2010–2019
Udhëheqësit Më Të Mëdhenj Janë Ndjekësit Më Të Mëdhenj
Prill 2016


11:10

Udhëheqësit Më Të Mëdhenj Janë Ndjekësit Më Të Mëdhenj

Do të ketë raste kur shtegu përpara duket i errët, por vazhdoni ta ndiqni Shpëtimtarin. Ai e di udhën; në fakt, Ai është udha.

Kur isha 12 vjeç, babai më mori për gjueti në male. Ne u zgjuam në orën 03:00 të mëngjesit, u vumë shalat kuajve dhe filluam t’u ngjitemi faqes së malit të pyllëzuar në errësirë të plotë. Edhe pse më pëlqente shumë të bëja gjueti me babanë tim, atë çast u ndjeva pak i nervozuar. Nuk pata qenë kurrë më parë në këto male dhe nuk mund ta shihja rrugën – dhe vërtet nuk mund të shihja asgjë! E vetmja gjë që mund të shihja ishte drita e vogël që babi im mbante kur ajo ndriçonte paksa pishat përpara nesh. Po sikur kali im të rrëshqiste dhe të binte – a mundej madje të shihte se ku po shkonte? Por më ngushëllonte ky mendim: “Babi e di se ku po shkon. Nëse ndjek atë, çdo gjë do të jetë në rregull”.

Dhe çdo gjë ishte në rregull. Përfundimisht dielli doli dhe ne patëm një ditë të mrekullueshme së bashku. Ndërsa u nisëm drejt e për në shtëpi, babi im tregoi me gisht një majë madhështore e të pjerrët që dallohej midis të tjerave. “Ajo është Uindi Rixh”, tha ai. “Atje ka gjueti të mirë.” Menjëherë, e ndjeva se doja të vija përsëri dhe t’i ngjitesha një ditë Uindi Rixhit.

Në vitet që pasuan, unë do ta dëgjoja shpesh babanë të fliste rreth Uindi Rixhit, por nuk shkuam kurrë përsëri – derisa një ditë, 20 vjet më vonë, unë i telefonova babit dhe i thashë: “Hajde të shkojmë në Uindi”. Edhe një herë ne u vumë shalat kuajve dhe filluam t’i ngjiteshim faqes së malit. Tani unë isha një kalorës me përvojë në të 30-at e mia, por përsëri u befasova të ndiej të njëjtin acarim që pata ndjerë si djalë 12-vjeçar. Por babi im e dinte rrugën dhe unë e ndoqa pas.

Më në fund ne arritëm në majën e Uindit. Pamja ishte emocionuese dhe ndjesia që më pushtonte ishte se doja të vija përsëri – jo për vete këtë herë, por për bashkëshorten time dhe për fëmijët e mi. Unë doja që ata të përjetonin përvojën që pata përjetuar unë.

Përgjatë viteve, unë pata shumë raste që t’i udhëhiqja bijtë e mi dhe të rinj të tjerë në maja malesh, pikërisht sikurse babai im më udhëhiqte mua. Këto përvoja më kanë nxitur të përsiat se çfarë do të thotë të udhëheqësh – dhe çfarë do të thotë të ndjekësh.

Jezu Krishti, Udhëheqësi më i Madh dhe Ndjekësi më i Madh

Nëse do të duhej t’ju pyesja: “Kush është udhëheqësi më i madh që jetoi ndonjëherë?” – çfarë do të thoshit? Përgjigjja, sigurisht, është Jezu Krishti. Ai dha shembullin e përkryer të çdo cilësie udhëheqjeje të përfytyrueshme.

Por si do të qe nëse do t’ju pyesja: “Kush është ndjekësi më i madh që jetoi ndonjëherë?” – A nuk do të ishte përgjigja përsëri Jezu Krishti? Ai është udhëheqësi më i madh sepse Ai është ndjekësi më i madh – Ai e ndjek Atin e Tij përsosmërisht, në të gjitha gjërat.

Bota jep mësim që udhëheqësit duhet të jenë të fuqishëm; Zoti na mëson që ata duhet të jenë zemërbutë. Udhëheqësit e botës fitojnë fuqi dhe ndikim nëpërmjet talentit, aftësisë dhe pasurisë së tyre. Udhëheqësit si Krishti fitojnë fuqi dhe ndikim “nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur”.

