2010–2019
Ai do t’ju Vendosë mbi Supet e Tij dhe do t’ju Çojë në Shtëpi
Prill 2016


19:1

Ai do t’ju Vendosë mbi Supet e Tij dhe do t’ju Çojë në Shtëpi

Ashtu si Bariu i Mirë i gjen delet e Tij të humbura, në qoftë se ju thjesht do ta ktheni zemrën tuaj drejt Shpëtimtarit të botës, Ai do t’ju gjejë.

Njëri nga kujtimet e mia që nuk më shqitet që nga fëmijëria, fillon me britmën e sirenave të largëta të bombardimeve ajrore që më zgjojnë nga gjumi. Pa kaluar shumë kohë, një oshtimë tjetër, kërcëllitja dhe gumëzhitja e motorëve, që shtohet dalëngadalë derisa e drithëron gjithë ajrin. Të ushtruar mirë nga nëna jonë, ne fëmijët, secili, mbërthejmë çantën tonë dhe vrapojmë duke iu ngjitur kodrës drejt një strehimi kundër bombardimeve. Teksa nxitojmë përmes natës së errët pus, dritat sinjalizuese të gjelbra e të bardha bien nga qielli për të shënuar objektet që do të qëllojnë bombarduesit. Për habi të madhe, njerëzit i quajnë këto drita pemët e Krishtlindjes.

Unë jam katër vjeç dhe jam dëshmitar i një bote në luftë.

Dresdeni

Jo larg vendit ku jetonte familja ime ishte qyteti i Dresdenit. Ata që jetonin atje, ndoshta e dëshmuan njëmijë herë më shumë atë që kisha parë unë. Stuhi të stërmëdha zjarri, të shkaktuara nga mijëra tonelata bombash, e përfshinë Dresdenin, duke shkatërruar më shumë se 90 përqind të qytetit dhe duke lënë veçse pak rrënoja dhe hi në udhën e tyre.

Dresdeni i rrënuar

Brenda një kohe shumë të shkurtër, qyteti që dikur quhej “Kutia e Xhevahireve”, nuk ishte më. Erih Kestneri, një autor gjerman, shkroi rreth shkatërrimit: “Për njëmijë vjet u ngrit bukuria e tij, brenda një nate u shkatërrua tërësisht”. Gjatë fëmijërisë sime, nuk mund ta përfytyroja se si mund të kapërcehej ndonjëherë shkatërrimi i një lufte që e kishin filluar vetë njerëzit tanë. Bota përreth nesh dukej tërësisht e pashpresë dhe pa ndonjë të ardhme.

Vitin e kaluar pata mundësinë të kthehesha në Dresden. Shtatëdhjetë vjet pas luftës, ai është, edhe njëherë, një qytet si një “Kuti Xhevahiresh”. Rrënojat janë pastruar dhe qyteti është ngritur sërish e madje përmirësuar.

Frauenkirqe e shkatërruar

Gjatë vizitës sime pashë kishën e bukur luterane Frauenkirqe, Kishën e Zonjës Sonë. E ndërtuar fillimisht në vitet 1700, ajo kishte qenë një nga xhevahiret shkëlqyese të Dresdenit, por lufta e ktheu në një grumbull rrënojash. Për shumë vjet mbeti e tillë, por më së fundi u vendos që Frauenkirqe-ja do të rindërtohej.

Frauenkirqe e rindërtuar

Gurë nga kisha e shkatërruar ishin mbledhur e ruajtur dhe, kur ishte e mundur, u përdorën në rindërtimin e saj. Sot mund t’i shihni këta gurë të nxirë nga zjarri, si shenja plagësh në muret e jashtme. Këto “plagë” nuk janë vetëm një kujtues i historisë së luftës së kësaj ndërtese, por edhe një monument i shpresës – një simbol madhështor i aftësisë së njeriut për të krijuar një jetë të re prej hirit.

Frauenkirqe është një monument shprese.

