i plotë i familjes i përfshin të gjithë pjesëtarët e familjes.

Broshura e Kishës e titulluar Familja Jonë shpall: “Ky këshill mund të mblidhet për të diskutuar probleme të familjes, për të marrë vendime financiare, për të bërë plane, për të mbështetur e forcuar [njëri-tjetrin] dhe për t’u lutur për njëri-tjetrin dhe për njësinë familjare”.

Ky këshill duhet të mblidhet në një kohë të paracaktuar dhe normalisht është më formal se sa ndonjë lloj tjetër i këshillit të familjes.

Duhet të fillojë me lutje, ose mund të jetë thjesht një zgjatje e natyrshme e bashkëbisedimeve tashmë të filluara në mjedise të tjera. Ju lutem vini re që një këshill i familjes mund të mos ketë gjithmonë një fillim apo mbarim formal.

Kur prindërit janë të përgatitur dhe fëmijët dëgjojnë e marrin pjesë në diskutim, këshilli i familjes me të vërtetë funksionon!

Pavarësisht nga gjendja jonë e caktuar familjare, është vendimtare që ne t’i kuptojmë rrethanat e veçanta të çdo pjesëtari të familjes. Edhe pse mund të kemi ADN të ngjashme, mund të ketë gjendje dhe rrethana mes nesh që mund të na bëjnë gjerësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe të cilat mund të kërkojnë bashkëpunimin dashamirës të këshillit të familjes.

Për shembull, i gjithë diskutimi, dhënia e ideve dhe e dashurisë së mundshme nuk mund ta zgjidhin një problem mjekësor apo një sfidë emocionale me të cilin përballet një ose më shumë pjesëtarë të familjes. Në kohë të tilla, këshilli i familjes bëhet një vend uniteti, besnikërie dhe përkrahjeje me dashuri ndërkohë që familja kërkon zgjidhje me anë të ndihmës nga jashtë familjes.

Motrat e vëllezërit, veçanërisht ata më të mëdhenj në moshë, mund të jenë ndihmues të fuqishëm për fëmijët e vegjël nëse prindërit do ta përdorin këshillin e familjes për ta përfshirë ndihmën dhe mbështetjen e tyre gjatë kohëve të vështirësisë dhe shqetësimit.

Në këtë mënyrë, një familje është mjaft e ngjashme me një lagje. Kur peshkopi përfshin anëtarë të këshillit të lagjes, ai mund të zgjidhë probleme dhe të përmbushë shumë gjëra të mira në mënyra që ai kurrë nuk mund t’i kishte bërë pa ndihmën e tyre. Në mënyrë të ngjashme, prindërit kanë nevojë t’i përfshijnë të gjithë anëtarët e familjes kur ndërveprojnë me sfida dhe vështirësi. Në atë mënyrë, fuqia e këshillit të familjes vihet në funksionim. Kur anëtarët e këshillit e ndiejnë se janë pjesë e një vendimi, ata bëhen përkrahës dhe më pas mund të përmbushen rezultate të caktuara pozitive.

Jo çdo këshill i familjes përbëhet nga dy prindër dhe fëmijët. Këshilli i familjes suaj mund të duket shumë i ndryshëm nga sa dukej këshilli i familjes sonë kur po i rritnim shtatë fëmijët tanë. Sot këshilli i familjes sonë përbëhet vetëm nga Barbara dhe unë, në qoftë se nuk mbajmë një këshill të zgjeruar të familjes, i cili përfshin fëmijët tanë të rritur, bashkëshortët e bashkëshortet e tyre dhe nganjëherë nipërit e mbesat dhe stërnipërit e stërmbesat tona.

Ata që janë të pamartuar dhe madje studentët që jetojnë larg shtëpisë, mund ta ndjekin modelin hyjnor të mbajtjes së këshillit duke u mbledhur për t’u këshilluar së bashku me shoqërinë dhe me ata që jetojnë në të njëjtën dhomë.

Merreni parasysh se si do të ndryshonte atmosfera në një apartament nëse banorët do të mblidheshin së bashku rregullisht që të luteshin, dëgjonin, diskutonin dhe planifikonin gjëra së bashku.

Çdo njeri mund ta përshtatë një këshill të familjes që të fitojë përparësi nga ky model hyjnor i themeluar prej Atit tonë të dashur Qiellor.

Sikurse e kam përmendur tashmë, herë pas here një këshill i zgjeruar i familjes mund të jetë i dobishëm. Një këshill i zgjeruar i familjes mund të përbëhet nga gjyshërit dhe fëmijët e rritur që nuk po jetojnë në shtëpi. Edhe nëse gjyshërit ose fëmijët e rritur jetojnë larg, ata mund të marrin pjesë në këshillat e familjes nëpërmjet telefonit, Skype-it apo FaceTime-it.

Ju mund të doni të merrni parasysh që ta mbani një këshill të përgjithshëm të familjes të dielën, e cila është dita e parë e javës; familjet mund të shqyrtojnë javën e shkuar dhe të planifikojnë për javën e ardhshme. Kjo mund të jetë pikërisht ajo që i nevojitet familjes suaj që të ndihmojë për ta bërë Shabatin një përvojë të kënaqshme.

Lloji i dytë i këshillit të familjes është një këshill ekzekutiv i familjes që përfshin vetëm prindërit. Gjatë kësaj kohe së bashku, prindërit mund të shqyrtojnë nevojat fizike, emocionale e shpirtërore të secilit fëmijë dhe përparimin e tij ose të saj.