Në sytë e Perëndisë, udhëheqësit më të mëdhenj kanë qenë gjithmonë ndjekësit më të mëdhenj.

Më lejoni të tregoj dy përvoja nga ndërveprimet e mia të kohëve të fundit me të rinj të Kishës, që më kanë mësuar rreth udhëheqjes dhe ndjekjes.

Ne Jemi të Gjithë Udhëheqës

Së fundi bashkëshortja ime dhe unë morëm pjesë në një mbledhje sakramenti larg lagjes së shtëpisë sonë. Pikërisht përpara se të fillonte mbledhja, një i ri m’u afrua dhe pyeti nëse do të ndihmoja për shpërndarjen e sakramentit. Unë thashë: “Do të isha i lumtur ta bëja”.

U ula me dhjakët e tjerë dhe e pyeta njërin që ishte ulur pranë meje: “Cila është detyra ime?” Ai më tha se duhej të filloja ta shpërndarja sakramentin te fundi i sallës së kishës në pjesën e mesit dhe se ai do të ishte në anën tjetër të së njëjtës pjesë dhe së bashku do të shkonim drejt kreut.

Unë thashë: “Unë nuk e kam bërë këtë qysh prej shumë kohe”.

Ai u përgjigj: “Nuk prish punë. Ju do të jeni shumë mirë. Kështu jam ndier edhe unë kur fillova”.

Më vonë dhjaku më i ri në kuorum, i shuguruar vetëm disa javë përpara, dha një bisedë në mbledhjen e sakramentit. Pas mbledhjes, dhjakët e tjerë u mblodhën përreth tij për t’i thënë se sa krenarë ishin për shokun e tyre anëtar të kuorumit.

Duke biseduar me ta atë ditë, zbulova se çdo javë anëtarët e të gjitha kuorumeve të Priftërisë Aarone në atë lagje shkonin te të rinj të tjerë dhe i ftonin të ishin pjesë e kuorumeve të tyre.

Këta të rinj ishin të gjithë udhëheqës të mëdhenj. Dhe ata kishin qartësisht disa mbajtës të mrekullueshëm të Priftërisë Melkizedeke, prindër dhe të tjerë pas tyre që i këshillonin në detyrat e tyre. Të rritur të kujdesshëm si këta i shohin të rinjtë jo thjesht si janë por si mund të bëhen. Kur flasin me rinjtë ose për ta, ata nuk ngulen te mangësitë e tyre. Përkundrazi, ata theksojnë cilësitë e mrekullueshme udhëheqëse që përshfaqin.

Të rinj, kjo është mënyra se si Zoti ju sheh ju. Unë ju ftoj që ta shihni veten në këtë mënyrë. Do të ketë raste në jetën tuaj kur do të thirreni të udhëhiqni. Në raste të tjera, nga ju do të pritet të ndiqni. Por mesazhi im sot për ju është se pavarësisht nga thirrja juaj, ju jeni gjithmonë një udhëheqës dhe ju jeni gjithmonë një ndjekës. Udhëheqja është një shprehje dishepullimi – ajo është thjesht një çështje e të ndihmuarit të të tjerëve të vijnë te Krishti, që është ajo çka bëjnë dishepujt e vërtetë. Nëse po përpiqeni të jeni një ndjekës i Krishtit, atëherë ju mund të ndihmoni të tjerët ta ndjekin Atë dhe ju mund të jeni një udhëheqës.

Aftësia juaj për të udhëhequr nuk vjen nga një personalitet i shoqërueshëm, aftësi motivuese apo madje talenti për të folur publikisht. Ajo vjen nga zotimi juaj për ta ndjekur Jezu Krishtin. Ajo vjen nga dëshira juaj për të qenë, sipas fjalëve të Abrahamit: “ndjekës më i madh i drejtësisë”. Nëse mund ta bëni këtë – madje edhe nëse nuk jeni i përkryer në të, por po përpiqeni – atëherë ju jeni një udhëheqës.

Shërbimi Priftëror Është Udhëheqje

Në një rast tjetër, isha në Zelandën e Re duke vizituar shtëpinë e një nëne të pamartuar me tre fëmijë adoleshentë. Biri më i madh ishte 18 vjeç dhe e pati marrë Priftërinë Melkizedeke vetëm një të diel më parë. E pyeta nëse ai pati qenë në gjendje ta ushtronte deri tani këtë priftëri. Ai tha: “Nuk jam i sigurt se çfarë do të thotë kjo”.