Ndërsa përsiata historinë e Dresdenit dhe u mahnita nga mendjemprehtësia dhe vendosmëria e atyre që e restauruan atë që kishte qenë kaq shumë e shkatërruar, ndjeva ndikimin e ëmbël të Shpirtit të Shenjtë. Me siguri, mendova, nëse njeriu mund t’i marrë gërmadhat, rrënojat dhe mbetjet e një qyteti të shkatërruar dhe të rindërtojë një godinë mjaft mbresëlënëse, që ngrihet drejt qiejve, sa më tepër i aftë është Ati ynë i Plotfuqishëm që t’i rindërtojë fëmijët e Tij të cilët kanë rënë, po mundohen apo janë humbur?

S’ka rëndësi se sa tërësisht e rrënuar mund të duket jeta jonë. S’ka rëndësi se sa të kuqe flakë janë mëkatet tona, sa e thellë hidhësia jonë, sa të vetmuara, të braktisura apo të thyera mund të jenë zemrat tona. Edhe ata që janë pa shpresë, që jetojnë në dëshpërim, që e kanë tradhtuar mirëbesimin, që e kanë braktisur integritetin e tyre moral apo janë larguar prej Perëndisë, mund të rindërtohen. Përveç atyre pak bijve të humbjes, nuk ka jetë sado e copëtuar që nuk mund të rivendoset.

Lajmi i gëzueshëm i ungjillit është ky: për shkak të planit të përjetshëm të lumturisë, të dhënë nga Ati ynë i dashur Qiellor, dhe nëpërmjet flijimit të pafundëm të Jezusit, Krishtit, jo vetëm që mund të shëlbohemi nga gjendja jonë e rënë dhe të rivendosemi në pastërti, por edhe mund ta tejkalojmë përfytyrimin e njeriut në vdekshmëri dhe të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme dhe marrës të lavdisë së papërshkrueshme të Perëndisë.

Shëmbëlltyra e Deles së Humbur

Gjatë shërbesës së Shpëtimtarit, udhëheqësit fetarë të kohës së Tij nuk e pranuan që Jezusi të shpenzonte kohë me njerëzit që ata i kishin emërtuar “mëkatarë”.

Ndoshta atyre iu dukej se Ai po e toleronte ose madje po e miratonte sjelljen mëkatare. Ndoshta ata besonin se mënyra më e mirë për t’i ndihmuar mëkatarët të pendoheshin, ishte duke i ndëshkuar, përqeshur dhe turpëruar ata.

Kur Shpëtimtari e kuptoi se çfarë po mendonin farisenjtë dhe skribët, Ai u tha një tregim:

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz.”

Përgjatë shekujve, kjo shëmbëlltyrë tradicionalisht është interpretuar si një thirrje veprimi për ne që t’i kthejmë delet e humbura dhe që t’u afrohemi atyre që janë humbur. Ndërkohë që kjo është sigurisht e përshtatshme dhe e mirë, pyes veten nëse ka më shumë kuptim te kjo shëmbëlltyrë.

A është e mundur që qëllimi i Jezusit, para së gjithash, ishte të jepte mësim rreth punës së Bariut të Mirë?

A është e mundur që Ai po dëshmonte për dashurinë e Perëndisë për fëmijët e Tij të pabindur?

A është e mundur që mesazhi i Shpëtimtarit ishte se Perëndia është krejtësisht i vetëdijshëm për ata që janë humbur – dhe se Ai do t’i gjejë ata, se Ai do t’iu afrohet atyre dhe se Ai do t’i shpëtojë ata?

Nëse është kështu, çfarë duhet të bëjë delja që të kualifikohet për këtë ndihmë hyjnore?

A ka nevojë delja të dijë se si ta përdorë një sekstant të ndërlikuar për të llogaritur koordinatat e saj gjeografike? A ka nevojë të jetë në gjendje të përdorë një GPS për ta përcaktuar vendndodhjen e saj? A duhet të ketë njohurinë për të krijuar një program kompjuterik që të thërrasë për ndihmë? A ka nevojë delja për përkrahjen e një sponsori përpara se të vijë për ta shpëtuar Bariu i Mirë?

Jo. Sigurisht jo! Delja është e denjë për shpëtimin hyjnor thjesht ngaqë Bariu i Mirë e do atë.

Për mua, shëmbëlltyra e deles së humbur është një prej fragmenteve më shpresëdhënëse në të gjithë shkrimin e shenjtë.

Shpëtimtari ynë, Bariu i Mirë, na njeh dhe na do. Ai ju njeh dhe ju do.

