Një Mirëbesim i Shenjtë
Kjo dhuratë e çmuar e fuqisë së priftërisë sjell me vete jo vetëm përgjegjësi solemne, por edhe bekime të veçanta për veten dhe për të tjerët.
Vëllezërit e mi të dashur, unë lutem që Shpirti të udhëheqë fjalët e mia këtë mbrëmje. Një fije e njëllojtë na lidh së bashku. Neve na është besuar të mbajmë priftërinë e Perëndisë dhe të veprojmë në emrin e Tij. Ne jemi marrës të një mirëbesimi të shenjtë. Shumë pritet prej nesh.
Ne lexojmë te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 121, vargu 36: “Të drejtat e priftërisë lidhen në mënyrë të pandashme me fuqitë e qiellit”. Çfarë dhurate e mrekullueshme na është dhënë! E jona është përgjegjësia për ta ruajtur e mbrojtur atë priftëri dhe për të qenë të denjë për të gjitha bekimet e lavdishme që Ati ynë në Qiell ka ruajtur për ne – dhe për të tjerët nëpërmjet nesh.
Kudo që të shkosh, priftëria jote shkon me ty. A po qëndron në vende të shenjta? Përpara se ta vësh vetveten dhe priftërinë tënde në rrezik duke u kuturisur nëpër vende apo duke marrë pjesë në veprimtari që nuk janë të denja për ty ose për atë priftëri, ndalu për të marrë parasysh pasojat. Kujto se cili je dhe çfarë pret Perëndia që të bëhesh. Ti je një fëmijë i premtimit. Ti je një burrë me fuqi. Ti je një bir i Perëndisë.
Kjo dhuratë e çmuar e fuqisë së priftërisë sjell me vete jo vetëm përgjegjësi solemne, por edhe bekime të veçanta për veten dhe për të tjerët. Qofshim ne, në çfarëdo vendi ku mund ta gjejmë veten, gjithmonë të denjë që ta thërrasim fuqinë e saj, sepse nuk e dimë kurrë se kur mund të vijnë nevoja dhe mundësia jonë për ta bërë këtë.
Gjatë Luftës II Botërore, një miku im po shërbente në Oqeanin Paqësor kur aeroplanin e tij e qëlluan dhe ra në oqean. Ai dhe anëtarët e tjerë të ekuipazhit u hodhën me sukses me parashutë nga aeroplani që po digjej, i frynë gomonet e tyre të shpëtimit dhe u mbajtën në ato gomone për tri ditë.
Në ditën e tretë, ata dalluan atë çfarë e dinin se ishte një anije shpëtimi. Ajo nuk i vuri re. Mëngjesin tjetër ajo nuk i vuri re sërish. Ata filluan të dëshpëroheshin kur e kuptuan se kjo ishte dita e fundit që anija e shpëtimit do të ishte në atë zonë.
Atëherë Shpirti i Shenjtë i foli mikut tim: “Ti ke priftërinë. Urdhëroje grupin e shpëtimit që t’ju marrë.”
Ai bëri siç mori nxitje: “Në emrin e Jezu Krishtit dhe me anë të fuqisë së priftërisë, kthehu dhe na merr”.
Brenda disa minutash, anija ishte pranë tyre, duke i ndihmuar të ngjiteshin në kuvertë. Një mbajtës besnik dhe i denjë i priftërisë, në nevojë të skajshme, e kishte ushtruar atë priftëri, duke bekuar jetën e tij dhe jetën e të tjerëve.
E vendosshim ne, këtu dhe tani, që të jemi gjithmonë të përgatitur për kohën tonë të nevojës, kohën tonë të shërbimit, kohën tonë të bekimit.
Teksa e përfundojmë këtë sesion të përgjithshëm të priftërisë, unë ju them se ju “jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore” (1 Pjetër 2:9). Qofshim ne gjithmonë të denjë për këto nderime hyjnore, unë lutem me gjithë zemrën time, në emrin e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, amen.