Unë i thashë se ai tani kishte autoritetin të jepte një bekim priftërie për ngushëllim apo shërim. Pashë nga nëna e tij, që nuk kishte pasur pranë vetes një mbajtës të Priftërisë Melkizedeke për shumë vite. “Unë mendoj se do të ishte e mrekullueshme”, thashë unë, “nëse do t’i jepnit mamit tuaj një bekim”.

Ai u përgjigj: “Unë nuk di se si”.

I shpjegova se ai mund t’i vinte duart e veta mbi kokën e nënës së tij, të thoshte emrin e saj, të thoshte se ai po i jepte një bekim me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke, të thoshte gjithçka që Shpirti vendos në mendjen dhe zemrën e tij dhe ta mbyllte në emrin e Jezu Krishtit.

Ditën tjetër, mora një postim elektronik prej tij. Në një pjesë aty shkruhet: “Sonte bekova mamin tim. … Ndihesha shumë, shumë nervoz dhe i papërshtatshëm, kështu që u luta vazhdimisht për t’u siguruar që e kisha Shpirtin me vete, ngaqë nuk mund ta jepja bekimin pa të. Kur fillova, e harrova tërësisht veten dhe dobësitë e mia. … Unë [nuk e prisja] fuqinë e pamasë shpirtërore dhe emocionale që ndjeva. … Më pas, shpirti i dashurisë më mbuloi aq fort saqë nuk i përmbajta emocionet, ndaj e përqafova mamin tim dhe qava si fëmijë. … Madje tani ndërsa shkruaj këtë, [unë e ndiej] Shpirtin [kaq shumë saqë] nuk dua kurrë më të mëkatoj përsëri. … Unë e dua këtë ungjill.”

A nuk është frymëzuese të shohësh se si një i ri në dukje i zakonshëm mund të përmbushë gjëra të mëdha nëpërmjet shërbimit të priftërisë, edhe kur ndihet i papërshtatshëm.? Së fundi mësova se ky plak i ri ka marrë një thirrje për mision dhe do të hyjë muajin tjetër në qendrën e trajnimit misionar. Unë besoj se ai do të udhëheqë shumë shpirtra drejt Krishtit sepse ai ka mësuar se si ta ndjekë Krishtin në shërbimin e tij priftëror – duke filluar në shtëpinë e tij, ku shembulli i tij po ndikon thellë te vëllai i tij 14-vjeçar.

Vëllezër, qoftë në e kuptojmë apo jo, njerëzit po vështrojnë drejt nesh – anëtarë të familjes, miq, madje të huaj. Nuk është e mjaftë për ne si mbajtës të priftërisë që thjesht të vijmë te Krishti; detyra jonë tani është “t’i ftoj[më] të gjithë të vijnë te Krishti”. Ne nuk mund të kënaqemi duke marrë bekime shpirtërore për vete; ne duhet t’i udhëheqim njerëzit që i duam te po ato bekime – dhe si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet ta duam gjithkënd. Urdhri i Shpëtimtarit për Pjetrin është gjithashtu urdhër për ne: “Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu”.

Ndiq Burrin e Galilesë

Do të ketë raste kur shtegu përpara duket i errët, por vazhdoni ta ndiqni Shpëtimtarin. Ai e di udhën; në fakt, Ai është udha. Me sa më shumë zell të vini te Krishti, aq më thellësisht do të doni t’i ndihmoni të tjerët të përjetojnë atë që keni përjetuar ju. Një fjalë tjetër për këtë ndjesi është dashuria hyjnore, “që [Ati] ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht”. Atëherë ju do të kuptoni se në vetë aktin e të ndjekurit të Krishtit, ju gjithashtu po i udhëhiqni të tjerët drejt Tij, sepse siç thotë Presidenti Tomas S. Monson: “Kur e ndjekim atë Burrë të Galilesë – madje Zotin Jezu Krisht – ndikimi ynë vetjak do të ndihet për mirë kudo që jemi, cilatdo qofshin thirrjet tona”.

Unë jap dëshmi se kjo është Kisha e vërtetë e Krishtit. Ne udhëhiqemi nga një profet i Perëndisë, Presidenti Monson – një udhëheqës i madh që është gjithashtu një ndjekës i vërtetë i Shpëtimtarit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.