Ai e di se kur jeni humbur dhe Ai e di se ku jeni. Ai e di hidhërimin tuaj. Përgjërimet tuaja të heshtura. Frikën tuaj. Lotët tuaj.

Nuk ka rëndësi se si u humbët – qoftë për shkak të vetë zgjedhjeve tuaja jo të mira apo për shkak të rrethanave përtej kontrollit tuaj.

Çfarë është e rëndësishme, është që ju jeni fëmija i Tij. Dhe Ai ju do. Ai i do fëmijët e Tij.

Shpëtimi i deles së humbur

Sepse ju do, Ai do t’ju gjejë. Do t’ju vendosë mbi supet e Tij, plot gaz. Dhe, kur ju sjell në shtëpi, Ai do t’i thotë çdonjërit: “Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur”.

Çfarë Duhet të Bëjmë Ne?

Por, ju mund të mendoni, ç’kërkohet nga unë? Sigurisht që duhet të bëj më shumë sesa thjesht të pres që të shpëtohem.

Edhe pse Ati ynë i dashur dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të kthehen tek Ai, Ai me forcë në qiell asnjë nuk çon. Perëndia nuk do të na shpëtojë në kundërshtim me vullnetin tonë.

Pra, çfarë duhet të bëjmë ne?

Ftesa e Tij është e thjeshtë:

“Kthehuni tek unë”.

“Ejani tek unë.”

“M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush.”

Kjo është mënyra se si i tregojmë Atij që ne duam të shpëtohemi.

Kërkon pak besim. Por mos u dëshpëroni. Nëse nuk mund ta mblidhni besimin pikërisht tani, filloni me shpresën.

Nëse nuk mund të thoni që e dini se Perëndia është atje, ju mund të shpresoni se Ai është. Mund të dëshironi të besoni. Kjo mjafton për të filluar.

Më pas, duke vepruar me atë shpresë, afrojuni Atit Qiellor. Perëndia do ta shtrijë dashurinë e Tij drejt jush dhe do të fillojë puna e Tij e shpëtimit dhe e ndryshimit.

Me kalimin e kohës, ju do ta dalloni dorën e Tij në jetën tuaj. Do ta ndieni dashurinë e Tij. Dhe dëshira për të ecur në dritën e Tij dhe për ta ndjekur udhën e Tij do të rritet me çdo hap besimi që ndërmerrni.

Ne i quajmë këto hapa të besimit “bindje”.

Kjo nuk është një fjalë e përhapur shumë këto ditë. Por bindja është një koncept i çmuar në ungjillin e Jezu Krishtit, sepse e dimë që “nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”.

Ndërkohë që e shtojmë besimin, ne gjithashtu duhet ta shtojmë besnikërinë. Më herët citova një autor gjerman që vajtoi për shkatërrimin e Dresdenit. Ai gjithashtu shkroi frazën “Es gibt nichts Gutes, ausser: Man tut es”. Për ata që nuk e flasin gjuhën çelestiale, kjo përkthehet që: “S’ka asgjë të mirë, në qoftë se ti nuk e bën atë”.

Ju dhe unë mund të flasim shumë rrjedhshëm për gjëra shpirtërore. Ne mund t’iu lëmë mbresë njerëzve me interpretimin tonë të mprehtë intelektual të temave fetare. Mund të krijojmë rapsodi rreth fesë dhe “shtëpin’ [tonë] lart t’ëndërro[jmë]”. Por, në qoftë se besimi ynë nuk e ndryshon mënyrën se si jetojmë – në qoftë se bindjet tona nuk i ndikojnë vendimet tona të përditshme – feja jonë është e kotë dhe besimi ynë, nëse nuk është i vdekur, sigurisht nuk ndihet mirë dhe është në rrezik të venitet më së fundi.

Bindja është gjaku jetësjellës i besimit. Është nëpërmjet bindjes që ne mbledhim dritë brenda shpirtrave tanë.

Por nganjëherë mendoj se ne e keqkuptojmë bindjen. Mund ta shohim bindjen si një qëllim në vetvete, në vend të një mjeti drejt një qëllimi. Ose ne mund të godasim me çekiçin metaforik të bindjes ndaj kudhrës së hekurt të urdhërimeve duke u përpjekur t’u japim formë atyre që i duam në një lëndë më të shenjtë, qiellore, nëpërmjet nxehtësisë së vazhdueshme dhe goditjes së përsëritur.

