2010–2019
A Besoj?
Prill 2016


11:31

A Besoj?

Nëse këto gjëra janë të vërteta, atëherë ne kemi mesazhin më të madh të shpresës dhe ndihmës që bota ka njohur ndonjëherë.

Më 30 mars, vetëm një vit më parë, dyvjeçari Ithën Karneseka, nga Ëmerikën-Fork, Juta, u çua në spital me pneumoni dhe lëngje rreth mushkërive. Dy ditë më vonë, gjendja e tij u bë aq serioze sa ai duhej të çohej me helikopter në Spitalin “Primary Children” në Solt-Lejk-Siti. Mamaja e tij e shqetësuar, Mishell, u lejua të ulej në sediljen e parë dhe ta shoqëronte të birin. Asaj iu dhanë kufje në mënyrë që të mund të komunikonte me të tjerët në helikopter. Ajo mund t’i dëgjonte mjekët duke punuar për të voglin e saj të sëmurë, dhe duke qenë vetë infermiere pediatre, Mishelli dinte mjaftueshëm për të kuptuar se Ithëni kishte shqetësim serioz.

Ithën Karneseka ndërsa qe sëmurë

Në këtë çast kritik, Mishelli vuri re se ata po fluturonin direkt mbi Tempullin e Drejpërit në Juta. Nga ajri, ajo pa drejt luginës dhe mund të shihte në largësi edhe Tempullin e Xhordan-Rivërit, Tempullin e Okër-Mauntinit dhe madje Tempullin e Solt-Lejkut. Në mendjen e saj erdhi mendimi: “A e beson, apo jo?”

Ajo tha për këtë përvojë:

“Kam mësuar për bekimet e tempullit dhe [që] ‘familjet janë përgjithmonë’ te Fillorja dhe tek Të Rejat. Kam ndarë mesazhin mbi familjet te njerëzit e mirë të Meksikës në misionin tim. U vulosa me shokun tim të përjetshëm për kohën dhe gjithë përjetësinë në tempull. Kam dhënë mësime për familjet si një udhëheqëse e Të Rejave dhe i kam treguar histori rreth familjeve të përjetshme fëmijëve të mi në mbrëmjet familjare. E DIJA atë, por a e BESOJA atë? Përgjigjja ime erdhi aq shpejt sa pyetja që hyri në kokën time: Shpirti i konfirmoi zemrës dhe mendjes sime përgjigjen që tashmë e dija – VËRTET e besoja atë!

Në atë çast i derdha zemrën time në lutje Atit tim Qiellor, duke e falënderuar Atë për njohurinë dhe besimin që unë kisha se familjet me të vërtetë janë përgjithmonë. E falënderova Atë për Birin e Tij, Jezu Krishtin, i cili e bëri të mundur gjithçka. E falënderova Atë për djalin tim, dhe i bëra të ditur Atit tim Qiellor se nëse Ai duhej ta çonte Ithënin tim të vogël në shtëpinë e Tij qiellore, ishte në rregull. Mirëbesova në Atin tim Qiellor plotësisht, dhe e dija se do ta shihja Ithënin përsëri. Isha kaq mirënjohëse që në atë çast krize, unë pata njohurinë DHE besimin që ungjilli ishte i vërtetë. Kisha paqe.”

Ithëni kaloi shumë javë në spital, duke marrë kujdes mjekësor nga profesionistë. Lutjet, agjërimi dhe besimi i njerëzve të dashur, të bashkuara me atë kujdes, e lejuan atë të largohej nga spitali dhe të kthehej në shtëpi për të qenë me familjen e vet. Sot ai është i shëndetshëm dhe mirë.

Familja Karneseka
Ithën Karneseka i shëruar

Ky çast përcaktues për Mishellin i pohoi asaj se çka kishte dhënë mësim gjithë jetën e saj ishte më tepër sesa thjesht fjalë; ajo është e vërtetë.

A jemi mësuar ndonjëherë kaq shumë me bekimet që na janë dhënë si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme saqë nuk arrijmë ta kuptojmë tërësisht mrekullinë dhe madhështinë e dishepullimit në Kishën e vërtetë të Zotit? A jemi ndonjëherë në faj që jemi të vetëkënaqur për dhuratën më të madhe që mund të na ofrohet në këtë jetë? Vetë Shpëtimtari dha mësim: “Nëse i zbaton urdhërimet e mia e duron deri në fund, ti do të kesh jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”.