Këshilli ekzekutiv i familjes është gjithashtu një kohë e mirë për bashkëshortet e bashkëshortët që të flasin rreth marrëdhënieve të tyre vetjake me njëri-tjetrin. Kur Plaku Harold B. Li e kreu vulosjen tonë, ai na mësoi një parim që unë besoj të gjitha çiftet do ta gjejnë dobiprurës. Ai tha: “Asnjëherë mos bini të flini pa u gjunjëzuar së bashku, duke shtrënguar duart e njëri-tjetrit dhe duke thënë lutjet tuaja. Lutje të tilla e ftojnë Atin Qiellor që të na këshillojë me anë të fuqisë së Shpirtit.”

Lloji i tretë i këshillit të familjes është një këshill i kufizuar i familjes. Në këtë lloj këshilli, të dy prindërit shpenzojnë kohë me një fëmijë individual në një mjedis formal ose joformal. Kjo është një mundësi për diskutim lidhur me marrjen e vendimeve paraprakisht rreth gjërave të tilla si ato që ai ose ajo do të bëjë ose nuk do të bëjë në të ardhmen. Kur merren vendime të tilla, ai ose ajo mund të dojë t’i shënojë ato për t’iu kthyer në të ardhmen nëse nevojitet. Nëse biri ose bija juaj ju shohin si një përkrahës të patundur, kjo mbledhje e këshillit mund të përcaktojë synime dhe objektiva për të ardhmen. Kjo është gjithashtu një kohë për t’i dëgjuar me kujdes shqetësimet dhe sfidat serioze që një fëmijë mund të ketë hasur me gjëra të tilla si mungesa e vetëbesimit, keqtrajtimi, ngacmimi ose frika.

Lloji i katërt i këshillit familjar është një këshill vetëm për vetëm i familjes që përfshin një prind dhe një fëmijë. Ky lloj i këshillit të familjes në përgjithësi ndodh papritur. Për shembull, prindi dhe fëmija mund të përfitojnë nga mundësitë e paplanifikuara ndërkohë që udhëtojnë me makinë ose punojnë nëpër shtëpi. Një kohë kur një fëmijë shkon diku me babanë ose nënën, mund të sigurojë një kohë të veçantë për t’u lidhur shpirtërisht dhe emocionalisht. Vendosini këto që më parë në kalendar me qëllim që fëmijët të mund të planifikojnë dhe ta presin me dëshirë kohën e veçantë vetëm me mamin ose babin.

Tani, vëllezër e motra, kishte një kohë kur muret e shtëpisë sonë siguronin gjithë mbrojtjen që na nevojitej kundrejt ndërhyrjeve dhe ndikimeve të jashtme. Ne i kyçnim dyert, i mbyllnim dritaret, i mbyllnim portat dhe ndiheshim të sigurt, të parrezikuar dhe të mbrojtur prej botës së jashtme në vetë strehimin tonë të vogël.

Ato ditë kanë ikur tashmë. Muret, dyert, gardhet dhe portat fizike të shtëpive tona nuk mund ta parandalojnë ndërhyrjen e padukshme prej internetit, Wi-Fi-t, telefonave celularë, rrjeteve. Ato mund t’i përshkojnë shtëpitë tona me vetëm pak klikime dhe goditje të tastierës.

Për fat të mirë, Zoti ka siguruar një mënyrë për t’iu kundërvënë ndërhyrjes negative të teknologjisë, e cila mund të na e largojë vëmendjen nga shpenzimi i kohës cilësore me njëri-tjetrin. Ai e ka bërë këtë duke siguruar një sistem këshillash për t’i forcuar, mbrojtur, ruajtur dhe ushqyer shpirtërisht marrëdhëniet tona më të çmuara.

Fëmijëve patjetër iu duhen prindër të gatshëm për t’i dëgjuar dhe këshilli i familjes mund të sigurojë një kohë gjatë së cilës pjesëtarët e familjes mund të mësojnë që ta kuptojnë dhe duan njëri-tjetrin.

Alma dha mësim: “Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë”. Të ftuarit e Zotit për të qenë pjesë e këshillit të familjes sonë nëpërmjet lutjes, do t’i përmirësojë marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin. Ne, me ndihmën e Atit Qiellor dhe të Shpëtimtarit tonë, mund të bëhemi më të durueshëm, më të kujdesshëm, më ndihmues, më falës e më mirëkuptues kur lutemi për ndihmë. Me ndihmën e Tyre, ne mund t’i bëjmë shtëpitë tona një pjesë të vogël të qiellit këtu mbi tokë.

Një këshill i familjes që formohet sipas këshillave në qiell, i mbushur me dashuri si e Krishtit dhe i udhërrëfyer nga Shpirti i Zotit, do të na ndihmojë ta mbrojmë familjen tonë nga shpërqendrimet që mund ta grabitin kohën tonë të çmuar së bashku dhe do të na mbrojë nga ligësitë e botës.

I ndërthurur me lutjen, një këshill i familjes do ta ftojë praninë e Shpëtimtarit, sikurse premtoi Ai: “Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre”. Ta ftojmë Shpirtin e Zotit që të jetë pjesë e këshillit të familjes sonë, sjell bekime që s’kanë përshkrim.

Më së fundi, ju lutem mbajeni mend që një këshill i familjes, i mbajtur rregullisht, do të na ndihmojë të dallojmë herët probleme të familjes dhe t’i zgjidhim ato sapo të dalin; këshillat do t’i japin çdo pjesëtari të familjes një ndjenjë vlere dhe rëndësie; dhe më e rëndësishmja, ata do të na ndihmojnë që të jemi më të suksesshëm dhe më të gëzuar në marrëdhëniet tona të çmuara, brenda mureve të shtëpive tona. I bekoftë Ati ynë Qiellor të gjitha familjet tona teksa këshillohemi së bashku, është lutja ime e përulur në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.