Nuk ka dyshim që ka raste kur na nevojitet një thirrje e rreptë drejt pendimit. Sigurisht, ka disa njerëz që mund të arrihen vetëm në këtë mënyrë.

Por ndoshta ka një metaforë të ndryshme që mund të shpjegojë përse ne iu bindemi urdhërimeve të Perëndisë. Ndoshta bindja nuk është aq shumë procesi i përkuljes, përdredhjes dhe goditjes së shpirtrave tanë për t’u bërë diçka që nuk jemi. Në vend të kësaj, është procesi me anë të të cilit ne zbulojmë atë nga e cila jemi bërë me të vërtetë.

Ne jemi krijuar nga Perëndia i Plotfuqishëm. Ai është Ati ynë Qiellor. Ne jemi me të vërtetë fëmijët e Tij shpirtërorë. Ne jemi bërë nga një lëndë qiellore, më e çmuara dhe tepër e përpunuar, dhe si rrjedhojë mbartim brenda vetes lëndën e hyjnueshmërisë.

Megjithatë, këtu në tokë, mendimet dhe veprimet tona ndikohen negativisht nga ajo që është e shthurur, e pashenjtë dhe e papastër. Pluhuri dhe fëlliqësia e botës i njollosin shpirtrat tanë, duke e bërë të vështirë që ta njohim e ta kujtojmë qëllimin dhe natyrën e lindjes sonë.

Por kjo e gjitha nuk mund ta ndryshojë se kush jemi vërtet. Hyjnueshmëria themelore e natyrës sonë mbetet. Dhe në çastin që zgjedhim ta afrojmë zemrën tonë drejt Shpëtimtarit tonë të dashur dhe e hedhim hapin në shtegun e dishepullimit, diçka e mrekullueshme ndodh. Dashuria e Perëndisë e mbush zemrën tonë, drita e së vërtetës e mbush mendjen tonë, ne fillojmë ta humbasim dëshirën për mëkat dhe nuk dëshirojmë më të ecim në errësirë.

Ne arrijmë ta shohim bindjen jo si ndëshkim, por si një shteg çlirues drejt vendmbërritjes sonë hyjnore. Dhe dalëngadalë, shthurja, pluhuri dhe kufizimet e kësaj toke do të fillojnë të largohen. Më së fundi, zbulohet shpirti i paçmuar, i përjetshëm i qenies qiellore brenda nesh dhe një rrezatim i mirësisë bëhet natyra jonë.

Ju ia Vlen të Shpëtoheni

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miqtë e mi të dashur, unë dëshmoj se Perëndia na sheh siç jemi me të vërtetë – dhe Ai sheh se ia vlen të shpëtohemi.

Ju mund ta ndieni se jeta juaj është rrënuar. Mund të keni mëkatuar. Mund të keni frikë, zemërim, hidhërim apo mund të mundoheni nga dyshimi. Por ashtu si Bariu i Mirë i gjen delet e Tij të humbura, në qoftë se ju thjesht do ta ktheni zemrën tuaj drejt Shpëtimtarit të botës, Ai do t’ju gjejë.

Ai do t’ju shpëtojë.

Ai do t’ju ngrejë dhe do t’ju vendosë mbi supet e Tij.

Ai do t’ju çojë në shtëpi.

Nëse duart njerëzore mund t’i ndryshojnë gërmadhat dhe rrënojat në një shtëpi të bukur adhurimi, atëherë ne mund të kemi vetëbesim dhe mirëbesim se Ati ynë i dashur Qiellor mund dhe do të na rindërtojë. Plani i Tij është të na ndërtojë në diçka shumë më të madhe sesa ajo që ishim – shumë më e madhe sesa ajo që mund ta përfytyrojmë ndonjëherë. Me çdo hap besimi në shtegun e dishepullimit, ne rritemi në qeniet e lavdisë së përjetshme dhe të gëzimit të pafundëm që u projektuam të bëheshim.

Kjo është dëshmia ime, bekimi im dhe lutja ime e përulur në emrin e shenjtë të Mësuesit tonë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.