Ne besojmë se kjo Kishë është më shumë sesa thjesht një vend i mirë për të shkuar të dielave dhe për të mësuar se si të jesh një person i mirë. Është më tepër sesa thjesht një klub shoqëror me krishterë të dashur, ku ne mund të shoqërohemi me njerëz të moralshëm. Nuk është thjesht një grup idesh të mrekullueshme që prindërit mund t’ua mësojnë fëmijëve të tyre në shtëpi, që ata të jenë njerëz të përgjegjshëm e të mirë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është pafundësisht më tepër sesa të gjitha këto gjëra.

Mendoni për vetëm një çast për deklarimet e thella që bëjmë si një fe. Ne besojmë se po e njëjta Kishë që Jezu Krishti krijoi ndërsa ishte në tokë, është rivendosur edhe një herë nga një profet i thirrur nga Perëndia në kohën tonë dhe se udhëheqësit tanë mbajnë të njëjtën fuqi dhe autoritet që mbanin Apostujt e lashtë për të vepruar në emër të Perëndisë. Ajo quhet priftëria e Perëndisë. Ne shpallim se, nëpërmjet këtij autoriteti të rivendosur, ne mund të marrim ordinanca shpëtuese të tilla si pagëzimi dhe të gëzojmë dhuratën pastruese e përmirësuese të Frymës së Shenjtë, që të jetë me ne në të gjitha kohët. Ne kemi apostuj dhe profetë që e udhëheqin dhe e drejtojnë këtë Kishë nëpërmjet çelësave të priftërisë, dhe ne besojmë se Perëndia u flet fëmijëve të Tij nëpërmjet këtyre profetëve.

Ne gjithashtu besojmë se kjo fuqi e priftërisë bën të mundur që të bëjmë besëlidhje dhe të marrim ordinanca në tempujt e shenjtë, që një ditë do të na krijojnë mundësinë të kthehemi në praninë e Perëndisë dhe të jetojmë me Të përgjithmonë. Ne gjithashtu shpallim se, nëpërmjet kësaj fuqie, familjet mund të lidhen bashkë për përjetësinë kur çiftet hyjnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës në ndërtesat e shenjta, që ne besojmë se njëmend janë shtëpitë e Perëndisë. Ne besojmë se mund t’i marrim këto ordinanca shpëtuese jo vetëm për veten por edhe për paraardhësit tanë që jetuan në tokë pa pasur mundësinë për të marrë pjesë në këto ordinanca shpëtuese thelbësore. Ne besojmë se mund të kryejmë ordinanca për paraardhësit tanë nëpërmjet mëkëmbësve në po këta tempuj të shenjtë.

Ne besojmë se, nëpërmjet një profeti dhe fuqisë së Perëndisë, ne kemi marrë shkrime të shenjta shtesë, që i shtohen dëshmisë në Bibël, që deklarojnë se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës.

Ne shpallim se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë dhe e vetmja Kishë e vërtetë në tokë. Ajo quhet Kisha e Jezu Krishtit sepse Ai qëndron në krye; ajo është Kisha e Tij, dhe të gjitha këto gjëra janë të mundura për shkak të sakrificës së Tij shlyese.

Ne besojmë se këto veçori dalluese nuk mund të gjenden në asnjë vend apo organizatë tjetër në këtë tokë. Ndonëse fetë dhe kishat e tjera janë të mira dhe të sinqerta, asnjëra nga ato nuk e ka autoritetin për të siguruar ordinancat e shpëtimit që janë në dispozicion në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Ne kemi njohuri për këto gjëra, por a i besojmë ato? Nëse këto gjëra janë të vërteta, atëherë ne kemi mesazhin më të madh të shpresës dhe ndihmës që bota ka njohur ndonjëherë. T’i besosh ato është çështje me rëndësi të përjetshme për ne dhe për ata të cilët i duam.

Për të besuar ne duhet ta çojmë ungjillin nga kokat tona te zemrat tona! Është e mundur për ne që thjesht ta jetojmë ungjillin mekanikisht për shkak se kjo gjë pritet ose për shkak se është kultura në të cilën jemi rritur apo për shkak se është një zakon. Ndofta disa nuk e kanë përjetuar atë që ndjeu populli i mbretit Benjamin pas predikimit të tij bindës: “Ata të gjithë thirrën me një zë, duke thënë: Po, ne i besojmë të gjitha fjalët që ti na ke folur; dhe ne gjithashtu dimë për sigurinë dhe vërtetësinë e tyre, për shkak të Shpirtit të Zotit të Plotfuqishëm, i cili ka bërë një ndryshim të madh te ne, ose në zemrat tona, që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”.

Ne të gjithë duhet të kërkojmë që zemrat dhe pikërisht natyrat tona të ndryshohen në mënyrë që të mos kemi më dëshirë për të ndjekur udhët e botës por të kënaqim Perëndinë. Kthimi i vërtetë në besim është një proces që ndodh gjatë një periudhe kohe dhe përfshin gatishmërinë për të ushtruar besim. Ai vjen kur ne i hetojmë shkrimet e shenjta në vend të internetit. Ai vjen kur ne jemi të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Kthimi në besim vjen kur ne u shërbejmë atyre rreth nesh. Ai vjen nga lutja më e zjarrtë, pjesëmarrja e rregullt në tempull dhe përmbushja me besnikëri e përgjegjësive tona të dhëna nga Perëndia. Ai kërkon përpjekje të vazhdueshme e të përditshme.

Shpesh më pyesin: “Cila është sfida më e madhe që has rinia jonë sot?” Unë përgjigjem se besoj se është ndikimi përherë i pranishëm i “ndërtesë[s së] gjerë dhe të madhe” në jetën e tyre. Nëse Libri i Mormonit u shkrua posaçërisht për kohën tonë, atëherë me siguri nuk mund të na shpëtojë lidhja për të gjithë ne e mesazheve në vegimin e Lehit të pemës së jetës dhe ndikimi i atyre që tregonin me gisht dhe talleshin nga ndërtesa e gjerë dhe e madhe.

Ajo që është më dëshpëruese për mua është përshkrimi për ata që tashmë e kanë çarë rrugën e tyre nëpër mjegullat e errësirës në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar, janë kapur pas shufrës së hekurt, e kanë arritur synimin e tyre dhe kanë filluar ta shijojnë frutin e pastër e të shijshëm të pemës së jetës. Më pas, shkrimi i shenjtë thotë se njerëzit e veshur jashtëzakonisht mirë në ndërtesën e gjerë dhe të madhe “ishin duke u tallur dhe duke treguar me gisht drejt atyre që kishin ardhur te pema dhe po hanin frutin.

Dhe pasi ata kishin shijuar nga fruti, u turpëruan për shkak të atyre që po i përqeshnin; dhe ata u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën.”

Këto vargje përshkruajnë ata nga ne që tashmë e kanë ungjillin e Jezu Krishtit në jetën tonë. Qoftë nëse kemi lindur në të ose duhej të çanim rrugën nëpër mjegullat e errësirës për ta gjetur atë, ne e kemi shijuar këtë frut, që “është më i çmueshëm dhe më i dëshirueshëm” dhe ka potencialin për të na sjellë jetën e përjetshme, “më [të] madh[en] nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”. Ne vetëm duhet të vazhdojmë të ushqehemi me bollëk dhe mos t’ua vëmë veshin atyre që do të tallen me bindjet tona ose atyre që kënaqen kur krijojnë dyshime apo atyre që gjejnë gabime tek udhëheqësit dhe doktrina e Kishës. Ajo është një zgjedhje që ne e bëjmë përditë – të zgjedhim besimin para dyshimit. Plaku M. Rasëll Ballard na ka nxitur të “qëndro[jmë] brenda në barkë, [të] përdori[m] jelekët [tonë] të shpëtimit dhe [të] mbah[emi] me të dyja duart”.

Si anëtarë të Kishës së vërtetë të Zotit, ne tashmë jemi në barkë. Nuk kemi përse të shkojmë për të kërkuar nëpër filozofitë e botës për të vërtetën që do të na japë ngushëllim, ndihmë dhe drejtim për të na nxjerrë të sigurt nga sprovat e jetës – ne tashmë e kemi atë! Ashtu si mamaja e Ithënit mund t’i shqyrtonte bindjet e saj të ruajtura gjatë dhe të shpallte me vetëbesim në një çast krize: “Unë vërtet e besoj atë”, ashtu mundemi edhe ne!

Jap dëshmi se anëtarësia jonë në mbretërinë e Zotit është një dhuratë me vlerë të pamatshme. Unë dëshmoj se bekimet dhe paqja që Zoti ka ruajtur për ata që janë të bindur dhe besnikë, e tejkalojnë çdo gjë që mund të kuptojë mendja njerëzore. E lë këtë dëshmi me ju në emrin e Jezu Krishtit, amen.